BREAKING NEWS

Miratohet nisma e opozitës parlamentare: Hapen listat dhe ndalohen koalicionet parazgjedhore. Zbardhen emrat e deputetëve që votuan pro

Miratohet nisma e opozitës parlamentare: Hapen listat dhe ndalohen
x

Opinion / Editorial

Opozita nuk do t’i pranojë zgjedhjet e ardhshme!

Opozita nuk do t’i pranojë zgjedhjet e ardhshme!

Kështu si është katandisur opozita nuk ka burrë nëne që ta votojë. Që të bindeni shikojeni rrjedhën e saj që në themel. Unë kam lexuar një material amerikan, që i përkiste fushatave elektorale, ku thoshte: “Nëse merr përsipër një aksion dhe nuk e realizon dot, lëre fushatën”. I kemi ndjekur në vazhdimësi aksionet politike të partive, jo se s’kemi me se të merremi, po për të bërë krahasime mes tyre. Ju lutemi më thoni cilin aksion politik ndërmori opozita dhe e shpuri deri në fund? Unë e kam kritikuar pa reshtur Sali Berishën për veprimet kriminale që ka bërë, po ai nuk linte asnjë aksion pa shpënë deri në fund, pavarësisht pasojave që kishin. Ai vrau njerëz të pafajshëm dhe na gënjeu me ca thika me helm e çadra pistoletë, po ishte zotësia e tij që i bënte bindëse, prandaj e ndiqte elektorati i tij. Pse opozita nuk do t’i njohë zgjedhjet e radhës? Të fitosh besimin e popullit do të thotë të jesh i besueshëm me veprime, jo me sajime babalesh. Zgjedhjet nuk fitohen me të shkatërruar institucionet e popullit. U bënë tërë ato protesta vetëm me një synim: Të rrëzonin qeverinë Rama. Çfarë argumente bindëse kishte opozita për ta rrëzuar? Vetëm “Rama hajdut, kriminel”. Po faktet ku ishin? Po ndonjë denoncim në organet e drejtësisë a u dërgua? Populli njeh hajdut e kriminel vetëm ata që vërtetohen me vendime të formës së prerë të gjykatave. Çfarë bëri Basha kur hipi në fron? Bëri shkatërrimin e parë partisë së tij duke i hequr ajkën e saj. Si të mos mjaftonte me këtë, ndoqi një politikë mosbesimi duke marrë aksione të parealizueshme. Kur Rama kishte bërë gjysmën e fushatës, Basha rrinte në çadër, ku vendosi, që ministri i Brendshëm, Xhafa, që sa ishte zgjedhur, do të vinte në zyrën e tij kur të kalonte mbi trupat e demokratëve! Por atë ditë që ai hyri në zyrë nuk u mor asnjë protestë. Dy vjet e ca u betuan, se banesat e banorëve të Astirit, do t’i mbronin me trupat e tyre, por, çuditërisht, atë ditë që ato u prishën, nuk u ndërmor asnjë protestë. Në kohën që kishin mundësi të bllokonin punimet e Kuvendit të Shqipërisë, se pozita nuk i kishte votat për të marrë vendime, e braktisën atë dhe ua lanë vendet atyre që kishin radhën në listat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të cilët i quajtën tradhtarë dhe llumi i Kuvendit, kur vetë i kishin krijuar ato lista. A mund t’i besonte kush për këto akuza, që u bënin njerëzve të tyre? Opozita atë punë ka, të organizojë aksione kundër shkeljeve që mund të bënte qeveria, po jo kundër objekteve që i shërbejnë popullit, siç ndodhi me këndin e lojërave te liqeni e vepra të tjera. Por kur ajo kundërshtonte të gjitha ato objekte të shkëlqyera që u ngritën në Tiranë, kjo e bën të pabesueshme opozitën. Bota e nderonte me çmime pamjen e tjetërsuar të Tiranës, opozita hidhte baltë mbi to! Tani e kanë bërë të modës, që të kundërshtojnë të gjitha investimet që fillon pushteti sipas programit që ka. Ata harrojnë se këto kundërshti janë në dëm të tyre, sepse janë bërë si tertelica e mullirit. A mund të votosh një opozitë, që dy vjet rresht ankohet për vjedhje votash dhe më në fund pranon, se nuk na ka ardhur e keqja nga sistemi me të cilën u votua! U ngritën në propagandë si në kor, se me Ramën nuk bëjmë asnjë marrëveshje dhe nuk hyjmë në zgjedhje me atë, por dhe këtu e humbën besimin e elektoratit. Ju lutemi çfarë fitoi opozita që bëri gjithë ato betime gjatë diskutimit të Kodit Zgjedhor? Nguli këmbë për qeveri kujdestare, për Policinë e Shtetit dhe kur erdhi koha për të firmosur draftin, uli kokën dhe e firmosi. Tani le të vijmë tek ajo që e nisëm. Pse nuk do t’i pranojë zgjedhjet e ardhshme opozita? A e dini që elektronika nuk është për t’u futur në zgjedhje? Këtë e tha shkoqur Zoti Rama në Kuvend. Me këtë politikë dështake që zbatoi opozita, është e bindur, që nuk i fiton dot zgjedhjet. Dhe ajo nuk ka për të bërë dot fushatë, se deri tani nuk na ka paraqitur asnjë program alternativ që të bindë elektoratin. E themi këtë, se edhe deri tani ajo alternativë ka patur vetëm kundërshtinë, sharjet, shpifjet e babalet, me të cilat ka humbur besimin. Alternativë gjatë fushatës së zgjedhjeve të radhës, ajo do të ketë sajimin e ndonjë babale për ta vënë si kusht për të mos hyrë në zgjedhje dhe për të mos i njohur ato. Përse ka çaluar politika e zotit Luli? Partia ka strukturat e saj, me të cilat diskuton e vendos për aksionet politike. A thua të ketë mbledhur ndonjë strukturë partie Partia Demokratike për të konsultuar problemet që dilnin?Ajo është mjaftuar vetëm duke u konsultuar me ata që ajo i quan aleatë, po nuk janë të tillë, se ajo i ka votuar. Tani më thoni mua, se cilën vendosi dhe nuk e zbatoi Edi Rama? Populli gjykon edhe kështu. Më i vështiri për ta realizuar ishte prishja e Teatrit Kombëtar, që opozita sërish u përbetua, se po të ndodhte kjo, flaka do të arrinte deri në Surrel! As flakë, as tym nuk doli, por vetëm gënjeshtrat e opozitës. Dhe Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, ka nisur shëtitjet nëpër rrethe për të mbledhur firma fallco, sepse ato nuk kanë asnjë vlerë. Dhe kjo dihet, ajo është nismë e PD, sepse Aleanca 50-60 veta ka të gjitha. Aq besohet është opozita tani, sa edhe aleati i saj, Dashamir Shehi, deklaroi që shyqyr që u bë sebep Aleanca e Teatrit që të ndiheshim që ishim gjallë!