BREAKING NEWS

Lëkundje të forta tërmeti në Shqipëri, ndihet në disa qytete të vendit, ja ku ishte epiqendra

Lëkundje të forta tërmeti në Shqipëri, ndihet në
x
BREAKING NEWS

U shpall në kërkim, arrestohet pas disa orësh ish-kreu i Kadastrës së Vlorës, zbardhen detaje nga dosja që e ka fundosur

U shpall në kërkim, arrestohet pas disa orësh ish-kreu i
x

Opinion / Editorial

Nuk do donim asnjë dëshmor nga radhët e policisë, heronj të gjallë po!

Nuk do donim asnjë dëshmor nga radhët e policisë, heronj

Gjatë ditës së martë në Lezhë ndodhi një vrasje makabre. Pa u menduar dy herë, njëzetë e njëvjeçari, Aldo Rama, nxori nga dritarja e makinës në të cilën udhëtonte armën pa leje dhe shtiu dhjetë herë mbi oficerin e policisë, nënkomisar Saimir Hoxha. Humbi jetën babai i dy fëmijëve, të cilët mbetën jetimë vetëm se një të papërgjegjshmi iu shkrep të marrë jetën e atij që kryen detyrën për garantimin e lirisë dhe jetës së vet këtij të riu dhe ne të gjithëve. U vra nga dora e një shqiptari, oficeri që ishte në krye të detyrës. Në kronikën e trishtë të MB, u dhanë detaje. Si u vra. Ku dhe cili ishte autori. Se oficeri i policisë ishte në krye të detyrës dhe vrasësi ishte në aksion për të kryer punë të fshehta të jashtëligjshme dhe të dënueshme. Ishte person me precedent penal, deklaroi policia, i cili ishte dënuar më parë për kultivim dhe trafikim të lëndëve narkotike dhe mbajtjes së armëve të ftohta pa leje. Pra një ish i dënuar, kontingjent i krimit dhe botës së errët, i kriminalizuar i cili më shpejt ka dalë nga burgu se ka hyrë. Porta e daljes nga qelia ishte kaq e madhe sa nuk iu desh shumë për të pritur dhe çelësi u rrotullua për t`u hapur dykanatëshe që e dënuari të dilte përjashta për t`u ricikluar përsëri në rrugën e tij të krimit. Ai ishte kontingjent krimi. I përpunueshëm, individ me prirje për t’u marrë me punë të pista dhe për të përfituar përmes veprimeve të dënueshme. Më parë, si të tillë e njihnin vetëm familjarët, ata që e takonin përditë dhe policia. Po u la i lirë, pa asnjë garanci dhe besim se do qetësohej dhe do qëndronte larg rrugës së krimit. Përkundrazi! Aldo, i hyri më me zell zanatit që ka ditur të kryejë shumë mirë dhe në kohët e shkuara. Në moshën që kishte, vetëm 21 vjeç, i bie që të ishte ose në punë ose në fundin e studimeve universitare. Po nuk zgjodhi këto rrugë që të çojnë larg dhe lart, që të japin kulturë dhe të bëjnë njerëzor, po atë të forcës dhe imponimit përmes veprave të dënueshme kriminale, të cilat kanë përfundim të hidhur ose në burg ose duke bërë krime të rënda siç veproi i riu nga Lezha, i cili nuk nguroi të merrte jetën e oficerit të policisë. Pas vrasjes së nënkomisar Hoxhës, pothuaj i tërë spektri politik dhe institucionet që nga presidenti deri tek ambasada amerikane e dënuan aktin e rëndë dhe i shprehën solidaritetin familjarëve të oficerit të vrarë. Dhe është e natyrshme pasi sensibiliteti për këto akte kriminale është aq i lartë. Kur goditet policia dhe merret jeta e një efektivi që është bir i këtij populli i gjendur gjatë tërë kohës përballë krimit dhe urrejtjes së pamëshirshme të kriminelëve edhe pse është duke bërë detyrën e vet atdhetare në emër të ligjit dhe detyrës së shenjtë. Po ngjarja ishte shokuese edhe për faktin se i riu ishte kontingjent i njohur, po i neglizhuar, i toleruar dhe amnistuar. Kjo është vërtet fatkeqësi. Në këto tri dekada, Shqipëria ka numëruar shumë bijë që kanë rënë në krye të detyrës nga dora vrastare e bashkatdhetarëve të tyre. Nuk janë të rënë nga dora e armikut. As në kufi. As nga të huajt. Po nga bashkëkombësit e vet. Dihet se krimi nuk ka atdhe dhe nuk njeh ligj e fe. Qëllimi i tij është të shtoj privilegjet dhe të rrisë fitimet nëpërmjet rrugëve të pista dhe akteve që shkojnë deri në marrje të jetëve të pafajshme. Dhe rasti më i fundit flet për atë se killerat kanë një ide, një filozofi, një zakon dhe traditë. Atë të ngritjes së armës për të hapur rrugën drejt pasurimit të paligjshëm edhe pse për pesë lekë merr një jetë dhe për një tek vret një njeri, një polic, një person që është në detyrën e shenjtë për të siguruar jetën e gjithë shqiptarëve. Është për këto arsye që opinioni i gjerë në këto raste është në krah dhe në anë të viktimës që bie në emër të detyrës dhe në krye të saj. Kjo është arsyeja që në një kohë rekord u bënë dhjetëra prononcime dhe deklarata, ku solidariteti me policin dhe familjen e tij është tregues i pjekurisë së shoqërisë tonë. Kur bëhet fjalë për jetën e një polici nuk ka dhe nuk duhet të ketë parti dhe ideologji pasi jeta e secilit është e shenjtë dhe atë nuk ka të drejtë të të marrë askush, veç zotit apo natyrës. Edhe pse në brendësi të deklaratave ka kuptime të ndryshme dhe pati edhe nuanca politike të njohura këto në skenën politike të vendit tonë, ku shumë herë policia trajtohet si polici politike në shërbim të partisë në pushtet. Barazohet me bandë e banditë! Mes deklaratave të shumta, spikati, deklarata e Enkelejd Alibeajt, i cili e trajtoi vrasjen e oficerit të policisë, politikisht, si një vrasje të paralajmëruar, sikur partia e zotit Alibeaj i paska parathëne të gjitha këto që do ndodhnin edhe pse kjo ishte një vrasje, e cila duhet të dënohet me rreptësinë më të madhe dhe më pas le të kërkohet llogari atje ku duhet, të çohen para drejtësisë përgjegjësit. Në raste të tilla, ashtu siç deklaroi Ministria e Brendshme, e cila është përgjegjësja kryesore e ruajtjes së rendit dhe sigurisë dhe e ka policinë shtyllën kurrizore të saj, po edhe shumë prej faktorëve të politikës që dënuan ashpër atentatin monstruoz nga dora e krimit. Këtë duhet të bëjnë të gjithë dhe jo të përpiqen të përfitojnë nga fatkeqësia e atyre që bëhen pre e krimit dhe kriminelëve. Vlera e çdo deklarate varet nga përmbajtja e saj. Nga theksi që vë dhe ajo që kërkohet të arrihet dhe jo nga propaganda. Prej tri dekadash tek ne më shumë se qindra herë kemi dëgjuar prononcime që e barazojnë policinë me krimin dhe e njehsojnë me partinë në pushtet. Ky është atentati më i rëndë që mund t’i bëhet shoqërisë dhe rendit, qetësisë dhe sigurisë së vendit. Ajo që duhet dënuar pa ekuivoke është akti i rëndë që shoqërohet me humbje jete. Ngritja e dorës vrastare kundër punonjësve të policisë që qëndrojnë në këmbë në roje të jetës dhe të së drejtës të qytetarëve të këtij vendi duhet prerë. Ka kohë PD dhe drejtuesit e saj të bëjnë komente dhe të mbajnë qëndrime ndaj cilitdo që e gjykojnë si fajtor të menaxhimit apo të organizimit të aksioneve policore. Për të dhënë gjykimin serioz dhe të argumentuar në emër të ligjit është një strukturë e posaçme e policisë, siç është SHKB, e cila e ka detyrim ligjor e qytetar të analizojë në detaje gjithçka që nuk ka shkuar mirë në aksionin e policisë dhe ku është ndërprerë hallka e domosdoshme që duhej zbatuar me korrektesë. Organet kompetente e kanë detyrë numër një të analizojnë dhe studiojnë deri në imtësi atë që ka ndodhur dhe për fajin e cilit. Po së pari, ka një fajtor. Është personi që ngriti dorën kundër uniformave blu. Është ai që derdhi gjak edhe pse në fund u vetndëshkua me të njëjtën armë që mori jetën e oficerit të policisë. Është e dhimbshme kur opinion i gjerë shoqëror bombardohet nga deklarata shokuese si ajo e ditës së martë. Dhe kur dikush në një cep apo në qendër qyteti, dora vrastare ngrihet kundër jetës së individit. Godet pa mëshirë dhe pa më të voglën pendesë. Ky është krim. Ndaj tij nuk ka vetëm një forcë që duhet të luftojë, po i tërë opinioni shoqëror, gjithë faktorët politikë e organizmat e shtetit pasi vrasja e një polici është atentat ndaj vetë rendit dhe shoqërisë, ndaj shtetit dhe të ardhmes. Në të tilla fatkeqësi nuk ka asnjë forcë e faktor që të fitojë asgjë. Nuk ka vend për të bërë politikë e propagandë. Përballë rasteve të tilla ka vetëm një qëndrim. Dënimi i fajtorëve dhe ngritja e opinionit në ruajtjen e rendit dhe qetësisë. Ilaçi më i mirë në mbrojtje të jetës së policit është mbështetja pa rezerva e policisë. Mbështetja e Policisë së Shtetit është detyrim moral dhe shoqëror. Mbështetje atyre që janë përditë përballë krimit dhe kriminelëve. Se rasti i ditës së martë nuk është i vetmi dhe nuk mbetet i fundit. Sa më shumë të ashpërsohet beteja kundër krimit dhe kriminelëve aq më e ashpër do jetë lufta mes kriminelëve dhe organeve të ruajtjes së rendit dhe qetësisë, ligjit dhe rregullit, pasurisë shtetërore dhe asaj private. Kriminaliteti nuk ka as ngjyrë as parti as tesër. Kërkohet i njëjti qëndrim i ashpër dhe i argumentuar pa asnjë lëkundje. Çdo lëkundje është në dëm të interesave të mbarë qytetarëve dhe karshillëk ndaj krimit dhe kriminelëve. Krimi nuk njeh as kufi dhe as shtetësi. Nuk ka pasaportë. Ai godet njëlloj në të gjitha vendet. Mjafton ta gërvishtësh sadopak dhe të godasësh në interesat e tij pasurore të përfitimit material. Në këto kushte askush nuk mund të përpiqet të përfitojë nga atentatet ndaj forcave të policisë dhe rendit kushtetues. Është momenti që opinioni i gjerë shoqëror të mbështesë me të gjitha fuqitë Policinë e shtetit. Të mbrojë integritetin, jetën dhe veprën e tyre. Dhe e tërë kjo për mos të pasur më dëshmorë nga radhët e policisë. Sa më pak dëshmorë në paqe! Sa më shumë heronj të gjallë. Sa më shumë suksese në betejën kundër krimit aq më i konsoliduar do të jetë rendi dhe vetë shoqëria. Është momenti që shqiptarët të mos tolerojnë asnjë krim dhe kriminel. Dhe të mbështesim policinë dhe forcat e rendit. Të mos i politizojmë. Ndryshe askush nuk do jetë i mbrojtur. Është koha për të qënë në krah të uniformave blu. Kurrsesi të veprohet me skenarët e derisotëm të shëmtuar që edhe kur derdhet gjak prej tyre nga dora vrastare të bëhet propagandë e politikë me jetët e tyre. Duhet vetëm solidaritet dhe mbështetje pa asnjë rezervë. Janë bij të Shqipërisë dhe jetët e tyre janë të shenjta. Sa më pak dëshmorë sot! Paçim sa më shumë heronj të gjallë nga radhët e policisë!