Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Njeriu pas 110 milionë eurove të pensionistëve, mjekëve dhe arsimtarëve

Postuar: 15/11/2019 - 07:13

Quhet Francesko Becchetti (në shqip Françesko Beketi). I kërkon shtetit shqiptar 110 milionë euro. Më 27 gusht të këtij viti, qeveria jonë, nëpërmjet Avokaturës së Shtetit, arriti të pezullojë përkohësisht zbatimin e vendimit të marrë nga Qendra Ndërkombëtare e Zgjidhjes së Mosmarrëveshjeve për Investimet. Kjo qendër është një strukturë e Bankës Botërore dhe përfaqëson një institucion arbitrazhi, një gjykatë të mirëfilltë, me vendime të detyrueshme për t’u zbatuar nga shtetet anëtare dhe përfituese nga fondet e Bankës Botërore. Një prej këtyre vendeve është edhe Shqipëria. Më 24 prill 2019, kjo gjykatë e Bankës Botërore, nëpërmjet një gjykimi të një treshe gjyqtarësh (arbitrash), pas ankesës së bërë nga sipërmarrësi italian Francesco Becchetti, vendosi të gjobisë shtetin shqiptar me pagimin e 110 milionë eurove në dobi të sipërmarrësit. Vendimi nuk është bërë publik. Kështu që nuk dimë mënyrën e arsyetimit të gjykatës. Kuptojmë vetëm se me gjobën 110 milionë euro, Gjykata e Bankës Botërore i ka dhënë deri diku të drejtë ankesës së bërë nga sipërmarrësi italian, i cili me avokatët e tij kishte kërkuar një dëmshpërblim 640 milionë euro. Mësojmë diçka më shumë nga një shkrim për këtë çështje i portalit ndërkombëtar “Law360(Ligji360)” https://www.law360.com/articles/1170703/albania-must-pay-125m-in-claim-o...), i risjellë nga një portal shqiptar. Në këtë shkrim citohet sipërmarrësi italian Becchetti të jetë shprehur “Marrja e konfirmimit se ke qenë subjekt i një persekutimi nga një shtet është e rrallë dhe ne jemi të kënaqur që fjalët e shkruara nga arbitrat tregojnë se jemi plotësisht të pafajshëm” ( https://dosja.al/del-shifra-ekzakte-francesko-beketi-do-te-marre-110-mil...). Po a është persekutuar (ndjekur) sipërmarrësi italian nga shteti ynë, apo me shumë mjeshtëri, ai ka “persekutuar (ndjekur)” paranë e pensionistëve, mjekëve dhe arsimtarëve shqiptarë (pra të Buxhetit tonë të Shtetit)? Si qëndron e vërteta? Francesco Becchetti është nipi i Manlio Cerroni-t, manjatit italian të prodhimit të energjisë nga plehrat, pronar i fushës së plehrave më të madhe të Europës, Malagrotës pranë qytetit të Romës, sipas shtypit italian i arrestuar nga policia italiane më 9 janar 2014 (sipas shtypit italian: https://ëëë.ilfattoquotidiano.it/2014/01/09/rifiuti-7-arresti-a-roma-anche-il-patron-malagrotta-manlio-cerroni/836318/, nën akuzat e krijimit të një grupi kriminal, mashtrimit dhe trafiku i paligjshëm i mbeturinave. Po sipas medias italiane, Francesco Becchetti i ka marrë një prej bankave më të mëdha të botës, bankës gjermane Deutche Bank 159 milionë euro për një hidrocentral të liçencuar dhe të pandërtuar në Shqipëri (https://ëëë.ilfattoquotidiano.it/2015/12/14/agon-channel-truffe-milionarie-e-enorme-riciclaggio-le-accuse-a-becchetti/2303476/). Të gjithë ne e dimë dhe e kemi dëgjuar emrin e hidrocentralit-ëndërr: hidrocentrali i Kalivaçit. Por si ndodhi që një italian i zgjuar të pasurohet duke mos ndërtuar në Shqipëri? Këtë na e tregojnë gazetarët italianë. Sipas gazetarit italian Lorenzo Bagnoli në shkrimin e tij “Agon Channel-mashtrime miliona euro dhe riciklim i jashtëzakonshëm parash: akuzat ndaj Becchetti-t”, të datës 14 dhjetor 2015 në gazetën italiane “Fakti i ditës” sipërmarrësi Becchetti mori nga shteti shqiptar në vitin 1997 një leje për të ndërtuar një digë (hidrocentral) me fuqi 80 megavat mbi lumin Vjosë, në luginën e Kalivaçit. Për të marrë lejen, ai themeloi shoqërinë aksionere “Kalivaç Green Energy (në anglisht-Energjia e Gjelbër e Kalivaçit)”. Në këtë shoqëri, Becchetti, me njohjet e dajës së tij mundi të tërheqë si ortak, fillimisht gjigantin shtetëror italian të energjisë ENEL dhe më vonë super bankën gjermane Deutsche Bank. Po ç’ndodhi mes Beketit dhe ENEL? Këtë e shpjegon një tjetër media italiane “Magazinedonna.it”, në artikullin e saj “Misteri Agon Channel bën të dridhet edhe vetë ENEL-in” (https://ëëë.magazinedonna.it/mister-agon-channel-fa-tremare-anche-lenel/21985/”. Sipas saj, rreth vitit 2000, Francesco Becchetti bind administratorin e ENEL Franco Tatò dhe Presidentin Chicco Testa të ndërtojnë sëbashku një hidrocentral me fuqi 100 megavat në Shqipëri. Italianët e ENEL u bindën, pasi Francesco ju tha se energjia e prodhuar do të transportohej pastaj në Itali me një kabllo nëndet të quajtur Unaza Mesdhetare. Falë kësaj infrastrukture dhe marrëveshjes dypalëshe Itali-Shqipëri, energjia elektrike shqiptare do të shitej në Itali me zbritjet e taksave për energjinë e rinovueshme. Mirëpo marrëveshja nuk u zbatua dhe Becchetti u ndje i tradhëtuar. Mendoi ta hedhë në gjyq ENEL. I kërkoi 440 milionë euro dëmshpërblim. Mes procedurave të arbitrazhit, sekuestrimeve paraprake të pasurive dhe konfiskimeve, mosmarrëveshjet e Francesco Becchettit me ENEL kanë vazhduar rreth 18 vjet. Ende për ENEL mashtrimi i Becchettit është një ankth financiar i vërtetë. Ndërkohë, po sipas gazetarit italian Lorenzo Bagnoli në shkrimin e përmendur më sipër, Francesco Becchetti bind investuesit e bankës gjermane Deutsche Bank të investojnë në energjinë e rinovueshme në Shqipëri dhe e kalon shoqërinë aksionere “Energjia e Gjelbër e Kalivaçit” që zotëron nën kontrollin 100 për qind të kompanisë “Hydro srl”. Kjo shoqëri gjatë viteve 2007-2013 kalon 55 për qind në pronësi të familjes Becchetti, nëpërmjet grupit energjetik BEG (Becchetti Energy Group) sha dhe 45 për qind në pronësi të Deutsche Bank. Sot ajo i përket vetëm grupit energjetik BEG sha (ku aksioner me 10 për qind është daja i tij manjati i riciklimit të plehrave, Manlio Cerroni). Po si? Sepse shoqëria aksionere “Energjia e Gjelbër e Kalivaçit” pagoi për të ndërtuar hidrocentralin kompaninë “Energij”, një kompani tjetër të familjes Becchetti, me pronar kryesor shoqërinë “Costruzioni srl”, në pronësi të nënës së Françeskos. Në vitin 2009, Becchetti i kërkon shoqërisë aksionere “Energjia e Gjelbër e Kalivaçit” një kompensim prej 48 milionë eurosh për 911 ditë punë të “Costruzioni srl”që nuk janë paguar kurrë. Deutsche Bank nuk pranon të paguajë 45 për qind të kësaj shume. Becchetti e hedh në gjyq në Shqipëri dhe gjykata jonë vendos në favor të tij. Sigurisht, Deutsche Bank nuk pranon të paguajë për punë që nuk janë kryer kurrë. Mirëpo italiani i zgjuar Becchetti, me vendimin e gjykatës shqiptare në dorë, e hedh në tre gjyqe ndërkombëtare bankën gjermane Deutsche Bank. Dhe letrat, marrëveshjet flasin në dobi të tij. Në dy nga këto tre gjyqe ndërkombëtare, Deutsche Bank humbet dhe vendos të mos e çojë më tej. Gjithnjë sipas mediave (vetë banka nuk ka konfirmuar kurrë) i paguan 159 milionë euro italianit që hiqet si viktimë se nuk i kanë bërë punën. Kjo “viktimë” është sot në gjueti të 110 milionë eurove nga buxheti ynë i shtetit, nga paratë për të shtuar pensionet dhe pagat e mjekëve dhe arsimtarëve. Do ta lëmë të na i “peshkojë” këto para me morinë e avokatëve të tij, njëlloj si mbrohej në Itali daja i vet? Qeveria po bën të mundurën. Ka pajtuar si avokate të shtetit shqiptar kundër Becchetti-t një nga firmat amerikane të avokatisë më prestigjoze në botë në mbrojtjen e shteteve nga mosmarrëveshjet me investuesit, firmën “Foley Hoag”. Por misioni është shumë i vështirë, pse Becchetti tregohet i pashoq në manovrimet e tij. Jo “pa merita” ka futur në thes gjigantë si ENEL dhe Deutsche Bank. Madje kjo e fundit dhe ka paguar për ta hequr qafe këtë “investues”. Në Deutsche Bank nuk duan as të dëgjohet emri i tij, e jo më të flasin për të. Ky pehlivan na ka rënë për pjesë. Tani është koha që opinioni i shëndoshë publik i vendit të jetë pranë përpjekjeve të qeverisë sonë, sidomos të Avokaturës së Shtetit, për të mos e lënë italianin “e shkathët” Bechetti të na i përlajë 110 milionë euro para të pensionistëve, arsimtarëve e mjekëve, pse gjoja e paskemi persekutuar. 

Nga Fatos Çoçoli

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 08/12/2019 - 07:54

Pas leximit të librit “Blloku” njerëz të fushës së letrave, mes të tjerave vunë në dukje sidomos faktin që libri lexohej me interes ngaqë ishte i shkruar mjaft bukur, pra të jepte një shije të mirë leximi.

Postuar: 08/12/2019 - 07:50

Në këto tri dekada që pas përmbysjes së sistemit komunist, për herë të parë ndodh një rokadë norm

Postuar: 08/12/2019 - 07:48

Tërmeti i 26 nëntorit krijoi jo pak viktima, trauma që zor se kanë për t’u harruar, por gji

Postuar: 07/12/2019 - 07:15

Është praktika më normale që një kryeministër dhe çdo qeveritar të takohet me qytetarët nga më i

Postuar: 07/12/2019 - 07:14

Kaluam një tragjedi të madhe, me humbje jetësh e materialesh, që nuk përshkruhen dhe as nuk harro

Postuar: 07/12/2019 - 07:12

Sipas vlerësimit nga shkencëtarët, në botë për çdo ditë ndodhin mijëra tërmete të intensiteteve t

Postuar: 07/12/2019 - 07:08

Vazhdon të rezultojë si një pyetje e rëndësishme ajo që tundon të gjithë: A mund të riparojnë dëm