Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

O zot... na e ruaj presidentin tonë!

Postuar: 17/07/2019 - 07:10

(Nuk di, pse mu kujtua kjo thënie e Shvejkut nga Bugjeovica)

Rastësisht, duke zhbiruar në kërkim të një materiali, hasa në një intervistë të presidentit tonë Ilir Meta dhënë Bledi Fevziut në “Opinion”. U habita jashtë mase, me cektësinë e interpretimit të tij, për një nga periudhat më të lavdishme të popullit tonë atë të Luftës Antifashiste Nacional - Çlirimtare e sidomos në mohimin e rolit të komandantit të saj Enver Hoxhës. Në ato momente nuk di pse mu kujtua dhe e vura veten në rolin e “Ushtarit të mirë Shvejk” i cili vazhdimisht përsëriste: - O zot na e ruaj Perandorin tonë !

Kohë më parë, mu kujtua se shtypi, radioja dhe Televizioni ishin marrë me qëndrimet historike të luftës tonë për Pavarësi në kuadrin e 28 Nëntorit, atë të Luftës Nac-Çl në kuadrin e 29 Nëntorit...por dhe të riabilitimit më 14 Nëntor ( pikërisht ditën e arratisjes mbas makinave të gjermanit) të një nga figurave më komplekse në tradhtinë e tij Mithat Frashërin e “Ballit Kombëtar” prej liberalit pa asnjë kufi mendor, kryeministrit Rama. Gjithashtu kjo turbulencë e “infanci” gjykimesh nxori në pah edhe qëndrimet pro e kundër, sikurse dhe idetë e ndryshme që na serviren se “këto gjëra” na u dashkan lënë në dorë të historianëve që të shkruajnë historinë, bile aq larg shkojnë pseudo patriotë si Dash Shehi i zogistëve, saqë për tu treguar origjinalë e për të thënë një të pa thënë deklarojnë se ...”Nuk na qenka e vërtetë, që populli shqiptar e ka çarë rrugën e vet të historisë me shpatë në dorë”. Natyrisht që Dash Shehit në momente të caktuara dhe i falet, sepse kur buzët i ka jeshil nga mezja e plëncit dhe bërë tapë me raki “Rrushbulli”, doemos që do të flasë çapraz...dhe në vend të shpatës imagjinon garuzhden. Por mundet dhe të ketë të drejtë sepse idhulli i tij Ahmet Zogu jo që shpatën nuk e nxori një herë nga mylli por as koburen. Pra Dashit i jap të drejtë por puna është se si duhet t’ia bëjmë Lil Metës i cili flet më keq se Dashi. Në pamjen e parë ai të jep impaktin se është i ekuilibruar në ato që thotë e që bën dhe si tregues për këtë, ai na praqitet me kurora e tufë lulesh në varrezat e dëshmorëve, ku dhe bën homazhe para tyre, për t’i treguar popullit se ai është një atdhetar i vërtetë. Ai “përulet me respekt” para tyre, pozon e bën sfilatë nga zyra e tij duke kompozuar me duar shqiponjën para gjoksit presidencial.... Por ja, që çuditërisht nuk ka dëshirë që të njohë Komandantin, bile shkon edhe më tej, duke thënë se asnjëherë nuk e ka dashur dhe kurrë nuk ka patur simpati për të! (Punë e tij, bile do ishte turp i madh nëse ai do ta donte)

Duke qenë se Lili ka mbaruar shkollën ekonomike, për marmelatë, gjizë e hirrë ( të më falin ekonomistët e mirë e të ndershëm) edhe ne të tjerëve nuk na prishet fort gjiza se çfarë mendon “Lili-puti skraparlli”, sepse ka kush e do dhe e respekton Enverin, bile po e them fare hapur që nëse do ta donte Ilir Meta apo dhe karvani i tij atëherë, Enveri nuk do të ishte më i yni. Megjithatë, deri këtu nuk ka ndonjë gjë të jashtëzakonshme, sepse edhe në kohën e socializmit, kulakëria dhe diversantët bejlerët e agallarët e përmbysur ballisto-zogistë nuk e donin, problemi qëndron gjetkë. Pikërisht, te kamuflimi që i bën ai indirekt të vërtetës historike. Them kështu, sepse pavarësisht faktit që Presidenti ynë e njeh datën e çlirimit, ai si tinëzar hedh baltë mbi udhëheqjen e saj sikur kjo luftë, na paska qenë bërë spontane, në anarki të plotë dhe se Enveri nuk e paska luftuar fashizmin. Bile për t’i ilustruar dhe bërë më “bindëse” në publik padituritë e tij në fushën e historisë, na merr si shembull gjeneralin francez ”De Gol” i cili më vonë u bë edhe president i Francës, duke deklaruar ...” se rezistenca antifashiste në Francë filloi me De Golin, ndërsa në Shqipëri ( nga që nuk kishte udhëheqës) rezistenca antifashiste filloi që në ditët e pushtimit.

Më duhet t’i mësoj pionierit “President”, se kur filloi sulmi nazist mbi Francën (qershor 1940) De Goli ishte gjeneral i mjeteve te blinduara franceze, pra i një ushtrie të organizuar por që u thye nga gjermanët, teksa ne, në vitin 39’ jo që s’kishim fare ushtri sepse ajo u shpartallua dhe e mori në dorëzim Mussolini, por dhe mbreti tradhtoi duke ia mbathur e marrë rrugët në arrati. Doemos që populli shqiptar, s’mund të pajtohej me pushtimin dhe lufta sikurse e përmend ai, (Meta) filloi që me pushtimin fashist. Por më duhet ti them zotit President, se vërtetë filloi direkt me pushtimin, por ajo luftë ishte krejtësisht e pa organizuar spontane e për më tepër pa udhëheqje dhe nëse nuk do të ishin në krye PKSH-ja dhe Enver Hoxha me shokët e tij komandantë e komisarë që ta organizonin drejtonin dhe ta fitonin atë, apo nëse këtë rol , do ta merrnin përsipër ballisto-zogistët ( që ju z. President nuk i përmendni sepse tashmë jeni bërë një me ta) ta dini mirë, se Shqipëria mund ta kishte vërtetë sistemin që ju i gëzoheni kolltukut dhe floririt, por sot ajo do të radhitej së bashku me ato vende kolaboracioniste, të cilat, jo vetëm që përqafuan pushtuesit nazi-fashistë, por u bënë edhe trampolinë, nga ku niseshin agresionet ndaj vendeve të tjera sikurse bënë dhe dy batalionet shqiptare në përbërje të fashizmit italian, që ne dhe sot e kësaj dite vuajmë akuzat se Shqipëria na qenkësh ajo që sulmoi Greqinë dhe për rrjedhojë kemi treçerek shekulli “ Në gjendje lufte me Greqinë”. E merrni dot me mend se çdo të bënin serbët dhe grekët me Shqipërinë ? E veç kësaj me këtë rast do fitonim dhe urrejtjen e popujve. Më duhet të nënvizoj dhe t’i kujtoj z. President, që nuk njeh historinë, se vërtetë De Goli u tregua një atdhetar i madh i popullit francez (Nacionalizmi francez njihet ) por ai drejtonte “Komitetin Franca e lirë” nga Londra dhe nga ndonjëherë dhe nga vendet ish koloniale të Afrikës, sikurse dua t’i kujtoj se ky liberator i madh i popullit francez ish e ngeli, po aq kolonialist ndaj vendeve Afrikane ( po i kujtoj presidentit luftën e Algjerisë kundër kolonializmit francez 1958). Kështu që ishte dhe një fat i madh për Shqipërinë lindja e PKSH në ato periudha të zeza që po kalonte populli ynë, e cila së bashku me Enver Hoxhën do të bëheshin organizatorët e Luftës së madhe për çlirim, e jo vetëm kaq por Enver Hoxha qëndroi deri në fund konsekuent dhe një luftëtar i madh, aq sa edhe vet fashizmi e më vonë nazizmi e patën dënuar disa herë me vdekje. Nuk jam i sigurtë nëse nihilisti Meta i di këto fakte apo jo?! Fundja le ti kënaqet paditurisë së tij por problemi është dhe qëndron gjetkë.

Ku e ka qëllimin Meta që kërkon të injorojë Komandantin e Përgjithshëm të Ushtrisë Partizane Nacional-Çlirimtare ? Mos vallë do dhe është në kërkim të një imazhi, për të qenë më lart se lartësia e tij? Doemos ai duke atakuar indirekt Enver Hoxhën, atakon edhe rolin e PKSH-së në luftë, por dhe Shtabin e përgjithshëm të tij. Atakon të gjitha vendimet e rëndësishme që kanë qenë marrë nga Komanda Madhore e asaj kohe ( sidomos mbas 10 korrikut 1943) por edhe të gjitha direktivat, qarkoret, vendimet e PKSH-së gjatë asaj periudhe të lavdishme. Është logjike dhe fakt i pa kundërshtueshëm se nuk ish Enveri ai që i dinte të gjitha, apo që i bënte të gjitha. Enveri doli në luftë me shokë. Ta shkëputësh atë nga shokët e tij të luftës, apo shokëve të tij partizanë tu heqësh Komandantin është qesharake etj.

Jo z. President ! Enveri ishte përfaqësuesi politik e ideologjik, më në zë i masës së madhe të komunistëve shqiptarë të asaj kohe( por dhe më vonë), ai ishte e mbeti zëri i kushtrimit për liri, zëri i Atdheut të pushtuar, ishte mendimi dhe veprimi nga pikëpamja filozofike i shtresave të mëdha popullore, ishte urrejtja ndaj armikut dhe tradhtarëve të vendit që u bënë sahan lëpirës dhe lustraxhinj të çizmeve pushtuese dhe nëse nuk do ishte ai Enver...sigurisht që nga gjiri i popullit do të dilte një”Enver tjetër”me po ato cilësi e virtyte. Por Meta me këtë sulm nuk do të bindë shqiptarët sepse, nëse problemi shtrohet të na mësojë Meta historinë...lumi që na mori. Jo, ai do të bindë Evropën dhe Amerikën se qëndron i ekuilibruar dhe tërësisht antikomunist, tërësisht i distancuar nga periudha që ishte në krye Enver Hoxha prandaj kohët e fundit ka marrë rolin e “Budës” për të treguar “urtësi” “durim” “maturi” e deri “vetësakrifikim për hir të interesave të këtij populli”. Shiko shiko sa hollë me këtë rast ku i dihet..?! Mbase ata matanë Atlantikut, por dhe këta për këtej Evropës e nxjerrin figurë të pastër, si me atë videon e të ndjerit Prifti... ( Oreee... se mos ke më shumë hallin tënd, sepse po të ishte për popullin, ata katër fakirë në “Bulevard” u vranë për korrupsionin tënd e të dinastisë Berisha, sikurse dhe gjithë sistemit korruptiv që ju e mbollët dhe e shpërndatë nëpër Shqipëri nga qendra e deri në bazë sikur të na ishin dhe ato plantacione hashashi)

Po mirë or Presidenti ynë, e di ti se ç’u bënte Enveri të korruptuarve e të degjeneruarve, kusarëve dhe atyre që livadhisnin mbi kurriz të popullit? Ka ende dëshmitarë që ti dhe “instituti yt” që ka dhe miratimin e Ramës i quani një pjesë të tyre të persekutuar dhe se komunizmi paska bërë krime kundër tyre ( bile këtë llum edhe e shpërbleni mirë pa e ditur se banditët kusarët e të degjeneruarit janë e keqe për çdo lloj sistemi).

Jo or Presidenti ynë jo ! Ti nuk e ke madhësinë e mendjes të gjykosh Enverin sepse të gjykosh atë duhet tu marrësh më parë leje 28 mijë dëshmorëve dhe 70 mijë partizanëve! Ta them këtë jo rastësisht. Mjafton të kishit lexuat para 20 vitesh gazetën ”Koha e Jonë” do ta nxirrnit përfundimin. Po ju u kujtoj se në 10 burrat më të shquar të Kombit ai çuditërisht ishte ngritur në vendin e parë, dhe si për inatin tuaj populli e kish ngritur atë, më lart se monumenti që ju i patët rrëzuar. Tani po ju citoj edhe disa personalitete të tjera botërore, të cilët e kanë vlerësuar jo për sistemin socialist që ai ndërtoi, por personalitetin e tij duke filluar nga De Goli yt, të cilit i referohesh: “Askush më tepër se Enver Hoxha nuk e meriton thënien ‘Lavdia shkon tek ai që nuk e kërkon asnjëherë atë”! Andrea Papandreu, ish Kryeministër i Greqisë ka thënë: “Një popull mund ta bësh të duartrokasë me dhunë udhëheqësin e vet, por nuk mund ta bësh të qajë për të”!

Teksa Cu En Lai deklaronte se nuk i bënte dot ballë logjikës së hekurt të Enver Hoxhës

Ja kështu është kjo punë dhe “Lili-putët” nuk mund të maten dot me gjigantët sepse kur ngrenë kokën lart i verbon drita e diellit. Kështu që s’më ngelet gjë tjetër vetëm që t’i lutem Allahut:

O zot ,vëre dorën në zemër e na ruaj presidentin tonë nga...... vetting-u !

Nga Ylli Meçe

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 25/08/2019 - 19:41

Jetojmë në milleniumin e ri dhe syri më sheh ende femra që ndezin qiri në terr. Në këto pirgje imazhesh të ngjallin fobi, shoh shpresë pak të ardhmen e tyre, të binjakezuar me atë që shkoi dhe vazhdon të jetë.

Postuar: 25/08/2019 - 08:03

Nuk ka e si mos të ngjallë indinjatë dhe revoltë të brendshme te njerëzit e ndershëm, jo vetëm at

Postuar: 25/08/2019 - 08:01

Oratori i shkëlqyer, luftëtari trim dhe Hero i Popullit Memo Meto, kur është pyetur se ç’ës

Postuar: 25/08/2019 - 07:58

Një udhëtim drejt humnerës.

Postuar: 25/08/2019 - 07:56

Po po, e dogjën malin e Shëngjinit me qëllim dhe sigurisht te ne është absolutisht epidemi kjo ll

Postuar: 24/08/2019 - 07:51

Studio më e freskët televizive me moderator Çim Pekën nuk kishte si të çelte siparin ndryshe, veç

Postuar: 24/08/2019 - 07:49

Një fushatë malinje dhe ç’kombëtarizuese po vazhdon prej kohësh me ulje ngritjet e saj nga