Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Për ata që e dhunojnë gjuhën tonë shqipe

Postuar: 11/03/2018 - 08:06

Ndoshta pak e dinë se ka një Ditë Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, që është 21 shkurti, e cila ka për qëllim ruajtjen të pastër dhe promovimin e gjuhës së popullit të vet nga çdo komb. Edhe pse kjo ditë kaloi pa u ndjerë, dhe pak veprimtari u bënë për nder të saj në krahasim me vëmendjen që u kushtohen veprimtarive politike, ia vlen t’i rikthehemi edhe një herë rëndësisë së saj e t’i themi nja dy fjalë për historikun e kësaj date në përgjithësi dhe veçanërisht për punën e madhe që duhet bërë nga organet shtetërore dhe shoqëria jonë për ruajtjen e pasurimin e vazhdueshëm të gjuhës sonë amtare. 21 shkurti u shpall si Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare në vitin 1999 nga UNESCO. Kjo ditë u shpall si e tillë në kujtim të vrasjes së disa studentëve nga policia pakistaneze në vitin 1952. Studentë të Universitetit Dhaka, me origjinë nga Bengali, të prekur në sedër nga fakti se gjuha e tyre po shpërfillej nga autoritetet e vendit, u ngritën në protesta këmbëngulëse për mbrojtjen e identitetit të gjuhës së tyre amtare. Policia pakistaneze, jo vetëm e shpërndau me arrogancë manifestimin e tyre, por vrau edhe disa nga këto studentë protestues. Në vitin 2007, Asambleja e Kombeve të Bashkuara e pranoi 21 shkurtin si Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare. Ne shqiptarët duhet të krenohemi edhe për faktin se kemi një gjuhë amtare jo vetëm me rrënjë shumë të lashta, por edhe mjaft të pasur në strukturën morfologjike e funksionin e saj sintaksor. Kjo gjuhë “e bukur dhe e dëlirë” siç e quante Naim Frashëri, ka nisur të shkruhet qysh në vitin 1462, me Formulën e Pagëzimit të Imzot Pal Ëngjëllit, që njihet edhe si dokumenti i parë i shqipes. 21 Shkurti është ditë e rëndësishme, por kjo nuk mjafton aspak, nëse ne kujtohemi një herë në vit për gjuhën tonë dhe kujdesi e përkushtimi për të nuk përditësohet. Secili duhet ta ketë të qartë se pa gjuhë nuk ka shprehje mendimi, nuk ka identitet kombëtar, nuk ka trashëgimi kulturore, nuk ka komb. Por gjuha jonë, sidomos kohët e fundit me depërtimin masiv të informacionit kompjuterik, po vjen duke u bastarduar e varfëruar në strukturë e leksik, por sidomos në shkrimin e saj. Shumë mund ta kenë harruar se u bë një Kongres i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe nga 20 deri me 25 nëntor të vitit 1972 i cili mori vendimin e rëndësishëm për formimin e gjuhës letrare kombëtare të njësuar. Njësimi i drejtshkrimit që u vendos nga ky Kongres mbi bazën e dy dialekteve kryesore, pasqyronte realisht nevojën e shkrimit të saktë të gjuhës kombëtare, duke patur parasysh gjithë strukturën e saj ndërtimore, si atë fonetike e gramatikore, ashtu dhe atë fjalëformuese dhe leksikore. Vendimet e një kongresi, si forumi më i lartë i një organizmi a institucioni, nuk ka të drejtë t’i shkelë askush. Ndaj duhet ndalur dhe të mbajë përgjegjësi kushdo që shkel rregullat e drejtshkrimit të gjuhës shqipe, ashtu siç veprohet ndaj shkelësve të rregullave në fusha të tjera. Gjuha shqipe presupozon së pari shkrimin e rregullt e të përpiktë të saj nëpër shkolla, e cila është detyra numër një e nxënësit. Por edhe në shkolla e cila është vendi kryesor i edukimit dhe i aplikimit të rregullave të drejtshkrimit të gjuhës shqipe, ka shumë mangësi, dhe mjaft parime të drejtshkrimit janë harruar e gjuha e njësuar letrare është shpërfillur jo vetëm në komunikim por edhe në të shkruar. Po nënvleftësohet shumë shkrimi me dorë e po zvenitet mjaft detyra e shtëpisë nga ana e nxënësit, duke u shfaqur edhe ndonjë mendim që “detyra e shtëpisë të të hiqet fare!” Detyra e shtëpisë nga vetë emri që mban është detyrim për nxënësin dhe jo dëshirë, sepse jo vetëm e mban lidhur nxënësin me librin, por edhe është një aspekt i rëndësishëm i konsolidimit dhe drejtshkrimit të strukturave gjuhësore. Ka kritikë që akuzojnë pa asnjë bazë shkencore, se gjoja Kongresi i Drejtshkrimit u dashka rrëzuar, sepse i paska dhënë prioritet vetëm një dialekti, atij të Jugut, gjë që nuk është e vërtetë, se vendimet janë marrë në bazë të shkrirjes së dy dialekteve. Por edhe sikur të ketë teprim në thithjen e një dialekti, askush nuk ka të drejtë që pa u hedhur poshtë vendimet e atij Kongresi, të nxjerr rregulla e të veprojë në kokë të vet për drejtshkrimin e gjuhës sonë shqipe. Gjuhëtarët, studiuesit, të hulumtojnë, të bëjnë ballafaqime mes fjalëve burimor e të dy dialekteve, të shtrojnë argumente të reja në funksion të pasurimit të gjuhës sonë në kushtet e reja të zhvillimit social e ekonomik dhe pastaj po qe nevoja të bëhet një eveniment tjetër kombëtar për problemet e gjuhës e të vendoset sipas parime dhe ligjësive të zhvillimit të saj. Gjuha ka ligjet e veta të brendshme të zhvillimit, që nuk pranojnë teka e kryeneçësi krahinore e fisnore primitive, ndaj duhet patur kujdes me të. Gjuhën tonë po e dëmtojnë shumë dy faktorë: së pari imitimi e përdorimi pa vend i shumë fjalëve të huaja,sidomos nga disa që duan të hiqen si intelektualë të kulluar. Disa nga këta përdorues të fjalëve të huaja, nuk u dinë as kuptimin e as t’i shqiptojnë drejt e siç janë në gjuhën e tyre. Fjalë të tilla si limit, surprizë, avancë, fleksibilitet, insistim, intimidim, koshiencë, jo vetëm që nuk tingëllojnë bukur në gjuhën tonë, por as e shprehin thelbësisht kuptimin e fjalës që thuhet. Fjala OK psh, na është bërë aq e bezdisshme për veshët tanë nga që jo vetëm përdoret shpesh por në shumë raste edhe pa vend. Jo vetëm të rinjtë e tërbuar nga internet, por edhe plakat që tani nuk e ndajnë telefonin nga xhepi, i dëgjojmë të shqiptojnë fjalën “OK”, sikur me qenë karamele. “OK” e dëgjojmë në telefon, në emisione televizive, në bisedat e përditshme dhe mjaft nuk i dinë as kuptimin dhe as origjinën e saj. Po ashtu mjaft irrituese është kur nga disa studiues shkruhen si në gjuhën e huaj emrat e shkrimtarëve të mëdhenj që vështirë të kuptohet se për cilin shkrimtar është fjala. Vështirë të kuptohet se kur shkruhet Sheakspeare, është fjala për Shekspirin e madh, Tchekhov për Cehovin, Voltaire për Volterin, Goethes për Gëten, apo Jacques Rousseau për filozofin francez Russo Këtë sëmundje që u përhap si zgjebe e hasim edhe tek tregtarët dhe pronarët e dyqaneve të gjitha llojeve, që i shkruajnë tabelat me emra të huaj, pa asnjë lidhje me mallin që mban, dhe pak ose aspak blerës ua dinë kuptimin e futen brenda vetëm nga kureshtja. Kemi mendimin se duhet të dalë një ligj që të të ndalojë kategorikisht shkrimin e emrave të tabelave, reklamave, apo titujt e misioneve të ndryshme, në gjuhë të huaj. Përderisa jemi shqiptarë të ndalemi e të flasim e shkruajmë vetëm shqip. Mania për të rendur pas së huajës vihet re edhe në vënien e emrave fëmijëve të vegjël. Shumë emra, nëse nuk i ke personat para sysh, nuk i merr vesh se ç’janë vajza apo djem! Të tillë emra si Rei, Stivi, Enis, Eni, Kejsi, Ajsi, Sindi, Seldi, Kliti, Xhoi, Xhojsi, e të tjerë si këta, hajde t’i kuptosh nëse janë emra meshkujsh, apo femrash. Në një shkollë kam rastisur që ishin tri vajza me emrin Sindi dhe po me këtë emër edhe dy djem. Në zgjedhjen dhe vënien e emrave prindërit dhe të afërmit duhet të kenë shumë kujdes, jo vetëm për origjinën e emrit, se fjala vjen emri i huaj Franci nga frëngjishtja, nuk ka ndonjë dallim thelbësor nga emri Abdullah i turqishtes, por edhe faktin se fëmija nuk do të rrijë gjithmonë i vogël e përkëdhelës. Përfytyro se si mund të thirret një gjysh me kapele me emrin Kejsi! At Gjergj Fishta, një nga pjesëmarrësit kryesorë të Kongresit të Manastirit, ku u përcaktua alfabeti i shqipes sonë, shkruan: “Dhe atij ju thaftë goja / që përbuz kët gjuhë hyjnore/Në gjuhë t’ huj pa kenë nevoja /flet e t’veten le pas dore”. Së dyti gjuha shqipe po dëmtohet shumë në rregullat e drejtshkrimit të saj. Jo vetëm nxënësit nëpër shkolla nuk i respektojnë fare rregullat e drejtshkrimit, por edhe shkresat zyrtare e botime të ndryshme publicistike e artistike, dalin me gabime të mëdha ortografike në qarkullim. Kjo nuk duhet lejuar kurrë ndaj çdo institucion dhe shtëpi botuese duhet kontrollues dhe korrektorë të rreptë gjuhësor. Kur ne shqiptarët abuzojmë me gjuhën tonë, atëhere emigrantët, fëmijët e tyre, të larguarit për arsye të ndryshme e të lindurit jashtë vendit duhet ta harrojnë fare shqipen! A nuk është turp që ne të sillemi kështu me gjuhën tonë, për të cilën të parët tanë kanë derdhur gjak, dhe arbëreshët e arvanitasit mundohen ta ruajnë gjuhë e të parëve e t’ua përcjellin atë edhe brezave pasardhës!? Ndaj është aktuale gjithmonë thirrja e Fishtës: Npër gjuhë shqipe bota mbarë/ka me ju njohtë se ç’fis ju keni/ka me ju njoht për shqiptarë /trima n’za sikur jeni”./Nga Ramazan SHERJA  

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 28

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 23/09/2018 - 07:43

Gjurmët e jetës, punës dhe sakrificës së Qazim Demit janë të gdhendura fort në qytetin e Sarandës, ndonëse ai ka lindur në Filat të Çamerisë, një ndër qendrat kryesore patriotike e kulturore të trevave të Jugut.

Postuar: 23/09/2018 - 07:40

 “Ta bëjmë Shqipërinë si Evropa”, tashmë është një ëndërr që për shqiptarët ësht

Postuar: 23/09/2018 - 07:38

Andri, një miku im, gazetar më dha dorën duke më thënë se ndjehesh i keqardhur për mënyrën si kry

Postuar: 23/09/2018 - 07:37

Andri, një miku im, gazetar më dha dorën duke më thënë se ndjehesh i keqardhur për mënyrën si kry

Postuar: 22/09/2018 - 07:24

Pozita dhe lidershipi i saj, akuzon opozitën për pengesë në reformën e drejtësisë dhe sidomos dy

Postuar: 22/09/2018 - 07:22

Para çdo palë zgjedhjeje, në Shqipëri, klasa politike as nuk ia ka idenë te premtimet ndaj zgjedh

Postuar: 22/09/2018 - 07:19

Shoqëria shqiptare ka shprehur vullnetin e saj të bëhet vend demokratik ashtu si vendet e tj