BREAKING NEWS

Mjekësia shqiptare në zi! Ndërron jetë në moshë të re doktoresha e njohur (Emri)

Mjekësia shqiptare në zi! Ndërron jetë në moshë
x

Opinion / Editorial

Olele nëne, gjyqet!

Olele nëne, gjyqet!

Sipas disa të dhënave ende të pakonfirmuara (shpresojmë o Zot të mos jetë vërtet kështu), konsorciumi fitues i tenderit për të ndërtuar parkun e parë fotovoltaik në vend, atë të Akërnisë në Vlorë, me një investim 70 milionë euro, synon të hedhë në arbitrazh ndërkombëtar Shtetin tonë. Pra në një gjyq ndërkombëtar, ku shanset tona për të fituar janë tejet të vogla. Eksperienca e hidhur e deritanishme tregon se në 15 vitet e fundit kemi fituar një në çdo shtatë gjyqe ndërkombëtare të zhvilluara, me sipërmarrës të huaj që ankohen se shteti ynë i ka trajtuar keq ose nuk ka përmbushur detyrimet e veta. Konsorciumi fitues i tenderit të Akernisë përbëhet nga kompania indiane “India Poëer Corporation”, me kapital 18 miliardë dollarë. Edhe pse sipërmarrje e madhe, kjo kompani ka eksperiencë të pakët në prodhimin e energjisë elektrike nga panelet diellore, me një central me 2 MegaVat. Megjithatë vjen e merr përsipër të ndërtojë parkun voltaik të Akernisë me 50 MegaVat! Punë të saj. Ndërkohë, dy kompanitë e tjera në konsorcium janë ku rrafsha mos u vrafsha! Kompania Minings Resources FZE, sipërmarrje në Emiratet e Bashkuara Arabe merret me nxjerrjen e mermerit. Se çfarë lidhje ka mermeri me panelet diellore ia lë lexuesit ta marrë me mend. Kompania e tretë e atyre që do prodhonin energji nga dielli në Akerni është Midami Limited nga Hong Kongu, një kompani guackë, e regjistruar në parajsat fiskale dhe me pronarë të panjohur. Ky konsorcium përgatitet të kërkojë në gjyq një dëmshpërblim prej 110 milionë euro, për mos përmbyllje të kontratës nga shteti ynë, pas shpalljes së fituesit dy vjet më parë. Dhe vërtet, më 10 nëntor 2018, qeveria jonë shpalli këtë konsorcium fitues në tenderin ndërkombëtar. Merrnin pjesë pesë kompani të huaja. Ambasada franceze në Tiranë (në tender mori pjesë dhe kompania franceze që fitoi një vit e gjysmë më vonë tenderin për parkun voltaik të Karavastasë për 100 milionë euro dhe kjo kompani vërtet ishte kokë e këmbë në biznesin e prodhimit të energjisë nga panelet diellore, me eksperiencë të jashtëzakonshme) u shpreh se fituesi i Akernisë ishte i paracaktuar. Qeveria jonë kumtoi më 12 nëntor 2018 se parku do të ndërtohej për një afat 18 muaj. Kanë kaluar 24 muaj dhe jo vetëm parku fotovoltaik nuk është ndërtuar, por konsorciumi fitues i tenderit të qeverisë ka gati dosjen për të na hedhur në arbitrazh ndërkombëtar! Sasia e dëmshpërblimit të kërkuar, 110 milionë euro, është e njëjtë me dëmshpërblimin që shteti ynë duhet t’i paguajë sipërmarrësit italian Francesco Beçhetti, në mos ka nisur t’ia paguajë. Me sa duket, është numër me fat për ata që na hedhin në gjyq. Nëse konsorciumi për Akerninë fiton gjyqin ndërkombëtar që përgatitet të hapë, shumës prej 220 milionë eurosh “Beketi një” dhe “Beketi “indian” dy” mund t’i shtohen edhe 90 milionë euro të gjyqit pranë Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë, Londër, të cilin kontraktori nga qeveria japoneze e ka hapur për projektin “Përmirësimi i sistemit të kanalizimeve të Tiranës së Madhe”, 100 milionë euro që përgatitet të kërkojë kompania turke Kurum me gjyqin ndaj shtetit tonë si dhe 45 milionë euro të autostradës Tiranë-Elbasan, tashmë që duhen paguar me patjetër, pas vendimit përfundimtar të gjyqit ndërkombëtar të radhës. Olele moj nëne këto gjyqet ndërkombëtare! Po a del dikush përgjegjës në këtë lumë parash nga taksat tona që shkojnë për lesh? Cila nga strukturat tona shtetërore ka vepruar keq, nuk ka vepruar fare apo dhe ka vepruar mirë? Nuk dimë asgjë. Saga e gjyqeve të humbura është lënë e mbështjellë me një perçe misteri që ec e ia hiq strukturave tona të papërgjegjshme shtetërore. Humbja totale përmes gjyqeve ndërkombëtare për shtetin tonë shkon kështu 455 milionë euro, gati gjysma e humbjeve dhe dëmeve nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019.