Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

A nuk janë këto veprime ballisto-fashiste?

Postuar: 24/05/2019 - 07:08

Janë fakte që flasin. Vepra të zeza. Veprime ballisto-fashiste. Janë parë me sytë e ballit nga bashkëkohës. Dhe dihet që “sytë e ballit janë pararoja e syve të mendjes”. Dhe mbahen mend mirë. Nëse neoballistët neofashistë të sotëm nuk i dinë këto fakte, le t’i mësojnë në këto radhë, se si janë therur me thikë e janë djegur të gjallë në zjarr luftëtarë e simpatizantë antifashistë…  

I. “Ju po na vrisni, po luftën ne do ta fitojmë”

20 gusht 1943. Ballistët rrethojnë fshatin Pojan të Korçës, arrestojnë 23 fshatarë, mes të cilëve lidhën, Petraq Stratin me gjithë familje dhe Nesti Vreton. I internojnë në kampin e Mborjes si “njerëz të rrezikshëm”. Të gjithë mbajnë qëndrim trimëror. Nuk e japin veten. Janë sypatrembur. Nuk bien në gjunjë. Nuk nënshtrohen. Mbajnë kokën lartë. Trimi vdes këmbë mbi këmbë. Të dy u thanë armiqve pa iu dridhur zëri: “Ju po na vrisni, po luftën ne do ta fitojmë”. Fjalë, në thelbin e të cilave dallohen tri virtyte: guximi, vendosmëria, optimizmi! Njëherazi, fjalë që egërsuan armiqtë, të cilët shtuan më tepër torturat e në fund të dy i therën me bajonetë dhe trupat e tyre i hodhën në lumin e Devollit! Nuk ka krim më të madh! Duhet të ishe fashisto-ballist që të arrije deri këtu…

Peza është mbytur në gjak, si nga burrat dhe nga gatë. Nuk janë përkulur as para plumbit nazifashist, as nga thika më e mprehtë e tyre. Kanë qëndruar trimërisht. Kanë përballuar me heroizëm tortura të pushtuesve e të kolaboracionistëve. Armiku, me urrejtje të thellë e hakmarrje ka vrarë e ka therur prej tyre! Bajame Loshin, 57 vjeçe e prenë me thikë copa-copa trupin e saj dhe copat e mishit ia hodhën qenve! Jo vetëm. Pushkatuan Dije Salën e me egërsi plagosën dhe vajzën e saj 2 vjeçare, Shefikat Sala, që as emrin e as jetën nuk i gëzoi! Me bajonetë në dorë shpuan në disa vende trupin e njomë të pionierit 15 vjeçar, Mahmut Uku, të cilit i vranë edhe babain, Muharremin. Kriminelë në palcë! I tmerronte emri “Pezë” dhe “Pezak”. I trembeshin gruas heroinë Mine Peza dhe heroinave të tjera të këtij fshati martir. Edhe pezaku i vogël u dukesh i madh. Armiq “burra” burracakë, që dridhen si purteka…

“Trima para deles, dele para trimit”

Skenë e llahtarshme! Dy tablo të kundërta: njëra shkëlqen, tjetra pis e zezë. Kur pushtuesit gjermanë erdhën në Shqipëri pas kapitullimit të Italisë fashiste dhe u pritën me “lulet” e vezveve, kërcënuan se do vrasin 10 deri në 30 shqiptarë për çdo ushtar gjerman të vrarë…Dhe për këtë qëllim, që në ditët e para krijuan 5 batalione mercenarësh nga mbeturinat e milicisë fashiste. Por kjo nuk e frikësonte popullin. Në qarkun e Korçës pushtuesit e rinj u pritën me plumba, si dhe te Ura e Kardhiqit në Gjirokastër, në Shkallën e Zezë të Tepelenës etj., ku u zbatua porosia e Komandantit të Përgjithshëm Enver Hoxha: “Ashtu si në Bramash e gjetkë të vazhdohet pa ndërprerje goditja e reparteve naziste”. Këtu, rreth 300 forca partizane kishin zënë pusi dhe hapën zjarr në befasi. Një oficer gjerman shkruante: “Detashmenti pararojë bëri përpjekjen e parë në zonën e Borovës”.

Nga dëmet e mëdha që pësuan gjermanët u egërsuan dhe u hakmorën. Në Borovë vranë 107 veta, nga të cilët 47 të moshës 0- deri 20 vjeç! Fshati mbeti pa “lule”, si viti pa pranverë! Një nazist mori një fëmijë dyvjeçar, Nikon e vockël, e qëlloi disa here në gjoksin e tij të njomë dhe e përplasi mbi trupin e nënës së vet! Një tjetër nazist, iu afrua një fëmije 6- muajsh që ishte në djep, e ngriti peshë dhe e vrau me revolver! Dy fëmijë motër e vëlla nazisti i pushkatoi, gjyshja e tyre që i pa, u çmend, ndërsa nazisti e vrau edhe këtë plakë, i futi bajonetën në trupin e saj! Hitlerianë të egër! Pa zemër! Antinjerëz, pa shpirt. Xhelatë! Vriten fëmijët, vajzat, gratë, nënat?! A kishin nëna, motra e fëmijë këta nazistë vrastarë?

Një oficer madhor gjerman që kishte marrë pjesë në këtë masakër të Borovës, mbante ditar për veprime kriminale që kryenin. Ditarin e gjeti i biri pas vdekjes së tij. Ky filiz i ri u prek në ndjenja dhe niset nga Gjermania e vjen në Borovë, ditën e përkujtimit të masakrës, ulet në gjunjë dhe u thotë banorëve të fshatit: Të më falni për atë që ka bërë babai im”! Sa bukur! Gjembëndafil! Pse nuk veprojnë kështu edhe pinjollë të ballistëve për krimet që kanë kryer baballarët e tyre, si bashkëpunëtorë të fashistëve e të nazistëve? Mundet të mos i dinë të gjitha, por të përpiqen të mësojnë të vërtetën. Është në të mirën e tyre. Kështu, gradualisht kjo do të çonte në afrim miqësor, në zbutjen e në zhdukjen e vijës së kuqe, se njerëzit janë me huqe, shqiptarë, por të ndarë, në të djathtë e në të majtë; kryesorja do forcohet uniteti kombëtar, do pakësohen “gjembat”, do shtohen “lulet” në brezat e rinj, që janë e ardhmja e vendit, pasardhës brez pas brezi. Fëmijë të mirë janë ata që ua kalojnë prindërve, siç janë dhe nxënës të mirë ata që ua kalojnë mësuesve. Bota ecën gjithnjë përpara…

Kur thikës i përgjigjesh me thikë…

Thika dhe bajoneta janë për përdorim në luftë, kur kundërshtarët ndeshen trup me trup. Fiton më i forti, më i shkathëti, më i shpejti. Në betejën e Tëndës së Qypit, Mefail Rozanit iu desh të përdorë thikën. I mbaruan bombat e dorës dhe fishekët e pushkës. “Dy duar për kokën dhe koka për Atdheun”. Iu turr nazistëve me thikë në dorë. Kapi njërin, i fut thikën në kraharor dhe e shtrin përdhè. Përpiqet të kapë dhe një, por tre gjermanë të tjerë i hidhen përsipër dhe e vënë poshtë. Shokët e tjerë që kishin thika, luftojnë. Tre u vranë se s’kishin me çfarë të luftojnë!

Po kështu, kur nazistët erdhën nga Greqia në Gjirokastër, te ura e Kardhiqit pritën plumba të partizanëve. Pak metra sipër xhadesë luftonte Bari Myrtja, autokolona naziste ndaloi. Luftëtari s’kishte më fishek. Tani “pushkë” ishin duart e fuqishme të tij. Siç kishte emrin “Bari”, ashtu ishte, bari i fortë si strall mali! U ngrit trimërisht në këmbë dhe me thikë në dorë bëri përpara, i vendosur të vriste armiq, pa le të vritej dhe vete, Atdheu mbi të gjitha! Dhe u vra duke luftuar me thikë në dorë drejtuar nga pushtuesi i ri!… Është një nga 29 dëshmorët e Mashkullorës.

Dëshmori i LANÇ, Jashar Cakrani, kur pa se çeta e Mallakastrës po rrezikohej nga fashistët italianë, doli nga pozicioni dhe luftonte me bomba dore. Sa i mbaruan këto, u ndesh me armikun trup më trup, vrau me thikë një mitraljer fashist, i mori automatikun, nisi të luftonte me të dhe iu drejtua një mitraljeri tjetër, por një breshëri plumbash nga fashist e la në vend, pa frymë.

Dëshmori Apostol Çuni, me 6 bomba në gji, në luftën e Dukaje u nis barkas dhe u ngjit përpjetë shkëmbit të prerë drejt pozicioneve armike nga ana e greminës, andej nga armiku nuk e priste. Me shpejtësi u gjend pas shpine të të dy hitlerianëve, Iu afrua mitralozit të rëndë që villte zjarr pa pushim dhe na vriste shokët. Hodhi dy bomba dhe i vrau të dy, mitraljerin dhe ndihmësin e tij! Mitralozi i armikut, pushoi. Mbeti pa zot. Zot i doli trimi partizan. S’qe nevojë të përdorte thikën. Kishte marrë mitralozin dhe me predhat e tij zinxhir vriste armiq, të cilët befasoheshin, se nuk e dinin që mitralozi i tyre ishte tani në duar të partizanit shqiptar dhe po “korr”! Por një nga armiqtë e pa dhe e vuri në shenjë: Apostoli ra heroikisht.

“Vdekja me nder varri mermer!

17 janar 1944 nazisto-ballistët, pasi dogjën pjesën më të madhe të fshatit Dukaj të Tepelenës, vranë antifashistësh dhe të pafajshëm. Kryen masakrën e paparë: vranë 12 djem e burra, më i vogli i të cilëve, Haki Bajram Varfaj, 13 vjeç! Iu pre jeta një filizi të ri. Para nënës, nuses e fëmijëve i morën lidhur këmbë e duar dhe pushkatuan në oborrin e shtëpisë partizanin Ismail Osmën Bejko, kurse vëllain e tij, Dinen, e burgosën në kalanë e Tepelenës, e sakatuan: i prenë me thikë shputat e këmbëve e të duarve, hundën, veshët e buzët, i nxorën sytë dhe e hodhën jashtë mureve të saj! Çfarë vandalësh! Por për të çmendur kishte të mençur. Nëna e tij zemërtrime, së bashku me bashkëshortin e saj, Besim Muçaj e ngarkuan në kalë natën kufomën e djalit dhe e varrosën në kopshtin e shtëpisë, pranë vëllait tjetër dëshmor. Dy lulëkuqe në mjedis familjar, pranë e pranë si një trup. Krime si këto armiqtë do t’i paguanin shtrenjtë...Batalioni armik u asgjësua. Fshati u çlirua.

Fashistë, nazistë e ballistë thernin edhe njerëz paqësorë, në shtëpi ose rreth saj, në rrugë e kudo. E shfrynin urrejtjen me thikë e bajonetë në dorë. Edhe kur ther një pulë, kaq e preferuar për ballistin, të vjen keq, po kur ther një njeri?! Fashisti e ballisti thernin, pa u therur fare zemra, ditën dhe natën. Në Hundëkuq, pushtues e ballistë i çanë barkun me bajonetë gruas shtatzëne Urani Qirjazi. Ikën dy jetë njëherësh! Në Golëm të Gjirokastrës vranë Fejzo e Vito Demaj, prindërit e dëshmorit Demo e Çerçiz, por edhe vajzën e tyre 2-vjeçare, emrin e së cilës e mban një kopsht fëmije në Gjirokastër. Një djalë i ri në Mallakastër, Tafil Paja, tentoi të hidhte një bombë, por tradhtari Isa Toka e diktoi, e arrestoi dhe kreu aktin më të poshtër, duke e mbërthyer këtë filiz me gozhdë në një dru vidhi dhe e la aty! Në Vranisht u bë kasaphanë, mbetën pa prindër 80 fëmijë! E tmerrshme!

II. “Zjarri të përvëloftë ty, o fashist i ndyrë”.

Fashisti jo vetëm ka therur antifashistë e njerëz të pafajshëm, por ka hedhur të gjallë e ka djegur antifashistë edhe në zjarr, ndaj ai s’ka vend as në varr! Gjatë LANÇ armiku ka zhdukur jetë njerëzish duke vrarë me plumb, me varje në litar e duke therur me thikë, por ka hedhur e djegur njerëz edhe në zjarr! Nuk ka pyetur as për burra e gra, të rinj e pleq. Kudo që kalonin pushtuesit fashistë italianë e nazistët gjermanë, këta kriminelë ishin bashkë me kolaboracionistë, nga frika e ndonjë përpjekjeje me partizanë.

Zojë Djaloshi, 65 vjeç, nënë partizani. Gjermanë e fundërrina të reaksionit mbërritën në Qerret të Pukës. Hynë në shtëpinë e saj. -Ti je nënë komunisti?-Po! -Ku e ke djalin? -Në shesh të luftës!-Si hyni kështu në shtëpinë e botës? –Zjarr shtëpisë, thirri komandanti i bandës. –Zjarri të përvëloftë! Shtëpinë e kam ndërtuar unë dhe pa vdekur unë ti s’e djeg dot, iu përgjigj Zoja! Ndërkaq armiqtë sollën kashtë. Zoja nuk duroi më. Rrëmbeu një drapër dhe me të në dorë u sul mbi armiqtë. Plagosi një xhandar. Të tjerët u tërhoqën. Komandanti i tyre urdhëroi ta kapin menjëherë. E kapën disa prej tyre. Nëna përpiqej t’u shpëtonte nga duart. Shtëpia mori flakë. Ajo thërriste me zë të lartë: “Komunistët do t’u hanë kokat”. Komandanti armik me breshëri predhash e shtriu nënë trime përtokë…

Heroina e popullit Liri Gero, kjo vajzë fierake, komuniste revolucionare, aktiviste e shkëlqyer, sypatrembur, që vepronte ilegalisht në qytet, gjurmohej dhe ishte në rrezik të arrestohej. Shkoi partizane ku kishte dhe motrën e saj. U vesh “nuse”, shoqëruar me “dhëndër” e “dasmorë”, hipur në karrocë, gjoja do martohej jashtë qytetit! Kaloi me sukses postblokun fashist dhe kjo “bela sinjorina”, siç thoshte roja armike e shërbimit shkoi në mal fitimtare. Në betejë me armiq dha prova heroizmi. Armiku pati dëme të rënda. Liria u plagos rëndë disa here, por nuk u përkul. Luftoi gjersa mbeti pa ndjenja. Bishat armike e zunë të gjallë dhe, pasi e torturuan dhe e kërcënuan heroinën, e spërkatën me benzinë dhe i vunë zjarrin! Dora gjakatare e armiqve barbarë dogji trupin e vajzës së re, bijës së Shkozës, të tërë Fierit e Shqipërisë. U shua një lule, por brenda një dite dolën partizane 68 vajza të reja!

Digjen shtëpi dhe në flakët e saj njerëz!

Në Pezë Hamide Muka, 63 vjeçe, armiqtë e dogjën në flakët e shtëpisë së saj. Në Vërnik të Vlorës armiqtë dogjën 10 veta, midis tyre dy plakat Shefiko Veshi e Mihase Bega, të cilat u hodhën të gjalla në flakët e shtëpive të tyre. Banorë të mëdhenj e të vegjël shihnin me dhimbje si shkrumbohen njerëzit e tyre. Nga torturat dhe vuajtjet vdiqën 5 fëmijë, lule të jetës. U dogjën 85 shtëpi, 40 stalla me kecër brenda, u dëmtuan qindra bagëti dhe bletë, por fshati nuk u tund. Me 59 partizanë, 67 burra e gra territorialë, 15 dëshmorë.

Në Ziçisht gjermanë e ballistë u lëshuan nëpër shtëpi. Nisën plaçkitjen. Por në shtëpinë e 56 vjeçe kishin tjetër qëllim. Shtëpia e saj bazë luftë. Burri vdekur. Fëmijët s’ishin aty. Ajo tentoi të dalë jashtë. Ballistët s’e lanë. Qëndroi e patundur te dera. E kërcënojnë: “Fol, moj nepërkë, ti e ke një djalë komunist, Llaqi Ziçishtin”! Nerënxa s’mund të heshtte. Iu përgjigj trimërisht. Komandanti ballist dha urdhër dhe pesë prej tyre e shtynë Nerënxën dhe hynë brenda në shtëpi. Por në çast u dëgjuan krisma armësh. Ballistët ngrinë nga frika. E lanë kontrollin. Komandanti ballist derdhi vajgurin e llambës në dysheme dhe ndezi zjarrin. Nerënxa kishte dhe hallin se aty mbaheshin dokumente të partisë fishekë e bomba. U përpoq ta shuante flakën që sapo filloi të përhapet. Ia arriti qëllimit. Flaka u shua. Ballistët u kthyen dhe e vranë në shtëpinë e saj. Krismat e pushkës partizane sa vinte e dëgjoheshin. Ballistët ikën të trembur…

Fashistë e ballistë dëfrenin e qeshnin duke parë si digjet njeriu Nxirrnin kuriozitetin që mishi i tij konsumohet si qiriri. Në masakrën gjermano-balliste të Zminecit, 17 veta u masakruan dhe u pushkatuan, disa u dogjën të gjallë në shtëpitë e tyre, siç ndodhi me Koço Fotinin dhe me një ushtar italian që ishte strehuar e mbrojtur aty. Pas vrasjes e djegies së tyre hajdutët ballistët u shkulën dhembët e florinjtë, ndërsa në Lunxhëri nuseve u merrnin unazat duke u prerë gishtërinjtë përsëgjalli!

Armiku vepronte me të gjitha armët, mjafton të vriste. Inat e hakmarrje kishin sidomos për Kuçin e Kurveleshit, kundër burrave e grave. Kryenin masakra. Ekzekutuan gruan Afo Feja, e cila u kap kur kthehej nga pylli ku ishte me 4 fëmijët e saj të vegjël. U gjend e vrarë me fëmijën 6 muajsh në gji që ishte shuar, siç kishte qenë duke thithur qumësht! Nure Mane Xhaferaj ekzekutohet në prani të 5 fëmijëve të saj të vegjël. Aleme Bishaj, e kapën me ushqime të partizanëve në duar, e masakruan dhe e copëtuar me bajonetë!

Ja pse kriminelë janë ata që therin, që vrasin, që djegin në zjarr, që zhdukin jetë njerëzish- këta janë fashisto-ballistët dhe jo luftëtarët atdhetarë, kurrën e kurrës dëshmorët, për të cilët flet e vërteta: “Flisni ju, o male, fusha e bregore, Ju livadhe, lumenj, rrugë e pyje, Ju që për partizanët ishit llogore, E i patë dëshmorët si mbetën yje!

***

Njeriu është kryevepra e natyrës. Ta therësh e ta djegës atë nuk je njeri, je fashist zemërzi, je antinjeri, e çon veten në thellësinë e shekujve, në botën shtazore, nga ke prejardhjen! “Njeriu është një nga llojet e shumtë të kafshëve që jetojnë në faqe të dheut”! (S. Frashëri).“Nuk ekziston asgjë e gjallë në botë që të jetë më i egër se njeriu”! (Homeri).“Gjatë gjithë çasteve të rënda e të vështira në jetë, zemra ime ka kënduar gjithnjë vetëm një himn: Rroftë njeriu!”. (Maksim Gorki). “Çfarë vepre është njeriu! Sa bujar nga arsyeja! Sa i pakufishëm nga zotësia! Nga shtati dhe nga lëvizjet, sa i hijshëm dhe sa i çuditshëm! Nga veprimi si engjëll! Xhevahir i botës! Kurora e gjërave të gjalla”! (Shekspir). A kanë qenë kështu ata ballistë e fashistë që me thikë e bajonetë kanë therur e zhdukur jetë njerëzish? Përgjigjen e japin faktet, bashkëkohës, që i kanë parë me sy çnjerëzorët. Kolaboracionistët pushtuesin e ndihmonin, popullin e tradhtonin, veten e dëmtonin. 

Nga Sevo TARIFA

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 17/09/2019 - 07:17

Sa herë Presidenti del me deklarata ose jep opinione, konferenca shtypi apo shkruan në rrjetet sociale, jemi tërë sy e vesh për të rejat që kumton, idetë që shpalos, paralajmërimet që bën, objektivat që përcakton për

Postuar: 17/09/2019 - 07:15

....Këtë mund ta besojë vetëm ndonjë mendje si ajo e z.

Postuar: 17/09/2019 - 07:14

Më kujtohet se kur erdhi në pushtet qeveria e Edi Ramës mbas zgjedhjeve të 2013-ës, ju desh njëfa

Postuar: 17/09/2019 - 07:12

Ka kohë që flitet për krisje të marrëdhënieve midis presidentit Meta dhe liderit të selisë blu, B

Postuar: 15/09/2019 - 07:43

Gjatë periudhës së pushimeve në qytetin e Vlorës, më ndodhi, ashtu sikurse i ndodh gjithkujt, që

Postuar: 15/09/2019 - 07:42

Bashkimi Evropian e zgjidhi qesen për reformën në drejtësi.

Postuar: 15/09/2019 - 07:40

Nuk është hera e parë që zonja Monika Kryemadhi, Kryetarja e LSI-së, sot bashkëkryetarja e opozit