Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Opozita jonë ka vizion, parullat me karton

Postuar: 15/08/2018 - 07:20

Për parulla, ne shqiptarët jemi rekordmenë ndoshta edhe në shkallë botërore. Nuk ka mbetur njeri, që gjatë jetës së tij që në moshë të re deri sa u thinjë të mos ketë marrë pjesë në shkrimin e dhjetra parullave. Tek ne, parullaxhinjë ishin specialistë që u formuan në shkollat e sistemit komunist. Ishin të shumtë ata që paguheshin vetëm për shkrimin e tyre. Dhe veçoheshin talentet që kishin dizenjon më të afirmuar. E në këtë garën e pashpallur të parullaxhinjve u formësuan edhe ata që ndërtonin tekstet e parullave. Lindi kështu profesioni i parullaxhinjve. Specialiteti i tyre nisi me shkrimet e hershme, u kulmua në vitet e Luftës Nacionalçlirimtare dhe arriti majat gjatë viteve të socializmit. Në galerinë e pafundme të parullave në shpate malesh e në anëdetesh, në fusha, mbi bunker në fasada pallatesh, deri edhe në stallat e bagëtive ndriçonin me të kuqen si gjaku parullat për komunizmin, Leninin, Stalinin, Enverin dhe gjithë antarët e byrosë politike. Nuk kishte cep të Shqipërisë, ku të mos lexoje një parullë. Dhe për shkrimin e tyre harxhoheshin fuqi njerëzore e materiale të shumta që nga bojrat e gurët, gëlqerja e deri tek qindra metër katror karton, që shpërndahej në tërë këndet e emulacionit dhe propagandës socialiste. Dhe tërë kjo “dashuri” e madhe për parullat, kinematografia shqiptare realizoi edhe filmin brilant “Parullat”, ku shprehet qartë përmes lojës aktoriale brendia boshe e tyre dhe meraku i shkrimit dhe i shtrirjes kudo nëpër Shqipëri.

Gjatë një analize shtypi, siç ishte në traditë në ato vite kemi shkuar në një kooperativë bujqësore të skajshme për të verifikuar punën e bërë për mbarështimin e blegtorisë në vitet e fundit të sistemit që u përmbys në 1990-ën. Ishte fjala për arzat e tufëzat nëpër fshatra si një hap drejtë zgjidhjes së sigurimit të produkteve blegtorale. Dhe kudo në stalla, në vend që të shikoje togje bari, jonxhe, bërsi, misër, foragjere, gjeje bagëti që përtypnin kashtë të thatë dhe kudo shihje me shumicë parulla në karton si: “Të mbajmë blegtorinë për të siguruar rendimente të larta”. “Pa bujqësi nuk ka blegtori”. “Të punojmë natë e ditë për sigurimin e ushqimit të popullit”. Dhe në krye të stallës. Parulla e madhe “Të rrojë partia”. “Lavdi Marksizëm Leninizmit”. Sepse duheshin ato parulla atje në stallat në cep të fshatit në mes të lopëve e deleve, vetëm njerëzit e asaj kohe e kuptonin dhe e justifikonin. Propaganda boshe zëvendësonte mungesën e qumështit, mishit, bazës foragjere deri edhe ushqimet e përditshme për qytetarët. Nëse këto mungonin, parullat ishin me shumicë. Jetonim përmes parullave pa brendi dhe që nuk ngjallnin asnjë emocion pa le më të mobilizonin askënd për punë të mira. Sistemi mbahej në fije të perit përmes parullave. Dhe të gjithë ushqeheshim me to. Përtypnim parullat. Së fundi, edhe bagëtitë po i ushqenim jo me foragjere të cilat mungonin, por me parulla kartoni të shkruara bukur, të cilat në mes të bagëtive ishin si piktura sueraliste dhe karikatura të sistemit që jepte shpirt.

Po kjo puna e luftës dhe ushqimit, rritjes ekonomike, përparimit, me parulla nuk është shuar e as është pakësuar edhe në vitet pas 1990-ës, ku menduam se shpëtuam prej tyre dhe jemi duke jetuar një kohë reale, ku propaganda boshte zëvendësohet me të mira materiale, me mirëqenie, me bollëk, me punë, me arritje e progres. Po ja që neve nuk na ndahet shpirti me parullat. Dhe vijojmë si tek filmi “Përballimi”, ku në vitet e para të pasçlirimit shkruhej nëpër mure: “Plani i parë njëvjeçar do i sjelli mirëqenie e begati popullit”. Kështu edhe në këto tre dekada pas rrëzimit të sistemit komunist, politika tek ne vijon të bëhet përmes parullave. Të na ushqejnë me deklarata. Fjalime dhe propagandë, që nuk ka asnjë sens dhe asnjë brendi, aq më pak efikasitet për qytetarët. Lufta me parullat dhe politika me to na kanë shoqëruar edhe në këto tri dekada si një zgjatim i propagandës komuniste. Kanë ndryshuar vetëm format. Nëse sot nuk shkruhen parulla nëpër faqe malesh, çdo urë e mur, mbijnë përditë veçse janë transformuar në parulla të vogla, të cilat veç shkrimit në pllaka kartoni janë sofistikuar edhe përmes teknologjisë dhe informatikës. Për parullat tani po përdoret suksesshëm teknologjia më e re. Fotoshopi. Bashkimi i reales me irealen. Imitime të shëmtuara, shkarravina që nuk tregojnë për asgjë. Marrja e një pasazhi apo objekti, një pamje apo një portreti nga një vend e vendosja në një tjetër. Në këtë fushë, partitë tona politike, shtabet e propagandës dhe njerëzit e ngarkuar për paraqitjet grafike e fotografike nuk lanë asgjë pa bërë, mjafton që partia të ndihet mirë kur kokën e vrasësit e shkëput dhe ia vendos një zyrtari të lartë. Kur një parcelë me drogë në Kulombi apo Afganistan e monton si të jetë diku në fshatrat e Tepelenës apo Dukagjin. Kur një protestë e zakonshme paraqitet si të jetë sheshi më i stërmadh i botës. Në këtë punën e parullave nuk mbetet pas asnjë nga forcat tona politike. Secila ka përvojën dhe talentin e vet. Po në këtë garë ka edhe kampion dhe gjetje për t’u shënuar. Kuptohet, ana figurative ka efektet e veta për të gënjyer e mashtruar dhe nuk duhen nënvlerësuar. Kështu që përpjekjet që bëhen nga partitë politike dhe organizatorët e mitingjeve për t`i dhënë përmasa pa kufi parullave në karton apo beze është një veprim që justifikon propagandën partiake. Parullat me karton në sallën e Kuvendit të Shqipërisë u futën për herë të parë nga PD dhe LSI. Kulmin e arritën në ditën e zgjedhjes së Arta Markut, Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme. Dhe mbi kokat e deputetëve shkëlqyen parullat kundër qeverisë dhe kusarisë, korrupsionit e revolucionit, revoltave dhe përbetimeve. Përmes tyre u shpalosën tërë të zezat që i bëhen sot popullit nga pushteti. Dhe nga moria e tërë atij pylli me parulla gjithëfarëllojshe, jo më kot u tha nga qytetarët që qëndrojnë sy e vesh në ekranin e televizioneve sa herë ka seanca parlamentare: -Nga parullat me karton drejt e në revolucion! Se këto ishin edhe thelbi i shkrimeve në parullat që mbanin në duar deputetët opozitarë.

Lufta me parullat dhe përpjekjet për gjetjet pikante të formave dhe përmbajtjes së tyre është e pafund. Fantazia dhe krijimtaria në këtë fushë ka ecur më shumë se piktura e skulptura dhe gjithë format e tjera të artit pamor. Masiviteti qëndron tek uria për të bërë shou përmes parullave, të cilat përdoren si një mjet i fuqishëm presioni dhe që paralajmërojnë revolucione e protesta të mëdha ashtu siç ka në synimet e veta çdo opozitë. Po në se deri dje lufta e parullave ishte vetëm me ngjyrime kombëtare, bio shqiptare, këto ditë fitoi edhe një dimension të ri. U ndërkombëtarizua. Eksportimi i protestave dhe risive nga lëvizjet e mëdha të vendeve të tjera, afër e larg vendit tonë, janë një modë që ka ekzistuar gjatë gjithë këtyre viteve. Dhe kjo nuk ka asnjë të keqe se pasuri vlerash është. Po kopjimet kanë qenë përgjithësisht të paefektshme dhe të transplantuar pa sharm. Për të bërë një punë më të kualifikuar, PD hodhi në fushë betejë specialistët e teknologjisë më në zë të kohës. Dhe detajet nuk mund të mos kopjoheshin nga protestat e mëdha të popullit rumun, që gjatë tërë këtyre ditëve proteston në emër të mbrojtjes së reformës në drejtësi, kundër korrupsionit, ritmeve të rritjes së ekonomisë ose në antipod të përpjekjeve të opozitës tonë, e cila është në revoltë pse po zbatohet kjo reformë dhe ka interes jo vijimin e saj, po pezullimin e dështimin. Një ndryshim esencial ky. Pikërisht kësaj i referohet edhe manipulimi i një parulle rumune nga sheshi i protestës në Bukuresht. Dhe me fotoshop, parulla kthehet nga “luftë korrupsionit”, “nuk jemi në Shqipëri”. Kjo mënyrë e re e lëvizjes me parullat është një nga “kulmet” me të cilat opozita jonë ka bërë në luftën e parullave. Nëse deri tani ato kanë qenë bio, me sens dhe brendi shqiptare për të transferuar protestën rumune nga Bukureshti në Tiranë, opozita ka përdorur fotoshopin. Se pse protestuesit rumunë mund të dalin në protesta me parulla të huazuara nga problematikat nga Shqipëria, këtë e di vetëm opozita jonë. Me të drejtë në opinionin shoqëror thuhet: -Opozita jonë me vizion me fotoshop na sjell para syve parullat me karton. Kot shkon kaq larg opozita jonë. Për këtë luftën e parullave ne kemi përvojë unikale të pakrahasueshme. Nuk besoj të ketë vend tjetër të botës që të ketë shkruar, dëgjuar, mësuar më shumë se sa ne. Që të ketë shikuar më shumë variacion sa ne. I kemi parë e dëgjuar të gjitha dhe nuk ka asnjë vlerë të shkojmë aq larg sa të eksportojmë nga vende larg nesh. Po me sa duket opozita jonë kërkon të bëjë një paralele mes Rumanisë ashtu si vitet e shkuara me Hungarinë me revolucionin portokalli e çdo vend tjetër, ku qytetarët ngrihen në protesta. Pse nevojitet një parullë kartoni të transformohet nga “luftë korrupsionit” në “nuk jemi në Shqipëri”? Këtë vetëm PD e di. Është një nga ato lojërat e fëmijëve në facebook për t`ua dërguar shokëve të moshës, bashkëmoshatarëve dhe për të luajtur mes tyre. Po opozita nuk është duke bërë lojë. Qëllimi është t’u thotë shqiptarëve si u paralajmëroi doktor Berisha që në shtator do ketë revolucion. Ashtu siç ka paralajmëruar deputeti Balliu e zëra të tjerë se do ketë protesta masive, dhe nën shembullin e revoltave të qytetarëve rumunë do ngrihen edhe shqiptarët. Që ka shumë të përbashkëta mes shteteve dhe halleve të popujve, dhe këtu nuk bën përjashtim as Shqipëria me Rumaninë, kjo nuk ka vend për diskutim dhe debat. Po që ngjarjet atje kanë frymë kombëtare rumune dhe janë të ndryshme nga problematikat tona edhe kjo nuk ka dyshim. Paralelizmi dhe përpjekjet për të përputhur hallet dhe shqetësimet e kombeve të ndryshme është një lojë e opozitës tonë që në të vërtetë me paralelizmat që është duke bërë me transformimin e përmbajtës së parullave siç ka vepruar në çdo video lojë të këtyre kohëve që nga Babalja e deri tek improvizimet e tjera të panumërta flet për vizion të cunguar të një opozite që ka mijëra problematika me të cilat mund të merret dhe t`i kthejë në kauza kundër pushtetit të sotëm, po jo, ajo është e dashuruar marrëzisht me anën vizuale, figurative, si në filmat e animuar, “Beni me Çufon” ose “Derrkuci hileqar” për t’u bërë qesharake me përdorimin e simboleve të rumunëve të revoltuar. Opozita jonë me këtë punën e parullave nuk ka nevojë të shkojë aq larg. Këtu tek ne kanë lindur dhe jemi rritur përmes tyre. Ndaj janë të vetmet që nuk kemi nevojë për import. I kemi me shumicë mes nesh. Janë bio made in Albania dhe nuk i mungojnë opozitës. Idetë dhe vizioni për të bërë opozitë racionale e frytdhënëse, po! /Nga Bardhyl BEJKO

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 9

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 21/09/2018 - 07:28

Që Shqipëria është vend paradoksesh, kjo tashmë është një "sukses" i njohur i saj, por që paradoksi të jetë kaq "paradoksal" sa që të kthehet në grotesk, kjo pastaj është vërtetë një "instalac

Postuar: 21/09/2018 - 07:27

A u ka qëlluar të keni parë ndonjë qen, që ka frikë të afrohet dhe shtje dhëmazi nga larg?

Postuar: 21/09/2018 - 07:23

Një ditë pas protestës të kuksianëve kundër tarifës në “Rrugën e Kombit” kundër

Postuar: 20/09/2018 - 09:38

Është kthyer në vijë sjelljeje tek ne të bërit politikë, duke mbrojtur paligjshmërinë nën flamuri

Postuar: 20/09/2018 - 09:35

Opozita në Shqipëri vazhdon të mbetet e "munguar" për vetë faktin sepse ajo nuk mund të

Postuar: 20/09/2018 - 09:33

Një nga studiot e fundit politike mes dy personave të rinj në politikën e lartë të parlamentarizm

Postuar: 19/09/2018 - 07:25

Përmbysja e pushtetit të Demokracisë Popullore, që u ligjërua pas zgjedhjeve farsë të 22 marsit 1