BREAKING NEWS

Ministria e Shëndetësisë publikon bilancin: 130 raste të reja brenda 24 orëve

Ministria e Shëndetësisë publikon bilancin: 130 raste të
x

Opinion / Editorial

Njeriu pa kundërshtarë, është njeri pa cilësi

Njeriu pa kundërshtarë, është njeri pa cilësi

Një lagje në Sauk mbetet shpesh herë pa energji elektrike, ngaqë ndodhin defekte të pajustifikuara në kabinën nga ushqehet ky rrjet. Një ditë erdhi përfaqësuesi përgjegjës për këtë linjë dhe mori kontakt me banorët e lagjes. Njëri nga banorët edhe pse e kishte mik përfaqësuesin e drejtorisë, u ngrit dhe pa dorashka, bëri vërejtje se defektet e përsëritura ishin thjesht për neglizhencë të drejtorisë së filialit të OSHEE, që nuk kishte marrë masat e nevojshme që ky defekt të mos përsëritej më. “Të kam mik - tha me sinqeritet qytetari - por ama në këtë drejtim nuk të toleroj aspak, se nuk kemi asnjë kusur ne banorët e kësaj lagjeje që për teka të personave të veçantë të mbetemi pa drita, ndërkohë që po e paguajmë rregullisht energjinë që shpenzojmë”. Përfaqësuesi i OSHEE, me vështirësi i gëlltiti kritikat aty në takim, por edhe pse u mundua të tregohej i qetë, i futi “xixat” kundër kritikuesit tek miqtë e shokët që e shoqëronin vazhdimisht dhe që e duartrokisnin edhe kur ai nuk kishte të drejtë. “E çfarë zgjodhe me ato fjalë të bukura që the sot në mbledhje - iu hakërruan ata bashkëqytetarit të tyre! Asgjë, vetëm se shtove edhe një armik të ri. Edhe shefin tani nga mik e bëre kundërshtar”. “Ç’është kjo?- ua ktheu i çuditur qytetari. Si u bëkan armiqtë kështu në demokraci, ku secili mund ta thotë hapur mendimin e tij. Unë shefin e dua dhe e vlerësoj për punën që ka bërë, por edhe vërejtje i bëj, kur e shoh që puna nuk ecën. Pastaj shefin e kam edhe të partisë sime e nuk duhet t’ia marrim për keq njëri-tjetrit. Partia ime është më e fortë, kur i pranon sinqerisht kritikat dhe i shërben më mirë popullit. Kjo nuk do të thotë se meqë unë i bëra një kritikë për të mirën e punës, nuk e dua më shefin”. Por se sa i hapur ishte shefi ndaj kritikës dhe sa i vlerësonte ai shokët e miqtë e vërtetë, u duk pas pak, kur ai i ftoi të tjerët për kafe dhe me atë që e kritikoi nuk pranoi të bënte as përshëndetjen e ndarjes. Kështu, ata që janë mësuar të drejtojnë me megalomani, që t’i duartrokasësh për çdo gjë, pa pranuar asnjë vërejtje edhe kur gabimet i kanë me thasë, krijojnë me vartësit apo me ata që u marrin votat, vetëm marrëdhënie hipokrizie. Gjatë fushatave të gjithë kandidatët bëhen urë para elektoratit, nuk bëjnë dallime në të zgjuar e budallenj, intelektualë e llafazanë, hileqarë e të sinqertë, por u hedhin dorën në sup të gjithëve e i përqafojnë të përmalluar, por sa u marrin votën, jo vetëm nuk u zgjidhin asnjë hall, por nuk denjojnë as tu hedhin sytë. Edhe kur i kritikon për të mirë të punës, apo u kërkon diçka që të takon, të quajnë kundërshtar, gërricës, të pakënaqur, konfliktual, e fillojnë të hakmerren. Pra, këta lloj drejtuesish pushtetin që kanë marrë me votën e qytetarit të ndershëm, e përdorin për ta mposhtur e denigruar atë. Sot, në demokraci, janë të paktë kuadrot e përkushtuar sinqerisht në shërbim të punës dhe njerëzve hallexhinj. Në kohën e monizmit kemi patur një sekretar partie me kulturë të gjerë, i pakompromentueshëm, tepër i sinqertë dhe që dinte të komunikonte edhe me gjuhën e mirëkuptimit edhe të ligjit. Por nuk falte batakçinjtë, sidomos lajkatarët e qylaxhinjtë, dhe doemos kishte edhe mjaft kundërshtarë. “Si shpjegohet, që ke kaq shumë armiq e nuk të duan, o sekretar”, i tha njëri nga ata që e kishte patur “grurë” me të gjithë të mëdhenjtë e kooperativës, por që me sekretarin e ri nuk po i ecte. “Në radhë të parë unë nuk kam armiq, se ti nuk je në gjendje të dallosh as mikun dhe as armikun”, ia ktheu sekretari. “Unë kam kundërshtarë, por jo shumë, aq sa duhen. Pa kundërshtarë nuk ecet përpara. A e di ti o i nderuar, se edhe Krishti që fetarët e mbajnë si më të kulluarin, ka kundërshtarë”. Njerëzit “qejfpaprishur” dhe “punë pa bitisur”, mendojnë se të kesh kundërshtarë, do të thotë se nuk bën e je i paaftë. Përkundrazi,siç thotë populli: “Pema me kokrra qëllohet me gurë”. Njeriu i drejtë, njeriu që punon, bën edhe gabime, ndaj ka edhe kundërshtarë. Por kryesorja është të punosh me sinqeritet, të shfrytëzosh në maksimum energjitë e tuaja, të japësh maksimumin e të mos bësh kurrë diferencime në vartësit tuaj. Të qëndrosh në pozicionin tënd aq kohë, sa mos ta bësh kundërshtare shumicën që drejton e me të cilën punon. Po erdhi puna gjer aty sa shumica dërmuese të kthehet kundër, më mirë jep dorëheqje dhe mos prit të të heqin. E rëndësishme për atë që ka vendosur të jetë person publik, është mbajtja e fjalës së dhënë, e premtimeve që ka bërë. Fjalët që ka thënë një herë ish-deputeti i PS, i ndjeri Dritan Çerma, në një fushatë elektorale, në formë humori më vijnë të freskëta në mendje edhe sot, sa herë nisin partitë fushatat. Vinin kandidatët e partive paradite e pasdite, e i premtonin popullit shumë gjëra, për t’i marrë me çdo kusht votat. Kandidati i PD vinte çdo pasdite e premtonte qiejt, ashtu siç bën Basha sot, kurse Dritani fliste thjesht, konkretisht e zbërthente alternativën e PS. Kur një i ri u ngrit dhe i kërkoi të premtonte gjërat që kishte nevojë populli, që t’i kënaqte të gjithë kur të vinte në pushtet, duke thënë se “ne presim shumë nga demokracia”, se “kandidati i PD na ka premtuar më shumë” etj., Dritani as nuk u nxeh, as nuk e quajti sherrxhi e konfliktual, por e afroi pranë vetes, e falenderoi për kritikat që bëri dhe duke buzëqeshur i tha: “Unë ju premtoj aq sa mund të realizoj. Ata që kërkove ti, pritni se ua sjell kandidati i PD pasdite”. Shumica që e kuptoi ironinë qeshën sinqerisht dhe Dritani i PS edhe për atë legjislaturë i mori votat e u bë deputet. Po sot nuk i kemi më deputetë të tillë, se nuk u intereson shumë vota, por vendi që u siguron kryetari në listë. Pushtetari që ka marrë përsipër të kryejë një detyrë publike, duhet t’i llogarisë mirë jo vetëm mundësitë dhe aftësitë e tij, por edhe pengesat që do t’i sjellin kundërshtarët. Sa më shumë të punosh e t’i shërbesh popullit, aq më shumë do të kesh xhelozë, smiraxhinj, kundërshtarë e kritika. Njeriu që nuk gabon e që nuk ka kundërshtarë, është njeriu që nuk bën asgjë. Burri që ka shumë kundërshtarë nuk rrëzohet kollaj, sepse ai i ruhet së keqes nga të gjitha anët. Nëse të gjithë do të mendonin hë mo, të mos e prish me këtë, t’i bëj qefin atij, të bëjë sikur e dua edhe atë që nuk ka moral e saboton, t’i fërkoj kurrizin edhe kur shkel ligjet, apo t’i marrë votën në këmbim të pesë lekëve, atëherë këtu tek ne do të krijohet një shoqëri delesh. Dhe një filozof thotë se “një shoqëri delesh me kohë lind një qeveri ujqërish”. Intelektualin e vërtetë, që punon me ndershmëri, që kritikon pa dorashka kur sheh gabime, që i do të mirën si drejtuesit ashtu dhe partisë që përfaqëson, edhe nëse e përçmon kasta drejtuese, është një masë e madhe njerëzish që e do dhe e vlerëson, ndaj s’e bëjnë dot të papërfillshëm. Njeriu duhet të jetë gjithmonë vetvetja. Nëse shoqëria që jetojmë përgjithësisht nuk ka kulturën e nevojshme për t’u integruar në strukturat europiane, kjo vjen edhe nga që në vite jemi rritur me një moral të dobët, të moskontrollit të vetvetes, të brutalitetit e bullizmit me njëri-tjetrin e me shtetin, të mospërfilljes së vartësit nga eprori, të mosrespektimit të voglit nga i madhi, i femrës nga mashkulli, të mos qenit të barabartë ndaj ligjit e marrëdhënieve që rregullojnë jetën e përditshme. Ende jetojmë kohën ku shpesh mbizotëron dyfytyrësia. Por duhet ta kemi të qartë, se kush ka jetuar me dy fytyra, ka vdekur i pafytyrë.