BREAKING NEWS

Rama jep lajmin e mirë në mesnatë nga Infektivi

Rama jep lajmin e mirë në mesnatë nga Infektivi
x

Opinion / Editorial

Osman Haxhiu, kryetar i një lufte fitimtare

Osman Haxhiu, kryetar i një lufte fitimtare

 

(Në kuadrin e 100 vjetorit të Luftës Kombëtare së Vlorës 1920)

Në administratën e parë të shtetit

Osman Haxhiu u lind në Picar të Vlorës në vitin 1889. Haxhi Muhameti, babai, ishte një atdhetar dhe liridashës. Ai bëri shumë kujdes për edukimin e fëmijëve. Si mbaroi shkollën qytetëse të Vlorës, Osmani, vazhdoi mësimet në Stamboll. Në këtë vend ku studionte u njoh dhe u lidh ngushtë me rrethet patriotike shqiptare. Gjatë kohës së studimit, i njohur prej babait të tij, bëri takime me Ismail Qemalin, Hasan Prishtinën, Mulla Xhaferr Drashovicën, si dhe atdhetarë të tjerë, të cilët i shpjegonin punën dhe organizimin e shqiptarëve për çështjen kombëtare.

Kështu studenti çdo ditë e më tepër po formohej dhe ushqehej me idetë e ndritura të rilindasve, duke u bërë shumë shpejt i njohur si një luftëtar aktiv për vënien e tyre në jetë. Dhe nuk vonoi, e veprimtaria aktive e tij ra në sy të osmanllinj, të cilët e larguan duke e dëbuar në Arabinë Saudite. Patriotët shqiptarë të cilët ishin njohur dhe vepronin në Stmaboll, në Siri, në Liban, në Egjypt dhe në vende të tjera të Lindjes së Mesme, organizuan me kujdes arratisjen e tij. Dhe pas shumë përpjekjesh e mundimesh të shumta Osman Haxhiu, mundi të arratisej, duke u kthyer në Korfuz dhe nga këtu në atdhe, pranë familjes së tij.

Më 28 nëntor 1912, në shpalljen e pavarësisë dhe të krijimit të shtetit shqiptar ishte në Vlorë. Si i shkolluar dhe njohës i gjuhëve turqisht, italisht dhe frëngjisht, zuri vend në administratën e parë të shtetit dha ndihmën e vet modeste dhe të çmuar.

Prefekti Osman Haxhiu

Në historinë e Shqipërisë vitet 1912-1920, njihen sa tragjikë, por dhe aq të mbushur me shpresa. Osman Haxhiu në rrethana të tilla ngjitet në skenën e jetës politike të Shqipërisë. Ai ishte në krye të komisionit të Vlorës, ku nga data 24-30 gusht 1914, e sipas orientimeve të Ismail Qemalit, hyri në bisedime me përfaqësuesit e Haxhi Qamilit në Frakull të Fierit. Nga këto bisedime u mënjanua vëllavrasja, ku pranoi kërkesat e tyre, por me kusht që të mbahej flamuri me ngjyrat kombëtare. Kjo për të vetmen arësye se pa flamurin vendi do të humbiste të vetmin simbol të pavarësisë së tij dhe do të coptohej nga fqinjët.

Qeveria e Esat Toptanit e gjeti Osman Haxhiun në Vlorë në krye të këtij komisionit që më pas e shpërndau. Komisioni dhe administrata u plotësuan pjesërisht dhe morën detyrat e administratës së Prefekturës. Osman Haxhiu në fillim u caktua zëvendësprefekt e më vonë prefekt, detyrë që e mbajti deri në muajin shkurt të vitit 1917.

Vështirësitë në të cilat po përjetonte Vlora, por dhe rrethanat u bënë më të rënda me ardhjen e muhaxhirëve nga krahinat e Kurveleshit, Kardhiqit, Libohovës e Rrëzomat e Delvinës. Prefektura e Vlorës me Osman Haxhiun ne krye, bëri të pamundurën për sistemimin dhe vendosjen e tyre në shtëpitë e fshatarëve vlonjatë. Pjesa më e madhe u vendos në ullishtet e përreth Vlorës. Në këto kushte të rënda, ku për të ardhmen e Shqipërisë nuk dukej më rreze shprese, Osman Haxhiu me të ardhurat e veta, çeli shkolla fillore për fëmijët e popullit fukara në të gjitha katundet e Vlorës.

Osman Haxhiu, si biri i popullit shumë shpejt hyri në zemrën e tij, kur vendosmërisht kundërshtoi pushtuesit italianë, që në administratën e prefekturës, të mos flitej italisht dhe se çdo dokument i saj të shkruhej në gjuhën tij. Ai vetëm filli shkoi në zyrën e xhenios civile, pranë komandës së trupave pushtuese italiane dhe kërkoi aktin e marrëveshjes së nënshkruar nga përfaqësuesit e prefekturës. Ai, me ta marrë në dorë, e grisi, sepse populli i Vlorës, intelektualet dhe burrat e saj të shquar, nuk e kishin mirëpritur një marrëveshje të tillë për disa punime xheniere. Kjo sjellje fisnike, do të shkruante Hasan Dosti, e ngriti prefekt Osmanin në zenitin e lavdisë jo vetëm në popullin e Vlorës, por edhe në mendimin e gjithë shqiptarëve intelektualë të krahinave të tjera të pushtuara prej Italisë.

Me urdhërin firmën e gjeneralit Ferreri, Osman Haxhiu dhe përkrahësit e tij u pushuan nga detyra duke i internuar. Popullit të Vlorës i hoqën prefektin, birin e Labërisë dhe jeta e Osman Haxhiut u vu në rrezik. Qytetarët e Vlorës dhe banorët e fshatrave, si rrallë herë në historinë e trevës labe u ngritën në mbrojtje të birit të tyre. Kështu qëndrim atdhetar e trimëror i tyre, i detyroi pushtuesit të mos zbatonin vendimin e marrë për internimin e Osmanit.

Përkujtimi i Festës së Flamurit

Në periudhën midis viteve 1917-1918, Osman Haxhiu nuk e ndërpreu veprimtarinë patriotike. Ai pati mjaft letërkëmbime me Ismail Qemalin, Hasan Prishtinën, Aqif Pashë Elbasanin, Vehbi Dibrën dhe patriotë të tjerë. Në këto mesazhe bëhej më e plotë situata, detyrat dhe komplotet që thureshin në kancelaritë evropiane për copëtimin e Shqipërisë. Çdo ditë që kalonte evidentonte më qartë rrezikun e madh, shkëputjen e Vlorës dhe hiterlandit të saj nga gjiri i atdheut.

Patrioti Halim Xhelo kishte krijuar organizatën “Lidhja Fshatare e Labërisë”, ku kishte mbledhur rreth saj atdhetarë të tjerë lab. Këta u mblodhën në shtëpinë e Osman Haxhiut dhe vendosën që 28 nëntori i vitit 1919 ta përkujtonin e festonin me flamur në dorë në sheshet dhe rrugët e qytetit. Kështu në ditën e festës të gjithë ishin në krye të popullit. Flamuri kombëtar mbahej nga dy djem vlonjatë Rexhep Arapi e Faik Xhaferri, të cilët në çdo hap shoqëroheshin nga dy bijtë e Shqipërisë Jonuz e Myrsel Kumanova. Në krah të tyre ecnin Osman Haxhiu, Duro Shaska, Abaz Nezini, Qazim Kokoshi etj. Në këtë ditë historike për Shqipërinë, përleshja me pushtuesit ishte më e përgjakshmja në 7 vitet e pavarësisë.

Në krye të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare”

Vendimet historike të Kongresit të Lushnjës të Janarit 1920 hapën rrugë të reja për të ardhmen e Shqipërisë. Kështu në zbatim të tyre, në mars të vitit 1920, u krijua një organizatë patriotike, ku Osman Haxhiu u zgjodh në krye të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare” për Vlorën. Ky komitet luajti një rol të rëndësishëm në ngritjen dhe përgatitjen e popullit të Labërisë për luftën çlirimtare.

Në Kuvendin e Barçallesë, mbajtur më 29 maj 1920, krahas miratimit të vendimit për luftë ndaj pushtuesit italianë, Osman Haxhiu u zgjodh kryetar i Komiteit të “Mbrojtjes Kombëtare” komandë udhëheqëse e drejtuese e veprimeve luftarake. Për këtë detyrë të besuar, ai mori dhe miratimin e njëzëshëm në mbledhjen e Beunit prej komandantëve të të gjithë çetave, që përfaqësonin rreth 4.000 luftëtarë.

Ultimatumi i 3 qershorit i firmosur nga kryetari i Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare Osman Haxhiu dhe anëtarët e tij Qazim Kokoshi, Duro Shaska, Ali Beqiri, etj., që i drejtohej gjeneral Paiaçentinit, kërkohej lirimi i menjëhershëm i Vlorës prej ushtrisë Italiane. Në këtë ultimatum midis të tjerave thuhej: “Na e dimë se një popull i vogël si populli shqiptar, nuk mund të sulmojë me armët e tij një fuqi të madhe siç ështe Italia, por qeveria italiane sado e fortë që të jetë, nuk mundet kurrë të ndalojë popullin e vogël të Shqipërisë të derdhë gjakun për idelain e lirisë së tij, paralajmëronte atë epokë të lavdishme që përjetësisht është skalitur e rrëzellen me shkelqim madhor në Historinë e Shqipërise, e që populli heroik i Labërisë thelbin e saj e tha me këngën e shpirtit te tij në prag të shpërthimit të stuhisë “Ja do tëbëhet Vlora jonë, ja do të bëhet gurë e hi”..

Në këtë luftë mbarëshqiptare treva labe dha rreth 150 dëshmorë, si dhe pati të plagosur mbi 300 luftëtarë. Në fitimin e kësaj lufte dhe arritjen e objektivit në fushën e betejës, dëshmoi se Komiteti i “Mbrojtjes Kombëtare” me Osman Haxhiun në krye, i mbështetur fuqimisht nga qeveria e Sulejman Delvinës, e plotësoi me nder misionin e madh atdhetar e çlirimtar, që i ngarkoi koha, liria, kombi shqiptar e historia.

Mesazhi Osman Haxhiut, atdhedashuria

Osman Haxhiun, bashkëluftëtarin e Bajram Currit, të Avni Rustemit, të Luigj Gurakuqit, të Sali Vranishtit e shumë patriotëve të tjerë, populli i Vlorës e zgjodhi deputet në Parlamentin Shqiptar në vitin 1921. Ndërsa në Revolucionin Demokratik të Qershorit 1924, Osman Haxhiu ishte në krah të Fan Nolit, të Bajram Currit e të Luigj Gurakuqit.

Atdhetari dhe patrioti i shquar Osman Haxhiu dha për Shqipërisë gjithçka që kishte: rininë, mënçurinë, dashurinë, trimërinë dhe pasurinë. Ai la për brezat një mesazh të madh e të pavdekshëm atdhedashurie. Ai mesazh dhe sot na fton që bashkërisht e vëllazërisht të gjithë shqiptarët të punojmë ndershmërisht për konsolidimin e demokracisë.

Që kur heroi i Drashovicës ishte gjallë e midis tij, populli bëmat dhe veprën e Osman Haxhiut e derdhi me vargje lapidarë, që sfidojnë kohërat dhe tërë mohimet e tyre: “Lule Osman efendi/ T’ishin dy a tre si ti/ Do bëhej Shqipëri”.

Prof. Bardhosh Gaçe ka shkruar monografinë “Osman Haxhiu”, rrugë dhe shkolla në Vlorë mbajnë emrin e tij. Osman Haxhiut, në këto vite të demokracisë është vlerësuar dhe ka zënë me meritë vendin që i takon si drejtuesi dhe udhëhqësi kryesor i Luftës Kombëtare të Vlorës të vitit 1920. Është detyrë e të gjithë shqiptarëve që figura historike e kombëtare të njihen dhe të propgandohen me të gjithë madhështinë dhe dimensionin e tyre, edhe në këtë 100 vjetor të Luftës së Vlorës.