BREAKING NEWS

‘Krerët e korruptuar të politikës së lartë shqiptare po kërcënohen rrezikshëm’, Spartak Ngjela paralajmëron zhvillime të bujshme në vend

‘Krerët e korruptuar të politikës së lartë
x

Opinion / Editorial

Padurimi i opozitës, ngutja e mazhorancës për betejën elektorale të radhës

Padurimi i opozitës, ngutja e mazhorancës për betejën

Në muajin më të nxehtë të vitit, korrikun që përvëlon dhe temperaturat që ngjiten çdo ditë e më shumë, i kanë bërë qytetarët më indiferentë për politikën dhe i kanë orientuar drejt bregut të detit për t`u relaksuar në freskinë e ujit të kaltër. Edhe pse kohë pandemie, shqiptarët, këtej e matanë kufirit, udhëtojnë drejt plazheve që nga Ksamili deri në Velipojë. Frekuentimi i detit, shtohet edhe pse spontan dhe jo i përditshëm. Kryebashkiaku i Himarës, Jorgo Goro në një takim në zyrën e tij në bashki,- thotë se më dendur, pushuesit vijnë në ditën e premte deri të dielën. Janë të fragmentuar dhe frekuentojnë fundjavën. Sipas tij, numri i pushuesve, ditët e fundit është rritur dhe i gjithë bregdeti që kufizon anën perëndimore të Bashkisë së Himarës, popullohet nga mijëra pushues që vinë nga Kosova, Maqedonia e Veriut, po edhe nga qytetet e Shqipërisë. Sipas Zotit Goro, kushtet në plazhet në juridiksion të Bashkisë Himarë, janë më të mira se çdo vit tjetër. Po kur njihesh me treguesit e frekuentimit të plazheve, gjatë dhe në fundjavë, jo vetëm nga Palasa, po edhe Sarandë, Lukova, Ksamili nuk ka se si ti largohesh mendimit se një temperaturë edhe më e lartë që djeg si saç më shumë se vetë dielli është vlimi i politikës. Është temperatura politike që kanë ngritur partitë në debatet e zjarrta që bëjnë për betejën e ardhshme parlamentare, sistemin zgjedhor, listat e hapura apo të mbyllura, me koalicione apo të vetëm, ku përcaktohet fituesi në sondazhe e parashikimet e deklaratat që vërshojnë lumë, duke i dhënë zjarrmisë së temperaturave natyrale, verës, një pigment gati përvëlues. Padurimi i opozitës, PD-së, LSI-së dhe partive minorene që nuk lënë rast pa ngritur zërin për të na thënë, na llogarisni edhe ne, mos na mbyllni derën, na merrni seriozisht, ndryshe u bëjmë gjëmën, sikur të prisnin me sëpatën e druvarit në dorë. Përditë, mbi shqiptarët bien rrebeshet e sihariqit mbi fitoren e padiskutuar të PD-së. Bëhen përpjekje gati titanike për t`iu imponuar shqiptarëve idenë e kryeministrit të ri, novator e burrë zotni, të opozitës, si ngjarje e sigurtë. Padyshim, fati i buzëqesh, buzagazit Lulzim dhe ngazëllehen tërë kori opozitar. Për të na imponuar kryeministrin e ri, janë angazhuar portalet, opinionistët, analistët, propaganduesit, tellallët, zëdhënësit, sondazhistët, pranë PD-së, familjes Berisha e zotit Ilir Meta. Për opozitën është gati e përfunduar puna e kryetarit të ri të qeverisë, mbeten vetëm ministrat, puna e të cilëve pret sigurisht. Formaliteti i zgjedhjeve, të cilat janë gati në distancën e një viti nga sot ka ngjallur padurimin e opozitës dhe ngutjen e mazhorancës. Kjo nuk ka asnjë vlerë për entuziastët e pesimistët. E rëndësishme, është të joshen militantët, t`u thuhet përditë shqiptarëve, se lodheni kot. Qeveria është e jona. Qeverinë e ardhshme e ka në kupë opozita. Besojeni. Na dëgjoni. Mos kundërshtoni. Binduni! Ju do jeni dëshmitarë që kjo është një aksiomë e cila nuk ka nevojë për vërtetim. Dhe bombardohet tërë opinioni me idenë se është thjesht formalitet pasi ai, Basha, është që sot në postin e vet. E thonë këtë, portalet në zemër të opozitës. Sondazhi i organizuar nga portali i Ben Blushit, interpretuar shkencërisht nga platforma propagandistike e Berisha junior. E deklarojnë tërë pretendentët për ministra dhe deputetë. Seç ka një padurim ekstrem për të nxituar drejtë fushatës së re zgjedhore, së paku dukja, ende e papërcaktuar data, pasi presidenti pret t`i vijë radha kushtetuese. Pak rëndësi ka, shpallja e zgjedhjeve nga presidenti. Bile me këtë turravrap që ka ndërmarrë opozita me paraqitjen triumfatore që shpalos në çdo minutë në njëzetë e katër orë, asgjë nuk ka më vlerë. Fitorja është shpallur, duke na kujtuar proverbin e njohur “babai pa lerë, djali është bërë shofer”. Nuk janë vetëm sondazhet që kërkojnë të imponohen, si tregues shkencor. Sondazhe që realisht kanë frymën e vulën e subjektivitetit. Bëhen nga njerëz të PD-së, ata që i qëndrojnë para- prapa tërë ditën pretendentit për kryeministër. Padurimi për shpalljen e fitores, pa u zhvilluar beteja elektorale dhe garancia e fitores së sigurt, është dëmi më i madh që i bëhet kryeministrit në pritje, Basha. Ata që i bëjnë jehonë dhe promovojnë kryeministrin e ri, sikur të ishin vetë zotat që dinë dhe bëjnë gjithçka, si të ishin lexues të filxhanit, të interpretonin pa asnjë pengesë letrat e fatit. Bëjnë propagandë dhe joshin ëndrrat e kryeministrit në pritje. Janë duke i bërë kryeministrit të vetëshpallur, dëmin më serioz nga i cili do marri plagë të rënda nëse nesër në zgjedhje shqiptarët do t`i thonë qëndro në opozitë. Nuk është e thënë pas tetë vitesh nuk ka mundësi të marrësh edhe një fitore tjetër. Kjo varet nga bilancet. Perceptimi i popullit, votuesve, besimi dhe diferenca që u bëjnë atyre që sot janë në pushtet, krahasuar me ata në opozitë. Në njërin krah numërohen veprat dhe dobësitë, arritjet dhe progresi, përballimi i dy pandemive të rrezikshme që kaloi populli ynë, fillimisht atë natyror të 26 nëntorit dhe sot me pandeminë që ka tronditur jetët njerëzore dhe tërë shoqërinë. Janë të shumtë treguesit, indikatorët që përdoren për t`u thënë shqiptarëve se opozita dhe liderët e saj, janë në prag të pushtetit. Më shumë shantazhi se sondazhet, se fitorja miklon opozitën. Qershia mbi tortë, Lulzim Basha kryeministri i nesërm. Nuk është vetëm opozita në padurim. Ngutje, nxehje, shpejtim, vihet re edhe në frontin mazhoritar. Kanë nisur takimet rajonale. Janë thirrur deputetët e Parlamentit. Janë takuar kryetarët e partisë së bashkive dhe përfaqësuesit në qarqe. Njëherësh, ka nisur beteja për reformën zgjedhore me negociata treshe. Partia Socialiste, kryeministri, ka ndezur motorët e mobilizimit të elektoratit dhe vëzhgon imtësisht për të përcaktuar ekipin me të cilin do zbresin në fushën e lojës. Shumë nga lojtarët e ekipit mazhoritar, janë të lodhur. Jo pak prej tyre, kanë pësuar tërheqje muskulore e dëmtime të tjera që kërkojnë rikuperim. Në këto kushte, socialistët, janë duke hedhur sytë te figura të pakonsumuara dhe reputacion në opinionin e gjerë. Ashtu siç opozita në radhët e saj thërret të vjetrit, të ikurit, plëngprishësit. Socialistët kanë zgjatur duart drejtë artistëve dhe individëve që kanë reputacion dhe janë të pëlqyeshëm nga elektorati. Njëri prej tyre është aktori i njohur Gaz Paja. Ndoshta do ketë edhe të tjerë. Paja është në kërkim të votave në Tiranë. Po janë edhe figura të njohura në bashkitë e qyteteve që piketohen si lojtarë të ekipit të skuadrës mavi. Edhe pse zgjedhjet janë ende larg një vit, ekipet kanë nisur nxehjen. Trajnerët janë në padurim dhe nxitim. Ekipi opozitar me trajner de jure Bashën dhe faktikisht Berishën, kanë përcaktuar edhe drejtuesit e fushatës, hartuar programe e skicuar strategji të së ardhmes. Të njëjtën gjë po bën edhe trajneri Rama. Kudo në selitë e partive ndihet shqetësimi, ankthi si do të dalin para qytetarëve. Premtimet nuk mjaftojnë. Njerëzit janë velur nga fjalët. Buzëqeshjet nuk joshin. Në këtë betejë, secila palë përgatit skenarin dhe strategjinë e vet. Socialistët me ato që kanë arritur. Opozitarët, PD, LSI dhe partizat rreth tyre me premtime e përbetime, akuza, mohime. Opozitarët i kanë pasuruar akuzat edhe me mosmenaxhimin e pandemisë dhe korrupsionin e qeverisë. Opozita është në padurim. Mazhoranca në ngutje dhe nxitim. Presidenti porosit për qetësi dhe dashuri sipas motos së njohur: Prisni, prisni, prisni!Deri sa të vendosi me dekretin e tij. Në vend të një muaj fushatë elektorale, këtë herë me padurimin e opozitës dhe ngutjen e mazhorancës, do zgjasë pa kufij.