Opinion / Editorial

Nuk ka të ardhura, apo burimet që i sjellin ato nuk menaxhohen si duhet?

Nuk ka të ardhura, apo burimet që i sjellin ato nuk menaxhohen si

Në Republikën e Shqipërisë pas riorganizimit administrativo-territorial, janë 61 bashki dhe problematikat e trajtuara në këtë shkrim i referohen gjetjeve gjatë auditimeve të kryera në disa nga këto njësi vendore. Misioni i vetëqeverisjes vendore është që të sigurojë një qeverisje të efektshme, efikase dhe në një nivel sa më afër qytetarëve. Për të realizuar këtë mision një nga detyrat kryesore për këto njësi është realizimi i shërbimeve dhe investimeve publike në interes të komunitetit. Për të realizuar këto shërbime dhe investime është e nevojshme që të gjenden burimet e tyre të financimit, pra duhet të llogaritet një buxhet i caktuar të ardhurash për të mbuluar këto shpenzime. Burimet kryesore të financimit për njësitë e vetëqeverisjes vendore janë dy: a) të ardhurat nga burimet e veta, të cilat krijohen në nivel vendor dhe kryesisht përbëhen nga taksat dhe tarifat vendore, si dhe të ardhurat e tjera vendore (qira, shërbime, shitje etj.), për krijimin dhe shpenzimin të cilave njësitë vendore kanë pavarësi të plotë; b) grantet, të cilat janë fondet që transferohen nga qeverisja qendrore (apo donacione të ndryshme). Në dy grupet e mësipërme të burimit të financimit të shpenzimeve, grantet janë vlera të sigurta për buxhetin e njësive të vetëqeverisjes vendore, ndërsa pasiguria, risku në llogaritje dhe arkëtim, qëndron te të ardhurat nga burimet e veta. Në momentin e hartimit të buxhetit kjo ka të bëjë me hartimin e një pakete fiskale të plotë, pa krijuar rezerva në planifikim, me qëllim: a) përfshirjen e të gjitha burimeve të mundshme të të ardhurave dhe b) llogaritjen e secilit prej këtyre burimeve në vlerën e duhur. Përfshirja e të gjitha burimeve të mundshme të të ardhurave, do të thotë që këto njësi të mos lënë jashtë paketës së tyre fiskale asnjë mundësi burimi që sjell të ardhura për buxhetin e tyre, ndërsa parashikimi në vlerat e duhura, do të thotë që këto burime të llogariten saktë, aq sa duhet sipas kuadrit ligjor në fuqi dhe jo në vlera më të ulta. Pas hartimit të buxhetit, në fazën e zbatimit të tij, risku qëndron në mos marrjen e masave të plota shteruese, sipas kuadrit ligjor në fuqi, kushteve të kontratave të lidhura etj., për arkëtimin e vlerave të parashikuara si të ardhura për të financuar shpenzimet. Si mangësitë në një planifikim jo të mirë për të ardhurat, ashtu edhe mos marrja e masave të plota për arkëtimin e tyre, kanë të njëjtën pasojë: krijimin e të ardhurave të munguara, ose më pak lekë në buxhetin e njësisë vendore nga sa janë mundësitë reale, më pak shërbime dhe investime publike për komunitetin. Jo në pak raste nga auditimet e kryera nga KLSH janë konstatuar të dy fenomenet e mësipërme: mangësi në planifikim, si mos përfshirja në të ardhurat vendore të disa burimeve jo pak me interes për buxhetin e njësive vendore, si dhe mangësi në zbatimin e planit të hartuar për të ardhurat, me pasojë krijimin e vlerave të konsiderueshme të paarkëtuara nga debitorët. Fenomenet e mësipërme janë konstatuar nga KLSH si në auditimet e kryera përpara reformës administrativo-territoriale ashtu edhe pas saj. Mos llogaritja e detyrimeve sipas kuadrit rregullator në fuqi, me e theksuar është në disa njësi vendore lidhur me subjektet që janë të pajisur me leje minerare të miratuara nga Ministria e Energjetikës dhe Industrisë, të cilat ushtrojnë aktivitetin e tyre si nxjerrje, prodhim dhe depozitim materialesh inerte, direkt nga sipërfaqja (karrierë), nxjerrje minerale etj., duke shfrytëzuar sipërfaqe pyjore dhe kullosore të njësive vendore. Për një pjesë të këtyre subjekteve nuk janë lidhur kontrata për aktivitetin që ato kryejnë e për rrjedhojë nuk janë parashikuar të ardhura që lidhen me natyrën e aktivitetit të tyre. Në raste të tjera me këto biznese janë lidhur kontrata me vlerë më të ulët se kuadri ligjor në fuqi. Në të dy rastet buxhetit të njësisë vendore i është shkaktuar një vlerë e konsiderueshme të ardhurash të munguara. Por a mjafton vetëm parashikimi i saktë i burimeve të veta nga njësitë e vetëqeverisjes vendore? Sigurisht që jo. Parashikimi është njëra pjesë, shumë kryesore, pasi në këtë fazë hartohet paketa fiskale, krijohet lista me emra konkretë për persona fizikë, juridikë, apo kategoria e taksapaguesve familjarë, lidhen kontrata, mbi bazën e të cilave ka lindur një detyrim kontraktual etj. Të gjitha këto do të jenë burime reale financimi për buxhetin e njësitë së qeverisjes vendore, vetëm nëse faza e parashikimit të këtyre burimeve ndiqet me kujdes nga faza tjetër, ajo e arkëtimit, duke mos lejuar krijimin e debitorëve. Të dy pjesët e buxhetit si të ardhurat edhe shpenzimet duhet të shkojnë në të njëjtin drejtim, pra nëse nuk realizohen të ardhurat, atëherë nuk duhet të kryhen as shpenzimet, të cilat janë parashikuar mbështetur në këto të ardhura të parealizuara. Por në fakt nga njësitë e vetëqeverisjes vendore jo gjithmonë veprohet kështu. Gjithashtu në vitin pasardhës në hartimin e buxhetit vjetor, nuk zbatohet si duhet parimi i shlyerjes më parë të detyrimeve të prapambetura të viteve të kaluara. Pasoja është krijimi i detyrimeve të prapambetura. Nga auditimet e kryera nga KLSH në disa bashki, konstatohet se po të ishin marrë masat e duhura për arkëtimin e detyrimeve nga debitorët, duke përfshirë taksat dhe tarifat vendore, të ardhura që rrjedhin nga detyrimet kontraktuale etj, si dhe nëse do të ishin planifikuar (sigurisht dhe arkëtuar) edhe të ardhura të tjera të pallogaritura nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, por të evidentuara nga KLSH, atëherë niveli i vlerës së detyrimeve të prapambetura në këto njësi vendore, do të kishte një rezultat shumë më pozitiv. Prandaj mund të themi se nuk është e rëndësishme vetëm të planifikohet, por si monitorohet ky planifikim, sa arkëtohet realisht prej tij. Për ta konkretizuar po ju referohemi disa shifrave të nxjerra gjatë auditeve të kryera nga KLSH në disa njësi të vetëqeverisjes vendore: -Në auditimin e kryer në vitin 2019, në Bashkinë Tropojë, për 20 subjektet të cilat kanë marrë leje shfrytëzimi të sipërfaqeve pyjore/kullosore nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, nga njësia vendore nuk është lidhur kontratë për shfrytëzim të fondit pyjor/kullosor nga këto subjekte, në një sipërfaqe prej 389.72 ha, duke krijuar mungesë të ardhurash. Gjithashtu në këtë bashki vlera e të ardhurave të munguara në fund të vitit 2018 është 15,370,111 lekë, nga të cilat detyrimet për taksat e tarifat vendore në vlerën 12,997,009 lekë dhe pjesa tjetër nga mos arkëtimi i detyrimeve kontraktuale nga nëntë subjekte. Vlera e faturave të palikuiduara në Bashkinë Tropojë në momentin që janë konstatuar këto mungesa të ardhurash është 51,849,487 lekë. Duke krahasuar këto dy vlera, mund të thuhet se po të ishin marrë masat e duhura për arkëtimin e vlerës 15,370,111 lekë, atëherë detyrimi i faturave të palikuiduara do të ishte ulur në masën 30%. -Në auditimin e kryer në vitin 2019 në Bashkinë Librazhd, në fund të vitit 2018 është konstatuar një e ardhur e munguar prej 67,696,000 lekë, nga e cila vlera 65,230,306 lekë i përket detyrimeve për taksat e tarifat vendore, ndërsa vlera prej 2,465,694 lekë përfaqëson detyrime që rrjedhin nga kontratat e lidhura me subjektet për shfrytëzimin e sipërfaqeve për ndërtimin e HEC-eve. Përveç kësaj është konstatuar një sipërfaqe prej 512 ha, e cila shfrytëzohet nga subjektet që kanë marrë leje nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për shfrytëzim të fondit pyjor, por edhe këtu është konstatuar i njëjti fenomen, mos marrja e masave për lidhjen e kontratave me subjektet private, me pasojë të ardhura të munguar që nga KLSH janë llogaritur në vlerën 225,280,000 lekë. Detyrimet e faturuara dhe të palikuiduara në fund të vitit 2018 në këtë bashki kanë vlerën 87,132,631 lekë. Është lehtësisht e kuptueshme nga krahasimi i vlerës së të ardhurave të munguara me vlerën e faturave të palikuiduara, se po të ishin marrë masa për arkëtimin e vlerave të mësipërme, jo vetëm do të ishin shlyer detyrimet e prapambetura, por do të duhej të parashikoheshin edhe shërbime apo investime të reja shtesë. -Në Bashkinë Bulqizë në auditimin e kryer në vitin 2019 janë konstatuar të ardhura të munguara në fund të vitit 2018 në vlerën 15,418,785 lekë. Nga ky total, vlera prej 9,542,160 lekë i përket fushës së taksave dhe tarifave vendore, ndërsa vlera 5,876,625 lekë, detyrime të subjekteve të cilat kanë marrë leje shfrytëzimi nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për shfrytëzimin e sipërfaqeve pyjore/kullosore, por një pjesë e tyre nuk kanë shlyer detyrimet kontraktuale, ndërsa për një pjesë tjetër nuk është lidhur kontratë për parashikimin këtyre detyrimeve, pra as nuk janë evidentuar të ardhurat e mundshme dhe as nuk janë arkëtuar. Vlera e faturave të palikuiduara në fund të vitit 2018 në këtë bashki është 86,658,505 lekë, që do të thotë së nëse do të ishin arkëtuar vetëm të ardhurat e munguara të planifikuara në vlerën 15,418,785 lekë (pa përfshirë të ardhurat e pa planifikuara), do të ishte ulur detyrimi i faturave të pa likuiduara në masën 18%. -Nga auditimi i kryer në Bashkinë Selenicë në vitin 2018, vlera e llogaritur nga KLSH si mungesës të ardhurash në buxhetin e njësisë vendore, deri në datën 30.9.2018 nga mos lidhja e kontratave me 13 subjekte që zhvillojnë aktivitet minerar, është 582,869,000 lekë. Nga ana tjetër vlera e faturave të palikuiduara që është konstatuar në këtë njësi vendore gjatë procesit të auditimit është 36,878,690 lekë, vlerë shumë e vogël në krahasim me vlerën e të ardhurave të munguara. Nëse i referohemi raportit të KLSH “Mbi zbatimin e buxhetit të shtetit të vitit 2018”, raportuar në Kuvendin e Shqipërisë, konstatohet se është raportuar me shqetësim kjo problematikë që ka pushteti vendor. Për këtë çështje në këtë raport thuhet: “Në 21 bashkitë e audituara, niveli i borxhit paraqitet në vlerën 11,147,994 mijë lekë, e cili vjen gjithmonë në rritje nga njëra periudhë në tjetrën, dhe janë të ardhura të munguara në buxhetet e këtyre njësive vendore (bashkive) dhe, njëkohësisht janë të ardhura të cilat në një pjesë të bashkive nuk parashikohen në planin e të ardhurave të vitit vijues”.

Të gjitha faktet e mësipërme tregojnë se njësitë e vetëqeverisjes vendore nuk duhet të ndërtojnë planet e tyre lidhur me hartimin dhe zbatimin e buxhetit, mbi idenë se nuk kanë para për realizimin e shpenzimeve, për shlyerjen e faturave të prapambetura, të vendimeve gjyqësore, etj, por duhet të punojnë mbështetur mbi strategjinë e “menaxhimit më të mirë të burimeve të të ardhurave të tyre”. Të gjithë ankohen se nuk kanë të ardhura, por asnjë nuk ankohet se burimet reale që janë nuk menaxhohen si duhet. Pra për pyetjen se nuk ka të ardhura, apo nuk menaxhohen mirë burimet që i sjellin ato, në bazë të fakteve, përgjigja më shumë gjendet në pjesën e dytë të kësaj pyetjeje. Pasi të menaxhohen si duhet këto burime, pra të planifikohen dhe realizohen të gjitha të ardhurat e veta të njësive të vetëqeverisjes vendore, mund të thuhet se nuk ka të ardhura të tjera për planifikim dhe arkëtim, pasi burimet e mundshme për një vit buxhetor kanë një kufi të caktuar dhe janë më të vogla se nevojat në rritje për shërbime dhe investime të komunitetit. Por nëse planifikon mirë dhe arkëton gjithçka që ke planifikuar dhe këto arkëtime i kthen në shërbime e investime prioritare për një vit të caktuar buxhetor, çdo njësi vendore ka plotësuar misionin e saj të mundshëm.

*Auditues i lartë në KLSH