BREAKING NEWS

Publikoi videon e Lefter Allës duke thithur kokainë, Artan Hoxhën e thërrasin në Polici, vjen reagimi që nuk pritej i Blendi Fevziut

x

Opinion / Editorial

Nostalgji: dy ditë në Plavë, Vuthaj dhe Guci

Historia na ka dënuar padrejtësisht nga fuqitë e mëdha në Kongresin e Berlinit në 1878 dhe në Konferencën e Ambasadorëve në 1913, që një vend i vogël si Shqipëria, është copëtuar në pesë pjesë, që ngjan si pëllëmba e dorës ku pesë gishtërinjtë si ngjajnë njëri-tjetrit. Jemi i vetmi vend në Europë që kufizohem me vetveten, në veri-perëndim me shqiptarët e Malit të Zi, në veri me Kosovën, në lindje me shqiptarët e Maqedonisë, në jug-lindje dhe në jug me shqiptarët e Greqisë. Kufiri i Shqipërisë, është i rrethuar si një kurorë nga troje me popullsi shqiptare. Kjo ndarje më shumë se një shekullore, duke i shtuar dhe izolimin gjatë periudhës komuniste, ka bërë që shqiptarët që jetojnë në shumë shtete, të mos e njohin njëri-tjetrin. Me lindjen e pluralizmit politik, u krijuan mundësi për shqiptarët e Shqipërisë për tu vendosur disa ura lidhjeje veçanërisht me shqiptarët e Kosovës, të Malit të Zi, kryesisht me krahinën e Ulqinit dhe të Maqedonisë së Veriut, veçanërisht me shqiptarët e Strugës, Ohrit, Tetovës dhe Gostivarit.

Nostalgjia për të njohur vendin tënd në tërë arteriet e kombit, është një ngacmim i brendshëm, që troket në ndërgjegjen e çdo atdhetari. Në vitet e demokracisë i kam shkelur tërë qytetet kryesore të Kosovës, të qyteteve shqiptare të Maqedonisë, si dhe krahinën shqiptare në veri të Serbisë, Preshevën, Bujanovcin e Medvegjën, bregdetin e Malit të Zi, si Tuzin, Ulqinin dhe Tivarin, por më kishin mbetur pa vizituar malësia, Plava, Vuthaj e Gucia. Shkova me një guidë turistike për të njohur trojet e vëllezërve tanë në këto anë. Ishte një udhëtim që mbartte me vete kureshtjen, për të mësuar disa të panjohura të atij vendi piktoresk të malësorëve tanë kreshnikë. Udhëtimet turistike vazhdimisht i bëj me bashkëshorten time, sepse edhe ajo është shumë e interesuar për të njohur historitë e vendeve të ndryshme të Europës e më gjerë dhe për më tepër ato të trojeve shqiptare. Për të mbërritur në stacionin e parë të guidës që ishte qyteti i Plavës, do kaloje mes disa vendeve të bukura të rrethinave të Shkodrës, përfshirë këtu Tamarën dhe Lëpushën, një vend ky i fundit me bukuri të rralla natyrore ku zhvillohet çdo vit dhe “Miss Bjeshka”, me pjesëmarrjen e gjithë krahinave të Malësisë së Veriut përfshirë këtu dhe Kosovën.

Qëndresën në Lëpushë e përjetova duke evokuar kujtimet e disa vjetëve më parë, që së bashku me mikun tim të nderuar, shkencëtarin shkodran Dr. Ahmet Osja, morëm pjesë në një edicion të “Miss Bjeshkës”, ku asistonte dhe Profesor Arben Malaj, si përfaqësues i qeverisë, ish-ministër i Financave. Lëpushën e ka pikturuar natyra me një kolorit ngjyrash të arta mahnitëse si të ylberit, që veshin gjithë drurët gjethor të zonës. Vizituam ujëvarat e Lëpushës që gurgullojnë nga uji i kristaltë i bjeshkëve të Kelmendit. Drekuam në Lëpushë me gjellë karakteristike të zonës, që janë produkte bio dhe morëm rrugën drejt doganave Shqipëri-Mali i Zi, për të qëndruar në qytetin e Plavës. Aty provoje dhimbje dhe kënaqësi. Dhimbja buronte ngaqë në trojet shqiptare dëgjon të flasin serbisht, serbokroatisht dhe shumë pak shqip. Ky vend i të parëve tanë është braktisur si rrjedhojë e politikave ç’kombëtarizuese, që ka bërë ish-Jugosllavia, e më pas Serbia në strategjinë e saj dinamike me popullatën shqiptare. Emri ka mbetur tokë shqiptare, se Plava është e populluar me malazezë, serbë dhe boshnjakë. Historia e shqiptarëve të Plavës ishte shuar e perënduar me largimin e banorëve nga trojet e të parëve të tyre. S’kishe çka vizitoje, veç një kulle karakteristike tradicionale, që quhesh kulla e Liqenit, ku edhe aty ciceroni ishte boshnjak. Plava që ka një popullsi rreth 8000 banorë, vetëm 5 për qind janë shqiptarë.

Në memorien dhe vetëdijen tënde zhgënjehesh me faktin se ato janë troje shqiptare, por vetëm kaq, se banorët e tyre kanë emigruar në vende të ndryshme të Europës dhe Amerikës. Drama shqiptare e gjenocidit serb të shoqëron kudo në tërë trevat që kanë qenë nën Jugosllavi. Kjo plagë të ndjek nga pas dhe në Guci, por është më pak e mahisur. Në Guci, raporti shqiptar dhe popullsi sllave shkon gjysmë për gjysmë. Në qytetin e Gucisë, vizituam krojet dhe rrugën e Ali Pashë Gucisë. Darkuam në një lokal me pronar shqiptar në Guci, nën tingujt e muzikës shqiptare, që kalonte në tërë arteriet e Atdheut, nga jugu në veri, deri në Kosovë e Çamëri. Fjetja ishte organizuar në fshatin Vuthaj, ku çdo çift u akomodua në një vilë druri, komode. Shijuam një mëngjes me produkte karakteristike të zonës, ku mjalti i luleve të malit dhe bulmeti i freskët të jepnin kënaqësi të veçantë. Vuthaj ishte një fshat tepër piktoresk, që ngjante si një amfiteatër natyror, një fushë e gjelbëruar nga bimësia natyrore dhe e kultivuar, rrethuar me kurorë malesh të larta, që dukeshin se po preknin qiellin.

Vizituam disa pika piktoreske, si ujëvarën e Gërlasë, syrin e Skafkacit dhe disa burime karakteristike me ujin e kristaltë të bjeshkëve. Aty, flitej vetëm shqip dhe banorët ishin tepër bujar e mikpritës. Inspiroheshe dhe relaksoheshe në këtë mjedis të bukur natyror dhe shpirtëror, mes vëllezërve dhe motrave të shqiptarëve të Malit të Zi. Bir i fshatit Vuthaj është dhe akademiku kosovar, Profesor Rexhep Qosja, një thesar i kulturës dhe letrave shqipe, një rilindës i kohës tonë, “Nderi i Kombit”, dhe njëherazi Kryetar Nderi i Shoqatës Kulturore Atdhetare Labëria, “ Nderi i Kombit”.

Bashkëfshatarët e Vuthit, kur i pyeta për birin e tyre të respektuar në tërë trojet shqiptare, të flasin me krenari të ligjshme. Ai, e frekuenton vazhdimisht vendlindjen, veçanërisht në periudhën e verës, që freskia dhe bukuria natyrore të josh ta kalosh kohën në ato bjeshkë të hijshme e të harlisura nga bimësia multikolor, ku Profesor Qosja, ka ngritur dhe një kullë të gurtë tradicionale. Pasi mbaruam vizitat në Plavë, Vuthaj e Guci, u kthyem për në Shqipëri, por devijuam rrugën për një kafe në fshatin Vermosh, që është ballkoni i Malësisë së Kelmendit. Ndalesën tjetër e bëmë në Tamarë, qendër administrative e Kelmendit, qysh në 1935, ku gjarpëron lumi i Cemës, në një mjedis të stolisur me arkitekturë druri. Rruga e sertë e Malësisë së Madhe, një rrugë shumë e vështirë, por që të josh nga bukuria natyrore, me pyje të gjelbëruar dhe ujëra të kulluar, kalon mes kreshta malesh deri në Vermosh, mban emrin rruga e Rinisë, që e ke vështirë ta besosh në ditët e sotme se si janë çarë shkëmbinjtë e malet me kazma e lopata nga aksionistët e rinisë punëtore, fshatare e shkollore, që u inaugurua në 16 Tetor të vitit 1968.

Përbërja e grupit të guidës turistike ishte heterogjene, nga Tirana, Fieri, Korça, Vlora, nga e gjithë Shqipëria. Ajo që të binte në sy dhe që është për tu përgëzuar, ishte se në strukturën e saj kishte nga të gjitha moshat, por risia ishte se në përbërje të grupit kishte disa të rinj, djem dhe vajza nga rinia shkollore dhe punëtore. Ata, e kishin ndërmarrë këtë ekskursion, jo vetëm për tu njohur me bukuritë natyrore të trevave shqiptare, por edhe me gjeografinë dhe historinë shekullore të vendit tonë, të copëtuar e masakruar nga fuqitë e mëdha tinëzare të Europës. Guidat turistike janë një gjetje racionale, se krijojnë privilegjin për shtresat e gjëra të popullsisë që nuk kanë mundësi ekonomike të lëviznin individualisht, për të vizituar e njohur trojet shqiptare e më gjerë, vende të ndryshme të Europës e të botës.