Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Pa çmontuar pandëshkueshmërinë nuk dalim nga pylli i varfërisë

Postuar: 15/04/2018 - 07:53

Pas afro 30 vitesh kemi arritur të ndërtojmë vetëm një gjysmë shteti. Është plaga më e rëndë për ne shqiptarët, kjo e pandëshkueshmërisë. Tashmë këtë plagë të gjithë e dimë, është ajo që vazhdon të na varfërojë, po ilaçin e shërimit, ende nuk ia kemi gjetur. Edhe pse po e shohim si na mbyllen të gjitha rrugët për ndërtimin e një jete normale për vete dhe brezat që vijnë. Largohen të rinjtë, pasi shohin të çuditur se si një pakicë oligarkësh stërpasurohet duke shfrytëzuar stërvarfërimin e shumicës. Edhe pse ky vendi ynë i ka thuajse të gjitha pasuritë që ndodhen në këtë tokë, nga kromi e bakri, te floriri dhe uraniumi. Megjithatë kemi mbetur më të varfërit e kësaj ane të kontinentit plak.

Ndodh kështu, pasi duket se ende nuk po dimë të bëjmë një punë si duhet. Bile as të zgjedhim drejtues për të qenë. Ja, të themi ç’parlamentarë kemi nëpër këmbë. Nuk i zgjedhim vetë, po na i bëjnë peshqesh agallarët e politikës, që as nuk ia kanë idenë se çfarë do të thotë shtet i së drejtës. Dhe kur nuk di, ngre vetëm gjysmë shtet. Siç ka bërë kjo me nder klasë politike që kemi nëpër këmbë, ne shqiptarët.

Kanë kaluar ditë, që 11 kuksianë vazhdojnë të dergjen burgjeve të Tiranës. Pasi iu vunë prangat në orët e pasmesnatës për t’i damkosur si kriminelë. Po deri tani kështu nuk ka ndodhur as me kriminelët më të thekur të këtij vendi. Po te ne ndalohen dhe futen burgjeve vetëm hallexhinjtë. Ndërsa plaçkaxhinjtë e politikës mund të vjedhin miliona, po asgjë nuk i gjen. Siç po shohim me plazhistët e Durrësit që tashmë janë kthyer në milionerë, duke na plaçkitur ne hallexhinjve. Ata vetëm largohen nga sistemi i Drejtësisë me milionat në xhep. Largohen nga sistemi krejtësisht i kalbur i Drejtësisë dhe kur të gjithë e dimë se po largohet një plaçkaxhi sa nuk i jepet dekorata më e lartë e këtij gjysmë shteti. Mjafton kaq gjë që ne, të paktën shumica e shqiptarëve ta kuptojmë se me këtë farë klase politike nuk do të mundim të ndërtojmë as në shekujt që vijnë ndonjë farë shteti tamam. Do të mbetemi, ashtu si këto afro 30 vjet një gjysmë shtet, me të cilin do të vazhdojnë të tallen të gjithë. Sepse të gjithë e shohin si një shtet që di t’u shërbejë vetëm një grupi oligarkësh brenda e jashtë politikës, pa përfillur shumicën e shqiptarëve që po e zhyt në një varfëri më të thellë ky grup oligarkësh që nuk di gjë tjetër veçse t’i shërbejë familjes në pushtet. Edhe pse çdo vit, BB dhe institucionet e tjera ndërkombëtare financiare na e tregojnë haptazi se jemi vendi me nivelin më të lartë të varfërisë.

Këtë grup oligarkësh të pashpirt e kemi parë ndër vite si është pasuruar duke varfëruar shumicën e shqiptarëve. Edhe autostrada e Kombit, që tashmë është kthyer në “autostradën e Turpit” nisi të ndërtohet pa patur ndonjë projekt. Askush nuk u tregoi shqiptarëve çfarë projekti ishte, kush do ta financonte dhe sa ishte kostoja e ndërtimit të saj? Askush nuk i përfilli shqiptarët e shkretë. Pasi menjëherë nisën plaçkitjet duke shfrytëzuar patriotizmin e shqiptarëve. As sot e gjithë ditën, askush nga oligarkia nuk e çel gojën të na tregojë sa është kostoja e ndërtimit të tunelit, sa është kostoja e segmentit Kalimash – Rrëshen, 62 kilometra e gjatë? Askush nuk na tregon edhe sa do të paguajmë për t’u dhënë fund të gjitha punimeve? Askush nuk po mban përgjegjësi për numrin e lartë të aksidenteve vetëm në segmentin Morinë – Kukës – Fushë Dukagjin ku deri tani kanë humbur jetën 18 persona. Të paktën të na tregonin për të vërtetën e plaçkitjes së 220 milionë euro dhe po kaq të plagosur. Askush, bile as vetë kryetari i opozitës Lulzim Basha nuk na tregon për 220 milionë eurot e autostradës, që nuk dihet se në ç’xhepa janë futur.

Përse shqiptarëve asgjë nuk u tregohet, edhe pse Shqipëria është atdheu i tyre? Sepse hajdutëria dhe makutëria janë detajet më të qenësishme të kësaj klase politike që kemi në krye, thjesht për fatkeqësinë tonë. Është bash kjo arsyeja që 11 kuksianët e arrestuar duhen liruar një orë më parë. Sepse faji i tyre në krahasim me lumin e madh të fajeve të pandëshkuara të grupit oligark të kësaj klase politike, e cila çdo investim të kryer me paratë e taksapaguesve e ka shfrytëzuar që së pari t’i shërbejë asaj për të mbushur xhepat e saj, pastaj çfarë ka mbetur ta investojë në shërbim të shumicës së shqiptarëve. Është një investim ky, që e shohim çdo ditë se i ngjan një liliputi, gjë që ka sjellë rritjen e nivelit të varfërisë në sofrën e shumicës së shqiptarëve. Që tashmë e dinë mirë se çfarë monstrash po i sundojnë. Tashmë e dinë se është një klasë politike - shushunjë që po ua pi gjakun dalëngadalë të gjithë shqiptarëve. Është kjo arsyeja që po bën gjithçka për ta zvarritur reformën e Drejtësisë për të mbrojtur lukuninë e gjyqtaro – prokurorëve, plazhistë të Durrësit, që brenda një nate janë kthyer nga varfanjakë në milionerë. Janë kthyer kësisoj, pasi kanë vetëm një meritë: e kanë kthyer në të pandëshkueshme gjithë klasën politike albaneze.

Ende pandëshkueshmëria e oligarkëve të pashpirt të palo politikës vazhdon të jetë një mbrojtëse e pakalueshme për grumbullin e hajdutëve, për grupin e oligarkëve që “kanë pushtuar” gjithçka në këtë vend, nga i cili vazhdojnë të largohen edhe më të fundit shqiptarë. Sepse asnjë nuk beson se mund të vijnë ndonjëherë ditë të bardha në këtë vend me aq shumë pasuri natyrore.

Mizerabiliteti i ngritur në pushtet nga klasa politike dhe grupi oligarkik familjar që tashmë duket se është vënë në sundim të gjithçkaje në këtë Shqipëri të gjorë, që nga politika, ekonomia, kultura, arsimi e gjithçka tjetër po sjellin gjithnjë e më tepër pasoja mjaft të rënda për shqiptarët e mbetur ende pa u larguar. Nuk është fjala vetëm çfarë ndodhi në Kalimash disa ditë më parë, kur kuksianëve iu vu trau i kufirit te dera e shtëpisë. Banorëve të kësaj zone iu kujtua edhe kufiri i pas vitit 1948, kur vija e kufirit ndau dy vëllezër që nuk i folën njëri tjetrit deri pas viteve ’90. Sepse kufiri ndau në mes një lagje të fshatit Dobrunë të rrethit të Hasit, duke ndarë edhe dy vëllezërit. Ata që ngritën traun afër qytetit të Kukësit sikur donin të përsërisnin ndarjen që u kishte ndodhur vëllezërve hasjanë.

Ndoshta protesta e kuksianëve është vetëm preludi se çfarë mund të ndodhë nesër apo pasnesër ndaj shumicës së shqiptarëve, pasi varfëria dhe mjerimi që ka përfshirë gjithë shqiptarët është bërë e padurueshme. Ende asnjë prej këtyre palo politikanëve që ne i mbajmë thjesht të na plaçkitin më mirë, nuk na e ka bërë të ditur: “Si ka mundësi që shqiptarët me det, pyje, me minerale gjithfarësh deri edhe me me naftë, bile edhe me uranium vazhdojnë të mbeten më të varfërit e Evropës? Tashmë përgjigja është e qartë: Sepse kemi një klasë politike të përdalë.

Tashmë shqiptarët nuk shpresojnë se një ditë e keqja do të mund të ndëshkohet. Pandëshkueshmëria vazhdon të qëndrojë në krye të vendit për të mbrojtur grupin oligark dhe plaçkitësit e familjes në pushtet. Është bash kjo arsyeja që sot shumë prindër marrin kredi që t’i arsimojnë fëmijët jashtë vendit duke i porositur: “Mësoni shumë dhe mos u ktheni këtu ku ka humbur e gjithë shpresa. Shkoni dhe punësohuni jashtë. Ne, kur të keni pak kohë, hajdeni na shikoni”.

Në këtë vend tashmë thuajse asgjë nuk është në vendin e vet. Gjithë kjo rrokopujë ka përfshirë këtë vend me aq shumë pasuri, po njëherësh dhe vendi me nivelin më të lartë të varfërisë në rajon, ku një e treta e popullsisë jeton me më pak se 5 dollarë në ditë. Një tregues që ka alarmuar BB-në, po jo oligarkët e pashpirt shqiptarë. Është bash kjo arsyeja, që shqiptarët marrin kredi për t’i arsimuar fëmijët jashtë kësaj Shqipërie, ku në fund të tunelit vazhdon të mos duket ndonjë rreze drite./Nga Riza HOXHA

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 20

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 17/07/2018 - 09:48

ARTAN FUGA/ 

Frikë nga Mallkimi pas 50 vjetësh

Në shi me miq për një bindje që i besoj se arti dhe kultura po shembet?

Pa problem.

Postuar: 17/07/2018 - 07:29

Në historikun e jetës së partive tona politike, sistemeve që kemi kaluar, është evidentuar plotës

Postuar: 17/07/2018 - 07:27

Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH), është Institucioni më i lartë i kontrollit ekonomiko-financia

Postuar: 17/07/2018 - 07:26

Ka një vendim të mirëpritur të qeverisë, për t’u shtruar dhe sigurisht rregulluar rruga Qaf

Postuar: 16/07/2018 - 09:30

"As kam pikë fije dyshimi që çështja e Teatrit është e lidhur me zhdukjen e kujtesës të

Postuar: 15/07/2018 - 07:46

 Nuk është hera e parë që në qendër të denoncimeve publike janë përsëri universitetet për fa

Postuar: 15/07/2018 - 07:43

Odiseja e Teatrit Kombëtar nëpërmjet debatit të zgjatur disa mujor ka prekur aktorët, amatorët, s