BREAKING NEWS

“Meta si oktapodi”, shpërthen Frrok Çupi dhe lëshon paralajmërimin ‘bombë’ për Presidentin: Çështja e floririt do të...

“Meta si oktapodi”, shpërthen Frrok Çupi dhe lëshon
x

Opinion / Editorial

Padurimi për të shpallur atentatorët zgjedhorë!

Padurimi për të shpallur atentatorët zgjedhorë!

Prej kohësh para nisjes zyrtare të fushatës elektorale për zgjedhjet e 25 prillit 2021, janë vënë re përpjekje të ethshme dhe një padurim i pajustifikueshëm, së paku për një vend që pretendon për demokraci funksionale për t`u veshur zgjedhjeve kostumin e dhunës. Nga shumë zëra, fatkeqësisht opozitarë, bëhen parashikime ogurzeza që shprehen jo vetëm përmes kërcënimeve, po edhe parashikimeve pa asnjë objektivitet se do ketë dhunë, se do intimidohet opozita, se ka presione ndaj zgjedhësve, se administrata është vënë në shënjestër, u kërkohet numër maksimal votash. Patronazhistët bëjnë kërdinë në një kohë kur bëjnë vetëm detyrën si veprimtarë aktivë si tek të gjitha partitë tona politike. Dhe vijohet me fantazitë se do ketë patjetër vrasje dhe gjak. Gjithmonë nga ana e qeverisë sipas kasnecëve të dhunës. I deklarojnë si pa të keq dhe të nesërmen po vetë i besojnë, si ngjarje që kanë ndodhur ose do ndodhin me patjetër në një kohë kur qytetarët shkojnë në takime me kandidatët sipas bindjeve të tyre politike, dëgjojnë programet, njihen me premtimet dhe objektivat, shikojnë me sy të lirë dhe dëgjojnë për ato që duhen bërë dhe të tjerat që ende nuk janë kryer. Pyesin, komentojnë, kritikojnë dhe largohen të qetë në shtëpitë e tyre apo në shëtitje për relaks. Shqiptarët nuk e kanë për herë të parë votimin për shumë parti. Që me rënien e sistemit komunist para tri dekadash kanë pranuar të hynë në fushën e betejës zgjedhore me një numër të pafund partish dhe kanë zgjedhur sipas bindjeve dhe preferencave të tyre, pa u ngatërruar në numra e nuk u janë nënshtruar presioneve edhe pse në jo pak raste kanë qënë të ashpra deri tek rrahjet dhe burgosjet e komisionerëve apo numëruesve. Kemi përjetuar drama të tmerrshme që nga viti 1992, veçanërisht në zgjedhjet e vitit 1996, ku opozitarët e sotëm i vunë socialistët nën terror të vërtetë dhe mbushën kutitë me dhunë, duke larguar nga procesi tërë mbikëqyrësit e palës opozitare dhe duke çuar në Parlamentin shqiptar, vetëm deputetë të PD-së, shitur kjo si mbështetje mbarëpopullore. Nëpër shtigje e lugina, rrugë e rrugica, autostrada e stadiume, u përdor tërë arsenali i “armëve” nga shishet e ujit, vezët, domatet e boja për të frikësuar e penguar kundërshtarët politikë. Aksione që të gjithë i kemi përjetuar. Sot dhunuesit permanentë të zgjedhjeve shiten si të virgjër dhe vrapojnë në kërkim të rasteve për t`i përgjithësuar si atentate kundër opozitës për të krijuar terror zgjedhor. Seç ka një padurim dhe turravrap si të marrosur për të etiketuar atentatorët zgjedhorë që gjithnjë paraqiten si të rekrutuar nga qeveria dhe mazhoranca e majtë. Shqipëria në këto tri dekada ka pasur jo pak raste të incidenteve zgjedhore deri dhe vrasje për shkaqe politike. Po këto nuk kanë qenë nga radhët e socialistëve fatmirësisht. Nëse do ishin, janë njëlloj të dënueshme dhe drejtësia duhet të bëjë punën e vet të pavarur nga politika, po vetëm në ballafaqim me ligjin dhe provat e pakontestueshme. Ngjarja në Kavajë, ku Ndriçim Jonuzi, që ka qënë i njohur në qytet edhe si mbështetës i PD-së dhe që nuk e ka për herë të parë të nxjerri armën dhe ta drejtojë ndaj bashkëqytetarëve të tij, vite më parë ka plagosur shoferin e deputetit socialist, Ejup Tabaku, i cili edhe sot pas shumë vitesh vuan pasojat e plagosjes me dashje. Po kështu, Jonzi njihet edhe si mbështetës i Engjëll Carës i Partisë Demokratike. Pra është militant, i cili ka mbështetur gjatë tërë kohës opozitën e sotme dhe ka biografi të njohur si individ problematik. Ishte pikërisht Ndriçim Jonuzi, i cili për motive të dobëta sipas komunikatës së policisë zbrazi armën kundër një aktivisti të PD-së. Akt i shëmtuar dhe i dënueshëm ky për të cilin askush nuk e justifikon. Sapo u dëgjuan krismat, ende pa thënë asgjë policia dhe organet e drejtësisë, lidershipi i opozitës, së pari zonja Grida Duma që gjendet më afër Kavajës, po edhe Lulzim Basha, u nisën me urgjencë në Kavajë. Pa vonuar asnjë sekondë, Presidenti, Shkëlqesia e Tij, Ilir Meta, deklaroi se sapo të hante iftarin në Elbasan dhe të takohej me shtabin elektoral të LSI-së, do shkonte urgjent në Kavajë për t`u solidarizuar me të plagosurin, të cilit me këtë rast i urojmë shërim të shpejtë dhe mos pastë asnjë pasojë nga plagosja që ndodhi, duke qenë në krye të detyrës si aktivist, siç janë me mijëra të tjerë në Shqipëri. Pas plagosjes, kandidati për deputet i Kavajës, përfaqësues i PS, u distancua në sekondë dhe e dënoi këtë akt, duke i dhënë mbështetje maksimale të dëmtuarit dhe kërkoi nga policia dhe organet e zbatimit të ligjit të kapet dhe dënohet atentatori. Deri këtu mirë. Po si u interpretua ky atentat nga liderët e politikës? U trajtua dhe u shit si një atentat kundër demokracisë. Kundër opozitës. Zonja Duma e gjeti edhe atentatorin para se policia të kryente detyrën. E sigurt, e bindur se e dinte cili ishte, tha se janë kushërinj të Edi Ramës?! Edhe mund të ishin. Këtu nuk ka asgjë të pamundur. Po pse pikërisht Rama, i cili në atë moment gjendej në Korçë në takim me mbështetësit e vet në stadiumin e qytetit do zgjidhte një nga njerëzit e tij të afërm dhe nuk do ia besonte këtë vepër një personi të panjohur për t`i shpëtuar edhe akuzave të opozitës, e cila i ka në majë të gjuhës deklaratat se kjo qeveri është bandë dhe qeveritarët janë thjesht kriminelë? Të bësh lidhje kaq të shkurtër do të thotë naivitet në politik. Të jesh i pastërvitur dhe njëherësh i pamençur. Politikanët që nga Basha deri tek Meta duhet të durojnë që të flas e para policia dhe të presin faktet dhe provat, të cilat nuk mund të supozohen dhe jo të gjitha janë sipas mendjes së atyre që kërkojnë me qiri incidente për të bërë pis zgjedhjet dhe më pas të akuzojnë qeverinë se po vret opozitën dhe bën terror. E gjithë kjo, është një skemë e skicuar nga regjisorët që qëndrojnë në krye të opozitës tre dimensionale pasi së fund është bërë e njohur se në krye të aksionit opozitar, herë duke deklaruar që do rrëmbejnë armët, do prehen kosoret, sfurqet, shpatat, do zbresin çetat nga Skrapari në Vlorë për të hedhur në det mazhorancën dhe më pas të deklarojë nëse opozita nuk merr 90 deputetë, atëherë do këtë revolucion, sikur jemi në një eksperiment në laboratorët e kimisë apo biologjisë, ku edhe atje ka rregulla e parime dhe produktet e përfituara nga proceset kimike kanë ligjësi ekzakte shkencore dhe nuk bëhen sipas dëshirës. Po vetëm pas disa orësh e tërë stuhia e liderëve të opozitës u shndërrua në një puhi mbrëmjeje. Vetë Ndriçimi deklaroi se si kishte ngjarë dhe kujt force politike i kishte shërbyer prej shumë vitesh. Ku mbeti opozita dhe ku shkuan akuzat e tyre? Në realitet nga sa vëzhgojmë fushatën elektorale në mes të qytetarëve nuk ka asnjë sherr. Si nga ata që kërkojnë një mandate të tretë edhe nga populli opozitarë. Deri sot, dhuna ka qënë në anën e opozitës që me rrahjen nga ish-deputeti i PD-së të biznesmenit të peshkut në Elbasan deri tek djegia e shkatërrimi i qendrave elektorale në Gramsh, Fier e Berat. Po nëse qytetarët kanë idetë e bindjet e tyre dhe dëshirën për të fituar preferencat e tyre politike, liderët që drejtojnë, acarojnë situatën dhe përpiqen t`i japin fushatës elektorale, tone të ashpra dhe kërkojnë me të gjitha format që të ketë shkatërrim të procesit, dhunë mes palëve deri edhe gjak. Është e çuditshme që flitet kaq shumë për gjak, sikur jemi ballë për ballë me armiqtë dhe jo mes shqiptarëve që kërkojnë të forcohet demokracia dhe të jetojnë në një shtet të paqtë e të drejtë, të begatë dhe me mirëqënie për familjet e tyre. Kërkohet me çdo kusht në rrugët tona, atje ku kalojmë përditë në sheshet e qyteteve dhe klubet e fshatrave, në zyrat elektorale sot e në qendrat e votimit nesër, të ketë dhunë. Mundësisht të ketë gjak. Të plagosur, të gjymtuar. Dhe njihen nga të gjithë shqiptarët se cilët kërkojnë. I dinë me emër dhe mbiemër, me poste e me origjinë, cilët janë sepse vetë ata nuk e fshin mllefin dhe urrejtjen si dhe etjen dhe padurimin për të gjetur dhe shpallur atentatorët kundër zgjedhësve dhe zgjedhjeve. Në realitet, ky është atentati më i rëndë që i bëhet demokracisë dhe Shqipërisë. Kjo është rruga pa krye që nuk të çon askund, vetëm që shton plagët mbi trupin e Shqipërisë. Qytetarët tanë nuk e duan dhe përbuzin dhunën dhe dhunuesit. Ata janë shumë më të qartë në rrugëtimin e tyre drejt demokracisë dhe kutive të votimit, të cilat i shikojnë si festë të demokracisë dhe jo të zezën e Shqipërisë. Padurimi për të shpallur atentatorët zgjedhor, fiks në javën e fundit të zgjedhjeve, është një thirrje për më shumë vigjilencë dhe shtrëngim të masave për ruajtjen e qetësisë dhe harmonisë mes shtresave shoqërore dhe pengimi me çdo çmim i rasteve të dhunës qoftë edhe nga individë problematikë. Dhe dhuna ekstreme në përmasat e aktit terrorist, ku bodigardi i Gazment Bardhit qëlloi pa mëshirë kundër doktor Xhuvanit, që i mori jetën në emër të mbrojtjes së votës dhe plagosi katër qytetarë mes të cilëve dhe një police 27-vjeçare, është dëshmia dhe prova më e pakontestueshme se cilët janë ata që qëllojnë pa mëshirë kundër qytetarëve shqiptarë. Elbasani u bë përsëri fushëbeteja e dhunës dhe atentati ishte prelude i saj. Ai që qëlloi ishte dora e urdhëruesve dhe atyre që organizojnë aksionin opozitar, duke kërkuar të terrorizojnë votuesit në emër të demokracisë. Dhe vrasja shumë shpejt u mor në mbrojtje nga ata që të vrasin natën e të qajnë ditën edhe sepse kjo ndodhi në mes të qytetit ku u qëllua një kryefamiljar, një intelektual, vetëm se është angazhuar në fushatë dhe nga LSI ka kaluar në një forcë tjetër politike. Fill pas atentatit ata që i kërkojnë atentatorët me qiri nuk munguan të shpifin dhe të akuzojnë viktimën për kriminel dhe vrasësin ta shpallin hero të demokracisë që mbron votën e popullit kur ende votimi është me ditë larg?! Liderët që ngritën zërin në qiell për Kavajën, ku ishte një plagosje nuk u distancuan nga një masakër dhe kur e njohën ata që kreu krimin. Rasti është kushtrim për vigjilencë. Policia duhet të qëndrojë në lartësinë e detyrës. Të mbrojë e neutralizojë keqbërësit dhe ata që përdoren apo nxiten akte vandaliste. Ngutja dhe padurimi për të shpallur atentatorët zgjedhorë edhe në rastin e Kavajës vetëm pak orë zgjati. Atentatori na doli se nuk ishte kushëri i Edi Ramës që aq shumë do ta donte Grida dhe të tjerët që vrapuan të shpallin akt kriminal të qeverisë dhe kryeministrit. Po doli fiks njeriu i PD-së, mik me ta dhe mbështetës i tyre. Edhe ai nuk e bëri për arsye politike po ordinere. Ai mund të ishte edhe një individ i zakonshëm. Pa parti. Ç`rëndësi ka! Ai është vrasës gjakftohtë, i cili për atë që bëri duhet të marri dënimin e merituar. Kjo është detyrë e organeve të drejtësisë, po jo e politikës. Tani që u vërtetua se atentatori nuk është i rekrutuar nga qeveria që është mbështetës i PD-së dhe militant i njohur për shumë vite, ku mbetet prestigji i atyre që u shfrenuan me fantazinë e tyre se qeveria nisi të vrasë njerëzit e opozitës? Kjo më e pakta është politikë dritëshkurtër. Është strategji për t`i vënë minat procesit. Për ta bërë pis në sytë e botës Shqipërinë. Pas këtij akti krejt ordiner që iu dha kaq shumë suport politik, janë organet ligjzbatuese që duhet të mbajnë sytë hapur sepse provokacione të tilla, nxitje dhe paraqitje si të jenë atentate ndaj zgjedhjeve do kërkohen me sforco të madhe për t`u vënë bazë ankesave të nesërme në rast se populli do t`i besojë mazhorancës një mandat të tretë. Ndaj kërkohet vigjilencë dhe kujdes maksimal. Kavaja ishte rasti i parë që u demonstrua padurimi për të gjetur atentatorët zgjedhorë. Ishte starti për bërë pis procesin e zgjedhjeve të 25 prillit!