BREAKING NEWS

Lëkundje të forta tërmeti në Shqipëri, ndihet në disa qytete të vendit, ja ku ishte epiqendra

Lëkundje të forta tërmeti në Shqipëri, ndihet në
x
BREAKING NEWS

U shpall në kërkim, arrestohet pas disa orësh ish-kreu i Kadastrës së Vlorës, zbardhen detaje nga dosja që e ka fundosur

U shpall në kërkim, arrestohet pas disa orësh ish-kreu i
x

Opinion / Editorial

Pabarazia dhe varfëria - “kryeveprat” e sektit Rama

Pabarazia dhe varfëria - “kryeveprat” e sektit Rama

Pabarazia e tejskajshme, varfëria dhe “furnizimi” i përditshëm me të varfër të rinj janë “produktet” me të cilat duhet të “mburret” qeverisja e Ramës dhe jo me rritjen ekonomike groteske prej 17.5% për tremujorin e dytë prill-qershor 2021, në krahasim me tremujorin humnerë prill-qershor 2020, kur u bllokuam në shtëpi dhe ekonomia ra me 11.2 për qind.

Të gjitha ekonomitë e botës janë rritur në tremujorin e dytë 2021 me ritme të pakrahasueshme më parë, përballë tremujorit të dytë të vitit 2020. Por askush nga qeveritë e Europës dhe përtej, nuk ka patur kurajon dhe paturpësinë të mburret me një përmirësim ekonomik për inerci, pas rënies në greminë! Këtë krekosje mburraveci të sëmurë mund ta bëjë vetëm sekti Rama, duke shitur për suksese inercinë pozitive të ekonomisë, pas rënies në pikiatë nga Koronavirusi.

Pabarazia dhe varfëria u rritën në pandemi

Indeksi që nxjerr zbuluar çdo qeveri që kërkon të mburret pa baza për rritjen ekonomike, është Indeksi Gini (ose Koeficienti Gini). Ky indeks mat shpërndarjen e të ardhurave sipas shtresave të popullsisë, apo shpërndarjen e pasurisë në popullsinë e një vendi. Koeficienti shkon nga 0 (ose 0%) në 1 (ose 100%), ku me vlerën 0 kuptohet barazia perfekte dhe me vlerën 1 kuptohet pabarazia në nivelet më të larta. Sipas të dhënave të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (http://data.un.org/Data.aspx?d=WDI&f=Indicator_Code%3ASI.POV.GINI ), në vitin 2012, indeksi Gini kishte vlerën 29% për Shqipërinë. Në vitin 2014, ai kërceu në 34.6% dhe qëndroi në nivele të larta mbi 33 për qind gjatë gjithë periudhës 2013-2019. Nuk kanë dalë ende matjet zyrtare për vitin 2020, por sipas Eurostat, Shqipëria është një nga ekonomitë me pabarazinë më të madhe të të ardhurave në Europë. Një ndër elementët themelorë të pakësimit të varfërisë e përbën politika e rritjes së pagave në shtet, prej nga nxitet edhe sektori privat të rrisë pagat e tij, nga konkurrenca në treg. Por me (keq)qeverisjen Rama, nuk mjaftuan gjashtë vite (2013-2019) të mos-rritjes së pagave në sektorin publik, ndërkohë që në periudhën 2005-2012 pagat ishin rritur mesatarisht me 10 për qind çdo vit. Jo! Papërgjegjshmëria dhe indiferenca ekstreme e sektit qeverisës solli që në periudhën më të vështirë për shoqërinë dhe ekonominë shqiptare, atë gjatë pandemisë nga marsi 2020, Shqipëria të ofronte për qytetarët e saj dhe ekonominë mbështetjen më të dobët fiskale në buxhetin e vitit 2020, në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto-PBB (Fondi Monetar Ndërkombëtar, studimi “Përgjigjet e politikave ndaj Covid-19”, https://www.imf.org/en/Topics/imf-and-covid19/Policy-Responses-to-COVID-19). Qeveritë në Europë, jo vetëm ato më të zhvilluarat, aplikuan mbështetje të pashembullta fiskale, të cilat vepruan si stabilizues të mëdhenj për shoqërinë dhe ekonominë e vendeve të tyre. Në vendet e zhvilluara të Europës, masat fiskale ishin mesatarisht sa 6.2 përqind e PBB-ve përkatëse, ndërsa në vendet në zhvillim këto masa ishin më të zbehta, duke zënë mesatarisht 3.1% të PBB-ve. Në Shqipëri ato ishin edhe më të ulta, duke zënë vetëm 2.4% të PBB-së (Prodhimit të Brendshëm Bruto të Vendit). Nga tabelat e FMN-së rezulton se në Shqipëri mbështetja fiskale (shpenzime shtesë dhe shtyrje të pagesave të taksave) ka qenë më e ulta në Europë. Paketat e sektit Rama për ndihmën ndaj biznesit ishin gati inekzistente dhe dy programet e kredive me garanci sovrane dështuan, duke përdorur mesatarisht më pak se gjysmën e fondeve të alokuara prej 250 milionë dollarësh. Pjesën më të madhe të kredive të buta të programeve e morën kompani të konsoliduara, të preferuara nga qeveria, me pak ose aspak mangësi thelbësore gjatë pandemisë.

Sipas të dhënave nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, pensioni mesatar në qytet shënoi rënie në vitin 2020, duke regjistruar uljen e parë që nga viti 2000, me vlerën e 15,732 lekë gjatë vitit të kaluar, nga 16,2543 lekë në vitin 2019. Në nivel të pagave, paga mesatare në sektorin privat shënoi 48,459 lekë në vitin 2020, duke mbetur pothuajse në vendnumëro në 6 vitet e fundit. Nga viti 2014 deri më 2020, paga u rrit me 14% ose mesatarisht me 2.2%, shtim ky që është konsumuar i gjithi nga inflacioni. Gjatë periudhës 2013-2019, produktiviteti në ekonomi u rrit me 7%, ndërsa paga reale mesatare u rrit me vetëm 3%, ose 2.3 herë më pak. Pothuajse të gjithë sektorët i rritën fitimet, por hezituan t’i ndajnë në mënyrë të drejtë me punonjësit. Sipas një studimi të financuar nga Fondacioni gjerman Friedrich Ebert Stiftung (FES) në Tiranë, të publikuar muajt e fundit, 10% e popullsisë merr rreth një të katërtën e së ardhurës kombëtare të krijuar dhe 20% e saj marrin 41% të gjithë të ardhurave të ekonomisë. Ndërsa 10% e popullsisë që ndodhet në fundin e piramidës së shpërndarjes së të ardhurave, merr vetëm rreth 3% të të ardhurave, ose 8 herë më pak se ai 10% i popullsisë që gjendet në majë të piramidës. Rreth një e pesta e popullsisë në shtresën e fundit të piramidës së shpërndarjes së të ardhurave, merr vetëm 7.5% të së ardhurës kombëtare të krijuar gjatë vitit. Po sipas këtij studimi të FES, 39% e të anketuarve mendon se pasuria e krijuar nga të pasurit nuk është vënë me anë të punës së ndershme, ndërsa 43.50% beson se politikat e derisotme u kushtojnë më shumë vëmendje interesave të sektorit privat dhe pak vëmendje interesave të popullatës. Sistemi është i disbalancuar në favor të kapitalit.

Të varfrit e rinj

Shqiptarët janë ndër popujt më të rrezikuar për të rënë në varfëri në Europë. Treguesi i rrezikut të rënies në varfëri në Shqipëri ngelet në vendin e tretë më të lartë në Europë, me 23.4%. Për Bashkimin Europian ky tregues është 16.9%. Po të bëjmë një krahasim statistikor, rezulton se risku i varfërisë për shqiptarët është 38% më i lartë, krahasuar me mesataren e Bashkimit Europian. Sipas përllogaritjeve të Bankës Botërore (https://www.worldbank.org/en/region/eca/publication/western-balkans-regular-economic-report ), në 6 vendet e Ballkanit Perëndimor pandemia gjeneroi 336 mijë të varfër, ku një e treta, rreth 112 mijë, ishin në Shqipëri. Në të kundërt, në tre vende së bashku të rajonit, Serbi, Bosnjë dhe Malin i Zi u gjeneruan vetëm 42 mijë të varfër të rinj. Edhe pse Bosnja ka një popullsi më të madhe se Shqipëria dhe gjatë pandemisë shënoi rënie ekonomike më të madhe se vendi ynë, gjeneroi shumë më pak të varfër të rinj se sa Shqipëria. Në mungesë të masave qeveritare në përgjigje ndaj krizës nga Covid-19, shumica e njerëzve që ranë në varfëri në Shqipëri për shkak të pandemisë, nuk përfituan mbrojtje sociale. Humbësit më të mëdhenj rezultuan të punësuarit informalë që humbën vendin e punës. Të varfrit ekzistues dhe ata të rinj janë shtresat më të goditura nga indiferenca vrastare e sektit Rama dhe lejimi i rritjes galopante të çmimeve të mallrave të shportës gjatë muajve të fundit, ku çmimi i bukës në treg u rrit me 14%, ndërsa ai i qumështit dhe nënprodukteve të tij me 8-10%. Humbja e tejzgjatur e të ardhurave, sidomos për familjet e varfra që nuk kanë kursime, sigurime dhe mekanizma përballimi, ka dëmtuar aftësinë e tyre për të investuar në arsimin, ushqyerjen dhe shëndetin e fëmijëve, duke shkaktuar pasoja të rënda në planin afatgjatë. Pabarazia dhe varfëria, dy motorët e dëshpërimit dhe zhgënjimit të qytetarit shqiptar. Ndjenja dhe ndërgjegjësimi për pabarazinë ekstreme në shpërndarjen e të ardhurave dhe në rishpërndarjen e organizuar nga qeveria, ka gjeneruar braktisjen e lartë të vendit dhe ka ushqyer zhgënjimin e thellë dhe mungesën e perspektivës të së ardhmes në Shqipëri. Kjo është e spikatur sidomos tek të rinjtë, ku sipas edhe anketave të fundit nga institucionet ndërkombëtare, një në nëntë të rinj dëshiron të largohet nga vendi.

Pandemia dhe indiferenca qeveritare kanë goditur jo vetëm të papunët, por edhe atë pjesë të punësuar të popullsisë, që i ka të ardhurat në kufirin e varfërisë. Sipas Bankës Botërore (https://thedocs.worldbank.org/en/doc/253301590709924620-0080022020/original/RERnoteWeBapovertyimpactsCovid1920May20202ALB.pdf), në fund të vitit 2020, gati 38% e punonjësve paguheshin me pagë minimale, poshtë kufirit të varfërisë relative me 5.5 USD në ditë. Sipas të dhënave të INSTAT, që u referohen listë-pagesave në tatime, në tremujorin e fundit të vitit 2020, nga totali i të punësuarve që paguajnë sigurime, 25.6% e tyre kishin paga mujore deri në pagën minimale 26 mijë lekë, ndërsa 12% e të punësuarve merrnin pagë minimale në nivelin 30 mijë lekë. Edhe pse në mënyrë të drejtpërdrejtë, pandemia dhe mos-ndërhyrja e duhur qeveritare goditën fillimisht të punësuarit në sektorët më vulnerabël nga kriza (biznesi i vogël, të vetëpunësuarit, sektori i turizmit, fasoneria, etj.), me shtrenjtimin e çmimeve të mallrave bazë të ushqimit, vështirësitë dhe varfëria tek të punësuarit janë shtrirë edhe në sektorë të tjerë, formalë dhe informalë të ekonomisë. Qytetarët e varfër dhe të vulnerabël po përballen me kosto të larta ekonomike dhe sociale, përpos atyre të kurimit të pandemisë. Një pjesë e konsiderueshme e popullatës jo-të varfër rrezikon të bjerë në varfëri. Shpërthimi i epidemisë së COVID-19 goditi fort banorët e periferive të zonave urbane, veçanërisht ata me punë të pasigurta (informale) dhe që nuk do të mund të përfitojnë nga masat për mbrojtjen e punësimit formal. Sasia e kufizuar e kursimeve, mbulimi i dobët me sigurime shoqërore dhe përdorimi relativisht i ulët i shërbimeve publike kanë çuar në rëndim të efekteve negative afatgjata të krizës. Shtimi i dukshëm i varfërisë nga pandemia(sipas të dhënave të Bankës Botërore, nga niveli 37% në vitin 2019 në nivelin 41.5% në vjeshtë të vitit 2020) ka bërë që të shndërrohemi në vendin me përqindjen më të lartë të të varfërve në rajon dhe të dytët në Europë, pas Moldavisë. Duhet ta pranojmë me dhimbje se kemi varfëri masive dhe, me përshkallëzimin e rritjes së çmimeve, rrezikojmë që individët me të ardhura më pak se 5.5 dollarë në ditë të përbëjnë brenda një kohe të shkurtër gjysmën e popullsisë. Ja përse pabarazia dhe varfëria janë “kryeveprat” e sektit qeverisës, ndërsa ata të paktë më të pasurit, të preferuarit dhe të përkëdhelurit e Ramës, do të vijojnë të përqendrojnë në duart e tyre pasuri dhe të ardhura që nuk rishpërndahen në shoqëri, ngaqë kjo qeveri me taksën progresive takson rëndë punën dhe jo kapitalin. Tek ne është e domosdoshme të përcaktohet niveli real i varfërisë dhe minimumit jetik në vend, me qëllim që të vlerësohen drejt politikat dhe kontributi në reduktimin e varfërisë dhe të ruhet transparenca mbi shpenzimin e fondeve publike për pakësimin e saj. Për këtë, ndërhyrjet kryesore janë rritja e ndihmës sociale për fëmijët dhe të rriturit e moshuar në varfëri, lehtësimi i gjenerimit të punësimit, sidomos në qytetet e vogla dhe zonat rurale dhe përmirësimi i strehimit dhe shërbimeve sociale. Këto masa do të krijonin përmirësime të drejtpërdrejta në cilësinë e jetës për të varfrit dhe do të siguronin ulje të qëndrueshme të varfërisë me kalimin e kohës, duke rritur të ardhurat nga puna të njerëzve. Po sekti Rama nuk ka kohë dhe interes për këto ndërhyrje, tepër i zënë siç është t’u shërbejë oligarkëve dhe interesave të tyre.