BREAKING NEWS

Bien ndjeshëm rastet e reja/ Ministria e Shëndetësisë publikon bilancin e COVID, ja çfarë ka ndodhur në 24 orët e fundit

Bien ndjeshëm rastet e reja/ Ministria e Shëndetësisë
x

Opinion / Editorial

Nuk ka nevojë për turn të tretë, mjafton pak ndershmëri për të shkretën Shqipëri!

Nuk ka nevojë për turn të tretë, mjafton pak ndershmëri

Nuk e kuptoj pse shefi i opozitës, nuk rri dot pa i dhënë ndonjë “argument” shefit të pozitës me “batutat e tij” të ngatërruara. Nuk është problemi te lapsus-i, se sa te idetë dhe batutat zhargon tashmë të stërvjetërsuara dhe sipas meje të dala boje majtas në Shqipëri. Në fakt “ta bëjmë ditën natë” ishte lapsus, por çfarë dreqin do të thotë Basha me kthimin e natës në ditë, që pastaj i del “dita natë”. Po na kanë çarë veshët o zoti shef i opozitës për 45-së vite rresht për ta bërë “natën ditë” për ndërtimin e socializmit, na kanë bërë zbor natën, turn të tretë të gjithëve me barkun bosh, shkollë nate dhe alarm natën. Nuk dua të bëj shaka, por na ka ardhur të gjithëve në majë të hundës shprehja “ta bëjnë natën ditë”. Po nuk është e nevojshme o zoti shef i opozitës, që natën ta bëjmë ditë, sepse është shumë e bukur dhe si natë. Nuk bëhet Shqipëria pse ne – bëjmë natën ditë me marrëzitë tona i dashur shef i opozitës. Nata, le të rrijë natë dhe dita ditë, mjafton që mos të vjedhim Shqipërinë natën dhe ditën, o zoti shef i opozitës.  Po pse xhanëm me parulla të dala boje dhe që na kujtojnë metodat “stakanoviste dhe zhandarova” apo kohën e fletërrufeve të lejfenizmin kinez dhe në Shqipëri? Unë besoj se shefi i opozitës së djathtë apo qendrës së djathtë dhe në moshën që ka “nuk ka pse të bëjë natën ditë dhe ditën natë” sepse ka mënyra të tjera të të shprehurit sot. Nuk kemi nevojë për “turn të tretë” shqiptarët për të bërë të mirë ose më të mirë Shqipërinë. Nuk na duhet turni i tretë. Mjafton të mos flemë dhe vjedhim ditën dhe vazhdojmë vjedhjen natën. E kam fjalën për pushtete dhe administrata, horra rruge dhe maskarenj politike. Shefi i opozitës shqiptare sigurisht duhet të jetë “mobilizues”, por sigurisht për kthimin e turnit të tretë as si figurë letrare nuk mund të “mobilizohet” sepse nuk është se “kemi nevojë për kaq shumë sakrifica”. Ato i kemi bërë dhe me barkun bosh dhe me rrecka. Sepse me këtë “natën ditë dhe ditën natë” po i largohesh problemit të madh që kemi, zoti shef i opozitës shqiptare. Shqiptarët dembelë përfitues dhe pastaj arrogantë, janë ata që varen nga politika dhe rreth partive i dashur shef i opozitës, kurse të tjerët janë njerëzit që lodhen të mbijetojnë në Shqipëri, ose ikin jashtë të jetojnë më mirë. Shefi opozitës nuk mund të jetë vetëm i majtë propagandistik që rrit rroga, pensione dhe ul taksa e tatime, të cilat sigurisht duhen bërë, sepse është e drejtë t’i bësh. Shefi për më tepër i djathtë ose qendrës së djathtë, duhet dhe të mund të sillet si krijuesi i optimizmit, shpresës të shqiptarët. Por shpresa vjen te shqiptarët kur “drejtësia” iu aplikohet shqiptarëve dhe në shtet, administratë dhe kudo në institucione. Nuk e kam fjalën te reforma në drejtësi, e cila është thjesht reformë administrative që nuk ka funksionuar kurrë në Shqipëri sa të jetë politika që mbulon gjithçka. E kam fjalën te njerëzit e ndershëm, pa asnjë faj në të kaluarën dhe që janë të papërlyer me afera dhe me drejtim korruptiv. Kjo do të ishte shpresa, sepse do të ishte ndryshe nga e sotmja e Edi Ramës dhe Rilindjes së tij korruptive. Nuk ka nevojë të kthehet nata në ditë për të larguar errësirën e aferave dhe arrogancës së tepruar të Ramës dhe konkubinave të tij të shpërndara në formë “metastazash” në pothuaj çdo qelizë të lëkurës së shtetit të sotëm shqiptar. Ka nevojë që të bindësh shoqërinë shqiptare, se ke njerëzit dhe dëshirën, por dhe formën dhe përmbajtjen se – je ndryshe këtij regjimi që është sot. E bën dot këtë gjë? Mendon se i bind apo thjesht mendon se Rama e ka qelbur dhe shumica e njerëzve nga era e keqe, do të votojnë dikë tjetër, që ju thotë “të bëjmë natën ditë”?! Po kjo është një alternativë e dobët, jo mobilizuese dhe e dyshueshme. Pasiguritë në të shprehur, idetë që kanë brenda populizëm majtist, përballë veprimeve super korruptive të një të majte të shprehur nën sigël “socialiste”, por me sjellje ultra fashokorruptiviste të Ramës, janë shumë pak për përmbysjen e madhe zoti shef i opozitës. Veprimeve të Ramës me “deputetëzim” të një ish-kongresiste inxhiniere komuniste në kongresin e 10-të të PPSH-së, me çfarë do t’i përgjigjet Basha, me sërish kandidimin e jo kongresistit, por ish-komunistit mjek? Këta do të bëjnë “natën ditë dhe ditën natë”? Ngjajnë si dy pika uji të njëjta mes PD dhe PS dhe si një diçka që i bashkon dhe në këto zgjedhje. Shqipërisë sonë të shkretë i mjafton vetëm pak ndershmëri. Kjo gjë nuk i afrohet, sepse tashmë kjo elitokraci post komuniste dhe arriviste për keq, është jo vetëm me ide të ardhura nga ajo kohë, por dhe jo e ndershme. Po pra me plot gojë – e pandershme. Këtë gjë e rregullon dot Lulzim Basha? Kjo duhet shpjeguar në shoqëri si e rregullon këtë gjë në vendin që e mban droga kudo e mbjellë, e cila kthehet në luks, beton dhe resorte apo prishje malesh, ujërash dhe pyjesh apo pronash. Që ka ngritur “plutokracinë” më të madhe në Ballkan dhe Europë, e cila nga dita në ditë, bëhet më e pamëshirshme dhe më arrogante me njerëzit. Me çfarë do ta përballë këtë sistem me miliarda e miliarda të hedhura dhe në banka e xhepa shefi opozitës Lulzim Basha? Po pra, pa sqaruar mirë se nuk bën pjesë dhe nuk është as periferi e kësaj “republike” plutokratiko-kriminale, e cila nuk ka lidhje me komunistët si me trashëgiminë e tyre ideologjike, por ka lidhje me trashëgiminë e tyre korrupto - mafioze kudo, në çdo sistem të demokracisë së ndërtuar mbrapsht qëllimisht dhe kriminalisht në Shqipëri. E kryesisht në të gjitha partitë shqiptare pa demokraci të brendshme dhe pa ligj e statut të zbatuar me pandershmëri si parim në demokraci. E ka opozitën të tillë Lulzim Basha? Është e sigurtë se nuk ka qenë dhe nuk është edhe vetë ai pjesë e kësaj plutokracie dhe rrënimi moral politik në Shqipëri. Iu mbush mendjen dot shqiptarëve që nuk është pjesë dhe ai e kësaj “monstre” ekonomike dhe politike që kemi sot dhe i themi shtet demokratik? Ka njerëz rrotull tij dhe aleatë që me fytyrat e tyre i mbushin mendjen sidomos elektoratit tashmë të qartë mbi politikën shqiptare se opozita është krejtësisht ndryshe Rilindjes dhe Ramës, në atë zullum të madh dhe të përhapshëm më shumë dhe shpejt se Covid 19-ta në të keqen e madhe shoqërore. Ka kaq fytyra të pastra, të reja, pa pjesëmarrje qeverisëse, por dhe opozituese fitimtare, që shoqëria të thotë: po jemi gati sikur dhe natën ta bëjmë ditë?. Po pra ti thonë ata dhe jo ky, t’iu thotë atyre. Unë, sëpaku unë, nuk e shikoj këtë entuziazëm. Nuk e shikoj te një pjesë e madhe e shoqërisë dhe sidomos njerëzve të shtresës së mesme, jo militante dhe jo që kërkon punë, zyra dhe dogana apo dhe tendera që ta kenë këtë besim dhe këtë entuziazëm. Ata kanë hall të madh, me një delirant, cinik dhe arrogant tragjikomik përfitues tashmë jashtë sinqeritetit dhe brenda pandershmërisë më të madhe si Edi Rama, por janë dhe të pa bindur, dyshues dhe sidomos pa shpresë me një lider që iu thotë: Ta bëjmë natën ditë dhe për më tepër bën hap fals, sepse gabon duke thënë – ta bëjmë ditën natë. E sigurisht këtu shpresa pothuaj shuhet fare.