Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Opozita në depresion, si makinë pa timon

Postuar: 14/05/2019 - 07:18

E menduar si një gjetje nga fusha e kinematografisë, pasi ditë më parë bëri thirrje për dhunë ekstreme përmes poezisë Agolliane, Zonja e Parë, Monika Kryemadhi iu drejtua Presidentit, live, duke i kujtuar skenat e filmit “Armiku te porta”. Pasi kishte bërë pak metër në këmbë, sa për relaks paraprak, si nxehje para betejës finale, siç e cilësoi ajo 11 majin, revoltën e projektuar si më të egër se 1997-a, nën efektet e entuziazmit të turmës, që iu dukën më shumë se një milion në përgjigje të thirrjes së Monikës e Bashës për të mbyllur hesapet me sistemin diktatorial nuk e la pa e shigjetuar edhe vetë Presidentin. Kuptohet faqe popullit, se në shtëpi është tjetër punë. Ato mbeten brenda katër mureve çfarë thonë e ç’bisedojnë. Për të na mbushur mendjen se nuk ka në llogari askënd para idealit për të çliruar Shqipërinë nga krimi dhe larguar pushtuesin e Shqipërisë, Edi Rama.

Monika nuk mund t’ia fali qetësinë dhe dashurinë, mungesën e revoltës, as bashkëshortit, i cili nuk po e bën zap këtë palo mazhorancë autoritariste edhe pse është në majë të pushtetit. Monika nuk pajtohet me butësinë e Presidentit, që nuk u tregon vendin atyre që po e shpien këtë shtet në greminë. Ndaj ia “përplasi” nga bulevardi edhe atij nja dy fjalë. Nuk ka pse të qëndrojë kaq romantik. Ai, i pari i vendit kur populli është ngritur në këmbë nën drejtimin e Monës e Lulit për të sjellë demokracinë, zgjedhjet e lira e të ndershme!? Edhe pse i kërkon Metës të mos mendojë sikur ndjek pasazhe nga “Armiku te porta”, regjisorja e një filmi më luftarak, bashkëshortja që ka brenda vetes terror, flakë, gjak e dhunë që shpërthyen në protestën në sheshin para Kryeministrisë, Kuvendit e Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Jemi ngritur për ju, deklaron lësëistja. Kemi në zemër vetëm hallet tuaja, flet si majtiste e thekur. Na besoni. Na vini në provë! Bashkëkryesuesi i protestës Basha në sinkron e çoi edhe më tej kauzën opozitare në fjalimin më të gjatë me zë mekur. Edhe ai e tha prerë se nuk ka hallin e pushtetit. Është ngritur në betejën e shenjtë për liritë e shqiptarëve, për zgjedhje të ndershme. I trimëruar para brohoritjeve frenetike dhe skenave flakëruese të fasadave, të cilat u shitën si një gjetje gjeniale sikur nuk ishte një video-projektor i zakonshëm, deklaroi se nuk ka frikë as nga gazi lotsjellës, as nga dhuna policore, në një kohë kur dhuna e vërtetë është ai, dhuna është mbi djemtë e vajzat që qëndrojnë atje përballë protestuesve me stoicizëm në emër të detyrës, larg ekseseve dhe durojnë breshërinë e bombave dhe tullave që u fluturojnë mbi kokë. Qëndrojnë burrërisht për të mbrojtur rendin kushtetues. Pas i dogjën. I goditën, i vranë me molotov si tërë këto muaj i akuzojnë. U vunë zjarrin godinave qeveritare, pasi e quajnë shtetin përfaqësues të vandalëve. Basha në krah të Kryemadhit pas mesnate do të na mbushte mendjen se ata nuk prekin e as lëndojnë qoftë edhe një polic të vetëm, në një kohë kur 15 u dërguan në urgjencë e numri përfundimtar i tyre nuk është mbyllur ende. Asnjë mjet nuk kursyen agresorët kundër tyre, sikur të ishin ushtarë të ushtrive armike. Dhe përfundimi 15 me 0. Edhe ndonjë lëndim apo rrahje vençe mes militantëve, siç e pësoi pukiani i shkretë nuk ishte vepër e policisë. Ishte veprim së brendshmi në kërkim të dëshmorëve të lirisë. Pamjet e mesnatës në Tiranë do t’i kishin zili edhe sheshet ku përleshen palestinezët me izraelitët. E njejta intifadë!

Fantazitë e Bashës-Monikës-Berishës asnjëherë nuk kanë qenë ta zakonshme. Të entuziazmuar nga zhurma dhe brohoritjet e turmës, duke përjetuar emocionet që u japin shpërthimet dhe drita e flakëve që i tregon ushtarët e protestës si të ishin të gjithë herkulët e gjeneralët e kohëve moderne të karikuar me shpresën e fitores përmes dhunës dhe dorëzimit të pushtetit për t’i dhënë fuqinë PD dhe LSI-së nuk u stepën të deklaronin atë që kanë brenda shpirtit ta gatuar në laboratorin politik. Shikoni si mburret Zonja e Parë: Aq e pushtetshme i duket vetja, aq euforike ndihet, sa deklaron: Kjo masë e madhe në bulevard për një sekondë e pushton zyrën e Ramës. E thotë me gojën plot, qëllimin e dhunës. Objektivi i vetëm i protestës nuk janë hallet e qytetarëve. Zengjinët që e udhëheqin as i kanë në mendje fare, po është demostrimi, agresiviteti për të trembur shqiptarët dhe goditur pushtetarët. Synimi është pikërisht zyra e Ramës. Jo vetë Rama. Ai është vetëm një emër dhe aq. Finalja është posti kryeministror ndaj kanë dalë në bulevard me dru në dorë, ky tabor horror. Shfaqja e shëmtuar, rrëmuja e një proteste, gallatë fare, si provë gjenerale para 30 qershorit të zgjedhjeve është një parathënie që duan të shfaqin organizatorët për t’i mbushur mendjen opinionit shqiptar dhe faktorit ndërkombëtar se ne jemi fuqia e ndryshimit dhe shpresa e shpëtimit që mund t’i bëjmë gjëmën regjimit. Ndaj na llogaritni edhe ne, ndryshe do të rrëzojmë jo një qeveri, po do djegim një Shqipëri. Ndaj mos na nënvleftësoni.

 Dhe shkojnë më tej duke kërkuar përkrahje të kauzës së tyre, dhe pse dhunues. I referohen mbështetjes së pakufishme të TV-ve të botës që përkrahin opozitën shqiptare. “Russia Today” është mbështetje e fuqishme për opozitën. Dhe kjo nuk është pak, apo jo? Pasi kërcënon me pushtimin e zyrës kryeministrore, të Kuvendit, Drejtorisë së Policisë dhe tërë institucioneve për të arritur deri te TV kombëtare, ku të deklarohet si qëmoti fitorja e demokracisë mbi diktaturën. Monika bëri një prapaktheu të papritur. U tha mbështetësve: Mos e prishni terezinë. Do ketë një datë tjetër për ta përmbysur qeverinë. Do ndodhi në ditët që vijnë. Doemos do e rrëzojmë Ramën, do ia djegim Kryeministrinë.

Parakalon opozita. Eja, marsho, bërtit. Digj. Qëllo. Dhuno. Nxi. Dhe në fund kthehu me bisht në shalë në shtëpi. Është opozitë në depresion. E sëmurë sa që nuk ka neurokirurg e psikiatër, jo vetëm këtu tek ne po në gjithësi tu gjej dermanin. Makinë pa motor dhe timon është kthyer opozita jonë. Dhe për t’u dhënë zemër militantëve e bindur se forca heq e vendos qeveri, si dhe për të justifikuar malin me premtime se është dita e fundit, është ndarja me këtë qeveri, dita e festës së madhe e broçkulla si këto ndez zjarrin kudo. Po depresioni opozitar ndehet jo këtë pranverë po vjen nga shumë thellë. Në mesnatë u mblodh Byroja Politike PD-LSI. Një tjetër protestë për Dollapin, sekretarin e partisë! E meriton sikur edhe vetëm për sprintin para Kryeministrisë. Dhe vendosi. Të vijoijë seriali i revoltave. Të dielën, të hënën, të mërkurën dhe të premten përsëri. Është shumë i thellë depresioni.-Këtë herë nuk hymë në zyrën e kryeministrit, deklaroi Monika. Po radhën tjetër mjerë ai! Nuk do t`ia zëmë kolltukun sot. E mëshiruam. E abandonuam. E nënvleftësuam! Politikanë qesharakë, ca burra e gra burracakë. Rrugaçë të mbledhur me tellall për të djegur e për të vënë zjarr e flakë. Shumë fjalë, për të thënë se ia kemi dalë. Na patë? Në fiksuat? Na fotografuat? E ndezëm Tiranën në flakë! U grindëm. U rrahëm. U bëmë lesh e li, kuptohet për Shqipëri! Nuk munguan tamtamet, mburrjet, lavdet, gudulisjet, shfaqjet, thirrjet, skicimet, premtimet për qeveri tranzitore, teknike, të përhershme a të përkohshme. Ëndrrat, Kryemadhi e Basha i shohin ditën për diell. Me shfaqjen që dhanë në sheshin e Tiranës, me betejën me muret e gurët, asfaltin, fasadat, projeksionet si një gjetje artistike treguan se opozita jonë është është fiks si makina pa frena e pa timon. Groteske para shqiptarëve dhe më shumë se kaq para ithtarëve. Në vend të bëjnë politikë të tregojnë se janë alternativë ndryshimi, dora te molotovi dhe shishet e benzinës u mbeti. I patë si fluturuan mbi kokat e policëve, si u dogjën pemët dekorative, lulishtet si u shkrumbuan? Duket se vandalët të bukurën nuk e duan.

Dhuna e 11 majit është vërtetë fundi që preku opozita. Në vend të fjalës, pushka. Flaka gllabëroi dialogun. Dialogun që aq për zemër porosit Presidenti ynë. Po Presidentin nuk e dëgjon njeri. Bile më pak Monika e tij. Dhe kur I thotë për “Armikun te porta” realisht e ka brenda në shtëpi. 11 maji ishte luftë, jo protestë. Shkatërrim dhe jo përparim. Mesazhet e PD dhe LSI, ishin të neveritshme dhe për ato që pamë e dëgjuam, ata që dirigjuan. Ishte ditë dhimbje për plagët e djemve policë. Ishte dhunë me flakët që u hodhën në dyert e institucioneve. Ishte turp për leckosjen e flamurit tonë kombëtar. Atij flamuri që një ditë më parë ulëm gjysmë shtize në respekt të dëshmorëve tanë. Po dhuna nuk ka për ta nxjerrë kurrë në bregun e fitores Monikën, Bashën e Berishën. Opozita e re me sa duket mbetet alternativa e së ardhmes. Për këtë vuan më shumë opozita jashtë parlamentare. Kjo opozita e re ia e ka bërë edhe më depresive. Po shfaqja e egërsisë së opozitës në protestën e dhunshme nuk mund të kalojë se ja iku dhe ky 11 maj. Organizatorët që shkelën ligjin duhet të dalin para drejtësisë. Ata që dogjën, vendin e kanë në qeli. Ndryshe në ditët që vijnë do kemi të njejtët kapuçonë të zinj. Zemër do marrin të ndezin edhe më shumë flakë. Agresorët kërkojnë patjetër gjak. Ndaj dhunuesit e evidentuar, frymëzuesit, drejtuesit tyre, po ashtu të përballen me ligjin. Gangsterët e dhunuesit e vërtetë, ata anti shtet duhet të marrin dënimin nga drejtësia. Tolerancë ndaj dhunës nuk mund të ketë. Justifikimet, sot i ndalojnë dhunuesit e nesër i riciklojnë në beteja më të egra duhet të marrin fund. Ata që në vend të flamujve e celularëve bëjnë sikur marrin dritën e Krishtit për ta përhapur në popull dhe në dorën tjetër mbajnë shishet e benzinës, dinamitin që shqyejnë bordurat, djegin e palçkisin nuk mund të shihen si heronj. Vendi i tyre është në qeli dhe jo në piedestale kurrsesi. Si heronj le të llogarisë Monika, Luli e Muli me gjithë zotin Sali. Po ata nuk janë heronj për popullin e këtij vendi. Ç`fitoi opozita jashtë sistemit me këtë protestë? A shtoi aksionet në rrugën për pushtet? A u mbushi mendjen shqiptarëve si alternativë që duhet ndjekur? Sa zemra e shpresa theu mes qytetarëve? Sa mallkime morën nga nënat shqiptare?! Paturpësia opozitare arriti deri atje sa gjykoi si vandale policinë dhe ngriti në piedestal rrugaçërinë. I patë agresorët? Ata që ndezën flakë institucionet? Të ardhurit mes turmës si kuklloforë, a i patë? Të mbuluarit sy e vesh që donin mjergull për ta bërë terror, a i patë?

Ata nuk janë qytetërimi. Janë thjeshtë ligësia dhe zemërimi. Janë ata që kërkojnë të zhvasin në mjergullën që mbjellin regjisorët e skenaristët tanë. Janë koburja që drejtohet nga duar politikanësh hakmarrës të verbuar nga pushteti i lakmuar. Nuk janë ca emocionalë. Janë fiks vandalë e super vandalë. Të nxjerrë nga karantina. Vërsulur si horra mbi Kryeministri, parlament e polici. Si mundet të mburret Kryemadhi dhe Basha me militantë, që me urdhër të tyre u dhanë shqiptarëve dhuratë për darkë një natë kaq të frikshme vandaliste? Në fund humbi Shqipëria apo qeveria? Si nuk u dëgjua asnjë fjalë nga ekipi opozitar për t’i thënë dhunës ndal? Si mund të justifikojë Basha dhe Monika atë që i bënë Tiranës në 11 maj? Ç`vlerë ka slogani, ia arritëm. Se Rama ka mbarue. Se ne kemi fitue! Se qeverinë e kemi rrëzue! Një fitore e arritën në realitet. Përbuzjen deri në palcë të qytetarëve të Shqipërisë. Urrejtjen e atyre që kërkojnë qetësi dhe demokraci, që duan me shpirt integrimin dhe mbrojnë si burrat qytetërimin. Mallkimin e nënave dhe fëmijëve të policëve që ua sakatuan morën si shpërblim. Opozita jonë në këto tre muaj protesta në gjykimin e shëndoshë shqiptar nuk ka arritur të fitojë asnjë kuotë dhe asnjë shkallë drejt pushtetit nuk ka ngjitur dot. Veç rënies në humnerë si gjithhere. Kujt ia bën në realitet të keqen e madhe Lulzim Basha? Kush e pëson nga katrahura e dhunës opozitare? Të gjitha i paguan Shqipëria. Asgjë nuk humb Basha-Monika - Berisha. I vuan e ardhmja e qytetarëve tanë. U rrahën paq gazetarë e kameramanë. Media, dashuria e opozitës provoi në 11 maj çmendurinë e e atyre që të vrasin natën e të qajnë ditën. Ata që nuk mundën të jetonin një ditë të qetë në këto tridhjetë vjet nga lufta për pushtet mbeten përherë target. Se kështu do politika. Këtë dashuron epshëm opozita. Në këtë katrahurën e seria-protestës doli në dritë të diellit çdo të thotë të mbledhësh një turmë amorfe që armë të vetëm ka dhunën. Që vjen me hu në dorë dhe e lë mendjen në oborr. Pikërisht kjo dhunë foli për depresionin e thellë të opozitës. Si nuk e dëgjuan Presidentin për qetësi të paktën? Si e shpërfillën SHBA-në, OSBE-në, Britanisë e Madhe? Përkundrazi pas çdo thirrje u dhunuan edhe më shumë institucionet. U rrethua deri ambasadori i prezencës së OSBE-së, Borehard. Fytyra e opozitës, agresion shqiptarëve e ndërkombëtarëve. Opozitë jo e qytetarëve po ikanakëve, idhnakëve mbuluar me kapuçë të zinj si nata. Burrëruar nga thirrjet Berisha-Monika-Basha. Këta mëkatarë po e marrin këtë vend zvarrë. Dhunë, shumë dhunë, kjo është shën-protesta, jo vetëm kundër qeverisë, po vetë Shqipërisë.

Nga Bardhyl BEJKO

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 19/07/2019 - 08:58

Sistemi bankar në Shqipëri është në ditën e vet më të zezë, duke u kthyer në institucion jokredibël dhe aspak transparent për publikun shqiptar dhe grupet e interesit.  Kjo bankë sot drejtohet nga një guvernator

Postuar: 19/07/2019 - 07:12

Sigurisht që shumë janë me "parullën" se "politika është arti kompromisit" dh

Postuar: 19/07/2019 - 07:09

Sot ne shqiptarët edhe pse jetojmë në mjerim e skamje e shohim qartë se, ky vendi ynë është kthye

Postuar: 19/07/2019 - 07:05

Problemet e papunësisë janë sa sociale, aq komplekse, sa të pazgjidhura, aq me pasoja, kryesisht

Postuar: 18/07/2019 - 07:15

Kjo farë demokracie, që s’po hyn ende në brazdë, ka sjellë një çoroditje, që fjalën e lirë

Postuar: 18/07/2019 - 07:13

Nuk do të rrinte pa bërë demagogji dhe llafollogji prej somnambuli politik dhe të pa afti të meri