Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Opozita me strategji, sot të zbardh, nesër të nxin

Postuar: 15/04/2018 - 07:52

Opozita jonë është e dashuruar marrëzisht pas kontrasteve. Është shndërruar nga monokolor në dykolor. Ose na e zbardh jetën. Ose na nxin. Dashuri ose urrejtje për vdekje. Tjetër rrugë nuk njeh. Ngjyra të ndërmjetme nga numri pa fund i koloreve nuk preferon. Historikisht, që pas 1990-ës me përmbysjen e sistemin komunist, shqiptarët të etur për liri e demokraci, ndryshe nga sa menduan, kanë provuar të jetojnë bardhë e zi. Kur ishte në qetësi kryeministri i kohës, i paqtë ishte edhe populli. Ishte nën peshën e emocionit, këtë shijonin edhe shtetarët e tij. Kërkonte sherre, ato përjetonim të gjithë. I duheshin revolta, në shpinë i provonim. Donin të na vinin nën kërbaç, atë zgjidhnin. Ne duhet të ulnim kurrizin dhe të thërrisnim: Yes sir! Ndryshe, qelitë të prisnin. Në këto tri dekada i kemi përjetuar të gjitha. Kemi provuar shiun. Rrebeshin. Borën. Breshërin. Thatësirën. Lagështirën. Jetë përmes kontrasteve të thella. Kemi dashur të ecim shpejt, jemi ndalur në vendnumëro. Jemi kthyer pas. Të rinisim përsëri. Të ndërtojmë ditën e të prishim natën. Gjatë tri dekadave, kemi mbajtur mbi shpinë fatin e “Kalasë së Rozafës”. Kemi qenë kurdoherë në vend të vëllait të vogël të legjendës. Jemi sakrifikuar se kemi besuar dhe ëndërruar. Një hap para, njëqind prapa. Si ka dashur “regjisori” politik i radhës, është ndërtuar skema e jetës tonë. Siç ka pëlqyer “dirigjenti” kemi kënduar këngën. Melodi e çjerrë, atë kemi luajtur. Me nota të forta, kështu kemi kënduar. Muzikë funebër, atë kemi luajtur. Ne shqiptarët i kemi provuar të gjitha. Në shekuj histori. Emocionet. Kënaqësitë. Deformimet. Denigrimet. Mirëqenien. Moskamjen. Punësimin. Papunësinë. Ecjen. Ngecjen. Ngjitjen, zbritjen. Dashurinë. Tradhtinë. Pabesinë. Ngërdheshjen. Qeshjen e përqeshjen. Dhe gjithçka është përcaktuar nga ata, “zotërit” e vërtetë, të plotfuqishmit, atje në krye të piramidës. Kështu vit pas viti. Edhe gëzimet nuk na i kanë lënë t`i përjetojmë si gjithë njerëzit. Asgjë nuk kemi shijuar deri në fund. Më e pakta që kemi gëzuar është vetë demokracia. Kjo fjalë magjike nuk është provuar ende prej nesh. Ajo ka mbetur abstrakte. Një simbolikë si një portret i zhgaravitur dhe i grisur. Sa shumë e kanë ndjerë këtë dhimbje ata që ishin promotorë të shembjes së diktaturës, sot e shikojnë se asgjë nga ato që deshën, guxuan dhe kërkuan nuk fituan. Ndaj u larguan nga sytë këmbët. Në dhera të tjera. Emigrantë politikë. Shtegtarë ekonomikë. Jetë mes kontrasteve. Edhe kur kemi dashur të gëzojmë, buzëqeshjen na e kanë ngrirë në buzë. Se kështu vendosnin ata lart që kërkojnë tërë jetën të jenë në krye të vendit. E kujtoni besoj deklaratën e Berishës, President në 1997-ën për t’ia ngrirë buzëqeshjen në buzë fituesve. Kështu kanë dashur “zotat” tanë.

Po vitet kaluan dhe u mësuam me sjelljen e politikës tonë. Gjatë këtyre ditëve, jetojmë një shpërthim të ri. Një strategji që ditë pas dite fillon të dali në dritë të diellit. Fronti i bashkuar opozitar, PD dhe LSI, liderët e partive, Lulzim Basha e Monika Kryemadhi, këta binjakë si “Vëllezërit Siamezë” me shpurën që i rrethon, sikur të bënin lojëluftash me fëmijë, në padurim për të jetuar në opozitë, ku i vendosi vota e popullit në qershor 2017, po aplikojnë me dorë të rëndë strategjinë e re. Një ditë na zbardhin, të nesërmen na nxijnë. Dhe jo vetëm qeverinë, po gjithë Shqipërinë. Me sa duket do vazhdojmë gjatë të jetojmë me këtë status politik. Do përjetojmë për shumë vite bëmat e gjëmat e aksioneve të përminutshme të frontit të ngatërrimit se nuk mund të pranohet si i bashkimit për ta bërë Shqipërinë, jo si gjithë Europa, siç janë pritshmëritë në 17 prill, po lesh e li ose fiks “lesh arapi”. Pasi e shndërroi parlamentin në fushë beteje, ku i përdori të gjitha, nga mielli tek “televizioni plazma”, vezët, letrat, dhe zbardhi sallën e deputetët përmes një shfaqjeje butaforike në “luftën” me miell, ku ndryshoi ngjyrën e kuvendit për ta bërë në pamje, jo Kuvendin e Shqipërisë po “Shtëpisë së partisë” ndryshoi taktikë opozita jonë. Nuk u kursyen thasët e miellit, fyerjet dhe sharjet pa kufi, ku kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Edi Paloka e kapërceu edhe fuqinë e Mujit me pajisjen që ngriti në duar për t`ua hedhur në kokë ministrave dhe pas zbardhjes të sallës nuk u kënaqën me kaq. Vetëm mielli për të zbardhur kuvendin dhe deputetët ishte hiçmosgjë. Tek e fundit të bardhë i bëri. Nga të “zinj” të përlyer në korrupsion, nga “djaj” i ktheu në “engjëj”. Kjo është lufta e “luftëtarëve të lirisë”, “patriotët” e shpëtimit të demokracisë, deputetët e PD-LSI-së. E ku ishte e keqja këtu?! Populli e ka gabim që përbuz këta bojaxhinj. Po zbardhja e parlamentit, saktë, nxirja e sterrosja e tij nuk është e vetmja betejë e bardhë e frontit. A nuk ishte po kaq e “bardhë” djegia e sporteleve të “Rrugës së Kombit”? A nuk shpërthyen në atë rrugë flakët e bardha të partive opozitare? Po nuk mbetën me kaq “bojaxhinjtë”, mjeshtra të lyerjeve dhe zbardhjeve. Fill pas “mosbindjes civile”. deputetët reformatorë e novatorë të opozitës nisën të zbardhin llogaritë e biznesit të vogël. Urdhëruan: Asnjëri të mos paguajë! Askush të mos fusë dorën në xhep! Zero taksa! Llogari të bardha biznesi! Reklama të bardha biznesmenët! Rafte të zbardhura! Shqipëri pa taksa! E gjithë financa u ftua sipas deklaratës së deputetit Petrit Vasili të bëhet e bardhë si bora nga taksat e tatimet. Letër e pashkruar. Një ekonomi pa taksa. Fare e bardhë. E zhveshur nga ngarkesat e barra fiskale. Një eksperiment në epruvetë, alla Vasili edhe pse bota ka mijëra vjet që paguan. Dhe amerikanët thonë: Dy gjëra dihen në jetën tonë: Taksat dhe vdekja. Po le të paguajnë ata edhe për shqiptarët, edhe për ekonominë tonë le të japin, kanë pasuri. Po shqiptari i varfër nuk ka as para as fuqi! Dhe këtë e tha vetë Petrit Vasili. “Eureka” e gjeta. Shqipëri pa taksa. Pa pagesa. Zero tarifa. Edhe pse e bardha është ngjyra e paqes dhe shenja e përfundimit të luftrave dhe betejave, ngjyra e parapëlqyer dhe fjala magjike “ bardhësi” është nga ato që përdoret në urime e gëzime si“ardhsh i bardhë”, “të shkoftë rruga mbarë” apo “punë të mbarë” nga opozita u nxi dhe u sterros, dhe nga një fjalë e paqtë u shndërrua në mllef dhe inat. Lojëlufta e miellit dhe topave të letrës, edhe pse e ashpër llogaritet e pamjaftueshme për deputetët “luftëtarë” opozitarë. Shtabi i protestave të frontit të bashkuar, pasi la mënjanë “mosbindjen civile” nuk mund të ndalej me kaq. Radha, pasi populli nuk u bind dhe nuk u bë bisht i interesave partiake e lakmisë për pushtet të karrigehumbësve, kur i provoi të gjitha dhe nuk ia arriti, shpalli strategjinë ndryshe u dha kushtrimi. Nga beteja e zbardhjes, “revolucioni i bardhë”, kaloi në atë të nxirjes. Dhe këtu opozita jonë, siç e ka treguar në këto 28 vjet, është në shtëpinë dhe fushë të vet. Nëse ka arritur të jetë kampion, është pikërisht nxirja jonë. Sterrosja e sakatosja. Jo vetëm se mundësitë për të nxirë janë më të shumta, po edhe filozofia e opozitës tonë fatkeqësisht është më e kompletuar në këto fusha. Janë me qindra e mijëra aksionet për ta bërë pis çdo centimetër katror të këtij vendi. Luftë me rrugët. Me këndet e lojërave. Me policinë. Me ushtrinë. Me pemët. Me bashkitë. Me ujin. Me energjinë. Nuk mund t`i numërojmë të gjitha. Le të përmendim vetëm njërën. Reformën në drejtësi. Sa përpjekje titanike u bënë, sa dredha dhe prita u vunë për dështimin e saj nga dita e fillimit?! Dhe kur nuk mjaftoi territori shqiptar për gjithë aksionin e nxirjes së jetës, u shfrytëzua e tërë bota mbarë. Nuk ka mbetur podium. Sallë e event ndërkombëtar, vendimmarrës, ambasador, drejtues i BE-së, gazetë, televizor, analistë, opinionistë, ku opozitarët tanë në marshimin për ta bërë copë qeverinë, realisht kanë nxirë dhe vetëm kanë nxirë tërë historinë. Kanë mbushur me informacione gjithë vendimmarrësit e Europës për drogën. I kanë bërë male akuzat për: korrupsionin, krimin në qeveri, oligarkët, vjedhësit, banditët. I kanë mbushur kancelaritë botërore me të qena e të paqena. Me të thëna e të pabëra. Mjafton të arrinin qëllimin. Të pengohen reformat. Të mbyllen dyert e Europës. Të ndalin zhvillimin. Të frenojnë përparimin. Dhe të gjitha në emër të nxirjes së qeverisë. Po realisht, nxirjes së gjithë Shqipërisë. Se të jetë vetëm për qeverinë, shpata le t`iu ndrijë. Se qeveritë venë e vijnë. Sa për nxirjen janë mjeshtra të sprovuar në tërë këto vite. Notojnë në habitatin e tyre. Dhe e kanë bërë edhe në opozitë edhe në pushtet. Është pikërisht strategjia e nxirjes të cilën filluan të vënë këto ditë në veprim, si aktin e radhës të skenarit opozitar. Është zbatimi në praktikë i deklaratës së kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi që ka mobilizuar çetën me Kejdat e Brahimllarët. Kërpaçët e të rinjtë e FRD-ës për t`i nxirë jetën shqiptarëve e qeverisë, sikur këta të fundit të ishin jo të zgjedhurit me votën e popullit, po armiqtë më të mëdhenj të kombit.

Strategjia e nxirjes nuk është një risi dhe nuk e ka për të parën herë as Berisha as Basha as Monika. Dhe nuk filloi tani. “Regjisorët” e opozitës i kanë vjedhur telajon kryeministrit piktor dhe me telajon në dorë marshojnë oborr më oborr, e shtëpi më shtëpi dhe kudo nxi e nxi. Vrapojnë për të bërë, jo piktura siç pikturon çdo piktor, por për të na e bërë sa më shumë, jetën tonë si në filmat horror. Doli ajo që pritej. E kishim paralajmëruar. PD dhe LSI me luftëtarët e sulmit nisën të ngrenë trarët e drurit në gjithë rrugë kalimet në qytet e fshatra atje ku u bie rruga të kalojnë, burrat dhe gratë, ministrat dhe zyrtarët, por edhe fermerë e çobanë dhe gjithë populli shqiptar. Nga Tirana në Surrel, Shkodër, Tropojë deri në Konispol e ku t’i dojë qejfi opozitës gardhe me gjemba të ndërtojë. Nxirja është në radhën e punëve të frontit të bashkuar opozitar. Sot dhe në ditët që vijnë, të gjithë ne që jetojmë këtu në Shqipëri duhet të jemi të përgatitur për aksionet e reja, simbolika pa kufi që do na shpalosi për të na zbardhur e nxirë, PD dhe LSI. Dhe të gjitha vetëm për “demokraci”. Ndaj mos guxoni t`i keqkuptoni. Po nëse do të mati bursat e veta, pas aksioneve të zbardhjes dhe nxirjes të Shqipërisë, le të bëjë bilancet e aksioneve opozita. Po nëse nuk dëgjoi dhe nuk pa atë që votuesit e Shqipërisë përjetojnë e ndjejnë dhe lexojnë mendimet e opinionet që kanë për revoltat e PD dhe LSI-së, sado që të kërkojnë simbolika dhe të zbatojnë çdo ditë strategjinë për të na zënë të gjithëve frika, të na zbardhin dhe të na nxijnë neve dhe Shqipërinë aq më larg do mbeten nga froni që ëndërrojnë për të marrë me vota një ditë qeverinë./Nga Bardhyl BEJKO

 

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 22

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 11/12/2018 - 07:19

Ashtu si në çdo lëvizje e protestë të viteve të fundit apo pas ndonjë skandali të shpërthyer në Shqipëri, edhe protesta e studentëve, e cila për hir të së vërtetës deri sot është paqësore, të gjithë vrapojnë të k

Postuar: 11/12/2018 - 07:17

Nuk dua të hyj në të drejtat e tyre legjitime, sepse i zoti e di ku i pikon çatia, tjetër gjë kam

Postuar: 11/12/2018 - 07:16

Kishim një mësues fantastik vizatimi në tetëvjeçare dikur në fillim të vitet 70-të!

Postuar: 11/12/2018 - 07:13

Zyra e Llogaridhënies Qeveritare(GAO) të Shteteve të Bashkuara të Amerikës është institucioni i a

Postuar: 09/12/2018 - 07:17

 Përpjekjet për të vënë shenjën e barazimit mes dy dhjetorëve dhe për të përfituar frytet e

Postuar: 09/12/2018 - 07:16

 Në ditën e shpallur nga Sali Berisha si "dita e Rinisë" dhe sigurisht e

Postuar: 09/12/2018 - 07:14

 Ka më shumë se një muaj që banorët e unazës se re protestojnë ditë e natë, në mbrojtje të b