BREAKING NEWS

Telefonata që i habiti të gjithë në studio! Zbulohet kush është modelja shqiptare që i ka marrë mendjen Silvio Berlusconit!

Telefonata që i habiti të gjithë në studio! Zbulohet kush
x

Opinion / Editorial

O fol e mba o dh...t e ha

O fol e mba o dh...t e ha

Nëse do të vëmë në balancë arritjet dhe dështimet në këto 30 vjet që ne na ka ënda t’i quajmë demokraci, padyshim që zhgënjimi është i madh. Nëse krahasojmë realitetin me atë që prisnim, do të kemi përpara një karikaturë. Nëse besuam verbërisht në premtimet e politikanëve në këto vite është e pranueshme të themi batutën, me pak ndryshim të aktorit tonë të madh Luftar Paja “ëndërr është edhe nuk del”. Mirëpo disniveli midis asaj ëndrre dhe këtij realiteti është aq hendek i madh sa nuk e pranon asnjë logjikë normale. Sikur jo një tullë në ditë, por një në muaj të vinin politikanët tanë në ndërtesën e demokracisë, sot kjo Shqipëri nuk do të ishte Amerikë, por do t’i afrohej asaj. Sikur jo një lopatë në ditë, por një në javë të vinte dorë shteti në ekonominë shqiptare sot nuk do të ishim Zvicër, por do të ishim afër saj. Jemi ndoshta i vetmi vend në botë që kemi atë që i duhet një shteti për të qënë parajsë: kemi detin edhe malin, kemi fushën bereqetprodhuese dhe mineralet që nuk i ka askush. Por kemi edhe pordhët nga politikanët që sa janë në opozitë japin garanci me male premtime për të bërë ndryshimin e madh, por sa vijnë në pushtet e kanë kujtesën e pakët dhe bëhen motorkorrëse për t’i çuar të mirat e Shqipërisë në familjet e tyre. Të mos përmendim premtimet e fillimit të demokracisë se me to jemi fryrë, por le të përmendim këto të fundit. Ishte vetë kryeministri aktual që në prag fushate premtoi jo pak, por 300 mijë vende pune, duke ngrohur shpresat e familjeve shqiptare për një përmirësim të jetës së përditshme të tyre. Në përfundim të 8 vjet qeverisjeje nuk është realizuar një premtim i tillë. Le të gjejë justifikim sa të dojë më i madhi i vendit, populli do të mbash premtimin dhe jo justifikimet. Ato nuk i sjellin atij asnjë të mirë materiale. Fëmijët shqiptarë, kur shkon babai në darkë në shtëpi nuk e pyesin së pari ku kërkoi punë dhe kush e gënjeu nga punëdhënësit, por shikojnë se sa të ardhura pruri në shtëpi. E shikojnë nga xhepat, çdo të nxjerrë për ta. Edhe ne këtë i kërkojmë kryeministrit në këtë mandate të dytë që po mbaron: sa na e mbushe xhepin? Po ashtu në aspektin politik premtoi se sapo të vijë në pushtet do të gjejë dhe dënojë shkaktarët e 11 janarit me 4 demonstrues të thjeshtë të vrarë në mes të bulevardit. Sot pas tetë vjetësh gjenden justifikime nga më të ndryshmet ndërkohë që ai që akuzohet për këtë në rolin kryesor del dhe serbes - serbes deklaron se edhe vetë Ramën do ta qëllonte po të kalonte gardhin e Kryeministrisë. Të rrish sehir në këto deklarata më së paku do të thuhet se ke thyer zemrën e atyre që të sollën në pushtet. Nëse e dije se me një drejtësi të kapur nga e kaluara nuk mund të gjeje drejtësi të vërtetë përse atëherë bëre deklarata të tilla?! Dhe më e keqja është se edhe sot e kësaj dite rrinë ende me këtë kauzë në gojë ndërkohë që në 8 vjet nuk u bë asnjë hap zyrtar në kërkim të kësaj drejtësie. Shyqyr që u kujtua në këtë prag fushate për të kërkuar rihetim, por duke marrë parasysh ç’ka ndodhur kjo duket që bëhet për fasadë. Premtime dhe aktrime kaq bukur ka edhe në krahun opozitar. E mbani mend telenovelën e mbrojtjes së shtëpive në Astir ku do të bëhet zgjerimi i unazës së qytetit? Më shumë se një vit, në shi dhe në diell, mblidheshin 100 -200 hallexhinj me shpresën se do të shpëtonin shtëpitë dhe bizneset e tyre, përplaseshin me forcat e rendit dhe madje provonin edhe qelitë e ftohta dhe si përfundim… sot çdo gjë u prish. Ata në qëndresën e tyre frymëzimin e merrnin nga disa deputetë opozitarë, më i flakti Balliu i vogël, që vinin në mes të tyre, bënin një deklaratë televizive dhe më pas shkonin në vilat e tyre madhështore (në fakt Balliu i vogël e provoi edhe birucën edhe sallën e gjyqit). Ka një shprehje populli plot domethënie: O fol e mba o dh...t e ha. Deklarimet e këtyre deputetëve se vetëm mbi trupat e tyre do të prisheshin shtëpitë e hallexhinjve i mori era dhe kur këto shtëpi prisheshin dhe vazhdojnë të prishen këta deputetë kushedi se ku bredhin me kalë. Por më skandalozja në mos mbajtjen e premtimit është skena me Teatrin Kombëtar që mua më vjen më rehat ta quaj Teatri Popullor. U bë ajo godinë e ndërtuar 70 vjet më parë më e rëndësishme se kalaja e Kostandinopojës shekuj më parë. Qëndrestarët më të vendosur rrinin ditë natë në ruajtje të saj dhe shpreheshin se ishin larg politikës dhe ruanin historinë e artit shqiptar dhe prishësit rrinin gati si gjahtarët që presin gjahun, në këtë rast momentin për ta prishur. Deklarohej përditë se ishin larg politikës, por çdo ditë takoheshin me liderët e saj dhe këta të fundit merrnin pjesë në protestë si “qytetarë të lirë”. Madje pohonin si në demonstratat e Astirit se “vetëm mbi trupat e tyre do të prishej ai teatër”. Dhe ndodhi çudia që ndodh me çdo premtim politikani: në momentin që u futën fadromat për prishje vetëm trimja Monika bëri pak rezistencë që më shumë ngjante si një skenë filmi e parapërgatitur ndërkohë që të tjerët nuk e di se ku ishin. Teatri u prish dhe asnjë trup deputeti nuk u gjend nën rrotat e fadromave (largqoftë të ndodhte një gjë e tillë se jeta e një shqiptari vlen më shumë se teatri). Fjala nuk u mbajt, por premtimi nuk ka vdekur akoma: kur të vijnë në pushtet (në 25 prill apo pas katër vjetësh) opozitarët e sotëm do ta ngrenë teatrin siç ka qënë dhe ku ka qënë. A ka ndonjë mendje normale qe e beson këtë përveç vëllezërve Budina që siç u mor vesh më vonë nuk kishin motiv të ruanin vlerat e një teatri kartoni, por të ishin prezentë në listat e opozitës për deputetë? Po e bëjmë këtë kujtesë për qytetarët shqiptarë sepse jemi në fushatë elektorale dhe kanë filluar premtimet e shumta. Një pjesë duken praktike dhe të realizueshme, por një pjesë janë utopi që në formulim. Kryeministri mori bekimin e spitalit të Fierit nga vëlla Erdogani dhe filloi së paku vizionarisht punën me themelet, por votuesit nuk presin vetëm këtë. Ata duan program konkret se çdo bëhet me të ardhmen e tyre në këtë kohë pandemie, por edhe kur të mbarojë ajo. Votuesit presin nga kryeministri njëherazi dhe kryetari PS që në Parlamentin e ri të çojë përfaqësues që do bëjnë ligje në të mirë të Shqipërisë dhe jo të shtëpisë dhe fëmijëve të tyre. Nuk duan premtime boshe si ai për vendet e punës, por një zgjidhje konkrete. Ndërkohë që nga lideri i opozitës kërkojnë një program jo të mbështetur në ëndrra që e bëjnë atë kryeministër, por se si do të ndryshojë realisht kjo Shqipëri që ai e quan në prag katastrofe dhe buzë greminës. Por ky ndryshim nuk bëhet në erë duke premtuar kot më së koti rroga 1200 euro për mjekët dhe çuarjen e të ardhurave të shtetasve në 10 mijë euro në vit. Të interesohet njëherë sa thasë me para janë në Bankën Kombëtare dhe në thesarin e shtetit dhe sa thasë do të vërë ai nga buxheti i tij personal pastaj të premtojë qiqra në hell. Të ishte thesari dhe banka plot, jo Edi Rama por kushdo nga ne të ishte në krye të qeverisë do t’i rriste rrogat dhjetë herë për çdo qytetar. Ka ikur koha e premtimeve koti në hava dhe ka ardhur koha edhe për kandidatët të jenë skllavë të shprehjes popullore: shtrini këmbët sa keni jorganin. Dhe ky jorgani shqiptar asnjëherë nuk ka arritur t’i mbulojë këmbët e shqiptarëve që mbetën gjithë jetën hallexhinj.