BREAKING NEWS

Shokuese/ Përdhunoi vajzën që shkoi të denonconte përdhunimin nga disa persona, kush është shefi i lartë i Policisë: I kërkoi favore seksuale dhe mbesës së shkrimtarit të madh Martin Camaj

Shokuese/ Përdhunoi vajzën që shkoi të denonconte
x

Opinion / Editorial

Pandemia, si alibi që të përthyhet demokracia!?

Pandemia, si alibi që të përthyhet demokracia!?

Nuk ju përgjigj qartësisht lideri tashmë maximus i Shqipërisë Edi Rama - pyetjes mbi rëndimin e neneve të dënimit dhe kalimit në faj penal në kushtet e emergjencave! Nuk deshte të tregonte se është ai "ideatori" dhe linte të kuptonte e ndiqte këtë problematikë nga larg! U qartësova se edhe ai e ka pak zor të jetojë me një "sukses" të tillë ligjor në kohë Pandemie! Më vjen çudi me veten se pse kam filluar ta thërras "lider maximus" edhe Edi Ramën si Sali Berishën!  Jam i qartë se nuk e kam gabim, por nuk do ta besoja kurrë që një artist, një njeri i lindur dhe i rritur në qendër të Tiranës, i edukuar sigurisht mirë në urbanitet dhe kulturalizmin e Tiranës së bukur dhe fantastike të viteve 70-80-të,  të arrinte gjenerimin e kapaciteteve arriviste, bajraktar folklorike , modelin periferik rural shqiptar, të sundimtarit arrogant deri në "hijeshinë" e tiranit që në Romën e lashtë i thoshin maximus! Po deri aty, sa të "bjer të fikët" nga kënaqësia që të jep sundimi mbi turmat, zotërimi i tyre dhe krijimi mbi to, të frikës që përhapet nga fjalët e mëdha dhe plot pasiguri për to, por dhe me siguri për liderin që i thotë!? "Lider massimo" i thoshte vetes dhe Fidel Kastro, por ai fjalimet e gjata të tij i mbyllte me entuziazmin e madh të fitoreve dhe të kauzës sigurisht të fituar nga siguria e një revolucionari dhe tundimin e ndërtonte mbi entuziasmin transmetuar në turmë!  Sot liderit maximus Rama po i formohet ditë për ditë, errësira e mendimit dhe frikës në demek "përkujdesjen" ndaj njerëzve!  Përdorimi brenda një interviste e dhjetra herë fjalës gjobë, jemi në luftë, apo burg, por dhe kërcënimet e talljet në idenë e tij të batutave të bukura, ndërkohë që njerëzit kanë pasigurinë e madhe të pandemisë dhe mbylljen pothuaj totale brenda mureve të shtëpive - është një "Neron-izëm" artistik jashtë mode për ata që kuptojnë dhe pse me sa duket, lideri maximus Rama i ka mbushur mendjen vetes se me popullin shqiptar kështu duhet të sillesh - se nuk merr vesh!  Tani që dhe italianët në Shqipëri dhe miqtë e tyre në Itali përhapën idenë se ai do të ishte shumë i mirë për kryeministër i Italisë - sigurisht që ditë për ditë, i bëhet e lodhshme përballja me një popull "injorant" si ky i Shqipërisë!  Duke pasur dhe tragjizmin e një opozite dalë binarësh demokracie që ka marrëzinë e Sali Berishës dhe pa vendosmërinë apo pa aftësinë e Bashës, të jetë pa ndikimin e ish liderit maximus Berisha, duke pasur një ekip LSI-je jashtë çdo koncepti normal politik përveç përftimit në qeverisje, Edi Rama ka vendosur të bëjë "babain e shtetit" dhe të imitojë në mënyrë aspak normale presidentin e Turqisë Erdogan!  Por edhe pse është oriental, por kulturalisht perëndimor, dhe pse është mes bizantinizmit politik dhe otomanizmit, ai ose Edi Rama, nuk mund të jetë një otoman as perandorak Osman si Erdogani! Sepse nuk mund ta ketë në origjinë!  Kurse e dyta është se Presidenti i Turqisë Erdogan e ka sinqerisht me Turqit dhe punon seriozisht - kurse Rama në themel, ka një patologjizëm si urrejtje për një shoqëri dhe popull që sipas tij nuk merr vesh!  Tani ka kuptuar se shqiptarët frikësohen, qëndrojnë si pula të lagura kur i kërcënon, i fut në burg apo i mban në sistem presioni, shoqëruar me  terrorin e burgut dhe penales në ligje të ashpra!

Bilanci i tij post Berishës nuk është kaq i ndryshëm nga ai i folklorikut lider demokrat!  Berisha kishte një shtet levend, shtet që nuk paguheshin taksat dhe që çdo gjë u kthye nga ideologjike në politike dhe po ashtu në 2020 e ka dhe Edi Rama! Ish lideri maximus doktori i zemrës kishte aferat e dhjetë oligarkëve që sot i shajnë dhe Rama po atë shtet ka dhe po ashtu edhe ai ka filluar populizmin duke bërë njeriun baba të popullit dhe fjalë fortë, me ato që sigurisht i ka miqtë (oligarkët) kryesor të tij!  Administratë rondokope dhe fajtore e hajdute kishte Berisha, por edhe më të pa besë, hajdute absolute,  aspak profesionale dhe shpesh herë arrogante e ka Edi Rama, sepse as që bëhet fjalë që të dy e kanë pasur administratën "profesionalisht të korruptuar" në përgjithësi!  Militantë kopukë kishte doktori edhe më kopukë i ka piktori, por duke qënë se është primati arrogancës ai vetë - ato duken disi më mirë!

Çfarë i duhej tani, mbasi ka parë që mban pushtet, por që nuk arrin kurrë të bëj shtet dhe pse e përsërit në çdo fjalim në mënyrë që ne dikur i thoshin - gramafon i prishur!?  Asnjë lloj shteti për ti besuar nuk ndërtoi dhe lideri i dytë maximus i demek demokracisë ose Edi Rama!

Ai e ka nxjerrë këtë konkluzion dhe tashmë ka vendosur që Pandeminë ta shfrytëzojë për të zbythur ose  përthyer demokracinë!  Në saj të dhe të mungesës së opozitës, ai do të zgjasë pandeminë në Shqipëri dhe pse ajo as ka bërë dhe as do të bëjë dëme dhe pse ose ka kaluar pikën dikur dhe pse kemi imunitetin e tufës por që Rama do ta konsiderojë si pasojë e veprimeve të tij drastike të mbylljes së popullit të tij me një ashpërsi pa logjikë të së nesërmes dhe me arrogancën e përkujdesjes ndaj atyre që i konsideron bagëti për majmëri! Po,  në saj të delirit të shpërndarë në popull që thotë - po të mos ishte Edi Rama do të kishim vdekur të gjithë nga korona?! Deri këtu ka shkuar marrëzia e një individi që ka vite që beson në delirin e tij artistik!  Ka nënshtruar keqas me anën e rilindjes dhe PS-në! Po sepse ajo, nuk ka qënë e zonja të mbante pushtet me idetë e saj demokratike dikur  dhe tani besojnë se vetëm me një individ të tillë lider maximus mund të kenë pushtet pa kufi!  Edhe i vetmi socialist ose Majko në qeveri kaq keq është sa Blendi Fevziu mbledh me shumë shqiptarë diaspore në një emision,  se sa Majko si ministër socialist i qeverisë ( ju duhet një sa për be)  së Rilindjes Rama! Pandemia do të mbyllet dhe hapet dhe do të zgjatet pa kufi, sepse lideri maximus Rama e do për të përthyer demokracinë, për të çuar mundësisht afër burgut ose në burg ato që mbase nuk durojnë tiraninë e gjatë të mbylljes pa logjikë! Kur ndërkohë duhet të kishte ndërtuar spitale që të mbajnë në "karantinë" të sigurt dhe të mbyllur, ato që janë për karantinë! Kur ndërkohë duhet të kishte teste si tamponë dhe sierologjik për të nisur dhe punën Shqipëria! Jo, ky lider maximus ka burgje dhe gjoba! Këtë ofertë ka për shqiptarët!  E këtë teori do ta përdorë si praktikë gjatë në Shqipëri, sepse ka dhe lejen e opozitës e cila është po njësoj "demokrate" sa Kryeministri jonë!  Lideri maximus Rama do të mbajë për ne shumë gjatë ose herë pas herë shtetin e emergjencës, sepse do të shijojë kënaqësinë e mbylljes brenda mureve të shtëpisë së popullit të tij, të kënaqësisë se si një shoqëri trembet nga ai dhe se si një pjesë e saj, presin ashtu të tmerruar se çfarë do tu thotë sonte në televizion - lideri maximus! Imagjinoni Makronin të sillet kështu, Merkelin të sillet kështu, mor po dhe Thaçin të sillet kështu,  Kurtin të sillet kështu?  Makronin të thotë se jemi në luftë ( në fakt thotë se jemi në epidemi shëndetësore)  dhe prandaj do të shpallin tradhtarë!?  Pandemia tashmë në Shqipëri mbas kalimit të më shumës e dy muajve është alibi se si mund të përthyhet dhe rrëzohet demokracia!  Kaq asgjë më tepër se sa kaq! Gjithsesi kemi bërë një sakrificë dhe duhet ta përfundojmë, pastaj tirania vjen dita dhe nxjerr ashpërsisht vesin e saj, i mbaron kreativiteti  dhe atëherë përfundon dhe vetë ajo!