SPAK para “provës së zjarrit”, avokat i njohur paralajmëron arrestimin e Edi Ramës, ja aferat ku dyshohet se është përfshirë kryeministri
Idajet Beqiri: Si e ngriti Flamur Noka mini-fabrikën në Greqi me valixhet me euro nëpërmjet dy njerëzve të tij të besuar nga Kukësi dhe Fieri që përfunduan në burg, ja detajet nga afera e madhe që ndodhet në duart e SPAK
Ja pse Grenell është lidhja e dyshes Berisha-Meta me Edi Ramën, si po i varin shpresat tek njeriu i Donald Trump për të shpëtuar nga sanksionet e SHBA duke shitur ishullin e Sazanit, Evi Kokalari nxjerr detajet e forta
Richard Grenell konfirmon pazaret Rama-Berisha për ishullin e Sazanit, ja detajet e marrëveshjes me dhëndrin e Donald Trump
Edi Rama pazare të pista me Vuçiç dhe Grenell për të ringjallur idenë e copëtimit të Kosovës, media gjermane plas “bombën”, ja çfarë fshihet pas investimit të dhëndrit të Donald Trump në ishullin e Sazanit
Gati lirimi i Sali Berishës dhe Jamarbër Malltezit nga burgu, ja çfarë përmban marrëveshja e Edi Ramës me “Rithemelimin”, nga shkatërrimi i SPAK dhe rrëzimi i ligjit të dekriminalizimit, te ngritja e komisionit anti-reformë
Ja çeta e grabitjes së pronave të ushtrisë, nga presidenti Bajram Begaj, te Xhaçka dhe Belinda Balluku, zbardhen shkeljet e rënda penale për interesat e oligarkëve, si u vendos në rrezik siguria kombëtare, operacionaliteti i Forcës Detare dhe detyrimet...
Katër atentate e plagosje në katër ditë ministrit të suksesshëm Taulant Balla, policia mbledh gëzhojat e ekzekutimeve
Nuk ka “matësa”, apo nuk duan të matin “intelektin” e analfabetëve?
Shkruar nga Pandeli BARDHI 4 Korrik 2020
Përpara se të shpjegoj disa fjalë sipas fjalorit “Shqip-Shqip”, analfabetët dhe injorantët kanë një të përbashkët. Dihet që më e vështira, është që njeriu të njohë vetveten. Më keq akoma kjo u përket injorantëve dhe analfabetëve, të cilët hiqen edhe më të mençur se të mençurit. Për dijet, më shumë bëjnë moral analfabetët sesa të mençurit e të shkolluarit, ashtu si për ndershmërinë bëjnë moral hajdutët. Ja ç’na thotë Fan.S. Noli: “Këtu, ambiciet, janë fare pa fre e pa kufi. Këtu, i padituri i di të gjitha dhe i pazoti është i zoti për të gjitha”! Më tej Konica, shkruan: “Errësira e padijes, na i ka sjellë gjithë këto të këqija”! Sipas fjalorit të gjuhës shqipe, intelekti është zgjuarsia, mençuria e një njeriu. Intelektual pra quhet një njeri i mençur, i zgjuar. E kundërta e intelektit është idiotësia. Duke ju referuar fjalorit të gjuhës shqipe, idiot quhet një njeri mendjetrashë, që nuk merr “pykë”. Edhe këta, i gjen me shumicë kudo, në të gjithë zinxhirin e qeverisjes qendrore e vendore. Tek ne, duket sikur ka një farë tradite analfabetizmi, si rruga më e lehtë për t’u bërë “i ditur”. Përkundrazi, që të bëhesh i mençur e të bësh punë të dobishme për shoqërinë, duhet shkolla, duhet një eksperiencë e gjatë në punë për profesionin që kryen. Diktaturës, duke i hequr shumë prapësi që kishte, nuk mund të mohohet që ndërtoi Shqipërinë nga e para. Nga 92% analfabetë i bëri njerëz me shkollë, i bëri kuadro të të gjitha profesioneve, mësues, inxhinierë, mekanikë, agronomë, mjekë dhe juristë të aftë. Të tjerat, i heqim. Veprat e mëdha energjetike si hidrocentralet, veprat ujitëse, kombinatet, fabrikat e uzinat, urat mbi lumenj, hekurudhat etj. etj. është fakt që kërkonin njerëz të ditur e specialistë, kërkonin njerëz të aftë, profesionistë, i realizuan me sukses. Me ato vepra, mburremi edhe sot ne “demokratët”. E kundërta është bërë sot, ku gjithçka që u ndërtua me mund e djersë, me aftësi e zotësi, u shkatërrua me injorancë dhe analfabetizëm që u kultivua nga kjo demokraci e “të mençurve”. Shkollimi është kryesorja për një intelektual, por jo gjithçka. Kishte edhe atëherë injorantë dhe analfabetë, siç kishte edhe më parë në regjimin e Zogut. Ja po sjell dy shembuj. Në kohën e Mbretit Zog, një specialist anglez, duke njohur gjendjen e intelektualëve tanë në atë kohë, u shiste atyre diploma fallco kundrejt një shume të majme me florinj, të cilët këta i blinin me kënaqësi, mjafton që të kishin një diplomë. Edhe në kohën e diktaturës, u sollën me shumicë kuadro nga terreni si punonjës të dalluar dhe u vendosën në organet drejtuese të partisë e të pushtetit në të gjithë sektorët. Kishte prej tyre shumë të aftë, por si specialistë të fushave, ishin “gjysmakë”. Këta, vërtet ishin njerëz të ndershëm dhe punëtorë, por nuk ishin specialistë. Nuk mjaftonte që të thërrisnin gjithë ditën “Rroftë Partia” apo “Ku vë këmbën shoku Enver, ne të vëmë kokën”, por ishin “pyka” në drejtim e organizim, edhe më “pyka” nga Basha në matematikë dhe më kryesorja është se ata, bënin “ligjin” dhe ja bënin “rrup-sup” edhe drejtuesve specialistë me shkollë dhe eksperiencë, sepse orë e çast thoshin: “Partia, jam unë”! Një dëshmitar i atyre kohëve, tregon për një zyrtar të lartë që sollën në një dikaster. Katër apo pesë muaj nga ardhja e tij, të gjithë aparatit të dikasterit iu dha nga një copë letër e laps, për të shkruar vërejtjet e tyre për secilin në këtë dikaster. Njëri nga punonjësit, si i humorit që ishte dhe pse jo edhe i aftë, shkroi për funksionaren në fjalë: “Në orarin e punës, luan tenis”! Kur u bënë konkluzionet dhe drejtuesi e pyet për vërejtjet që kishin shkruar në adresë të saj, ajo “përgjigjet”: “Për mua kanë shkruar që luaj penis, që unë as nuk e di si është kjo lojë”! Të tjerët qeshën me të madhe, por ajo ende pa e kuptuar ngulte këmbë pavarësisht që një shofer i thoshte: “Mos e mohoni sepse edhe keni luajtur ndonjëherë”. Ka njerëz që janë të zgjuar nga natyra edhe sikur të mos kenë asnjë gram shkollë, por këta janë më pak se gjysmakë. Që të bëhesh një intelektual i kompletuar duhet që krahas zgjuarsisë të kesh edhe arsimin e nevojshëm. Nejse, këto dihen, por të futemi në temë. Një nga deputetët, në seancën e kaluar midis të tjerave, tha: “Ashtu si Ministrja e Shëndetësisë ka vendosur matës për temperaturën, të vendosë edhe matës për intelektin e injorantëve dhe “halabakve” në këtë vend”. Sipas fjalorit, fjala “halabak” shpjegohet “rrugaç”. Plot para njëqind e njëmbëdhjetë vite më parë, Çajupi do të shkruante për “Klubin e Selanikut”! Ai i referohet midis të tjerave edhe Doktor Johnsonit: “Klubi, është një shumicë burrash, që merren vesh dhe paguajnë që të kënaqen duke ngrënë e duke pirë”. Më tej Çajupi, flet edhe për Klubin e Londrës, para njëqind viteve nga ajo kohë, që quhej “Klubi i të liqve”. Që të ishe anëtar i atij klubi, duhej të ishe fort i shëmtuar në fytyrë, i ndyrë, i çalë, i verbër, memec, kurrizdalë. Në “Klubin e Selanikut” pas njëqind vitesh, anëtarët e tij nuk ishin edhe aq të shëmtuar, përveç kryetarit, një verdhacuk e i shpifur me emrin Lumo…”, shkruan Çajupi. Po të vijmë njëqind e njëmbëdhjetë vite më pas, në “Klub-Parlamentin” tonë. Nuk mund të gjesh anëtarë të shëmtuar apo memec, kurrizdalë, përkundrazi, atyre u ndrit lëkura, janë bukuroshë dhe bukuroshe, veshin kostume e fustane nga më të shtrenjtat, çanta firmato e këpucë që vetëm ata/ato ua dinë emrat. Edhe ndonjëri apo ndonjëra që nuk plotëson kriteret e bukurisë e të veshjes, nuk do të kalojë më shumë se një vit dhe do të “kompletojë” të gjitha linjat sipas kërkesave të rregullores së Parlamentit. Mundet që kjo punë të bëhet edhe mbas dy vitesh, sepse do të marrin edhe makinën “Jagguar” etj. etj., por edhe kaq, nuk janë shumë po të kemi parasysh që ata do të jenë për disa legjislatura, sepse po u “ngulën” nuk largohen më. Çajupi do të revoltohej kur shkruante për “Klubin e Selanikut”, duke thënë për Kryetarin e tij: “Po paske qënë trutharë more beu ynë, të plastë koka more beu ynë, të paskan lënë mendtë more beu ynë. Hani edhe juve bukën me djersë si ne e jo duke vjedhur”. Po pse juve z. Çajup, mos kujtoni se edhe mbas njëqind e njëmbëdhjetë vitesh këta të “Klubit” tonë, flasin dhe u “digjet barku” për Shqipërinë “hallemadhe”? Sa halle që ka Shqipëria, për krimin, për korrupsionin, për ushqimin, për shëndetësinë, për drejtësinë. Një reformë në drejtësi që ka nisur para më shumë se tre viteve, më shumë e ka bërë “lëmsh” sistemin e drejtësisë sesa e ka vënë atë në “binarë”. Më kot shqiptarët, mbajnë vesh se ç’do të thuhet për fshatin e tyre, për lagjen, për bujqësinë, blegtorinë, ujin e pijshëm që mungon, rrugën që nuk shkon dot as gomari, për ushqimet e skaduara, për rrezikshmërinë që paraqesin këto ushqime, e cila arrin shifrën e rrezikshmërisë 10% kur mesatarja në Europë është 1.6%. A e dini pse nuk flasin asnjë llaf për Shqipërinë? Sepse nuk e dinë se ç’halle ka Shqipëria. Qytetarët në vendlindjen e tyre jetojnë me frikë, që nuk kanë ku të qajnë një hall, nuk kanë ku të ankohen, që nuk i dëgjon kush e ç’të thuash më parë. Kanë një të “drejtë” deputetët në këtë drejtim. “E drejta” e tyre është që duke mos përfaqësuar zgjedhësit e zonës së tyre elektorale, përfaqësojnë kryetarin e tyre të partisë, sepse ai i ka në “dorë”, i heq apo i vendos. Për të bërë të mundur që të duken para kryetarit të tyre si “trima” të “aftë” e të “ditur” bllokojnë foltoren e Parlamentit dhe bëjnë gati grushtet. Fillojnë më pas të shpifin e të akuzojnë kundërshtarët politikë, të tjerrin e të tjerrin fraza që “as më ke e as të kam”! Të tërë flasin vetëm duke akuzuar të tjerët dhe askush nuk merr “pak “pluhur” mbi vete. Sa për honoraret e përfitimet, i kërkojnë një më një, sikur të mos i mjaftonin pagat dhe privilegjet e shumta mbi kurrizin e një populli të këputur, shumica e të cilëve ngrysin muajin me 15 apo 20 mijë lek, që as dritat dhe ujin nuk mund të paguajnë pa zënë në gojë shëndetësinë, drejtësinë arsimimin. Të vuajturit, nuk mund të blejnë diploma si deputetët e politikanët. A po kujtohet kush se si i kanë marrë titujt dhe gradat shkencore edhe pa asnjë orë punë studimore sepse shkencore nuk i dinë as emrin dhe pa lexuar as edhe një libër të vetëm? Djallëzia e tyre fillon qysh me marrjen e diplomave fallco e vazhdon gjatë tërë karrierës së tyre. Koronavirusi, vendosi një “kordon metalik” si për të gjithë edhe për deputetët duke i vendosur në karantinë. Kush dilte prej saj gjobitej, kurse disa deputetë, jo vetëm nuk u gjobitën, por morën edhe honorare e shpërblime. Pse? Sepse “shkuan” tek elektorati. Po si shkuan ata tek elektorati i tyre kur ata nuk kanë shkuar as në kohë normale? Afro gjysma e tyre, nuk e kanë hapur njëherë të vetme gojën në Parlament. Ndonjë që flet, “reciton” ndonjë vjershë të Pashko Vasës, shkodranit, duke ja “veshur” Fishtës etj. etj. xhevahire që nuk kanë të sosur. Për t’u bërë të njohur, shkruajnë ndonjë “galabizhdë” në Facebookun e tyre si njëri prej tyre kur shkruan: “Unë deputeti i Parlamentit shqiptar”! Të vijmë tani tek pyetja që shtruam në fillim. A nuk janë të mjaftueshme të gjitha këto “njësi matëse” për të matur “intelektin” e analfabetëve? Por, ja edhe sikur t’i heqim të gjitha këto dhe të marrim një tregues të vetëm, atë të fjalorit të mbushur me banalitete që përdorin ndaj njëri-tjetrit. Më tej ngrihet njëri dhe “argumenton” që kryeministri ka vjedhur katër milionë euro me tenderat. Tjetri ja pret që ka vjedhur 500 mijë euro nga rritja e taksave. Një i tretë, i pestë, i shtatë, thotë: “Nga x linjë e përpunimit të plehrave, me tenderat me rrugët, me koncesionet me... kryeministri apo x ministër kanë fituar miliona euro”. Po t’i besosh të gjitha del që kryeministri apo ministrat e tij janë bërë më të pasur nga miliarderët. Po pse nuk i çojnë në organet e drejtësisë? Edhe ky, është një hall më vete, kur drejtësia po mbyll edhe vjedhjet që janë bërë me zë e figurë si CEZ etj. etj. Mbetet që në të ardhmen, qytetarët le të “gëzohen” kur dëgjojnë që presidenti i tyre ngjitet në majat më të larta të maleve, vrapon 26 km në breg të detit para perëndimit të diellit. Kryeministri i dikurshëm që sot ka mbetur një “ish”, notonte 2 orë në det dhe synonte të notonte 3 orë, por “perëndoi” para diellit, më parë se të arrinte këtë objektiv. Po presidenti i sotëm dhe të tërë pas tij, të majtë e të djathtë, a do të mundin të bëjnë 30 km para se të “perëndojnë” si dielli? Të shohim, shpresa vdes e fundit…