BREAKING NEWS

‘Koha nuk pret’, Jozefina Topalli prezanton “Lëvizjen për Ndryshim”: Ka vetëm dy mundësi në jetë!

‘Koha nuk pret’, Jozefina Topalli prezanton “Lëvizjen
x

Opinion / Editorial

Nuk jemi aq të pasur sa të blejmë të shkuarën tonë

Nuk jemi aq të pasur sa të blejmë të shkuarën tonë

Shqiptarët e duan demokracinë. Kanë dhënë prova bindëse, të sigurtë në këtë tranzicion. Sistemin demokratik e duan sepse e gjejnë veten të lirë në mendim, në arsyetim, janë të pavarur në jetën e tyre shoqërore, sociale. Janë të hapur me botën. Ndërkohë dhe bota europiane i përkrah dhe mbështet. Në këto tre dekada ka patur dhe vazhdon të ketë një tendencë për të mohuar të djeshmen, të shkuarën, arritjet e sistemit të kaluar, por edhe bëmat e tij. Në demokraci njerëzit kanë mundësi të organizohen si të duan, të ndërtojnë të ardhmen sepse ka plot zgjedhje dhe zgjidhje. Për të qenë realistë, spekulohet me kohën e komunizmit, me qëllim që të bindin të sotmit se “ne jemi brez i reformuar, që e duam demokracinë më shumë se ish-komunistët”. Dhe për të “bindur” një trend njerëzish që mbajnë flamurin e sistemit demokratik, mohojnë të shkuarën e tyre të lidhur me sistemi socialist. Nuk arrijmë të kuptojmë pse këta njerëz i fshihen të djeshmes së tyre. I mirë apo i keq, njerëzit kanë punuar, kanë jetuar, u janë bindur, ose kundërshtuar regjimin dhe kaq mjafton për të thënë se, deri këtu nuk ka asgjë të keqe. Erdhi demokracia. Dakord. Kjo nuk do të thotë se ata që dolën dhe e pritën demokracinë janë demokratë, perëndimorë, ndërsa disa të tjerë të spektrit politik të majtë nuk janë të tillë.

Të mohosh të shkuarën tënde, ta hedhësh atë poshtë, për arsye të ndryshme, do të thotë të mohosh veten, traditën familjare, përkushtimin për t’i mbijetuar kërcënimit të atëhershëm nga dhuna verbale e ushtruar për gjysmë shekulli. Më tej akoma, të hedhësh prapa krahëve një mal me mundime, me sakrificë, me vetëmohim, vetëm e vetëm për tu bërë “demokrat”, kjo nuk shkon. Jemi në proces reformimi. Europa na do të tregojmë vlerat tona tradicionale, por edhe bashkëkohore. Në rrugëtim e sipër del nevoja për të mësuar edhe nga e kaluara jonë. Kemi shumë për të mësuar, pasi nuk hidhet çdo gjë poshtë si e pavlerë, sepse është përfituar në kohën e Enverit. Sjellim në vëmendjen e lexuesit një shembull konkret. Anembanë Shqipërisë u shkatërruan qindra hektarë pyje, një pasuri përrallore, e jashtëzakonshme e popullit shqiptar. U prenë të gjithë pyjet, u rrafshuan me arsyetimin se ishin pyje të Enverit. Nuk ngeli lis në këmbë. Malet, kodrat u zhveshën, mbetën shkret. Erozioni bëri namin. Sot që nuk i kemi ngrihen e thonë disa spurdhjakë “nuk ka projekte për mbjelljen e pyjeve, drufrutorëve, drurëve dekorativ, që kanë qenë shembull në Ballkan”. Politika e krimbur ndërseu sekserët e saj për të shkatërruar çdo gjë që erdhi si produkt i djersës së derdhur, që erdhi si rezultat i mundit dhe sakrificës së njerëzve, profesionistëve, mendimit novator e intelektual për një Shqipëri të shqiptarëve. Këtë moral të shthurur e bëjnë disa njerëz me librezë politikane për të shkatërruar pasurinë kombëtare të fituar në gjysmë shekulli. Sot sillen si antikomunistë, si demokratë dhe ngrenë librezën e anëtarësisë lart për të treguar se për atë ç`ka ndodhur dje, nuk pendohen. Po nuk ka më komunist se ish-komunistët që e luftojnë komunizmin. Nuk duhet të ketë asnjë arsye pse disa intelektualë, njerëz me funksione politike dhe shtetërore të kenë frikë nga e djeshmja. Ata i ka mbajtur të mbrojtur dhe i mbron ndershmëria. Njerëzit e ndershëm në çfarëdo sistemi të vijë, të tillë mbeten. Për ta e rëndësishme është shteti të funksionojë normalisht, ligji të vendosë drejtësi për të gjithë njëlloj, secili të marrë atë që i takon dhe kaq. Disa struken dhe mbajnë krahun e demokracisë me idenë se po tha jam socialist, do penalizohet një ditë. Harrojnë këta mjeranë se demokracia nuk ndëshkon njerëzit që shikojnë hallet e tyre. Demokracia është rrufe për ata që pasurohen duke spekuluar me ligjin, me maskën e demokracisë. Përvoja e fituar në një sistem shoqëror, qoftë dhe periudha e komunizmit në Shqipëri, nuk zëvendësohet në asnjë rrethanë. Sot që duam të instalojmë demokracinë, del si nevojë e një brezi të tërë që të kthejë kokën pas, herë pas here. Po, pse duhet të ndodh kështu? Sepse kemi lënë prapa një pasuri të vyer, të cilën nuk e mbulon dot pluhuri i harresës. Ka punuar një popull i tërë, intelektualët e tij, profesionistët, të cilët kanë ndërtuar vepra gjigante në këtë vend. Këta të sotmit thonë se duhet një mal me euro për të ndërtuar një ujëmbledhës. Po inxhinierët, ndërtuesit e veprave të mëdha ujore, ata që kanë ndërtuar diga hidrocentralesh, me sa para i kanë ndërtuar ato? E dinë shqiptarët, sidomos brezi i kaluar: i ka ndërtuar duke ngrënë bukë me ujë me sheqer, i ka ndërtuar me aksione, me vullnetarë, duke i stimuluar me ato S-të e famshme. Ndërsa ajo përvojë nuk kujtohet, as edhe njerëzit që i ndërtuan, të cilët ishin heronj dhe nga gjitha ajo sakrificë, si shpërblim kanë marrë librezën e pensionit me rreth 200 mijë lekë të vjetra shqiptare. Për ata nuk kujtohet as shteti, as shoqëria, por i ka lënë të argëtohen në lulishtet e qyteteve të vendit. Turp! Sot që flasim ne nuk jemi aq të pasur sa të blejmë të shkuarën tonë. Jo se ka humbur dhe nuk gjendet dot. Disa drejtues politikë dhe të tjerë kanë turp të kthehen tek disa shembuj, tek përvoja që mund dhe duhet të bëhet mësim për brezin e ri. Nuk ka pse heqim dorë e bëjmë sikur ajo nuk ekziston, sikur e kemi filluar këtu nga e para. Çështja është se spekulimi me të djeshmen është marrëzi. Ka me qindra vepra arti në kryeqytet, por edhe në qytet që janë simbol i punës dhe përkushtuar të njerëzve që kanë bërë epokë. Ata janë një referencë e bukur ku njerëzit, qytetarët e thjeshtë marrin një mesazh, marrin emocion, marrin kënaqësi dhe mburren me bashkëkombësit e tyre. Këta personazhe nuk lindën sot. Kanë ardhur nga koha e djeshme dhe përbëjnë një thesar të çmuar për kombin, për shqiptarët nëpër botë. Ky thesar i krijuar me mund nuk është investim i ditëve tona, por janë autorë që kanë lënë gjurmë në historinë e shoqërisë shqiptare në vite, dekada, shekuj. Kaq e thjeshtë është për të kuptuar. Ka një arsye thelbësore që ndodh kështu. Mungon dëshira për të qenë konkretë në njohjen e realiteteve. Kur shikohen me syrin e luftës së klasave, historia e djeshme gjysmëshekullore nxihet, errësohet, dhunohet, shpërfillet. Të sotmit thonë: “Demokracia është si mendojmë ne”. Kërkohet një mirëkuptim, një zgjidhje, një marrëveshje vëllazërore. Thotë Nënë Tereza: Gjithmonë kur takohemi me njëri-tjetrin le të buzëqeshim, buzëqeshja është fillimi i çdo dashurie”. Shqiptarët e kanë të vështirë ta bëjnë këtë.