BREAKING NEWS

Rama përzë nga lista 40 për qind të deputetëve, kreu socialist transformon ekipin, pakënaqësitë largojnë figura të njohura të PS

Rama përzë nga lista 40 për qind të deputetëve, kreu
x

Opinion / Editorial

Nuk hyjnë shqiptarët "te borxhi" Meta, ata paguajnë borxhin Rama!

Nuk hyjnë shqiptarët "te borxhi" Meta, ata paguajnë

Maskarada e një seance tipikisht grotesk - komedi nuk i bën askujt përshtypje ose pothuaj askujt. Njerëzit tashmë janë mësuar të kenë një model të tillë. Cinikët dhe ikanakët jashtë me urdhërin e Berishës dhe përfitimin e Bashës, bëjnë skuthin, sepse kjo ju ka mbetur, kurse Rama dhe Gjiknuri bëjnë cic micet e listave të hapura, por të disi të mbyllura dhe normalisht dhe marrëveshje me Bashën eliminimin (deri sa të munden) e partive të fugonave të kryetarit. Listat e hapura por të mbyllura janë leverdi dypalëshe sepse dhe deklarojnë i hapëm dhe i kontrollojnë në mbyllje. Kurse dakordësia e koalicioneve pothuaj të pamundura është një e drejtë për sa i përket shërbimit të marrë shpesh herë të qelbur që kryetarët e partive furgon, i kanë bërë demokracisë në Shqipëri. Grotesku në Kuvend tashmë bashkohet dhe me tragjikomedinë e PD-së jashtë dhe kemi një teatër të pështirë, i cili sa shkojnë kohët bëhet dhe më i shëmtuar, më me erë të qelbur dhe më anti demokraci. Rregullimet e Kodit janë një sigurisht "Gjiknurizëm", por që nuk është se nuk e di dhe nuk është pjesë dhe "Bylykbashizmi". Me sa duket PS dhe PD janë mërzitur qartë nga Meta dhe LSI. Ndoshta dhe LSI-ja nga vetja. Në mënyrë më të "butë" të mundshme i dhanë një goditje, e cila sigurisht ka bërë të dalë nga institucioni i presidentit edhe Ilir Meta kur zakonisht bëhet nervoz. Por askush nuk duhet të dyshojë se PS dhe Rama janë vetëm. Jo kanë kohë që janë bashkë me ato që nuk janë në sallë, por që me sa duket nuk kanë nevojë të jenë, sepse në fund të fundit, kështu e kuptojnë demokracinë "post berishianët" në PD. Biles dhe disa post LSI-stë të fshehur. Po të më pyesësh mua sigurisht 3% do ta kisha lënë pragun, por kjo nuk është çështje opinionesh se sa interesash, jo thjesht të demokracisë, por aty që e përdorin për faqe të zezë atë në Shqipëri. Nejse bumi 90-të votat e duhura PS dhe "skuthët jashtë" si PD dhe dikush LSI i gjetën dhe kjo punë mbaroi. Zhurmën më të madhe e bëri Presidenti i Republikës dhe pastaj kryeministri Rama që edhe jashtë sallës sqaroi se "çfarë borxhi i kanë shqiptarët Ilir Metës". Presidenti kërcënon dhe sipas tij mbron demokracinë, por të kërcënosh deputetët nuk është pjesë loje dhe as forme dhe përmbajtje në demokraci. Kjo është thjesht humbje e plotë e "toruas presidenciale" ose frika e madhe nga kurdisjet që janë tashmë të një 17 maji të pashpallur, por tinzar mes PS dhe PD dhe ndonjë krye inteligjenti nga LSI. Koncepti është humbja e lojës, fuqisë së pendulit politik të LSI-së që ka nxjerrë jashtë fazës qeverisjet PD dhe PS. Pastaj se çfarë ruan e nesërmja e numrave kjo do të shikohet.

Por Rama nuk mund të bëjë të pafajshmin dhe të fshihet mbas shqiptarëve për borxhin që ju ka sipas tij Ilir Meta. Shqiptarët asnjëherë nuk i kanë dhënë numra, të drejtë dhe vota Ilir Metës që të jetë kryeministër, kryetar i Kuvendit dhe president. Këtu Edi Rama nuk është as i sinqertë, as i drejtë dhe as politikan kaq shumë "qytetar" sikundër i duket përballë të tjerëve në politikë. Biles nuk është as kaq shumë person që me fjalë "bluan kocka". As pelte nuk bluan kur thotë: çfarë borxhi i kanë shqiptarët Ilir Metës. Sepse e bënë kryeministër, kryetar Kuvendi dhe president. Ilir Metën të tillë e bënë PS-ja e Ramës dhe absolutisht Edi Rama. Ilir Meta i ka borxh kryeministrit Edi Rama dhe jo popullit shqiptar, sepse ai nuk e ka bërë asgjë përveç se deputet. Kur Nano ndante postin e kryetarit të PS-së me kryeministrin - Ilir Meta u bë kryeministër dhe pastaj mbasi grindej me Nanon dha dorëheqjen, duke krijuar dhe LSI-në. E zoti Rama nuk është se nuk e kishte mik. Marrëveshje dhe kryetar Kuvendi mbasi Meta la Berishën e bëri kryetari i PS-së Edi Rama. E bëri pikërisht kryetar Kuvendi dhe si i tillë Meta la Berishën të shkatërronte foltoren, të prishte lidershipin e Bashës dhe të ngatërronte çdo lloj seance për të bërë dhe njeriun që i mësoi popullit shqiptar gjuhën më të poshtër të retorikës politike parlamentare. Këtë gjë e bëri me qëllim Ilir Meta, jo i zgjedhur nga populli shqiptar, por i zgjedhur nga kryetari i PS dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Kishte nevojë dhe pastaj pa e pyetur popullin e bëri kryetar Kuvendi. Po ashtu dhe President të Republikës. Nuk e zgjodhi populli shqiptar, sepse po ta zgjidhte populli, sot Ilir Meta do të vepronte ndryshe nga sa mundohet të bëjë si i fortë dhe si i plotfuqishëm. Absolutisht ndryshe dhe pse është e kotë, sepse ndryshe do të ishte puna po të kishte president nga populli. Borxh Ilir Meta nuk i ka popullit shqiptar (ai mund t’i ketë rënë në qafë), por borxhet me njëri-tjetrin i kanë dhe duhet t’i paguajnë apo rregullojnë Edi Rama me Ilir Metën. Shqiptarët shumë shumë janë pak sa të marrë, por jo fajdexhinj, sepse nuk kanë asnjë dyshkë nëpër xhepa. Shqiptarët nuk hyjnë te "borxhi" që ka diku Ilir Meta ose i kanë Ilir Metës. Ashtu vërtet, Meta ka pasur postet më të larta të këtij vendi dhe ka një parti personale, por pak është çështje shqiptarësh. Shqiptarët janë deri te LSI-ja si faj. Jo më tepër se sa kaq. Borxh Ilir Mata iu ka PD (në fakt PD nuk e ka bërë as kryeministër as president), por kryesisht PS-së dhe padyshim disi Berishës, por jashtëzakonisht shumë Ramës dhe do të shikojmë më vonë - Bashës.

Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama i vjen për shtat t’ua lërë fajin për Ilir Metën shqiptarëve duke bërë "burrin e zgjuar" dhe thënë se medemek: shqiptarët e bënë Metën kryeministër, kryetar Kuvendi dhe president. Jo, shqiptarët nuk e bënë asnjëherë Ilir Metën sikundër thotë Rama. Ai vetë e ka bërë Ilir Metën të tillë. Ai dhe Rilindja e tij, bashkë me PS-në e Rilindjes së tij. Shqiptarët nuk duhen futur fare te puna e borxheve mes Ramës dhe Metës dhe kolateraleve të duhet të paguajnë të shkretët për dëmet e mëdha që ka sjellë marrëdhënia e "borxhllëkut" mes tyre. Shqiptarët janë rrugëve, janë pa punë, janë të pasigurtë dhe janë të pakënaqur në këtë vend kur borxhet Rama, Meta, Basha dhe Berisha, vijojnë të shkatërrojnë si ekonominë dhe demokracinë në Shqipëri. Të tillë "borxhlinj" të njëri-tjetrit (demek) sërish mund të kthehen dhe lajnë borxhe dhe pse janë grindur, kurse shqiptarët paguajnë e paguajnë. Rama, Berisha, Meta, Basha atë punë kanë, të hyjnë në borxhe dhe për t’i larë do t’i lajmë ne budallenjtë poshtë. Ne të marrët që kemi hyrë borxh me veten tonë, me botën e te gangsterët fajdexhinj dhe sidomos me demokracinë në sajë të maskarenjve që kemi ngritur mbi kokat tona. Pastaj hartimet e Ramës do të vazhdojnë sepse ai me hartime, flutura në mure dhe VKM qeveris.