BREAKING NEWS

Në luftë të përditshme me COVID-19, kryeministri Rama jep lajmin e mirë nga spitali Infektiv

Në luftë të përditshme me COVID-19, kryeministri Rama jep
x

Opinion / Editorial

Opozita do mbushë sheshin, presidenti do vulosë dekretin

Opozita do mbushë sheshin, presidenti do vulosë dekretin

Një konferencë në ditë edhe dy, në raste të veçanta. Kjo është axhenda mediatiko-politike-shtetërore e Shkëlqesisë së Tij, Presidentit, Ilir Meta. Seç ka një ngutje të jashtëzakonshme për të nxjerrë popullin shqiptar në rrugë për të sulmuar Parlamentin dhe qeverinë me objektiv për të shpartalluar “grushtin e shtetit”. Ne nga periferia nuk e kuptojmë, ku dhe si po do ndodhë. Sipas përvojave të vendeve tradicionale, që qeveritë ngjiten dhe zbresin me grusht shteti, në republikat parlamentare, betejat zhvillohen kundër Parlamentit pasi andej burojnë presidenti, ekzekutivi, drejtësia e tërë organet ligjore të shtetit. Shqipëria nuk është juntë po Republikë Parlamentare. Presidenti në dy mars, do thërrasë popullin, gjithë shqiptarët për të pagëzuar besëlidhjen më të re e më të madhe të kohëve. Ashtu si Skënderbeu në Lezhë apo shekuj më vonë në Prizren, në Vlorë në 1912 për shpalljen e pavarësisë dhe në besëlidhje të tjera për mbrojtjen e trojeve shqiptare. Ka pasur shumë besëlidhje në historinë shumëshekullore të Shqipërisë, që nga lashtësia deri në ditët e sotme të shekullit të njëzetë e një. Në qendër të tyre, gjithnjë, kanë qenë interesat madhore të kombit shqiptar. Sa herë në histori është vënë në rrezik ekzistenca e kombit tonë, burra të shquar, prijës legjendarë, ata që kanë dhënë jetën e kanë derdhur gjak, që kanë shkrirë pasurinë për të bërë Shqipërinë, e jo Shqipërinë për pasurim, individë fisnikë, atdhedashës, të ndershëm, të papërlyer, duke shmangur çdo interes personal apo afera për pushtet, larg pazareve dhe mbrojtjes personale, kanë ngritur në këmbë nga jugu në veri, kombin dhe u kanë prirë në beteja për të shpëtuar trojet tona. Historia e kombit tonë është e tejmbushur me ditë lapidare, të panumërta, të gdhendura në kujtesën e vendit dhe popullit. Janë besëlidhje që vërtet janë bërë për ideale të mëdha dhe kanë gjetur mbështetje, jo vetëm brenda trojeve tona, po kudo që kanë jetuar shqiptarët. Sot gjendemi para një thirrje të Presidentit të Republikës për një besëlidhje të re, atë të dy marsit, ku siç deklaroi presidenti, do jetë dita e madhe, ku do të jetë jo populli i whatsapp-it, po shqiptarët e vërtetë, pa dallim feje, bindjeje politike, krahine e ideje. Duket sikur jemi para Konferencës së Pezës, ku PK, organizoi takimin me të gjithë faktorët politikë për bashkim kombëtarë kundër pushtuesve nazifashistë. Historia e Pezës dihet. Është e njohur mbështetja mbarë popullore e asaj kohe. Po sot nuk jemi në të njëjtat pozita. Jemi vend pa pushtues, nëse nuk konsiderohet e tilla qeveria e Shqipërisë, organet e institucionet legjitime të zgjedhur me votë dhe presidenti i vendit, i zgjedhur me votën e socialistëve, pa asnjë votë nga ata që sot kërkon t`i paraqesë si mbështetje në betejën e tij për shpëtimin nga grushti imagjinar i shetit të qeverisë dhe oligarkëve. Sipas parashikimit presidencial, pritet që në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” të jenë të gjithë shqiptarët dhe Rama e tërë ata që ka pranë, ministra, këshilltarë, pse jo edhe ndërkombëtarë duhet të veshin poture të gjata, se mos u shpëton nga frika e protestuesve të Metës. Prisnim që presidentit të mblidhte popullin, të na nxirrte në rrugë për probleme madhore, si p.sh. luftën kundër krimit. Dhe do i thoshim, po! Për emergjencë kombëtare, rindërtimin e banesave dhe strehimin e popullit për ta larguar nga çadrat, ku është duke dimëruar me vështirësi. Prisnim të na ftonte për të festuar kontributin europian për donacionet e kreditë edhe pse ai e konsideron këtë, si një rutinë pa vlerë që u jepet edhe vendeve diktatoriale. Konferenca për mediat e presidentit pritej të ishte një thirrje popullit për të qëndruar syçelët në betejën kudër krimit dhe çdo paligjshmërie në mbrojtje të OFP dhe aksionit të ndërmarrë nga shteti shqiptar. Dhe së fundi, prisnim që të na thërriste në një solidaritet të gjithanshëm për të mbështetur plotësimin më së miri të kushteve të caktuara nga Europa për të ecur drejt integrimit në BE me qëllim që maji i Zagrebit, të hapi dritën jeshile për Shqipërinë dhe më në fund të çelet porta e BE-së dhe të krijohet mundësia që vendi ynë të ulet në tavolinën e Europës për të bërë një rrugë të gjatë deri në plotësimin e kushteve. Po jo! Thirrja për grumbullim të paparë dhe mbushja e shesheve dhe bulevardit për t`i kthyer popullit, gjithë institucionet që janë buzë këtij bulevardi, pra gjysmë Parlamentin e qeverinë e oligarkëve dhe krimit, Gjykatën e Lartë, Kushtetuesen, policinë, t`u merren atyre që janë brenda dhe t`iu jepet atyre që gjenden në pritje jashtë pa votë, opozitës që mbështet presidenti. T`i delegohet popullit përmes aksionit që na fakt është grusht shteti real i mirëfilltë,i lexueshëm edhe nga fëmijërorët dhe jo imagjinarë apo i supozuar. Presidenti, me këtë thirrje nuk dimë nëse është në zbatim të detyrës së tij, si garanti i unitetit kombëtar, kryekomandant, kur kërkon të ngrejë në revoltë mijëra qytetarë kundër një pjese tjetër edhe nëse janë disa mijëra? Po në mbrojtje të postit të tij dihet se është. Kjo thirrje për rebelim dhe shpartallim të sistemit dhe rendit kushtetues, është vërtet një shpikje origjinale e presidentit tonë, e cila nga çdo anë ta vëzhgosh, është thirrje për revolucion. Deri kohë më parë, thirrje të tilla ishin lajtmotiv i opozitës, e cila për një vit la nam, me mitingjet e dhunshme dhe protestat masive, me të cilat në fund lau duart nga çdo pushtet i ligjshëm. Nuk e dimë cili do jetë përfitimi i shqiptarëve nga ky kaos presidencial dhe beteja në rrugë mes përfaqësuesve që i konsideron mbështetës të tij dhe pjesës tjetër që është në mbështetje të qeverisë legjitime! Se këtu nuk bëhet fjalë për beteja mes individëve kryeministër- president. As që mund të gjykohet se njëri qëndron në kështjellën e vetme të demokracisë në Presidencë dhe tjetri në atë të banditizmit dhe krimit, siç etiketohet institucioni i qeverisë. Nuk e dimë se cilat do jenë mekanizmat që do përdorë Komandanti i Përgjithshëm për të mbushur bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe cila do jetë joshja që të gjithë të ngrihen në këmbë, të lënë shkollat, fushat, malet, minierat, universitetet dhe të paraqiten para godinës së qeverisë, para podiumit, ku do nënshkruhet dekreti i parë anti grusht shteti. Po një gjë dihet. Është vetëmbrojtje presidenciale, hall personal. Është mobilizim për të ruajtur kështjellën e postit. Ja u nënshkrua edhe ky dekret, i pari në llojin e tij dhe selinë speciale në qiell të hapur. U firmos e u vulos. Po pastaj? Cila do jetë ushtria që do dalë në rrugë për të përmbysur qeverinë e Shqipërisë? Populli? Nuk e besojmë! Populli e mbron pushtetin e vet. Nuk e përmbys me revolucion. Me votë popullore po! Kush do jenë forcat presidenciale dhe ato qeveritare për t`u ndeshur e dhënë jetën në emër të njërës apo tjetrës palë?! Në emër të Metës, cilët do rreshtohen vallë? Më e pakta, kjo thirrje dhe kjo ftesë, është një aventurë, e cila nëse ndodh nuk e dimë se cili fiton dhe kush humbet. Ajo që është e sigurtë, populli është humbësi kryesor, ai nuk fiton as biletën për të shkuar në Tiranë, le më drekën apo darkën. Presidenti, deklaron se do shpartallohet regjimi dhe baza operacionale e krimit të organizuar. Thua se këtu është instaluar junta fashiste. Si do arrihen tërë këto objektiva? Deri tani dinim se këto kontradikta i zgjidh drejtësia! Po edhe këto punë i di presidenti. Ne, populli i zakonshëm, jemi duke u dridhur se mos pëlcet keq, se popull jemi dhe mund ta pësojmë, jo vetëm ne njerëzia e qeveria, po edhe vet Shqipëria. Që tani na duket se dëgjojmë këngën marsh si dikur: Meta edhe njëherë e mprehu shpatën për situatën. Eh kohë të largëta e kujtime te freskëta! Le të presim, dekretin e dy marsit. Pas tij do shikojmë e do dëgjojmë. Kuptohet, opozita do mbushi sheshin, presidenti do vulosi superdekretin. Do mbrojë kështjellën e demokracisë! Do zoti nuk do jetë dekret lufte. Se shqiptarë jemi të gjithë. Një nënë kemi, Shqipërinë dhe nuk vritemi për pushtetin e prijësin.