Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Ose opozitë e vërtetë e jo kriminale, ose dhuna e rrugës!

Postuar: 16/09/2018 - 07:50

Si qytetar i zakonshëm por edhe si vëzhgues i kujdesshëm në kuadrin e gjithë jetës të shoqërisë tonë, mendoj se lufta politike ndërmjet partive parlamentare e sidomos "arinjve" të saj, është larguar kaq shumë larg interesave të qytetarëve sa tashmë është bërë tepër e vështirë për t'i dhënë përgjigje pyetjes cili është roli i partive në vendin tonë. A janë ato përfaqësuese të interesave të qytetarëve? Apo këta të fundit janë "plastelinë" që gatuhen për të "mbrojtur" oligarkinë e vetë partive, të cilët i kanë vënë përfund "çizmeve" të tyre këto interesa dhe që po kërkojnë terren, pushtet me dhunë, nën maskën e mashtrimit dhe forcës të verbër të turmave? Jo vetëm që opozita jonë "Leniniste" aktualisht nuk ka më as edhe një objektiv ekonomik e social, por e keqja më e madhe është se edhe pozita, duke patur përpara këtë kundërshtar mizerabël, që nuk e sheh kurrkund greminën e disfatës së plotë ku po vete, e ka lënë dukshëm luftën për arritjen e objektivave të premtuara, apo edhe përpjekjet për "hapjen e negociatave" për në Bashkimin Europian. Fitoren elektorale të lokaleve dhe atë të përgjithshme në sajë të "meritës" opozitare, ajo pothuajse i ka futur në xhep.

Kur në fakt gjendja ekonomike e social politike në vend është tepër e rëndë, perspektiva më e errët se ç'duket, vendi dobësohet për herë e më tepër, borxhet dhe format e kamufluara të tyre si koncesionet po "derdhen" jashtë gote, falimentimi i vendit nuk është vetëm një mundësi teorike, por një "çështje e shtruar për zgjidhje". Kush i ndjek fjalimet e zotit kryeministër, nuk e ka të vështirë të dallojë një lloj tërheqje nga përpjekjet e kësaj qeverie në krahasim me të kaluarën. Në përmbajtje të fjalëve të tij, tashmë kanë zënë vend së tepërmi paralajmërimet bajate, premtimet për rrugë "pa fund", e deri në deklarata, sipas të cilit “faturat e hajdutëve që janë futur nëpër hipoteka me mbështetje politike... i merr Partia Socialiste”. Përderisa këto dalin nga goja e kryeministrit, nuk është e vështirë të nënkuptosh gjendjen e "hajdutërisë" në organet apo institucionet e tjera, nëse hipoteka, mbi të cilën gjatë gjithë kohës vështrojnë sytë “vigjilentë” të qeverisë, është kthyer në një fole hajdutësh. Nuk është e vështirë njëkohësisht të kuptosh se pse është rënduar gjendja ekonomike e ajo sociale kohët e fundit dhe pse korrupsioni ka marrë përmasa thuajse katastrofike. Një vit me çështjen “Tahiri”, gjashtë muaj me çështjen “Teatri”, tre muaj me çështjen “Babale”, dy muaj me çështjen “Kukësi”, një muaj me çështjen “Çizmja”, e në vazhdim çdo javë e me çdo lloj gjëje, po mësohemi të shohim, me përjashtim të punës të vërtetë drejtuese e qeverisëse. Ja kjo është rruga me të cilën po “luftohet” për të përmirësuar jetën e popullit, për të bërë të mundur “bashkimin” ekonomik e politik me Europën.

Por në të vërtetë ku jemi, ku na ka çuar rruga "Babale"? Produkti i përgjithshëm, ajo që i thonë PBB-ja, në vendin tonë është 4.2 mijë dollarë për frymë në një vit. Pra nga çdo shqiptar, ekonomia sot "merr" prej tij 4.2 mijë dollarë në një vit. Në vendet e BE, kjo shifër si mesatare është 32.2 mijë dollarë në një vit, 7.6 herë më shumë se ne. Një shqiptar në një vit konsumon (si mesatare) 2 mijë dollarë. Kurse një europian 6 mijë të tilla, tre herë më tepër se ne. Që domethënë se një shqiptar i jep vendit të vet më tepër se ajo që konsumon 2.2 mijë dollarë në një vit, kurse një europian 26.2 mijë dollarë, 12 herë më tepër. E theksojmë këtë! Një europian konsumon (vishet, ushqehet, pushon, udhëton etj) tre herë më tepër se një shqiptar dhe i jep vendit të vet 12 herë më tepër se ai. Fare haptas duket pra se për fat të keq ne jemi një popull që nuk punojmë (nuk po themi nuk duam të punojmë, dembelë), se ne qeverisemi nga politikanë që nuk janë të aftë ta kuptojnë këtë “thembër të Akilit”, shkallën tonë të pakët të impenjimit në punë si dhe të formalizimit të saj, si burim zhvillimi. Nga vetë shifrat e mësipërme, duket qartë se një europian ka punuar me një rendiment 12 herë më të madh dhe ka formuar një shtet 8 herë më të fuqishëm (më të pasur) se ne. E si mund të arrihen këto shtete? E si mund të integrohesh në BE pa u zhveshur krejtësisht nga ato rrobat e “palaçove” që bashkë me kalamajtë përpiqen të mashtrojnë edhe të rriturit? A mund të gënjehet kjo Europë e sofistikuar nga politikanët tanë kokë gdhë, të cilët janë kthyer ata vetë, më parë se "turmat" në një problem mjaft të mprehtë, në një pengesë fare të padurueshme jo thjesht për zhvillimin e vendit, por së pari për daljen e vendit nga varfëria e mungesa e perspektivës që e ka pllakosur?

Nxitësi më i madh i korrupsionit është informaliteti. A ka këtu ndonjë gjë të vështirë për të kuptuar se puna e parë që duhej të parashikonte e të ndiqte deri në fund qeveria jonë është lufta ndaj informalitetit? Por jo me fjalë, pasi me to ajo mund të quhet kampione e botës. Kurse me vepra, me rezultate konkrete ajo është kthyer në një ekip "rroskop". Jo më pak se 45 përqind e ekonomisë shqiptare është informale, afro dy herë më tepër se vendet përqark, që nuk kanë më tepër se 10 vite që kanë dalë nga lufta. Vetëm nga tvsh e planifikuar (4 miliardë) nuk mblidhen mbi 2.5 miliardë dollarë. Nëse e konkretizojmë me shifra, ekonomia informale te ne është rreth 5 miliardë dollarë dhe evazioni fiskal i kalon 1 miliard dollarët. E çfarë duhet pritur në një situatë të tillë, përveçse të “përveshësh mëngët” e të futesh me kokë në këtë luftë për rregull, rend ekonomik e mundësi zhvillimi? Puna në të zezë e kalon nivelin e 35 përqindëshit! Kurse në vend që administrata jonë të punojë mbi këtë çështje tepër shqetësuese, “lëshohet” rrugëve si ata helikopterët e Rambos, duke e nxirë atë më tepër se ç'është. Është fare e qartë se punësimi te ne, në një pjesë tepër të madhe është jo vetëm sezonal por edhe tepër i copëtuar, i ç'rregullt. Si t’ja bëjë punëtori që ka 3 apo 4 ditë punë riparimi, lyerje apo pastrimi për të kryer në një banesë të zakonshme? Ku ta legalizojë punën e vet, në çfarë firme duhet të punësohet për këto ditë në mënyrë që të punoj normalisht e jo si klandestin, çfarë mund të bëjë përveçse të fshihet nga lukunia e inspektorëve e policëve bashkiakë, që boll të shohin një thes me llaç poshtë shkallëve, e të “sulmojnë” nëpër dyert e shtëpive si miza dheu? E në vend që shteti ynë të mendojë e ta bëjë krejt të mundshme e të ligjshme këtë punë, duke e detyruar “punëtorin tonë” të paguajë pa asnjë lloj ceremonie në arkën më të afërt siguracionin e vet për këto ditë, as që e vret mendjen, por vetëm se mburret e i “dekoron” nëpunësit e vet me llomotitjet se “është organizuar pagesa online”, a thua se po drejton ekonominë gjermane nga zyrat e Kancelares. Janë afër 350 mijë persona të tillë, të cilët qoftë edhe me shkëputje, duhen futur në skemat e sigurimit të jetës të tyre, duke bërë të mundur kështu, në kushtet e Shqipërisë, në këtë vend të varfër e maksimalisht të korruptuar të fillojë të qartësohet e stabilizohet katrahura e fuqisë punëtore shqiptare, e cila në natyrën e punëtorisë ku mbizotëron ekonomia e shërbimit, do të vazhdojë të punojë përherë me cikle e me kohë të kufizuar sipas rrethanave e kushteve të saj.

A nuk duhet theksuar se në fushën e "kthimit të pronave" vendi ynë ka dështuar në mënyrën më "spektakolare"? Qeveria bën sikur nuk e sheh, bën sikur po e kompenson, hiqet sikur e ka "vënë në rrugën e zgjidhjes", por asnjëherë nuk e shtroi si një nga çështjet më kardinale, pa zgjidhjen e të cilës nuk ka ekonomi të qëndrueshme. Sepse ajo e tregoi veten krejt të paaftë, të papërkushtuar, e së bashku me paraardhëset e saj, e ktheu veten në faktorë të këtij dështimi, protagonistë të një falsifikimi pothuajse krejt kombëtar, duke e humbur kështu rastin për ta kthyer rendin ekonomik të vendit nga një rend bastard e grabitqar në një rend të ekonomisë të tregut e të pronës private të vërtetë.

Nuk mjafton vetëm të kesh dëshirë për të bërë vepra të mëdha. Po nuk di të kapësh hallkën kryesore, po nuk ke kurajon të luftosh për të zbatuar ligjet jo vetëm nga ata që i respektojnë ato, por edhe te ata "agallarët e katundeve" që i shohin këto ligje si zinxhirë për të lidhur ata një milion të varfër që marrin më pak se 5 dollarë për frymë e të cilët sot përbëjnë një ushtri të tërë të uritur dhe që janë në prag të prishjes të ekuilibrit fizik, moral e social, është e kotë gjithçka. Është e kotë të kërkosh nëpër "one stop shop"-et burimin e krimeve, mungesën dominante të perspektivës ekonomike dhe anarkinë politike. Është e kotë të lodhesh e të motivosh panikun e rinisë për të ikur "nga sytë këmbët" me të "drejtën e lëvizjes" të çdokujt. Jo! Është këtu burimi. E keqja, është te fakti që vendi nuk drejtohet me rregulla por me opinion, nuk qeveriset me njohje por me imitim, nuk i përmirësohet përmbajtja por dukja.

Të pretendosh të çosh në nivelet ekonomike e kulturore të Europës një shtet me pjesën më vitale të popullsisë në emigracion, pa u ndjekur nga asnjë lloj grupi intelektualësh, deputetësh, politikanësh e ministrash oponentë (me gërma të mëdha), me një parti politike tashmë fare konvencionale, është një utopi e cila si të gjithë utopitë përfundon në të kundërt të asaj që pretendohet. Tani, pas 28 viteve e marrim vesh nga Banka Botërore se popullsia e vendit tonë pas 50 vitesh ulet nën 2 milionë banorë dhe ata që do të mbesin aty do të quhen "pleqtë" e Europës (edhe të Botës), me një moshë mesatare prej rreth mbi 50 vjeç, nga 36 sot dhe 29 në vitet ’90-të. Çfarë administrate ka zoti Rama në dispozicion? Gjithsej, vlera e depozitave në sistemin bankar në Shqipëri është më tepër se 9 miliardë dollarë. Duke futur këtu edhe ato që shqiptarët mbajnë nëpër "xhepa e nëpër dysheqe" bëhen 14 miliardë. Deri tani, për këtë vit janë dhënë leje ndërtimi për rreth 300 mijë metra katrorë ndërtime, aktivitet që përthith afro 100 milionë euro, si dhe bllokon në potencë edhe mbi 400 milionë të tjera si fond blerje nga ana e qytetarëve, ndërkohë që 20 apo 25 përqind e banesave të ndërtuara deri më sot janë bosh, të pashitura. Ndërkohë bujqësia, ky sektor nga të vetmit që e ka të sigurt cilësinë e produktit të lartë, kreditohet me afro 20 milionë dollarë, kur Maqedonia fqinje, dy herë më e vogël se ne kreditohet me më tepër se 100 milionë. Ja kjo është administrata "perëndimore" që ka "performuar" zoti Rama, një mekanizëm i verbër që vetëm përtyp, nuk mendon e nuk prodhon.

Ja pra ku jemi! Në një situatë tepër të rëndë ekonomike, pothuajse në një gjendje kolapsi. Pa dyshim që qeverisja e sotme ndryshon si dita me natën me atë të Berishës, praktika e të cilës ishte “anti shteti”, si rezultat i të cilës u rrënua baza ku do të hidhej “ndërtesa e re” e qeverisjes të ekonomisë të tregut. Por nuk mund të vazhdohet pa fund me ato karagjozllëqet e krahasimit me kohen Zogut, të Enverit apo të Salës. Nëse synohet integrimi në Europë, këtë vepër nuk mund ta kryejnë absolutisht forcat e tashme politike, njësitë më të prapambetura sot në shoqërinë tonë, pavarësisht krahasimeve bajate. Ajo kërkon nisje të re politike nga poshtë, detyrimisht nga poshtë, nga masa e përgjithshme e qytetarëve, të cilët duhet të bëjnë opozitën e vërtetë, kundër opozitës të sotme kriminale dhe kundër pushtetit të sotëm që ka filluar të kutërbojë nga era e qelbur e paaftësisë dhe e korrupsionit. E nëse kjo opozitë e dëshiruar nuk fillon nga hedhja në kanalet e ujërave të zeza të legjislacionit zgjedhor ekzistues, në vend të të cilit të predominojë zgjedhja direkte e të gjithë parlamentarëve nga populli e jo nga kryetarët e mykur të partive të tyre të kalbura, të mos habitemi për të ardhmen e afërt. Për fat të keq nuk është çudi të lindin elementë të dhunës masive të rrugës, e cila mund të formësohet si një ’97-të e re. Një ’97-të, krejtësisht e dhimbshme dhe e padëshiruar, por që mund të zgjidhë jo vetëm këtë “piramidën” e sotme por edhe atë të “vjetrën”, të lidhura me njera tjetrën si “ati me birin e shenjtë”./ Nga Bardhyl ERMINI

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 8

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 18/10/2018 - 07:13

Duke dëgjuar e lexuar deklarimet e liderit të LDK-së lidhur me dialogun dhe idenë e presidentit Thaçi për korrigjimin e kufirit me Serbinë, njeriu i zakontë mund edhe të besoj verbërisht në persiatjet e liderit të LDK

Postuar: 18/10/2018 - 07:12

Në të përgjithshmen e opinionit publik shqiptar, tashmë është ndërtuar dhe "ngrehina" a

Postuar: 18/10/2018 - 07:10

Janë të shumtë shqiptarët ndër shekuj që e kanë mbrojtur Shqipërinë, që kanë qëndruar stoikë përb

Postuar: 17/10/2018 - 07:22

Miku im pensionist, që ka qenë oficer dhe është rritur me një disiplinë të fortë e një jetë përgj

Postuar: 17/10/2018 - 07:21

Çfarë ndodhi dy ditë më parë në Bruksel me shqiptarët askush nuk e kishte llogaritur.

Postuar: 17/10/2018 - 07:20

Ca të mira i keni bërë, po me këtë që ke bërë këtë radhë, i ke prishur dhe ato.

Postuar: 17/10/2018 - 07:19

Debatet mes Greqisë dhe Shqipërisë për detin dhe kufijtë që kërkohen të ndryshojnë sipas diktatit