BREAKING NEWS

E rëndë/ Të shtënat me armë që lanë tre të plagosur mes tyre dhe dy efektivë Policie, Ardi Veliu dhe Tonin Vocaj bëjnë lëvizjen urgjente. Blindohet zona, zbarkojnë RENEA dhe FNSH

E rëndë/ Të shtënat me armë që lanë tre
x

Opinion / Editorial

o Lul, o Edi bëni një paralele me Albin Kurtin dhe Bujar Leskajn

o Lul, o Edi bëni një paralele me Albin Kurtin dhe Bujar Leskajn

Shqipëria është trungu mëmë i shqiptarizmës. Nëpër vitet e historisë asaj ia kanë prerë disa herë krahët dhe shpesh herë janë përpjekur ta zhdukin fare nga ekzistenca, por ajo gjithmonë ia ka dalë të mbijetojë. Kanë nxjerrë këto troje edhe trima të pushkës edhe njerëz të dijes që kanë triumfuar mbi kundërshtarët, ndonëse ata kanë qenë më potencialë. Kanë triumfuar mbi intrigat që kanë qenë nga më të kamufluarat dhe të vazhdueshme, kanë fituar edhe mbi luftërat që kanë qënë krejtësisht të pabarabarta jo vetëm në fuqi njerëzore, por edhe me diferenca të paimagjinueshme në cilësi armatimi. Jo vetëm ka triumfuar për vete, por për 25 vjet ka qënë edhe llogore, por edhe mur mbrojtës për Europën. Kjo e fundit nuk ka qënë asnjëherë dashamirëse me ne. Triumfi ynë nuk ka qenë çështje fati po çështje zemre, çështje shpirti, çështje ideali. Megjithatë realiteti i sotëm është i dhimbshëm: jemi i vetmi shtet në Europë e në botë që rrethohemi nga bashkëkombësit tanë. Ca për shkak të mosdashjes së Europës, ca për mungesën e një aleati të fuqishëm dhe po ashtu për ca mangësi të klasës politike që na ka udhëhequr në gjithë këto vite ne nuk jemi ende gati të artikulojmë fuqishëm jo vetëm dëshirën, por edhe mundësinë e një bashkimi mbarëkombëtar. Tek mangësitë e klasës tonë politike nuk do të ndalem tek gjithëpërfshirja e tyre, por vetëm tek ngjarjet e fundit që ndodhën në Kosovë dhe po ndodh në Shqipëri: tek zgjedhjet politike parlamentare. Në logjikën e thjeshtë duhet të ishim ne shembulli pozitiv për të dy shtetet shqiptare, jo vetëm si trungu mëmë, por edhe me një pavarësi mbi 100 vjeçare ndërkohë që Kosova është ende në dekadat e para. Por në realitet më duhet të pohoj jo pa dhimbje se po ndodh e kundërta. Sikur vetë Zoti të ishte vetëm shqiptar dhe të na mbante me hatër nuk do t’i kishte vënë kaq afër zgjedhjet, për të parë dhe mësuar nga njëri-tjetri. Pamë një fushatë, por edhe proces zgjedhor kosovar pothuajse me ngjyra europiane dhe modern, që ne në Shqipëri jo vetëm nuk i kemi realizuar në këto 30 vjet, por me sa duket nuk do t’i realizojmë edhe kësaj here. Edhe aty, si në çdo vend demokratik pati kacafytje militantësh, por ato në pamjen e përgjithshme të fushatës ishin aq të parëndësishme sa thuajse nuk ndodhën asnjëherë. Kurse tek ne pa filluar fushata elektorale nisën jo kacafytjet, por përleshjet e vërteta. Pamë në Kosovë liderë të vërtetë politikë që ndonëse qëllim në vetvete kishin fitoren e zgjedhjeve, asnjëherë nuk bënë thirrje për fitore të dhunshme dhe aq më pak nuk dhanë asnjëherë shembullin vetjak për veprime të tilla dhe jo si presidenti ynë i nderuar që teksa flet për prerje krahu, jashtë çdo logjike demokratike, shkon dhe tregon vetëgjyqësi me forcë fizike në mbrojtje të një partie politike, a thua se këtu nuk ka sistem gjyqësor. Çuditërisht edhe në “pozicionimin luftarak” të forcave politike ka një ngjashmëri të habitshme midis Kosovës dhe Shqipërisë: edhe aty edhe këtu, të gjithë kundër njërit. Në Kosovë të gjithë kundër Albin Kurtit e këtu të gjithë kundër Edi Ramës. Por ndryshime rrënjësore në luftën reale. Në Kosovë të gjithë liderët politikë bënë një përleshje për t’i patur zili. Albin Kurti i pari dha një shembull aristokrati: ndonëse e dinte se fitorja ishte e tija, ndonëse ishte i sigurtë se do të ishte kryeministri i ardhshëm, sidomos kur i vajti përkrah në këtë betejë edhe Vjosa Osmani, ai asnjëherë nuk artikuloi tallje apo fyerje për kundërshtarët që i kishte nën këmbë, siç bën kryeministri ynë i nderuar. Ndonëse Kurti kishte garancinë e votuesve se do të udhëhiqte qeverinë kosovare të paszgjedhjeve ai asnjëherë nuk u shpreh “unë si kryeministri i ardhshëm i Kosovës” ashtu siç bën Luli në çdo takim ku ka 10 apo 100 vetë. (Siç duket ai fle edhe kur flet dhe shikon me të vërtetë ëndërr se është kryeministër). Gjatë gjithë fushatës elektorale Kurti shpalosi programin e qeverisë së ardhshme në detaje dhe ndaj mori admirimin e shumicës votuese, ndryshe siç bëjnë pushtetarët tanë që gjatë gjithë fjalimeve çirren dhe merren me denigrimin e kundërshtarit. Në fushatën e Kosovës edhe liderët kundërshtarë të Kurtit, ndonëse e kishin atë halë në sy asnjëherë nuk artikuluan fjalë fyese në të kundërt me atë që bëjnë “pleqtë” e politikës shqiptare që nuk lënë fjalor negativ pa përdorur ndaj kundërshtarit. E gjithë kjo sjellje pozitive e drejtuesve politikë kosovarë u pasqyrua edhe në vetë fushatën e zgjedhjeve. Ajo mori vlerësim pozitiv nga vëzhguesit ndërkombëtarë të cilët në Shqipëri qysh tani janë në ethe se a do të jetë kjo fushatë dhe vetë procesi, i dyshuar siç ka qenë gjithherë në vendin tonë. Shqetësim që bëhet më i madh për kurorëzimin e zgjedhjeve, shpalljen e rezultateve jo vetëm në kufi kohor, por edhe në mos vënien në dyshim të rezultatit. Në Kosovë pothuajse në 24 orë u mor vesh rezultati i përafërt i votimeve dhe nuk munguan as urimet e të mundurve ndaj fituesve. Në Shqipëri qysh tani po bëhen llogaritë se si do bëhet kontestimi i tyre dhe vënia në dyshim e gjithë procesit. Në të vërtetë ka një shembull pozitiv edhe në vendin tonë në zhvillimin e një fushate me erë moderne, ajo që po bën Bujar Leskaj në Vlorë. Ndryshe nga homologët e djathtë e të majtë ai bëri një hapje të fushatës elektorale që do ia kishte zili gjithkush. Me aq njerëz sa ia lejon ligji ai shkoi më kurora me lule të varri i babait të kombit shqiptar, Ismail bej Vlora. Respektoi atë po mori edhe bekimin e tij për fitoren. Në çdo takim që zhvillon ai kërkon votën e votuesve përmes një programi që prek zemrat e tyre dhe asnjëherë nuk është dëgjuar ai të atakojë kundërshtarët. Në asnjë takim ai nuk ka premtuar lugë floriri, por bashkëpunim me ata që do të punojë nesër. Një shembull i tillë duhet të ndiqet edhe nga kandidatët e tjerë që kjo fushatë dhe vetë votimi të jetë ndryshe nga sa ka ndodhur më parë dhe ne të marrim nota kaluese nga vetë votuesit, por edhe nga vëzhguesit ndërkombëtarë.