BREAKING NEWS

71 raste të reja në Shqipëri me Covid-19

71 raste të reja në Shqipëri me Covid-19
x

Opinion / Editorial

Nostalgjia për artin dhe artistët, neveria për aktorët e politikës…

Nostalgjia për artin dhe artistët, neveria për aktorët e

… Në periudhën e tridhjetë viteve në  “skenën” politike shqiptare, këta dy vitet e fundit, u luajt skeçi teatral “Shembja”! Edhe ky skeç teatral mbaroi, perdja mbyllet për t’u “hapur” ligësia dhe neveria e kësaj politike, që nuk dihet nëse do të ketë ndonjëherë fund apo jo. Ta themi qysh në fillim. Politikanët e këtij vendi, të majtë, të djathtë apo “gjumashë”, janë si puna e “shosharkave”! Të majtat lëvdojnë “shoshën” e tyre, të djathtat të tyren… Në rastin konkret të teatrit, ata që ishin për prishjen e tij, nuk janë më të mirë nga ata që ishin për mosprishjen e tij. Mënyra si u veprua, për të mbajtur gjallë një vjetërsirë dhe mënyra si u veprua për të prishur një objekt me aq vlera sa kishte janë në të njëjtën “linjë” dhe askujt të mos i shkojë ndërmend që njëri krah është më i mirë nga krahu tjetër. Të gjithë janë i njëjti “brumë” dhe këta “mydeberë” të politikës, kanë interesat e tyre. Humbjen e një vjetërsire, por vazhdojmë me ngritjen e shumë “mureve” të urrejtjes midis nesh nga të dy krahët e politikës. Kaq për këtë!. Mbas përfundimit të këtij “skeçi”, radhën e kanë “aktorët” mësues të politikës, të lidhur me disa “aktorë” të skenës që i bashkojnë interesat e ngushta, por jo ato të teatrit të vërtetë. Mund të jesh aktor, por nuk mund të jesh artist, mbasi midis tyre ka një “hendek” të madh. Këta janë, si të them si “hendeku” midis politikanëve dhe shtetarëve, ku ndërsa politikanët mendojnë për zgjedhjet e ardhshme, shtetarët mendojnë për gjeneratat e ardhshme. Aktorët e politikës, përdorin disa aktorë të skenës për të realizuar qëllimet e tyre, kurse artistët e vërtetë, kanë synim që artin ta bëjnë “ushqim” të të gjithëve. “Spektatorët” e këtij “skeçi teatral” sipas “aktorëve” të politikës, janë ndarë më dysh, të majtë e të djathtë, që jo vetëm që nuk marrin vesh nga teatri i vërtetë, por as që nuk e dinë se ku fillon arti i vërtetë dhe ku përfundon agresiviteti i “aktorëve” të politikës. Në këtë kuptim, askujt të mos i shkojë ndërmend që politika qëndron larg këtij “skeçi teatral” ashtu si dhjetëra e qindra “skeçe teatralë” në këtë periudhë tridhjetë vjeçare. Askujt të mos i shkojë ndërmend se të gjithë ata aktorë që kanë luajtur në këto skena të këtij teatri janë të gjithë artistë siç edhe po e tregojnë me “aktrimin” e tyre, me fjalorin e tyre, me “dashurinë” e tyre për artin e vërtetë. Arti i vërtetë është ushqimi shpirtëror i popullit, është si vetë buka, si oksigjeni pa të cilën njeriu nuk mund të jetojë. Këtë ushqim, na e kanë sjellë pranë artistët e vërtetë. Ndërtesa e teatrit tashmë u shemb, nostalgjia dhe ligësia vazhdojnë. Duket sikur të dyja ecin bashkë si bashkudhëtare, siç kanë ecur gjithmonë ndër shekuj. Skeçi teatral “Shembja” është ndoshta “premiera” më e gjatë e filluar para afro tre vitesh dhe ja, më në fund përfundoi. Përfundoi dhe e vërteta është që nuk duhej të kishte përfunduar me këtë fund tragjik. E them këtë mbasi këtë fund i dhanë “aktorët” e politikës. Një pjesë e aktorëve ishte për shembjen e saj, një pjesë e tyre ishte për të mos u shembur ajo. Këto dy kategori “aktorësh”, ndahen në aktorë politikanë dhe aktorë skene në shërbim të tyre. Artistët e vërtetë, nuk përzihen në këtë “çorbë” që gatuan politika. Të çudit fakti që në skenat e këtij teatri kanë lozur rolet e tyre me dhjetëra e qindra artistë të mëdhenj, që na kanë sjellë para syve ngjarje të mëdha, na kanë sjellë kryevepra botërore. Dhe ja. Të gjithë kujtojnë interpretimin e shkëlqyer të aktorëve tanë të talentuar, qysh nga Aleksandër Moisiu e deri tek më i fundit Rikard Ljarja, që u nda nga jeta kohët e fundit. Kujtojmë të mëdhenjtë e skenës së teatrit  Kadri Roshi, Sulejman Pitarka, Lazër Filipi, Mihal Popi, Naim Frashëri, Timo Flloko, Tinka Kurti,Violeta Manushi, Drita Pelingu, Prokop Mima. Marije Logoreci, Demir Hyskja, Luftar Paja, Hajrije Rondo, Agim Qirjaqi, e shumë e shumë të tjerë që janë të panumërt dhe e kam të pamundur t’i përmend të gjithë këta kolosë të skenës. Sa e sa herë kemi dalë nga skena e teatrit me sy të përlotur për atë interpretim që artistët kanë luajtur. Pa një pa dy, është një e vërtetë e madhe të themi që këta artistë të vërtetë, i kanë bërë të majtë e të djathtë artdashës të vërtetë, një pjesë e këtij arti ishin edhe vetë ata me interpretimet e tyre që kanë bërë në role të ndryshme. Këta kolosë, i kanë dhënë kohës emrin e vet, na janë ngulur thellë në mendje, qoftë si emra të mëdhenj, qoftë si personazhe sipas roleve që kanë lozur. I kemi të regjistruar në mendje e zëmër edhe si emra, por edhe si “mësuesi”, si “koprraci”, si “tradhtari”, si “komisari”, si “Arturo Ui”, si “Zhan Valzhani”, si “Otello”, si “Romeo dhe Zhuljeta”, si “Prefekti” si …. Interpretimi i tyre në skenat e teatrit brenda e jashtë vendit ka bërë të mundur që edhe bota të njohë kulturën dhe artin tonë, të njohë artistët tanë të përmasave të mëdha. Janë dhjetëra e qindra skena teatrale që spektatorët të duartrokasin për minuta të tëra e disa herë në të njëjtën pjesë për interpretimin e shkëlqyer të artistëve tanë. Janë më shumë se 70 vite që jetojmë bashkë me ta, që kujtojmë rolet e tyre. Kjo, nuk i përket vetëm të shkuarës, kjo i përket edhe të ardhmes edhe brezave të ardhshëm sepse është arti i vlerave njerëzore që nuk harrohen. Shumë prej këtyre kolosëve të mëdhenj që janë ndarë nga jeta, po të ishin sot në jetë, askush prej tyre nuk do të pozicionohej majtas apo djathtas ashtu sikurse nuk pozicionohen shumë prej tyre që janë në jetë. Këta, janë artistë të ekuilibruar dhe nuk janë nga ata lloj “aktorësh” që rolet e tyre deri dje në teatër, i kthejnë në të kundërtën e tyre, jo të vlerave njerëzore, por të antivlerave, jo edukimit, por nxitjes së urrejtjes, të rrugaçërisë, jo të një fjalori të kulturuar që të frymëzojnë brezat, por të një fjalori banal që ja kanë zili edhe rrugaçët më të rëndomtë. Le të kujtojmë ç’thotë H.L. Mencken: “Një politikan profesional është një njeri i çnderuar profesionalisht. Për të kapur një post sa më të lartë, atij i duhet të bëjë aq shumë kompromise dhe të pësojë aq shumë poshtërime, saqë në fund nuk ka ndonjë ndryshim të madh me një prostitutë”! Aktorët e politikës sot, janë bërë si “Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit”, për të “mbrojtur” një ndërtesë që nuk egziston si puna e politikanëve që megjithëse të poshtëruar totalisht, pretendojnë të arrijnë pushtetin. Mbas shembjes së ndërtesës së teatrit, cilën do të mbrojë kjo aleancë përveç asaj që të nxisë urrejtje? Po ata aktorë apo regjisorë që çirren e bërtasin nëpër mitingje për çfarë teatri bëjnë fjalë përveç asaj që të nxjerrin në pah mllefet e vjetra që kanë për të marrë pak pushtet? Kujtdo do t’i vijë turp të flasi ato që flasin disa të quajtur aktorë apo disa “lëpirës” analistë me atë fjalorin e tyre banal. Këta farë aktorësh apo analistësh, cilat vlera përfaqësojnë përveç interesave që i lidhin me aktorët e politikës? Ç’punë kanë këta aktorë të “skeçeve teatrale” në rrugë që u qan kaq shumë zemra për ndërtesën e teatrit që u prish dhe hapin shumë plagë të tjera në shoqëri dhe “banalanalistët” na i analizojnë çdo mbrëmje? A e dinë krerët e opozitës, Luli e Monika, që teatri i vërtetë nuk janë muret e ndërtesës, që na dalin  e na tromaksin orë e çast, ditë e natë? Artistët e vërtetë, ishin dhe janë “me këmbë” në tokë si të themi, këta aktorët e sotëm që politika i tërheq prej hunde janë me “bythë në tokë”! Këto skeçe teatrale apo protesta të tipit “Shembja” as më shumë e as më pak,vazhdojnë të “shembin” shqiptarët me njëri-tjetrin, të nxisin urrejtjen patologjike mes shqiptarëve, t’i tregojë botës që “ne, nuk jemi artdashës, por jemi luftënxitës” mes njëri-tjetrit. Në krye të këtyre, qëndron ai që me Kushtetutë quhet  “simbol i bashkimit”, Presidenti i Republikës, që në të vërtetë është simboli i të gjithave, është i përçarjes që ka futur mes shqiptarëve, është i urrejtjes mes shqiptarëve, i ndasive mes krahëve të politikës, të cilat i ka treguar me shumë mënyra. Edhe për rastin konkret për prishjen e teatrit, kërkon të na mbushë mendjen me disa “fletushka” që shkruajnë bota për këtë “tragjedi” të madhe, prishjen e teatrit. Bota flasin ato që i servirni juve sikurse shkruajnë edhe për të kundërtën, që juve nuk ju leverdisin. Vetëm për teatrin të paktën, as juve dhe as Monika, nuk e keni “haberin” fare, por e përdorni si një “gur” në “xhepin” tuaj për të goditur maxhorancën, për të mbajtur pushtetin. Mirë do të bënit të paraqitnit edhe ato ç’shkruajnë të huajt për personin tuaj dhe do të ishit më shumë bindës. Shikojmë përditë aktorë në sheshe, aktorë dhe politikanë bashkë që shajnë e urrejnë, që mbledhin firma lart e poshtë. A janë kushtetuese këto more President? Që të bëhet referendum për teatrin, duhet një ligj, kurse juve, ju intereson ligji rrugës dhe këtë e quani “kushtetues”. Të protestosh për teatrin dhe të marrësh mendimin e Bashës dhe të Monikës, të flasësh me mendimet e këtyre do të thotë që vetëm për teatër të vërtetë nuk flitet, por flitet vetëm për pushtet. Në çdo protestë që bëhet, opozitarët e politikës do të jenë në krye. A keni gojë të flisni për këtë juve president, përderisa vetë jeni vënë në krye të opozitës? Ajo Kushtetuta që juve e mbani nën kokë dhe e puthni, ngaqë nuk qëndroni dot pa të, çfarë thotë për pozicionin e presidentit? Herë betoheni si viktimë duke marrë shembull Alenden, herë betoheni si atentator duke marrë shembull Avni Rustemin, herë si atdhetar duke u krahasuar me Mic Sokolin. Problemin e teatrit,e keni bërë pjesë edhe të reformës zgjedhore, edhe pjesë të reformës në drejtësi. Në radhë të parë juve si president, bashkë me opozitën dhe mazhorancën, nuk jeni as për reformën zgjedhore dhe as për reformën në drejtësi sepse të gjithëve, nuk ju interesojnë këto apo më mirë të themi nuk doni t’i bëni “varrin vetes me duart tuaja”. Këto janë të vërtetat, të tjerat, janë “pano samari”, thotë populli!