BREAKING NEWS

"S'kishte bazë ligjore për demontim të fishekëve, më pas doli urdhëri për.."/ Tragjedia e Gërdecit, zbardhet dëshmia e sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes

"S'kishte bazë ligjore për demontim të fishekëve,
x
BREAKING NEWS

“Urdhrin e kërkon shefi”/ Tragjedia e Gërdecit, zbardhet dëshmia e ish-ushtarakut

“Urdhrin e kërkon shefi”/ Tragjedia e Gërdecit, zbardhet
x
BREAKING NEWS

Dosja “Tropoja”, si u ekzekutuan njëri pas tjetrit vëllezërit Haklaj pas konfliktit me Berishën, kush janë 15 zyrtarët që rrezikojnë burgun, ja provat që po heton SPAK

Dosja “Tropoja”, si u ekzekutuan njëri pas tjetrit
x
BREAKING NEWS

Zylfie Haklaj flet për gazetën “SOT” dhe paralajmëron fundosjen e Sali Berishës në SPAK për dosjen e vrasjeve në Tropojë: Është bërë si një qen i tërbuar që po përpiqet të hajë çdo person që i del përpara

Zylfie Haklaj flet për gazetën “SOT” dhe paralajmëron
x
BREAKING NEWS

Skandali, ja si Rama ndihmoi Bolinon për të grabitur pronat tek ish-Kompleksi “Partizani” me të njëjtën skemë që ndoqi me Jamarbër Malltezin, zbardhen akuzat dhe dokumentet

Skandali, ja si Rama ndihmoi Bolinon për të grabitur pronat tek
x
BREAKING NEWS

Në përgjimet e “SKY ECC” dalin gazetarë të njohur që bashkëpunojnë me krimin dhe politikanë që kanë porositur vrasje, gati të fundoset një ministër, ja prapaskenat e bujshme, flet Anduena Llabani

Në përgjimet e “SKY ECC” dalin gazetarë të
x
BREAKING NEWS

Provokon doktori i Bllokut Sali Berisha dhe sulmon ashpër LANÇ: Dita e Çlirimit dita më e zezë për shqiptarët, nuk ranë 28 mijë dëshmorë dhe pati vëllavrasje, janë shpikur beteja dhe janë trilluar histori mbi partizanët

Provokon doktori i Bllokut Sali Berisha dhe sulmon ashpër LANÇ: Dita
x
BREAKING NEWS

Muharrem Xhafa: Ja pse Sali Berisha nuk e pranon 29 Nëntorin si ditën e Çlirimit, është rreshtuar krah ballistëve dhe nazifashistëve, faktet rrëzojnë pretendimet e tij

Muharrem Xhafa: Ja pse Sali Berisha nuk e pranon 29 Nëntorin si ditën
x

Opinion / Editorial

Numri 129 nuk është ministri i Brendshëm!

Numri 129 nuk është ministri i Brendshëm!

Është Policia e Shtetit. Ndoshta i vetmi telefon që dëgjon drejtpërdrejt e live përditë(24 orë) zërin dhe informacionin e paretushuar të qytetarëve nëpër Shqipërinë tonë. Është një thesar informacioni i veçantë. Përjashto ngjarjet e rënda kriminale që zakonisht raportohen “pas pilafit”, për një drejtues të mirë janë dhe duhet të jenë objekt i përhershëm reflektimi, studimi e përmirësimi konkret të punës. Ministri i ri i Brendshëm nuk po nusëron. Diçka synon të realizojë në praktikë. Daljet e tij të shpeshta dhe prononcimet publike, nuk janë gjithçka. Sepse jashtë “valles” mund të kërcejnë të gjithë ! Me daulle e pa daulle. Kryesore mbetet se sa dhe si u përgjigjesh në kohë e cilësisht taksapaguesve të thjeshtë. Jo vetëm me thirrje patetike e politike, morale e juridike. Njerëzisë i bëhen komb në grykë dhe pret veprim të menjëhershëm nga strukturat përkatëse. Pret sqarim e zgjidhje. Dhe jo fjalë të mira e gurë në trastë. Sepse shpesh kursejnë edhe përgjigjen e rëndomtë “Faleminderit për informacionin !”. Duke i hapur shteg menefregizmit, qëndrimit një sy qorr e një vesh shurdh përballë fakteve të gjalla nga terreni. Dhe me dashje pa dashje merr jetë fasada irrituese. Ka kohë që sikur u fik si flakë kashte, për shembull, nisma pendëfryrë “Policimi në komunitet”. Nuk është fjala aspak për ca punonjës policie që shullëhen  me orë të tëra kafeneve. Thua nuk ndodh asgjë në këtë botë ! Dhe as pë rata që shkelim me të dyja këmbët rregullat e qarkullimit apo të ndalimit arbitrar me vetura nëpër trotuare e sheshe. Por sot, jo rastësisht po qëndroj te Numri i shumënjohur 129. Mjaft qytetarë janë të zhgënjyer. Edhe unë vetë. Po të ishin vetëm një a dy shembuj të shkëputur, mbase nuk do ia vlente barra qeranë ! Doni një episod fare të afërt, nga fillimi i kësaj jave ?

-Atë mbrëmje, ti miku im, po pije kafe te Brryli, në krah të Poliklinikës iraniane. Po lexoje në internet dhe herë-herë mbaje shënime. Përroi i makinave me shoferë të matur e të çartur, shoqëruar nga motorcikleta që ulërasin e gërhasin me tërsëllëmë veshçarëse, sikur e ka shushatur miletin. Lum ata që banojnë te pallatet buzë rrugës së Unazës ! Karshillëk më acik përballë shtetit ligjor nuk ka. Por ti nuk po e prishje terezinë : lexo e mbaj shënime… Befas, një punonjës Policie me uniformë u shfaq në bregun e rrugës. Pas dy minutash, ngre tabelën me dorë dhe ndalon një fuoristradë të zezë me targa të huaja por me shofer shqiptar. Filloi një bisedë e prerë dhe korrekte “për kundravajtjen”. Fol polici e fol vozitësi. Ky i fundit nuk duroi më. Vuri celularin e shtrenjtë pranë veshit të djathtë dhe po komunikonte kaluar. Madje, nga kafeneja u shkëput një femër dhe po i rrihte shpatullat me përkëdheli njeriut me uniformë (!). Nuk kaluan pak sekonda dhe shoferi kundravajtës i drejton krahun e shtrirë policit e i jep aparatin e vet celular. Dikush po i fliste. Nuk mora vesh se ç’farë i tha, por fytyra e dëgjuesit me uniformë u ngrys më tepër. Ia dorëzoi shoferit, u kthye në të kundërt të rrjedhës së makinave dhe diçka mërmëriste…Pas 3 a 4 minutash, shpejtova hapat që të takoja policin në krye të detyrës. E pamundur ta gjeja. Iku si era. Doja t’i bëja vetëm një pyetje : -Aman, më qafsh, kush të ndërhyri brutalisht me telefonin e kundravajtësit, mos ishte vetë ministri Balla apo vartësit e tij urdhërdhënës të pamëshirshëm ?!...Se ikja e tij si me bisht në shalë, të them të drejtën, më trishtoi jo pak. Natyrshëm më shkrepi Nr. 129. Përse të mos ua them këtë episod taze. Mbase ndihmoj sadopak edhe ministrin e ri të Brendshëm. I rashë numrit. Doli një zë femre. E dëgjoi shqetësimin tim dhe çuditërisht më përcolli te një mashkull. Ky i preu drutë shkurt: “Nuk merremi me këto gjëra…”. Mos duhet të komunikoj me ministrin që po ligjëron çdo ditë për Policinë ? “-Fol me kë të duash !”, dhe u largua nga telefoni…Ishte ora 22.00(plus minus 5 minuta). Polici në rrugë ishte zhdukur pa gjurmë. Punonjësi te 129-ta më la në baltë. Më thuaj ti, miku im, mos e teprova me këmbënguljen time krejt qytetare ? Sonte e tutje nuk merrem më, mbaje mend ! Prandaj disa “rebelë” në mëhallë shajnë shtetin, qeverinë, politikanët e të tjerë… E theksoj, nuk është vetëm ky episod rrumpalle që flet e demaskon shumë. Por edhe mjaft fjalime e prononcime zyrtare i shumëzon me zero. Miku im rrëfente e unë vrisja mendjen në heshtje. Dhe nuk i thashë asnjëherë vetes: Po pse, o, ky do e rregullojë botën ?! Veçse të tallesh me qytetarët jo indiferentë e të angazhuar, nuk është pak. Të sillesh e të flasësh si nga prona e babait, me fodullëk e kapadaillëk, kjo nuk është thjesht “çështje edukate”. Po bëjmë fjalë për zyrtarë të Policisë që tunden e shkunden nën hijen e iksit a ypsilonit dhe i bëjnë naftën detyrës (jo rrogës e përfitimeve të tjera). Mirëpo, duke hedhur këto shënime të ditës, kujtova Sajmir Tahirin fatkeq që opinioni thotë se ia dogjën karrierën horrat, të pabesët dhe mashtruesit politikë të pacipë. Kujtova mbi 8 vite më parë, kur u ndal gjatë te Salla me Numrin 129. Ishte mençuri, por edhe përgjegjësi reale ndaj publikut që e mbështet sot e kësaj dite. Foli jo pak për rëndësinë e atij Numri telefonik. Numër që kontribuon në shtimin ose pakësimin e besimit të njerëzve te Policia e Shtetit. Dhe vërtet diçka u përmirësua në praktikë. Ndoshta mbeti nga të rrallët ministra që u hapte celularin të njohurve e të panjohurve ose u përgjigjej me mesazhe në çdo kohë ! Dhe kjo fliste e flet shumë për angazhimin e vërtetë zyrtar dhe përgjegjshmërinë morale, shtetërore e politike. E, pse jo, edhe njerëzore e humane përballë halleve të ndryshme… Shumë qytetarë nuk kanë marrë e nuk marrin asnjë përgjigje për problemet e ngritura. Dhe dukuri të tilla negative përsëriten e bëhen mullar. Troç, humbet besimi prej ca kokrrave drejtuese në Polici, që më tepër numërojnë tespihet e yjet nëpër kafenera. Së pari,numri 129 nuk mund të them se është “sa për numër” apo kot e pa vlerë. Së dyti, nuk është thjesht numërator elektronik apo i kilometrazhit. Së treti, nuk është nga ata numëratorë që shërbejnë për të mësuar nxënësit e klasës së parë. Së katërti, nuk është kurrsesi një libër telefonik me emra pajtimtarësh të zakonshëm. Së fundi, nuk dua të besoj se janë “numërorë topi a mortaje”! Po i lemë mënjanë notat ironike. Ministri Balla po përmend gjithnjë e më shpesh Kodin Penal që paska nevojë për plotësime a përtëritje etj. Nga fundi i muajit të kaluar, kur zjarret po bënin kërdinë, doli nëpër rrjetet sociale edhe Ministri i Brendshëm i republikës sonë. Vetë ai na informoi se “numri i të arrestuarve për veprën penale të shkatërrimit të pronës përmes zjarrit”, vajti 23 vetë ! I fundit ishte në Levan. Haber, jo shaka ! Dhe më tej na informon se Policia e Shtetit po dokumenton dëmet e shkaktuara. Në fund vjen “qershia mbi tortë”, ku juristët e vërtetë, avokatët, studiuesit, pedagogë e studentë të jurisprudencës, por edhe qytetarë të lexuar e me një minimum njohurish juridike, vunë duart në kokë. Disave iu ngjante me një kryeplak fshati që po betohej gjatë marrjes së detyrës:

-“Do t’i ndjek personalisht të gjitha këto çështje penale në procedurat gjyqësore për ndëshkimin e një krimi barbar si ky, i cili në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë dënohet deri 15 vjet burg” !...

Sqarojmë : Është fiks ministri i Brendshëm që flet serbes-serbes. Fjalë aguridhe të tilla gjoja juridike, po tromaksin prokurorë e gjyqtarë, të pastër e të korruptuar, zjarrvënës e zjarrfikës. Kështu ndodh kur nuk kapet demi prej brirësh. Dhe mjaft ngjarje fryhen e shfryhen pasi ndodhin, pasi e ka marrë ferra uratën ! Puna e vërtetë cilësore ka edhe një peshore : Parandalimin e krimit. Asnjë zyrtar i lartë nuk pyet : Ky vrasës që shëtit me kobure në brez mes Tiranës, pranë a rrotull Komisariateve të Policisë, nga erdhi vallë ? Nga qielli ?! Për shembull, mbledhja e armëve është një dështim i hershëm i mjaft qeverive që vijnë e shkojnë. Bashkë me Shërbimet Informative. Ose po të dëgjosh fjalorin e komunikimit të disa policëve e nëpunësve me qytetarët, të zë lemeria. Jo vetëm në rrugë, por deri edhe te porta e korridori i Komisariatit. Shikojnë me sy apo kalojnë pranë shkeljeve flagrante të Ligjit dhe çuditërisht heshtin ! Kjo heshtje e vret qytetarin e ndershëm, e dëshpëron pa masë. Ndërsa fjalori banal e provincial nuk flet vetëm për injorancën. Duke diskutuar për këtë temë të ditës, mëhallaliu ynë shkodran nuk duroi shumë dhe rrëfeu anekdotën nga nahija e vet : “-Në fund të viteve ’20 të shekullit të kaluar, kryetar bashkie ishte vjehrri i Musa Jukës. Një natë vjeshte fryu një fortunë e madhe dhe xhamat e disa dritareve të konviktit “Malet tona” u thyen. Drejtori i konviktit paraqitet te kryetari dhe e lajmëron se “fortuna ka thyer xhamat e konviktit”. Kryetari i bjen zylit dhe vjen kryepolici, Keli.

-Merri dy policë e shko e xen Fortunën, se ka thye xhamat e konviktit !

-Fortunën, atë grue që banon në Fushë Qelë ? Po ajo ka do kohë që ka dekë ! Dritë pastë, sa grue e pashme ka qenë !

- Zotni kryetar, jo Fortuna po stuhija, era e fortë,-ja ban drejtori i konviktit.

-Po ti fol shqip, bre ! Pse s’thue “kjameti” ?!....