BREAKING NEWS

Ngjarje kriminale/ Zbrazen plumbat mbi uniformat blu të Policisë në Mamurras, plagosen rëndë dy efektivë, nisen me urgjencë në spital

Ngjarje kriminale/ Zbrazen plumbat mbi uniformat blu të Policisë
x

Opinion / Editorial

O sa shumë njerëz mbledh opozita!

O sa shumë njerëz mbledh opozita!

Në grupe të vogla qytetarësh, disa me humor e të tjerë me seriozitet, kjo përcaktuar nga pozicionimet politike, si votues të opozitës apo mazhorancës dhe të tjerët që as u ndjenë për cilin do ta hedhin votën dhe mund të mos votojnë fare, diskutimi më i shpeshtë i këtyre ditëve është: Sa shumë njerëz mbledh Lulzim Basha në mitingje dhe sa pak Edi Rama! Dhe prej këtej më të papërmbajturit, ata që cilësohen militantë të thekur që edhe njëshin e mendojnë njëqind mijë, bëjnë llogaritë e përqindjeve të fitores së opozitës dhe ato që mbeten cingërimat ia lënë mazhorancës me logjikën përtej matematikës. Kjo llogaritje statistikore, numërore dhe jo njerëzore, bazohet mbi bazën e bashkësisë së qytetarëve që rreshtohen autokolonë me makina në karvanin e gjatë që presin udhëheqësin në qendrat e qyteteve dhe ngjajnë si dy pika ujë me marshimet e vitit 1994 në përpjekjet për të miratuar Kushtetutën e re, e cila për problematikat që kishte, u kthye në referendum kundër qeverisë së kohës dhe arkitektit të hartimit të saj, Sali Berisha. Rezultatet dihen. Ato janë bërë të njohura nga Komisioni i Referendumit të kohës, po janë gdhendur, si monumentale nga i famshmi Dritëro Agolli nga salla e Parlamentit kur deklamoi poezinë brilante, si koment për referendumin, ku mes të tjerash thoshte: Rroftë e qoftë Kushtetuta, që na bëri të gjithëve me tuta! Dhe vijonte me vargje epike, ku etiketonte secilin prej protagonistëve që i kishte vënë vetes detyrë, o Kushtetutën, o pushtetin, o jetën. Po populli shqiptar i përcolli ato mitingje me qetësi dhe indiferentizëm, duke e hedhur poshtë krijesën që binte në kundërshtim me interesat mbarëkombëtare dhe cenonte rëndë balancat e pushteteve, duke i përqëndruar në një dorë të vetme. Votuesit e mençur shqiptarë e hodhën në koshin e plehrave sikur të ishte një mbeturinë helmative. Po debatet që dëgjon në grupe qytetarësh, të cilat kanë qëllim të krijojnë opinione se kaq e kishte edhe Edi Rama, se entuziazmi i mitingjeve të PD-së dhe opozitës është parathënia e një fitore plebishitare përkundër tërë sondazheve të kompanive më prestigjoze të botës aq më tepër të matjes së pulsit të qytetarëve të cilët janë shumë të vëmendshëm dhe të kujdesshëm për të bërë bilancet e dallimet mes premtimeve, me do t`i bëjmë kur të jemi ne në pushtet dhe atyre që sot prekin në përditshmërinë e tyre nga Vermoshi në Konispol si vepra të pushtetit aktual. Qytetarët kanë sy e shikojnë kudo ku është bërë një vepër apo kur prekin reformat e mëdha që vlerësohen në botën e qytetëruar dhe zënë vend në referencat e institucioneve prestigjoze e vendimmarrëse të Europës dhe përtej oqeanit, në SHBA. Kjo e madhështisë së mitingjeve dhe numrit astronomik të grumbullimeve dhe e lidhjes së saj me fitoren, referuar mitingjeve të opozitës që në fakt është shkelje flagrante e ligjit që shoqërojnë aktet e dhunës, jo vetëm në Elbasan, po edhe në Cërrik e Fier apo në Berat, ku djali i kryetares së forumit të gruas demokratike, thyen xhamat e zyrave elektorale dhe gris posterat e partisë kundërshtare, më ngjan me një histori të disa viteve më parë. Një djal i ri ende pa mbaruar klasën e tetë kishte dalë nëpër rrugët e qytetit dhe duke numëruar fotot e kandidatëve për kryebashkiakë në një qytet në jug të vendit. Si i padjallëzuar dhe për vetë moshën në përfundim të numërimit të afisheve, i kishin dalë njëmijë postera për kandidatin e partisë që simpatizonte dhe vetëm gjashtëqind postera për kandidatin e partisë kundërshtare. Dhe në llogaritjen emocionale, po edhe fëminore që ende nuk e konceptonte votuesin si një qenie njerëzore me ndërgjegjje dhe të pavarur nga figurinat u tha bashkëmoshatarëve të tij, jo pa mburrje: E llogarita vetë. Ne fitojmë. Jemi njëmijë me gjashtëqind. Fitore e thellë. E mundëm xhaxhin tjetër. Fiton ky xhaxhi ynë. Bravo! Tani le të lahemi në det dhe të hamë akullore. Po nëse në syrin e fëmijës, kjo ishte një llogaritje sipas logjikës dhe mendimit të tij dhe ishte e justifikuar për vetë moshën dhe ëndrrat, si një i parritur, kjo e mitingjeve të PD-së, ku i jepet shumë vlerë dhe rëndësi mitingjeve madhështore në një kohë kur tërë bota për efekt të pandemisë dhe ruajtjen e jetë së njerëzve, është domosdoshmëri të ruhet distanca sociale dhe të mbahet rregull, duke vendosur maskat dhe të mbahet distancë sipas rekomandimit të ekspertëve teknikë, jo vetëm të Shqipërisë, po tërë botës, ndodh e kundërta. Dhe kjo shitet si mbështetje e pakufishme, si padurim për t’u takuar për të garantuar mbështetje demonstruar fuqi dhe entuziazëm. Si pritje madhështore. Si një marshim gjigand, i cili është prelud i fitores dhe sfidë ndaj mazhorancës, e cila cilësohet si e paaftë të mbledhë qytetarët që shumë herë shitet si braktisje e të majtëve dhe lidershipit të partisë në pushtet. Po realiteti flet të kundërtën. E vërteta nuk është ajo që shfaqet dhe që trumbetohet si triumf. Unë e di si gjithë të tjerët se cilat janë qëndrimet njerëzore të qytetarëve që mbështesin partinë në pushtet që synon mandatin e tretë dhe cila është gatishmëria dhe mbështetja e tyre. Do mjaftonte një thirrje për mitingje dhe të gjithëve që iu hanë duart për t’u bashkuar, duartrokitur dhe brohoritur në emër të idealit që përfaqësojnë. Po të ishte ndryshe partia në mazhorancë nuk do e kishte këtë përqindje do ishte strukur në shifra të rrudhura dhe opozita do ishte me tregues dyfish e trefish mbi partinë në pushtet edhe për faktin se ka mbledhur në koalicion tërë forcat politike dhe ka tetë vite në pritje. Po realiteti nuk është ky që duket. Përkundrazi. Situata është krejt ndryshe. Qytetarët e Shqipërisë matin çdo lëvizje dhe komentojnë bindshëm gjithçka ndodh dhe në përfundim nuk shkojnë pas emocioneve as pas mitingjeve madhështore. Nuk i trembin, tam-tamet, rrugëve të qyteteve të Shqipërisë as numri i madh i makinave të luksit, zbukuruar me flamujt e partive politike. As sugjestionohen me thirrjet ik, ik ik. As me premtimin se vetëm opozita do e shpjerë Shqipërinë në Europë. Qytetarët tanë, janë të vëmendshëm dhe e dinë mirë historinë e këtyre tri dekadave dhe si të tillë e peshojnë dhe e shkundin votën, e orientojnë atje ku i urdhëron zemra dhe logjika e ftohtë. Pastaj në ushtrimin demokratik të tri dekadave e kanë marrë të plotë mesazhin se arma e tyre e vetme është vota. Ndaj nuk joshen as emocionohen me këngë e brohoritma as me fishekzjarre, apo ultimatume aq më pak me kërcënimet permanente se sa po të vijojnë këta që vrapojnë në pushtet do anulohet gjithçka dhe do fillohet nga e para, pra do shkojmë në vitin zero për të bërë një refresh të madh politik. Po kështu askush nuk mendon se vërtetë do nisin asgjësimi i reformave të mëdha, vetëm se ato janë miratuar pasi ka ikur opozita nga institucionet. Në realitet këto betime, flasin jo për forcë dhe siguri po për dobësi dhe ligësi. Asnjë opozitë nuk ka duhet të ketë motiv dhe qëllim të asgjësojë palën tjetër se po të ishte kështu, cila është vlera e demokracisë dhe pse e përmbysëm diktaturën? Apo diktatura e demokracisë që kërkon të na injektojë opozita, është më e ëmbël dhe më e drejtë, më e pranueshme dhe më e vërtetë dhe shqiptarët do i hapnin portat për ta pritur me zemërgjerësi se është diktaturë që vjen prej opozitës dhe është pranueshme nga populli shqiptar symbyllur. Në këto ditë pas nisjes së fushatës elektorale ligjore sepse fushata ka kohë që ka nisur, dy filozofi, dy botë, dy qëndrime, dy strategji janë ballë për ballë. Është ajo e mitingjeve që udhëheq opozita jonë dhe lartësohet nga lidershipi i saj dhe tjetra, ajo e mazhorancës, e cila zhvillon fushatë në kohë jo normale. Filozofia e mazhorancës me takime të vogla, duke zbatuar ligjin dhe masat anti kovid është antipod i asaj të opozitës. Dhe rreth saj pështjellohen format më klasike. Njëra palë, opozita me vargun e gjatë të makinave që shëtisin qytet më qytet, që zgjojnë qytetarët me boritë e forta që frynë si simfonia e fitores dhe ajo e mazhorancës që jo se nuk ka takat as mundësi që të mbushi sheshet, po sepse zbaton rigorozisht ligjin dhe ruan qytetarët nga virusi, duke shmangur grumbullimet e mëdha, të cilat në kohë normale janë të bukura e të justifikuara, po sot me virusin nëpër këmbë, janë vërtet të dhimbshme dhe të përçudnuara. Në këto dy strategji, atë të fushatës së zhurmës, entuziazmit fals, mospërmbajtjes, triumfit, llogarive me numrat e grumbulluar nëpër sheshe dhe filozofia që ndjek lidershipi në mazhorancë, ku mundësitë janë për të mbushur, jo një shesh, po tërë qytetet edhe nëse do bënte një thirrje të vetme. Po në këtë dallim, thelbësore, është jeta dhe ruajtja nga virusi vdekjeprurës. Përulja ndaj ligjit. Jo sfidimi i tij. Shqiptarët nuk i dëgjojnë zërat e kasandrave që deklarojnë më mirë vdekjen se vegjitimin nën Ramën. Populli shqiptar para votës dhe pushtetit, vë jetën e të ardhmen e fëmijëve, qytetarinë dhe vetë Shqipërinë që e duan të shëndetshme, të fortë e të pacënuar nga pandemia që kemi mes nesh që po rrënon mbarë botën. Dhe kjo nuk është dobësi, po qytetari dhe respekt në emër të jetës. Se pushtet pa qytetarë të shëndetshëm nuk do ta donte asnjeri në Shqipëri!