BREAKING NEWS

E rëndë/ Të shtënat me armë që lanë tre të plagosur mes tyre dhe dy efektivë Policie, Ardi Veliu dhe Tonin Vocaj bëjnë lëvizjen urgjente. Blindohet zona, zbarkojnë RENEA dhe FNSH

E rëndë/ Të shtënat me armë që lanë tre
x

Opinion / Editorial

Nuk pastrohesh vetë po njollose tjetrin

Nuk pastrohesh vetë po njollose tjetrin

Në veprimtarinë e përditshme të politikanëve shqiptarë tashmë ka shkuar në shkallën më të lartë të zhvillimit, kundërsulmi. Sapo dikush akuzon dikë, me të drejtë apo pa të drejtë, ky i fundit, pa e marrë mundimin për të sqaruar të vërtetën e kësaj akuze, artikulon dhe bën më shumë se një akuzë ndaj të parit. Këta nuk merakosen fare për të pastruar vetveten, por menjëherë njollosin akuzuesin. Janë të sigurtë se nëse e njollosin atë tjetrin pastrohen edhe vetë. Është bërë kjo praktikë rutinë ndaj ne votuesit e thjeshtë mësojmë njollosje nga më të ndryshmet për ta. Mësojmë se janë mashtrues kalibri, janë hajdutë me çizme, të degjeneruar… por vetëm kaq. Deri në njohje shkon fuqia jonë. Kurse të akuzuarit hyjnë nën ombredhën e partisë që gjen marifete nga më të ndryshmet dhe ua heq njollën. Siç ta hiqte në kohën e parë, sekretari i partisë. Madje praktika shqiptare këto vitet e fundit tregojnë se jo thjesht sigurojnë mbrojtjen e partisë por marrin si dhuratë nga ajo një post më të lartë. Sado mëkate të kesh bërë, sado shkelje ligjore të kesh bërë në detyrë, mjafton të jesh besnik i devotshëm i “mëmës parti” dhe ke hyrë në koracën mbrojtëse të saj dhe nuk ka raketë që të largon nga aty. Vetëm në pak raste, numëruar me gishtat e njërës dorë, ka ndodhur që kryetari i partisë apo qeverisë kanë ndëshkuar vartësit pas denoncimeve publike. Në dhjetëra – qindra raste të tjera as qerpiku nuk u ka lëvizur të denoncuarve jo më kolltuku qeveritar. U dënua për hakmarrje politike Fatos Nano, por jo vetëm në qeli jetonte si pasha, por edhe kur doli prej saj e mori të majmë dëmshpërblimin dhe pak vite më vonë u bë ortak me atë që e çoi në qeli. Nuk e bëjnë për të mirën e vendit se ta bënin për këtë qëllim do të merrnin respektin e popullit, por e bëjnë thjesht të kënaqnin orekset e tyre personale politike, më thjesht të thyenin Edi Ramën. E përlyen atë derisa i kujtuan edhe thonjtë e pistë të Parisit dhe shitjen e ikonave ditën dhe fjetjen nën urat e kryeqytetit francez natën. Bashkuan në front edhe kryeministrin më të ri të historisë shqiptare Ilir Metën. Po sot si është pamja politike? Iliri është përsëri bashkë me Saliun pasi e tradhtoi dhe iu bashkua përsëri, duke harruar ç’kanë thënë për njëri-tjetrin dhe duke fshehur kasetat diskredituese që kanë për njëri – tjetrin. Ndërkohë në frontin tjetër Fatosi dhe Edi janë bashkë. Thonjtë e pistë të Parisit u prenë dhe tashmë bëhet llogaria për të kthyer reston: siç e mori Tosi dikur Edin nga rrugët e kryeqytetit francez po e merr prej dore Edi tani Tosin nga kazinotë e Vjenës për ta ulur në kolltukun e presidentit. Nëse fitojnë më 25 prill. Ku shkuan gjithë ato kova me zift që ata i hodhën njëri-tjetrit? Vetë i hodhën dhe vetë i tërhoqën. Pse ndodh kjo ndaj ne prej 30 vjetësh kemi nëpër këmbë këta ferra - politikanë që teksa janë në qeverisje krekosen dhe asgjë nuk bëjnë për ta çuar përpara vendin tonë dhe kur janë në opozitë luftojnë me shpirt e me dhëmbë për t’u rikthyer në qeverisje. E realizojnë ciklin e rikthimit, asgjë nuk ndryshojnë, mend nuk vënë dhe aty i ke ende në fushën e lojës së pushtetit. Përmendëm njollosjen e VIP-ave, por më thoni ju lutem, kush ngeli pa u përlyer nga ata që guxuan dhe hynë në skakierën e qeverisjes?! Sapo bëhet shpallja e kujtdo qeverie, në krahun kundërshtar fillon menjëherë zbulimi i gabimeve apo edhe fajeve që kanë bërë apo bëjnë qeverisësit. Ashtu siç veprojnë këta qeverisës kur bëhen ish. Njollosja e tjetrit nuk është pastrimi yt, por kjo është bërë normë në politikën shqiptare. Doni shembullin më të freskët? E kemi nga ai që është aktualisht në majën e piramidës shtetërore, presidenti i vendit Ilir Meta. Ka kaluar gati java nga shfaqja e shëmtuar që bëri me policët bashkiakë në zyrat e FRD dhe teksa i kërkohet atij dhe shpurës së tij për një shfaqje jashtë logjike të tij, ai vazhdon të këmbëngulë si Nastradini në gozhdën e tij, tek një shkresë bakalli që kishte dërguar Bashkia e Tiranës. Plotësisht dakord, bashkia e kryeqytetit ka gabuar rëndë në momentin që ka dërguar shkresën në një situatë kaotike politike, veçanërisht për këtë parti që konsiston në kohën kur nga ajo jep dorëheqjen ish-kryetari i saj zoti Topi që presupozohet se ishte aleat i Edi Ramës, plotësisht dakord që ajo shkresë ishte jashtë çdo logjike administrative kur ishte pa numër protokolli, pa firmë e vulë, dakord, policët bashkiakë kishin shkuar aty jashtë protokollit shtetëror. Të gjitha këto gabime kanë autorë që duhet të përgjigjen në instancat eprore. Por nuk kuptojë sjelljen kafshërore, (po, po kafshërore, le të më hedhë në gjyq presidenti dhe zëdhënësi Blushi) të presidentit ndaj policëve bashkiakë që aty bënin zbatimin e një urdhri të marrë dhe njëherazi mbronin bukën e fëmijëve të tyre. Vetëm në vendet që janë në luftë ndodh që një president bën vetëgjyqësi. Vetëm në vendet ky presidenti është numri një i shkeljes së Kushtetutës ndodh që ai të kërcënojë se “do t’ju çoj në burg me dorën time”. Kaq të rëndë e paska dorën ky presidenti ynë? Unë di që në burg të çon vetëm gjykata dhe asnjë pushtetar tjetër, vetëm në diktatura ndodh ndryshe. Dhe e di kush më dhemb më shumë: sjellja edhe pas kaq kohësh e presidentit. Ai vazhdon që teksa pyetet për sjelljen e tij, pra të pastrojë veten nga ato veprime banditeske tregon letrën e bashkisë dhe t’u bëjë thirrje gazetarëve që të mos merren me ulërimat histerike të tij. Çdo berr, thotë populli varet prej këmbëve të veta. Bashkia të mbajë përgjegjësitë e veta që e la kaq vjet këtë parti në ato zyra paçka se i kishte mbaruar kontrata, të mbajë përgjegjësi për mos dërgim të një shkrese zyrtare serioze, por edhe presidenti të mbajë përgjegjësi për sjelljen e tij, jashtë kostumit që i takon. Por jo. Siç thamë në fillim të shkrimit po e përsërisim edhe në fund: ata njollosin njëri-tjetrin duke qenë të bindur se pastrohen vetë.