BREAKING NEWS

Kryeministri Edi Rama publikon videon që në mëngjes dhe jep mesazhin e rëndësishëm përmes fjalëve të ambasadorit Soreca dhe ministrit Bledi Çuçi

Kryeministri Edi Rama publikon videon që në mëngjes dhe jep
x

Opinion / Editorial

Pajtimi i Metës, qetësimi i Ramës, revolta Basha-Monika, bosht politika!

Pajtimi i Metës, qetësimi i Ramës, revolta Basha-Monika, bosht

E gjithë politika në vendin tonë, sikur mos të jetonim në një kohë të vështirë, ku shoqëria shqiptare është angazhuar në betejën më të madhe të shekullit, në mbrojtje të jetës, ku koronavirusi ka bllokuar gjithçka, ekonominë, shoqërinë dhe na ka futur në karantinë të thellë, vërtitet rreth një boshti të vetëm: Pothuaj si në një kor i kurdisur, si orët e prodhimit zviceran të fillim shekullit, këndohet kënga: Meta është pajtuar me Ramën. Vetë Rama është qetësuar me Metën. Monika është revoltuar me varfërinë dhe krizën për bukën e gojës dhe bën Kasandrën për muajt që vinë, se uria do pllakosë Shqipërinë. Basha ka shfrenuar fantazinë dhe ka nisur lojën me reformën zgjedhore, sipas stilit hiq e vur, ngul e shkul, sot thotë po e nesër, kurrë, jo. PD dhe LSI janë të shqetësuar dhe të trishtuara, jo për situatën në vend, po për ngecjen e rrugëtimit për pushtet, çdo reformë e duan si e dinë vetë. Sikur këtu në atdheun tonë, të ishin të gjitha në vijë, të ecte ekonomia, të ishte zhdukur varfëria, të vërshonin turistët, të nisnin aktivitetin bizneset, të kishte marrë fund pandemia, të ishin rritur pagat, eliminuar korrupsioni, miratuar reforma zgjedhore, ajo në drejtësi, forcat politike të ishin bashkuar në një platformë mbarëkombëtare për të miratuar reformat e mëdha që gjenden para shtetit shqiptar, si detyrim kombëtar e ndërkombëtar, tërë fokusi i politikës është pykëzuar në lëvizjet, ashpërsimet, pajtimet, qetësimet e Metës, Ramës, revoltimin e Monikës, Berishës, Bashës. Me ta fillon dhe mbaron debati. Ata për asgjë tjetër nuk i ha meraku. Për asgjë që i dhemb Shqipërisë. Si të ishte plotësuar në kohë, Gjykata Kushtetuese dhe ajo e Lartë. Të ishte kryer rindërtimi post tërmetit dhe të shikonim si faktorët politikë kanë reflektuar në një moment të vështirë kur e gjithë shoqëria vuan privacionet nga Covid-19, politika është strehuar në bunkerin e propagandës dhe flet e flet për sjelljen e politikanëve tanë, për jetën e tyre, ku i kanë fëmijët, në cilët shtete, në cilën vilë jetojnë, në cilat male marshojnë, në cilat universitete fëmijët u studiojnë, në cilat kolegje?! Sipas replikopolitikës janë pajtuar, kanë tradhëtuar, janë relaksuar, afruar, larguar, urtësuar apo qetësuar. Nuk ka asgjë tjetër në skenarin politik, veç hidh e prit, diku batuta, premtime, falsifikime, vendime, akuza, mallkime si në tërë këto vite. Shikoni, ai Presidenti, ka miratuar ligjet, është bërë njësh me qeverinë, ka njohur kodin, ndryshimet që gllabërojnë lirinë. Trishtim i thellë se nuk ka vazhduar më me melodinë që Kuvendi miraton e ai nuk dekreton. Se gjatë këtyre ditëve ka veshur petkun e njeriut babaxhan që punon me qetësi e dashuri, ashtu siç është edhe deviza e shpallur prej tij. Sikur ka harruar së fundmi Alenden e Mic Sokolin, revolucionin dhe mitingjet e mëdha, si atë të dy marsit që ishte fare hata dhe është bërë institucional, i paanshëm, mbi palët, larg nga rrugëtimi i opozitës jashtë Parlamentit dhe jetës së vendit. Do ishte vërtet gëzim i madh të shikonim një konvergim logjik dhe real të politikës, bashkimin e forcave, secili në frontin e vet që presidenti të ishte vetëm president, kryeministri kryeministër, lideri i opozitës në pozicionin e vet. Të mos akuzonin qeverinë si ortake me krimin. Është normale të shkojmë bashkë Metën e Ramën, Bashën e Ballën, Palokën e Bardhin, Alimadhin, Klosin, Monikën, Tit Vasilin e Manjanin. Kjo nuk do ishte fshirje e pluralizmit. Do ishte një mrekulli dhe larg nga realiteti, thjesht fantazi, eutopi. Nga se kanë frikë tërë faktorët tanë në politikë, që bashkohen vetëm kur protestojnë, Rama ik? Kështu ngjanë në pozitë e opozitë! Po nuk ka asnjë arsye të gjykohet se kundërshtarët nëse nuk janë armiq, nëse nuk përplasen e goditen, sakatohen e vriten, janë miq dhe kanë hequr dorë si liderë të fortë politikë. Askush nuk pretendon se do ketë barazi një ditë mes atyre që bëjnë politikë. Se do shuhet kundërshtimi dhe do marrë udhë pajtimi. Dhe ky është faktor që ndikon në forcimin e demokracisë dhe i hap rrugën integrimit në BE të Shqipërisë. Se pa polemikë nuk bëhet politikë. Po realiteti në politikën shqiptare, duket se nuk ka ndryshuar hiç fare. Edhe pse shigjetohet afrimi Meta -Rama dhe shpallen tradhtarë që të dy, njëri se e ka xhan qeverinë dhe tjetri shpirt presidentin, se nuk e shkarkon Kuvendi Ilir Metën. Se Monika Kryemadhi na thotë si të ketë lexuar filxhanin, se po afron një virus edhe më i madh se gjithë pandemitë e kohëve që lidhet me mungesën e bukës së gojës. Deklaratë që u shoqërua me lajme bombastike, ndërprerjen dhe vështirësinë e importit të miellit nga Rusia dhe parashikimi ogurzi se do zhytet në uri Shqipëria, është bërë boshti i tërë politikës, fjala e parë dhe e fundit, është relacioni i marrëdhënieve Rama- Meta-Monika-Basha-Berisha, që njëri është pajtuar, tjetri qetësuar dhe të fundit janë revoltuar. Sikur shoqëria shqiptare të mos kishte kaq shumë halle, e gjithë politika është reduktuar në këto dy- tri pika. Dhe e tërë kjo histori na kujton si vite më parë në Berat kur sherri Nano-Meta ishte në kulmin të acarimit, një grua socialiste, kuptohet e sinqertë dhe e devotshme, deklaroi para gjithë shqiptarëve se: “Nuk duam asgjë, as gjellë, as ujë, as energji. Le të mbetemi pa bukë e pa shtëpi! Pa oriz e sheqer. Pa para në xhep e pa punë, vetëm Nano-Meta të pajtohen dhe sherreve t`iu largohen”. Kaluan vite dhe ja kur e gjithë politika, mediumet e analistët, shtypi i shkruar dhe ai viziv nuk bëjnë asgjë ndryshe, po shkruajnë të njëjtën histori, atë të shuarjes së akuzave mes Metës dhe Ramës. Iku nga roli i krye opozitarit presidenti, deklarojnë ata. E la në baltë Bashën, o vëlla. E braktisi protestën. U afrua me Ramën. U puthën, u ngjitën, u shkrinë. Dhe fill pas kësaj nisin llogarinë. Me sa duket jemi para drekës së dytë të ngjalave për ta rindarë tepsinë. Se ka një të fshehtë të madhe këtu, ia fusin disa kuturu. Duket se po vjen kompromisi. Ju më lini presidencën dhe unë ta lë qeverinë në rrugëtimin e vet dhe mos ta shpall Parlamentin mbretin e krimit. Në realitet përpjekjet që bëhen nga politikanët, inkurajuar tërësisht nga opinionistët e analistët, këndohet e njëjta këngë dhe luhet e njëjta melodi. Dhe politika shpaloset, sa tragjike aq edhe komike. Tek Rama-Meta, Berisha-Basha është drejtuar vështrimi. Bëhen llogari. Maten opinionet. Bëhen sondazhe. Shpallen miqtë, etiketohen armiqtë. Demokratët nxitojnë të deklarojnë se nuk ka koalicion me LSI. Qetësohen demokratët në rrethe. Premtohet se nuk do ketë asnjë marrëveshje. Dhe deri tani, aleati më i madh dhe dera e shpresës, mbulohet me tisin e harresës. Dhe nisin bataret. Zgjohen kujtimet. Nisin mallkimet. Kujtohen akuzat e mëdha. Nga socialistët shtrëngohen buzët, vrenjten vetullat, ngrihet zëri dhe vërshojnë ankesat. Na u afrua kryetari me Ilirin! Kështu bëjnë udhëheqësit tanë! Sot të kanë armik, nesër të bëjnë kryemik. Dhe vijojnë llogaritë, si do ndahen tepsitë, cilët do drejtojnë timonin! Kush do jetë ulur në tavolinën e pushtetit dhe cili do jetë roli i kryeministrit, po i presidentit? Të gjithë të pakënaqur me të gjithë. Dyshuese shumica, e hidhëruar pakica. Kështu llogarisin llogaritarët, ata që tërë kohës demokracinë e kuptojnë si dajak dhe betejë mes faktorëve politikë dhe janë të lumtur kur bërtasin me zërin plot: Rama ik! Realisht asgjë nuk ka ndryshuar. Presidenti qëndron në kullën e tij. Po kështu edhe kryeministri në kryeministri. Të gjithë vrojtojnë, gjithë të tjerët. Edhe më skeptikët ata që menduan se erdhi pajtimi dhe u flak tutje zemërimi, se më në fund klasa politike u relaksua, u bashkua, doli se është imazh gabim se në asgjë nuk ka ndryshim. Asnjëri pe nuk ka lëshuar. Të gjithë janë në të njëjtën llogore. Askush nuk lëshon pe, asnjëri një centimetër timon. Ngushtimi i politikës në spektrin shqiptar, pykëzuar në debatin Rama me Metën, revolta e Bashës e Monikës, është i gjithë boshti i politikës.