BREAKING NEWS

Ministria e Shëndetësisë publikon bilancin: 130 raste të reja brenda 24 orëve

Ministria e Shëndetësisë publikon bilancin: 130 raste të
x

Opinion / Editorial

Opozitarizëm nuk bëhet vetëm me premtime të shumta e pa doganë

Opozitarizëm nuk bëhet vetëm me premtime të shumta e pa

Rituali dhe fokusi i përditshëm e punës së kryeopozitarit të opozitës jashtëparlamentare, Lulzim Basha përherë kanë qenë dhe mbeten primare premtimet e bujshme e të pambarimta. Theksoj se janë bërë aq shumë premtime sa thesi është mbushur plot e përplot dhe nuk ka birë nëne dhe shkop magjik që i realizon ato sepse janë shumë. Basha deklaron me mburrje dhe ekzaltim të papërmbajtur se kur të vijë dita e bardhë që të marrë pushtetin mendja jonë do të përqendrohet e do të fokusohet të zhvillimi ekonomik, te punësimi dhe biznesi, te përcaktimi i strategjive të sakta e të qarta për zhvillimin e gjithanshëm të vendit sidomos të turizmit, bujqësisë, uljes së taksave, agroturizmit dhe gjithë llojeve të turizmit etj. Basha premton se do të na anulojë koncesionin dhe taksën tarifë të Rrugës së Kombit, se do të heqë taksën e Ramës për karburantin, se do të anulojë sa e sa koncesione. Nuk ka ditë që të mos thotë se kur të vijë në pushtet do të zhbëjë këtë gjë e do të vendosë atë gjë, se do të rimbursojë fermerët me 100 milionë euro si dhe mbarëvajtjen e bizneseve dhe çdo aktivitet tjetër tregtar. Të gjitha këto janë gënjeshtra dhe premtime skandaloze për të manipuluar dhe mashtruar qytetarët e ndershëm e të pafajshëm.

Diku kam lexuar Georges Klemenceau që me të drejtë thotë: Nuk thuhen kurrë më shumë gënjeshtra se sa thuhen para zgjedhjeve, gjatë luftës dhe mbas gjuetisë. Pra çdo politikan karriere nuk duhet të mashtrojë, por duhet të demonstrojë instinkte të mprehta politike, të qarta, të sakta dhe transparente, kështu dhe vetëm kështu ai bëhet i besueshëm para zgjedhësve, të cilët me siguri që do ta mbështesin maksimalisht në hapat dhe vendimet që do të ndërmarrë e në përputhje me programin e strategjinë e partisë që drejton apo përfaqëson, Khaled Hosseini ka thënë: “Hajduti më i madh është ai që gënjen, sepse të vjedh të drejtën për të ditur të vërtetën” prandaj lypset që gënjeshtarët t’i neutralizojmë, t’i kritikojmë e t’i diskreditojmë ato pasi në të kundërtën kanë efekte dhe pasoja negative. Nuk mund të kenë kurrsesi besim qytetarët kur politikanët opozitarë për moral kanë demagogjinë, gënjeshtrën dhe hipokrizinë, premtimet recidiviste, intrigat dhe pandershmërinë, djallëzinë, fyerjet, sharjet, kërcënimin dhe shantazhet, cinizmin dhe dinakërinë dhe pabesinë. Gjëja më e lehtë, më e thjeshtë, më e rëndomtë e më primitive në aspektin e veprimtarisë politike opozitare është përqendrimi permanent në fokusin e pandalshëm të premtimeve. Por unë nuk di ndonjë rast dhe të vetëm që një forcë politike e opozitare të vijë në pushtet vetëm nëpërmjet premtimeve, manipulimeve, joshjes dhe mashtrimeve skandaloze. Nuk mundet kurrsesi pasi nuk ka sens. Duhet theksuar se kjo opozitë nën drejtimin e Lulzim Bashës ka bërë shumë gabime si kundër kanë qenë bojkotimi i Parlamentit që vazhdon ende edhe sot e kësaj dite një veprim i paprecedentë dhe krejt i pakuptimtë dhe i panevojshëm. Gjithashtu e gabueshme ishte heqja nga lista e kandidatëve për deputetë e kuadrove me vlera dhe kontribute të larta në Partinë Demokratike si Jozefina Topalli, Genc Ruli, Arben Imami e sa e sa të tjerë çka as më shumë e as më pak ishte një vetëvrasje për Partinë Demokratike, që edhe vetë kundërshtarët e saj nuk e dëshirojnë. Fatkeqësisht në Partinë Demokratike ka eksponentë të saj të vjetër e të rinj që janë partizanë të zellshëm të revolucionit me dhunë, të mosbindjes civile me synimin për të krijuar situata tensionuese e shqetësuese në vend. Por pavarësisht gjithë këtyre gabimeve tashmë më shumë se kurrë shtrohet pyetja legjitime se si dhe në ç’mënyrë do ta kompozojë dhe materializojë në rrafshin praktik strategjinë e qeverisjes Partia Demokratike nëse vjen në pushtet, çfarë hapash do të hedhë për zhvillimin, përparimin dhe progresin e pandalshëm të Shqipërisë në familjen e madhe dhe moderne europiane. Vazhdojmë të dëgjojmë deklarata ekzaltuese propagandiste se do të ulen taksat, falja e energjisë elektrike, ujit etj. Por do të vijë një ditë dhe premtimet imagjinare do të ballafaqohen me realizimet konkrete nga kundërshtarët politikë dhe nga vetë qytetarët, bile këta i vënë dhe vulën e sovranit dhe premtuesit e premtimeve të mëdha, fantastike dhe imagjinare do të mbeten me gisht në gojë dhe fajtorë me premtimet e paarritshme. Prandaj premtuesit imagjinarë të mos fluturojnë, por të jenë me këmbë në tokë pasi një mori e lartë premtimesh ka edhe një kosto të lartë ekonomike, materiale dhe financiare sidomos për ekonominë tonë që ka potenciale të kufizuara financiare dhe njerëzore.

Prandaj opozita jashtëparlamentare për t’u bërë e besueshme për të ardhur në pushtet fokusi i saj kryesor duhet të devijojë nga rruga e premtimeve të bujshme dhe të kompozojë masa inteligjente, të kërkojë, gjejë dhe shpalosë alternativa dhe programe zhvillimore dhe efektive.