BREAKING NEWS

SHBA bilanc lufte, reth 400 mijë të infektuar në total  dhe 2 mijë të vdekur brenda ditës

SHBA bilanc lufte, reth 400 mijë të infektuar në total  dhe
x

Opinion / Editorial

OFL-ja, Operacioni Forca e Ligjit apo OFM-ja, Operacioni Forca e “Maliqit”...

OFL-ja, Operacioni Forca e Ligjit apo OFM-ja, Operacioni Forca e

......Kush do të dali më i fortë? Të gjitha gjasat janë që fitimtar të dali OFM-ja dhe për këtë, kam shumë arsye që ta besoj. E para i ngjan gjëegjëzës, “njëherë në mot del e kullot”, apo draprit i cili delte nga strofkulla e vet ku e vendoste i zoti në hatullat e plevicës dhe e nxirrte një herë në mot, vetëm në kohë fushate për korrjen e grurit apo për të korrur ndonjë vandak me bar. Përkundrazi, OFM-ja nuk ka vepruar me fushata, por përditë, bile edhe natën më shumë, gjatë dhjetëmijë e nëntëqind e pesëdhjetë ditëve të demokracisë, që i thonë. Ja, t’i marrim një e nga një. Së pari të shohim fjalën “operacion”. Kjo fjalë, jo e panjohur për fjalorin shqip, përdoret në shumë fusha me një qëllim të vetëm për arritjen e suksesit brenda një kohe të shkurtër, sipas rëndësisë. Në fushën e mjekësisë, është një veprim që kryen mjeku për të hequr një pjesë të sëmurë në trupin e njeriut për të mos u gangrenizuar. Në fushën ushtarake, është një veprim që kryhet me urdhër të strategut ushtarak, që kryhet për të bërë të mundur arritjen e suksesit mbi kundërshtarin. Ka edhe fusha të tjera ku zhvillohen operacione, por nuk është e nevojshme t’i përmendim, duke mbetur vetëm në këto dy fusha. Në rastin konkret, OFL-ja, është një aksion me “goditje të përqëndruar”, që synimin kryesor e ka atë të sekuestrimit të pasurive dhe aseteve të vëna në mënyrë të jashtëligjshme. Bukur fort, por seç ka disa anë që të bëjnë të mendosh që kjo nuk është gjë tjetër përveç një “show” si të gjithë të tjerët që jemi mësuar të shohim e të dëgjojmë në këto tridhjetë vite. Nuk e kam fjalën për mungesën e besimit që është krijuar, sepse, në fund të fundit mazhoranca qeverisëse, niset gjithmonë për të bërë diçka të mirë në funksion të zbatimit të ligjit e të konsolidimit të shtetit ligjor, por kjo do të sjellë një grimë sukses të përkohshëm, por në asnjë mënyrë nuk do të shembi “kalanë” e ngritur nga “kundërshtarët”. Në këtë kuptim, edhe nga ana mjekësore që ta marrësh, me këtë operacion që kryhet, nuk bëhet fjalë për të hequr ndonjë organ të tepërt në trupin e njeriut që ka filluar të gangrenizohet, sepse i tërë “trupi” në këtë rast, është “i gangrenizuar” dhe është e pamundur të “shërohet” vetëm me një ndërhyrje kirurgjikale. “Gangrena” ka prekur çdo pjesë të trupit dhe çdo qelizë të tij. Edhe nga ana ushtarake ta marrim, “strategu” shtet, ka si synim që brenda një kohe të shkurtër, për një apo dy muaj dhe dy apo treqind specialistë, që i shohim me kapuça në kokë duke ecur të kërrusur me gishtin në këmbëz, të arrije fitore përfundimtare mbi “kampin kundërshtar”. Kush është “kampi kundërshtar”? Në të, hyjnë kriminelët me gjithë pasuritë e tyre që kanë vendosur brenda dhe jashtë vendit, trafikantët, narkotrafikantët, hajdutët me dhe pa “çizme”, të të gjitha niveleve drejtuese, mashtruesit “specialistë” tridhjetë-vjeçarë etj. etj. Në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, mund të themi: Ç’mund të bëhet brenda pak muajve që të “bëhet ajo që është bërë për tridhjetë vite nga OFM-ja? Kush është OFM-ja? Kjo, ka tridhjetë vite që vepron me mjeshtëri, që sofistikohet e modernizohet, që vepron ditë për ditë, pra ajo ka vepruar dhe vepron për dhjetë mijë e nëntëqind e pesëdhjetë ditë dhe jo me ditë të numëruara, që kërkon të bëjë OFL-ja. Shkurt muhabeti, OFM-ja është “Operacioni Forca e “Maliqit”! Gjatë këtyre tridhjetë viteve, janë sofistikuar së tepërmi metodat e kultivimit, transportit dhe tregtimit të lëndëve narkotike, janë modernizuar këto forca kundërshtare të institucioneve shtetërore me mjete dhe teknologji të kohës së fundit, është rritur ndjeshëm vigjilenca e kundërshtarëve në kryerjen e veprimeve antiligj, janë përsosur format e drejtimit dhe organizimit të pasurimit nga bossët e krimit e të trafikimit. A nuk është e vërtetë kjo kur sot bossat e bandave kriminale drejtojnë edhe nga burgjet ku janë futur, qysh nga Novosibirsku në Lindjen e Largët, në Republikën e Kiribatit e deri në Afrikën e Jugut? A nuk është e vërtetë kjo që, banditët dhe hajdutët sot janë të pajisur me mjete motorike shumë më të shpejta dhe të prodhimit të muajve të fundit krahasuar me ato të Policisë, që janë prodhimi i disa dekadave më parë nga ato që kanë mbetur stoqe në Turqi e Amerikë? Këtyre faktorëve “objektivë” të forcave kundërshtare, sikur t’i shtojmë edhe atë të “ndihmës” që marrin nga drejtuesit dhe punonjësit e vetë institucioneve të shtetit të lidhura ngushtë me “Maliqin”, a ka “polic” që mund t’i “shpartallojë” këta kundërshtarë? Si pak e përpjetë duket! Zbatimi i ligjit është në radhë të parë edukatë, kulturë. Çdo problem i ngutshëm zgjidhet me revolucion, me operacion si ai i OFL-së kurse ndryshe është kultura, e cila kërkon jo revolucion, por evolucion, pra duhen sa e sa vite që të vihet në rrugën e zgjidhjes, derisa zbatimi i ligjit të bëhet edukatë në jetën e përditshme, si buka që hamë. Nuk më pëlqen të jem mosbesues, por edhe nuk mund të qëndroj pa thënë që këtu, në këtë vend, ka humbur besimi të institucionet e shtetit, si nga e majta edhe nga e djathta. A nuk kanë drejtuar këto dy forca politike gjatë tridhjetë viteve, njëherë njëra e herën tjetër tjetra, që zbatimin e ligjit e kanë parë si prioritet të dorës së fundit? Janë këto parti, që nuk kanë punuar për të qenë shtet për të gjithë qytetarët mbas ardhjes në pushtet, por kanë punuar duke patur përparësi militantët e tyre Vjen në pushtet njëra forcë politike dhe largon kundërshtarët e saj dhe anasjelltas. E thënë më shkurt, për disa gjoja zbaton ligjin e për të tjerët, zbaton “Maliqin”! Çfarë pasoja ka sjellë kjo? Kjo ka sjellë atë që tek qytetarët të dëgjojnë, të respektojnë e të votojnë për “klanet” e tyre, për partinë e “zemrës”, për udhëheqësin e tyre “shpirtëror”. Kjo ka bërë të mundur që ligji të humbasë edhe si fjalë e shkruar në fjalor. Kështu është vepruar qysh në lashtësi e kështu vazhdon sidomos në këto tre dekadat e fundit.Të dyja këto parti, bashkë me disa “bishtra” që quhen parti kanë bërë atë që “Maliqi” të veprojë me të tëra mënyrat e tij, më vjedhje, me korrupsion, me trafikim të qenieve njerëzore, me aktivitete të paligjshme, me mashtrime etj. etj., me qëllimin e vetëm atë të pasurimit. Honore De Balzak nuk e ka keq kur thotë: “Prapa çdo pasurie të madhe, fshihet një krim”! Këtu, në këtë vend, krimi fshihet prapa çdo pasurie, prapa çdo makine luksoze, prapa çdo “Rane të hedhun” apo “rane” të bërë “mal”, prapa çdo kodre e prapa çdo mali, prapa çdo metri bregdet, prapa çdo ndërtimi sepse tokë buke, nuk ka mbetur më. Ka Europa që të na sjelli bukë. Vendin e ligjit në çdo qelizë e ka zënë korrupsioni. Këtë korrupsion të ngulitur qysh kur lindi fjala “e imja” dhe “e jotja”, një ish-kryeministër që akoma jep mend nëpër disa media jo “kazan”, por “krimba” kazani vendosi të “ç’rrënjoste” me urdhër, “Zero tolerancë korrupsionit”, duke e shoqëruar këtë edhe me dhënien e numrit të tij të telefonit. “Damokleu”, me një të rënë të shpatës, e zgjidhi problemin e korrupsionit! Ata më të moshuarit e mbajnë mend kur në kohën e ndërrimit të sistemit duartrokisnin dhe “gëzoheshin” që po vinte shteti ligjor, shteti i demokracisë, “gëzoheshin” që do të jemi të lirë, do të hamë me “lugë floriri”, se “ne do të qeverisim dhe bota do të na ndihmojë”, se “jo vetëm ne, të vuajturit në diktaturë, por të gjithë, do të relaksohemi dhe Europa do të na ushqejë” etj. etj., por shumë shpejt u zhgënjyen. Ish-komunistët ndërruan vetëm ngjyrën e pardesyve, sikur po ndërtonin shtetin e të drejtës, por në fakt ja rrëmbenin pasurinë atij “qeni” komunist për veten e vet. Të tjerë shkatërronin që të “ndërtonin” dhe të tjerë ju futën punës për ngritjen dhe përcaktimin e detyrave të bandave për grabitje, në fusha e në male, në rrugë e kudo për t’u pasuruar me djersën e të tjerëve. Të “ndershmit, ja mbathën jashtë për bukën e gojës. Kështu filloi, kështu vazhdon e kështu do të “bitisë” kjo punë. Sot, bandat “qeverisin”, krerët e pushtetit vendor gogësijnë nëpër zyra, pushteti qendror pret zgjedhjet e ardhshme duke bërë plane se si do t’i fitojë ato. Kështu vallë funksionon shteti, një herë në mot? Ka edhe një tjetër problem që është shumë më i rëndësishëm. Ata që kanë vënë pasuri e katandi të jashtëligjshme mirë t’u bëhet që u sekuestrohet. Por problemi është që ata që kanë patur “gishtin në mjaltë” janë deputetë, ministra, gjykatës e prokurorë, ndonëse jo të gjithë. Këtë e ka treguar edhe vetingu. Kjo kategori, që kanë vënë aq pasuri sa nuk dinë ku e kanë, e kanë vënë nëpërmjet ligjit, i cili në duart e tyre, ka qenë “llastikë”! Këta, janë as më shumë e as më pak, kriminelë jo vetëm për veten e tyre, por shumë më të rrezikshëm akoma sepse kanë nxitur krimin poshtë, kanë stimuluar korrupsionin dhe mashtrimin, kanë detyruar qytetarët që nuk ka rrugë tjetër përveç asaj të largimit nga vatani sepse këtu, çdo pëllëmbë tokë është e “xanun”! A do të veprojë OFL-ja mbi këta dy herë të inkriminuar? Aq më keq akoma, a do të veprojë OFL-ja mbi ndonjë të tillë që ka depërtuar deri në drejtimin e OFL-së? Janë përralla ato që thotë opozita që: “Qeveria Rama nxit largimin e qytetarëve nga vendi” apo “Me këtë qeveri e këtë kryeministër nuk shkohet në zgjedhje” etj., por e vërteta është që këtu, edhe gjykatësi, edhe prokurori edhe mjeku edhe punonjësi i administratës e të gjithë të thonë: “Largohu, mbasi këtu është e pamundur të jetosh. Në fund, mbetem optimist mbasi në “gropën” e mbushur me “pisllëqe” nga OFM-ja e “Maliqit” diçka do të bëjë kjo OFL-ja, që edhe sikur një të njëqindmijtën e “pisllëkut” të largojë, përsëri të fituar jemi nga ajo ç’është bërë deri më sot....