BREAKING NEWS

Shokuese/ Përdhunoi vajzën që shkoi të denonconte përdhunimin nga disa persona, kush është shefi i lartë i Policisë: I kërkoi favore seksuale dhe mbesës së shkrimtarit të madh Martin Camaj

Shokuese/ Përdhunoi vajzën që shkoi të denonconte
x

Opinion / Editorial

Pandemia e COVID-19: Ndikimi në ekonomi dhe roli i KLSH

Pandemia e COVID-19: Ndikimi në ekonomi dhe roli i KLSH

Organizata Botërore të Shëndetësisë, më 11 mars shpalli pandeminë botërore si rezultat i përhapjes dhe efekteve të virusit të ri COVID-19, duke u bërë pandemia e dytë botërore e shpallur në këto kohë pas HIV-AIDS. Sot numri i të prekurve nga COVID-19 në botë, arriti në mbi 1 milion e 200 mijë persona, duke lënë pas mbi 65 mijë viktima. Nga kjo pandemi nuk mund të shpëtonim as ne (përkundrazi mitit që qarkulloi para disa kohësh se ne shqiptarët jemi imunë ndaj kësaj sëmundjeje), e cila na ka goditur rëndë me 361 të prekur dhe 20 viktima.

Në përgjigje të kësaj pandemie, Qeveria Shqiptare nga data 13 mars, ka vendosur kufizime të mëdha në lëvizjen dhe jetën e përditshme të qytetarëve, duke mbyllur institucionet arsimore, një pjesë të konsiderueshme të institucioneve publike, si dhe kufizuar lëvizjet e qytetarëve për një kohë të papërcaktuar. Të gjitha këto masa janë vendosur me qëllim përballjen ndaj kësaj lufte, siç po preferohet së fundmi të quhet nga shumë udhëheqës botërorë. Këto masa u shtuan akoma më shumë, kur me anë të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 243, të datës 24 mars, Qeveria shpalli gjendjen e fatkeqësisë natyrore në të gjithë Republikën e Shqipërisë për shkak të epidemisë së shkaktuar nga COVID-19.

Përveç pasojave sociale e psikologjike që na ka shkaktuar të gjithëve, kjo pandemi ka ndikuar në mënyrë të pashmangshme në ekonominë botërore. Shumë persona kanë humbur vendin e tyre të punës. Sipas hulumtimit të kryer nga Këshilli Botëror i Udhëtimit dhe Turizmit (WTTC), rreth një milion vende pune janë duke u humbur çdo ditë në sektorin e udhëtimit dhe turizmit për shkak të përhapjes së COVID-19. Në SHBA gjatë 2 javëve të fundit, ka patur rreth 10 milion kërkesa për pagesë papunësi. Të paktën një milion njerëz kanë humbur punën e tyre gjatë dy javëve të fundit në Evropë sipas të dhënave më të fundit nga Konfederata e Sindikatave Evropiane. Organizata Ndërkombëtare e Punës raportoi se humbjet e mundshme të vendeve të punës mund të arrijnë në 36 milionë në të gjithë botën.

Ish-Sekretari Amerikan i Shtetit Henry Kissinger, ka paralajmëruar se pandemia e COVID-19, mund të shkaktojë një “katastrofë ekonomike” që mund të zgjasë për breza të tërë, nëse nuk merren masat e duhura. Ndërsa Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka pranuar se Evropa ka nevojë për një Plan Marshall, i cili do mundësonte që shumë miliarda që duhen investuar sot për të shmangur një katastrofë më të madhe, do t’i lidhin brezat së bashku.

Në Shqipëri ne nuk kemi akoma shifra zyrtare të efekteve të ndikimit në ekonomi të kësaj krize. Institucionet akoma nuk po e tejkalojnë frikën në publikimin dhe bërjen transparente të këtyre shifrave. Sipas Platformës për Punësim dhe Çështjet Sociale, të Këshillit Rajonal për Bashkëpunim (RCC), puna informale në Shqipëri është në masën 39%, e në kuadër të masave kufizuese për shkak të kësaj pandemie, këta vende pune janë më të riskuarat (në mos e kanë humbur tashmë vendin e punës).

Qeveria ka vënë në dispozicion të situatës së krijuar 370 milionë dollarë. Nga kjo shumë 25 milionë janë për shëndetësinë, për të përballuar rritjen e pritshme të numrit të të infektuarve; 100 milionë për kompanitë që nuk mund të paguajnë të punësuarit e tyre; 65 milionë për shtresat në nevojë dhe ata që nuk mund të punojnë për shkak të urdhrit për vetë-izolim. Në planin e masave financiare prej 370 milionë dollarë, bën pjesë dhe shlyerja e kamat –vonesave për pagesat e faturave të energjisë elektrike me vlerë prej 150 milionë dollarë, nga e cila sipas Kryeministrit, përfitojnë 211,024 familje.

Kërcënimi për krizë dhe rënie ekonomike mbetet gjithsesi i pranishëm dhe i lartë. Nëse mbyllja e vendit do të vazhdojë, ka rrezik që vendi të futet në recesion. Gjendur në kushtet kur tërmeti i datës 26 nëntor 2019, la pasoja të hidhura për Shqipërinë: 51 viktima, 17 mijë të zhvendosur, 913 të plagosur, si dhe 1.08 miliard euro dëme të përllogaritura (985 milionë euro dëme të përllogaritura dhe 90 milionë euro procesi i rindërtimit); si dhe në kushtet kur Buxheti i Shqipërisë për vitin 2020, është afërsisht në vlerën 5.32 miliardë dollarë, kjo krizë do prodhojë një “dhimbje koke” të konsiderueshme për Qeverinë Shqiptare.

Roli i KLSH në menaxhimin e përgjegjshëm publik përballë sfidave aktuale, ka qenë gjithmonë prezent dhe në rritje këto vitet e fundit. Siç theksuar dhe nga Kryetari i KLSH në fjalën e tij gjatë zhvillimit të analizës vjetore të vitit 2019, ne si institucion suprem i auditimit shtetëror, do të vijojmë përpjekjen e pandryshuar që, të jemi shërbestarë dhe mbrojtës të interesave të qytetarëve shqiptarë, synojmë përmirësimin e qeverisjes dhe rritjen e përgjegjësisë dhe llogaridhënies së institucioneve publike. Vizioni i KLSH, “si agjent Watchdog i Parlamentit dhe shërbestar i qytetarit”, është në të njëjtën linjë me moton e INTOSAI-t “Auditimi Kombëtar në Shërbim të Qeverisjes Kombëtare dhe jo të qeverive”. Bazuar mbi këtë vizion dhe filozofi të konsideruar si forca lëvizëse dhe inspiruese për menaxhimin e ndryshimit brenda nesh, veprimtaria e KLSH ka synuar në përmirësimin e menaxhimit financiar, administrimit publik dhe të kontrolleve të brendshme, duke kontribuar në qeverisjen e mirë dhe promovimin e llogaridhënies, nëpërmjet forcimin e rolit të KLSH, në luftën pa kompromis kundër korrupsionit dhe ushqimin e një kulture pune të tillë si pjesë e këtij projekti kombëtar, në të gjithë nivelet e qeverisjes shtetërore.

E në vazhdim të këtyre obligimeve, KLSH në 4 vitet e fundit (2016-2019), ka zbuluar se shkeljet totale të konstatuara që kanë patur një efekt negativ për shtetin, janë në vlerën 4,337.6 milion euro! Nga këto, vetëm parregullsitë dhe shkeljet financiare në të ardhurat dhe në shpenzimet e kryera me pasojë dëm ekonomik, janë në vlerën 690.6 milion euro. Nëse nga ana e Qeverisë, do merreshin parasysh zbulimet dhe rekomandimet e KLSH gjatë këtyre viteve, këto kriza do ishin më të lehta për tu përballuar nga vetë Qeveria.

Në artikullin me titull “Të mobilizohemi si në luftë”, nga ish-presidenti i Bankës Qendrore Europiane Mario Drahgi, ndër të tjera për këtë krizë thotë që: “Sfida të cilën kemi përballë është se si të veprojmë me forcë dhe shpejtësi të mjaftueshme për të parandaluar një recesion që le pas dëme të pakthyeshme e që mund të pasohet nga një depresion i zgjatur dhe i thellë. Tashmë është e qartë se përgjigjja duhet të përfshijë një rritje të konsiderueshme të borxhit publik. Humbja e të ardhurave nga sektori privat – dhe çdo borxh i marrë për të mbuluar mungesat – përfundimisht duhet të kalojë plotësisht ose pjesërisht, në bilancet e qeverisë. Nivelet shumë më të larta të borxhit publik do të bëhen një tipar i përhershëm i ekonomive tona dhe do të shoqërohen me fshirjen e borxhit privat. Është detyrë e shtetit të përfshijë në bilancin e tij mbrojtjen e qytetarëve dhe ekonomisë nga goditjet që sektori privat nuk është përgjegjës dhe nuk mund ti përballojë”.

Në kushtet kur të gjitha vendet e botës po përballen me këtë epidemi, e ku fokusi i qeverive përkatëse është vendi i tyre në fillim, është e parashikueshme se rritja e borxhit do jetë rruga që do ndiqet nga Qeveria Shqiptare. Kjo u bë e qartë më shumë më datë 3 prill, kur Banka e Shqipërisë njoftoi se do të zhvillonte ankandin për shitjen e një obligacioni me vlerë 120 milionë euro me afat maturimi 2 vjeçar, për llogari të qeverisë shqiptare. Në kushtet kur niveli i borxhit publik në raport me produktin e brendshëm bruto është diku në masën 64%, kjo do paraqiste risk për ekuilibrat makroekonomikë të brishtë të vendit.

Në lidhje me këtë KLSH vlerëson se përqendrimi i borxhit publik drejt huamarrjes së huaj, ka sjellë rritjen e ekspozimit ndaj riskut të normave të interesit. Raporti i borxhit publik si përqindje e Prodhimit të Brendshëm Bruto, është ende larg objektivave afatmesëm për minimizimin e tij me implikime afatgjata në ripagesat dhe shërbimit të borxhit. Gjithashtu, KLSH vazhdimisht ka tërhequr vëmendjen për mënyrën sesi bëhet llogaritja e borxhit publik dhe mos përfshirja e disa elementëve që nëse do të integroheshin do të nxirrnin një shifër të re të borxhit në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto. Konkretisht, që nga hartimi i Strategjisë së Menaxhimit të Financave Publike 2014-2020, KLSH ka konstatuar se niveli i borxhit publik, është luhatur rreth niveleve 70-74% e PBB, si dhe shumë larg objektivit të vendosur prej 56,7% të PBB deri në fund të këtij viti.

*Auditues KLSH