BREAKING NEWS

Rritet ndjeshëm kurba/ 23 raste të reja me koronavirus, zgjerohet harta e infektimeve

Rritet ndjeshëm kurba/ 23 raste të reja me koronavirus, zgjerohet
x

Opinion / Editorial

Nuk besoj më as te Europa, por edhe as te Amerika

Nuk besoj më as te Europa, por edhe as te Amerika

(Kujtesë për dy ambasadorët e mëdhenj )

Nuk i besoj më as të dërguarit e Europës në Tiranë madje dhe as amerikanët e përtej oqeanit, të cilët dhe ata ashtu sikurse kastat tona politike gjatë këtyre tre dekadave kanë dhënë vetëm orientime dhe premtime të panumërta. Natyrisht, ky mosbesim bazën në radhë të parë e ka te gjithë klasa politike shqiptare, e cila përgjatë gjithë kësaj shtrirjeje të gjatë, të mundimshme, hapësire kohore që dhe vetë ajo mallkon vetveten, është tallur dhe i ka nëpërkëmbur aq shumë e aq keq shqiptarët, saqë tashmë shqiptarët e kanë kthyer shpresën nga Perëndimi, por Perëndimi ashtu si te filmi “Perëndimi i egër” nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka dhënë premtime të njëpasnjëshme se Shqipëria po hyn me hapa të sigurta në proceset e integrimit euro-atlantik, duke e ditur fort mirë se vetë ata ja patën mbyllur derën. Nuk jam person që më ha meraku shumë për Europën, madje as për Amerikën dhe kjo ka një bazë reale. Ka bazë reale sepse në një farë mënyre bashkëfajtorë janë dhe vetë këto vende të cilat kanë mbushur sirtarët e kancelarive dhe sekretarive të Presidencës, Kuvendit dhe Kryeministrisë, me qindra e qindra shkresa, për të ashtuquajturat reforma të drejtësisë dhe reforma të zgjedhjeve. Po kujt kërkon ti hedhë hi syve Amerika dhe Europa, ne shqiptarëve? Vërtet jemi popull i varfër, por na varfëruan në pasurinë tonë si ekonomike ashtu dhe shpirtërore dhe kjo varfëri, kjo skllavëri shpirtërore është bërë tërësisht me dijeninë tuaj? Pse mos vallë Amerika dhe Europa nuk e dinin se administratorët e firmës “Shqiponja” që shisnin armë municione e naftë ishin njëkohësisht dhe presidente dhe kryetarë të partisë? Mos vallë Europa nuk i dinte pazarllëqet e Forestit për të ruajtur ndikimin e imperializmit italian, përkundrejt xhelozive dhe lakmive vorio-epiriote të korofillaqisë greke? Pse Europa dhe Amerika nuk e dinin se skemat “Ponzi”, me anë të të cilave u vodhën, por dhe u futën në luftë vëllavrasëse shqiptarët me njëri-tjetrin?! Sigurisht që i dinin po çfarë bënë? Çuan me të drejtë në gjyq Millosheviçin për inat të rusëve dhe për t’u hequr moderatorë dhe “të ekuilibruar” çuan e vazhdojnë të çojnë në gjyq dhe çlirimtarët e luftës për liri a pavarësi, të Kosovës, teksa ai që duhej me kohë të jepte llogari dhe të shkonte në Hagë jo vetëm që qarkullon i lirë, por me prezencën e tij në politikë, paraqet rrezikshmëri me shkallë të lartë shoqërore dhe ju ambasadorë europianë e amerikanë e shpëtuat duke e çuar në “terapi intensive” dhe këtë e bëtë për ta shpërblyer si një ndër nismëtarët e shkatërrimit total të Shqipërisë që bëtë ju sëbashku me të. Çfarë kërkoni më, kur ju vetë e latë bimën e keqe të lëshojë farëzat e krimit shtetëror dhe atij privat me dhe pa licencë? Teksa ju ngrinit zërin në kupë të qiellit dhe ngrinit komisione mbss komisionesh “për pastërtinë e figurës morale “ propozonit nëpër kancelaritë tuja që në krye të sofrës shqiptare të vendosnim bastardët e krimit shqiptar që ska det e lumë t’i lajë. Dhe na flisni për reformat zgjedhore teksa ju i duartrokisnit me po pa dashjen tuaj, vjedhjen e votave tona (madje dhe me kamiona) nga bandat e hashashit dhe kriminelët ordinerë të cilët bënin ligjin. Dhe në fund përfundonin me rolin e dyfishtë dhe si “bodyguard” të votave, por dhe të “VIP”-ave. Aq të forta ishin këto banda sa që lanë me gisht në gojë dhe vetë ambasadorin Arvizu, i cili përveshi mëngët për të bërë “Live” reformën zgjedhore në pallatin e sportit. Mos vallë Europa dhe Amerika nuk e dinin se në Gërdec përgatitej një tragjedi tjetër dhe deri para pragshpërthimit, askush nuk e dinte se në të na ishin molepsur dhe vetë firmat amerikane të tregtimit të armëve e municioneve? Sigurisht që e kini ditur sepse jo rastësisht u asgjesua Koço Trebicka, i cili dinte shumë për këto lidhje, por ja që Amerikës nuk i leverdiste kjo gjë, prandaj dhë në “ekspertizë” doli se i ndjeri Koço paskësh dhënë jetën në aksident me fouristradën e vet (që çuditërisht nuk kishte një gërvishtje). Ju ashtu na nxorët figurë të pastër madje 21 karatësh dhe “Lil floririn”, i cili i kërkonte shifra marramendëse të ndjerit Prifti, sikurse dhe vetë akuzat e deputetëve te tij të cilët e denonconin, sepse ai u kërkonte miliona në këmbim të dhënies se mandatit, ju zotërinj ambasadorë heshtnit, teksa tani ai ju hedh vickla si fitimtarë dhe ka të drejtë ai, është fitimtari, teksa ju na nanurisni me të ashtuquajturat “ reforma zgjedhore” apo dhe “reformat në drejtësi”. Ju vetë silleni në mënyrë të padrejtë duke i zgjatur këto organizma me tituj bombastikë si në “Kalendat greke”, të cilëve unë kurrë nuk u besoj, sepse është vetë sistemi gjenerator i krimit. Pse ju nuk e dini se Zaganjorët, Llallajt, Gjinët, Gjonët, Tahirit madje dhe sot disave që janë në karrigen shtetërore ju kini hequr të drejtën e kalimit të kontinentit? Kini kaq kohë që ngrini zërin në kupën e qiellit për të futur në rrjetë peshqit e mëdhenj dhe në vend të kapnit peshkun e madh, larguat peshkatarin Donald Lu, i cili e kishte rrjetën e grisur. Kështu që ai kusuremadhi jo e jo... që peshq nuk zuri dot, por i ikën dhe cironkat. Po cilët na qenkan këta peshq a kanë emër... si psh “peshkaqeni blu”, tono pendëblu, apo dhe peshqit e mëdhenj ngjyrë rozë? E dini ju zotërinj se të kapet një kusar i rëndomtë gjyqtarët tanë gëzojnë?! Gëzojnë jo se luftojnë krimin, por dhe ata vetë duan të përfitojnë nga krimi dhe kur them gjyqtar e kam fjalën për treshen e organizuar prokuror -avokat- gjykatës, “PAGJ” ( fjala vjen xhanëm... se në fakt nuk është se ata dalin pa gjë), pa folur për krerët e komisariateve që pazaret i bëjnë në efektet e rakisë së Skraparit. Do thoni ju se i di OFL, SPAK apo KÇK... “Prit gomar të mbijë bar”, thotë shqiptari. Për sa kohë që askush deri tani nuk ka përfunduar përballë hekurave të kryqëzuara... unë dhe juve nuk ju besoj! Kujdes – se mos nga inati që nuk kapni dot ata, më futni mua në rrethin e kuq!