Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Panair libri në emër të panairit

Postuar: 17/11/2018 - 07:12

 E vizitova panairin e Librit në ditën e dytë të tij. Ajo që më ra në sy, ishte numri relativisht i lartë i Shtëpive Botuese, titujt pafund, dhe një shpurë jo e vogël njerëzish që më shumë preferonin të shëtisnin se sa të blinin. Personeli i atashuar në stendat respektive përpiqeshin maksimalisht t’i joshin njerëzit drejt titujve të caktuar, kryesisht autorë të huaj, duke bërë edhe rezyme të shkurtër në lidhje me temën që trajtonin. Pothuajse asnjë referencë për autorët shqiptarë. Kjo tregon një lloj kompleksi inferioriteti për produktin vendas dhe mbivlerësim, konformizëm permanent për të huajën. Në anën tjetër zhvilloheshin promovime shtampa, në grupe të vogla pjesëmarrësish, për autorë vendas (kryesisht të njëjtët e çdo seneje, që presin të nënshkruajnë autografe), në një ambient të zhurmshëm nën praninë edhe të kamerave. Dhe si autor dhe dashamirës i artit, kulturës dhe gjuhës shqipe u ndjeva ligsht. Nuk ndjeva asnjë lloj gëzimi dhe me zor po qëndroja aty brenda. Legjitimimi apriori i një letërsie shqipe në diskriminim të plotë përballë asaj europiane dhe botërore është një non sens, një paradoks që nuk shqetëson askënd në këtë vend. Duket ashiqare se libri artistik në bilancet financiare të këtyre enteve botuese zë një pjesë fare të vogël dhe me gjasë sigurimi i fondeve publike në botimin e librave shkollor, revistave, broshurave, dokumentacioneve të ndryshme, apo prej organizatave dhe fondacioneve që synojnë përhapjen e materialeve fetare është bërë një praktikë e njohur. Natyrisht këto ente, janë private dhe synimi kryesor i tyre është maksimalizimi i fitimit. Kanë pretendimet e tyre në lidhje me institucionet përgjegjëse shtetërore, për t’ju krijuar lehtësira, ulur dhe pse jo zeruar taksat, sepse malli i tyre nuk është çfarëdo. Çdo kosto e shtuar rrit çmimet dhe ndikon negativisht në thithjen e lexuesve, sidomos të brezit të ri. E para që doja të theksoja, është se ky format promovimesh është tepër i vjetruar. Mund të bëheshin paraprakisht në auditore më të zgjeruara akademike, shkollash të mesme, apo universitare, të tërhiqej edhe mendimi i tyre, të krijoheshin anketa përshtypjesh mbi bazën e të cilave të evidentoheshin edhe autorët më të preferuar vendas apo të huaj dhe shtëpitë botuese serioze, avangardë. Që në realizimin e një libri nisen thjesht nga kritere profesionale, kulturore, të ardhmërisë, dhe jo qokash (për vendasit), dhe tendencën për komportimin e të huajës, e cila shihet si më me pak risk. Rregullimi i raporteve midis tyre dhe autorëve, vlefshmëria e kontratave që lidhen, përcaktimi i objektit të veprimtarisë, do t’i bëjë më të përgjegjshme dhe të hyjnë realisht në ekonominë e tregut të lirë dhe konkurrencës së ndershme. Do ndikojë në uljen e këtyre enteve në numër dhe në një performancë më cilësore në të gjitha aspektet. Në situatën aktuale përngjan me llotot apo lojërat e fatit, ku të masakruarit janë autorët vendas të cilët përveçse ekonomikisht, rrënohen edhe në pikëpamje morale sepse konsiderohen mall shtojcë, pa vlerë. Kjo shumësi ka krijuar terrenin e përshtatshëm për mbingopjen e tregut dhe varrosjen e vlerës së vërtetë, nën një mal skarcitetesh, tallavash dhe folkorizmash. Më tej, tituj të kësaj çorbe apo garniture, sipas ligjit për ISBN-të, katalogohen edhe në Bibliotekën Kombëtare edhe gjetkë (!). Në përfundim nuk kemi nevojë për panaire libri fasadë, por për strategji, për rregullimin e problematikave dhe gjetjen e një zgjidhje afatgjatë. Përndryshe në vend të vëmë vetullat po nxjerrim sytë dhe do vazhdojmë të qorollepsemi.

Nga Luan KURTI

 

 

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 13

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 09/12/2018 - 07:17

 Përpjekjet për të vënë shenjën e barazimit mes dy dhjetorëve dhe për të përfituar frytet e një lëvizjeje masive studentore, e cila deri tani në thelb ka disa kërkesa dhe që mundet nesër të përparojnë dhe me të t

Postuar: 09/12/2018 - 07:16

 Në ditën e shpallur nga Sali Berisha si "dita e Rinisë" dhe sigurisht e

Postuar: 09/12/2018 - 07:14

 Ka më shumë se një muaj që banorët e unazës se re protestojnë ditë e natë, në mbrojtje të b

Postuar: 09/12/2018 - 07:13

 Nuk është vetëm dufi i studentëve.  Protesta e tyre ka trazuar gjithë shoqërinë.

Postuar: 08/12/2018 - 07:22

Ҫdo vit, miliona njerëz detyrohen të largohen nga shtëpitë e tyre dhe të kërkojnë strehë si refug

Postuar: 08/12/2018 - 07:21

Njohja me një vendim për ngritjen në Shqipëri, të varrezave të ushtarëve grekë të vrarë gjatë Luf

Postuar: 08/12/2018 - 07:20

Një opozitë që nuk frymëzon! Është ky konstatimi që e bën kushdo në këtë vend.