BREAKING NEWS

Deputetët e PS i përgjigjen Metës dhe kërkojnë hetim nga SPAK për presidentin, i kujtojnë bllokun 700 mijë euro dhe reformën në drejtësi

Deputetët e PS i përgjigjen Metës dhe kërkojnë hetim
x

Opinion / Editorial

Para me dashuri

Para me dashuri

Pak ditë më parë, 30 përfaqësues të Diasporës sonë të re në Gjermani(ky vend ka strehuar 48 mijë shtetas nga Shqipëria në tre vitet 2017-2019) zhvilluan një takim në internet me përfaqësues të projekteve të Bankës Botërore dhe të GIZ-it gjerman në Shqipëri, por edhe me Fondin e Zhvillimit të Diasporës, të ngritur nga qeveria jonë, me nismën dhe nën kujdesin e Ministrit të Shtetit për Diasporën Pandeli Majko. Takimi synonte të ndihmonte dërgesat e emigrantëve të kenë një ndikim akoma dhe më të madh në ekonominë tonë. Dërgesat e përfaqësuesve të Diasporës sonë të Re nga Gjermania janë në vend të parë për nga sasia e parave që dërgojnë për përfaqësues, me mbi 960 euro në vit. Gresa Latifi, emigrante nga Kosova në Dyseldorf, tregoi në takim eksperiencën e saj. Kishte kontribuar për një kopsht fëmijësh në Gjilanin e saj. “Dua të jap para me dashuri edhe për në Shqipëri. Jemi shumë që duam të japim në komunitetin shqiptar në Dyseldorf. Por nuk dimë se si. Mendojmë se burokracitë duhet të jenë aq penguese sa të mos duash më të japësh. Me kopshtin e Gjilanit burokracitë ishin të shumta”, u shpreh ajo. Kozeta Kokalari, konsulente ligjore në Frankfurt, emigrante nga Shqipëria, u shpreh se përfaqësuesit e Diasporës së Re janë shumë të interesuar të investojnë në vendin amë. “Janë 56 mijë shqiptarë nga Shqipëria që jetojnë dhe punojnë në Gjermani tani. Shumica dërrmuese janë aktivë, të punësuar dhe në punë shumë të mira. I mbajnë kursimet e tyre në bankat gjermane, me një kthim 1.8-2 përqind në vit. Janë gati të sjellin kursimet e tyre në Shqipëri, nëse do të ngrihej një fond investimi transparent me projekte të qarta për të investuar në arsim, në shëndetësinë publike të Shqipërisë dhe në ekonomi, sidomos në ekonominë rurale dhe në turizëm. Nëse fondi do të ofronte një normë kthimi 3-4 përqind, seicili prej shqiptarëve në Gjermani mund të jepte menjëherë me shumë besim një mijë euro, nëse do të ngrihej një fond i tillë. Mendojeni, 56 milionë euro të mbledhura menjëherë! Për të mos folur për të gjithë komunitetin shqiptar në Gjermani dhe nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, i cili shkon në 320 mijë vetë”. Strukturat shtetërore të Disporës në Shqipëri, që mbështesin sipërmarrjen në Diasporë, po i mendojnë oportunitet të tilla. Ato synojnë të punojnë intensivisht në tre prioritete kyçe të përdorimit me efektivitet të remitancave: (1)identifikimin e praktikave më të mira për të kanalizuar remitancat përmes rrugëve formale, (2)zgjerimin e mundësive për të dërguar dhe marrë remitanca për të reduktuar kostot dhe për t’i bërë më efiçente transaksionet, si dhe (3)lehtësimin e dërgesave të parave si një hyrje e përfshirjes financiare. Megjithë problematikat e Diasporës së Re (të përqëndruar në Itali dhe Greqi) me punësimin dhe të ardhurat gjatë periudhës së pandemisë nga Koronavirusi mars-dhjetor 2020, të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se remitancat nuk kanë pësuar ulje gjatë vitit të kaluar, duke arritur në një shifër 1.4 miliardë dollarë, sipas specialistëve të Bankës Botërore(https://diasporashqiptare.al/2020/12/18/bb-nis-takimet-per-remitancat-majko-faktor-zhvillimi-i-qendrueshem-per-vendin/ ).Rritja e qëndrueshme e hartës dhe numrit të Diasporës së Re dhe një fluks i ri emigrator drejt Gjermanisë në katër vitet e fundit, ka bërë të mundur që Diaspora në vendet e Bashkimit Evropian të rritet nga 1.2 milionë në vitin 2017 (shifër e konfirmuar nga një studim i Bankës së Shqipërisë), në 1.64 milionë banorë në vitin 2020 (shifër e konfirmuar nga një studim i INSTAT). Numri i lartë i përfaqësuesve të Diasporës ka prodhuar flukse të konsiderueshme të remitancave në vite. Paratë e Diasporës së Re përbëjnë një burim të jashtëzakonshëm dhe të pazëvendësueshëm financimi për ekonominë tonë. Ato shpesh kanë treguar se janë në gjendje t’u rezistojnë edhe situatave të krizave ekonomike, duke përfshirë edhe këtë të tanishmen, krizën nga Pandemia e COVID-19. Duke parë trendin rritës të remitancave gjatë këtij viti dhe në vitet 2022-2024, strukturat e krijuara nga Ministri i Shtetit për Diasporën, sidomos Fondi për Zhvillimin e Diasporës dhe Dhoma e Biznesit të Diasporës mendojnë se ka hapësirë të konsiderueshme për maksimizimin e përfitimeve nga remitancat për zhvillimin e qendrueshëm ekonomik të vendit. Nevojitet një program gjithëpërfshirës i veprimtarëve kryesorë, të tillë si Banka e Shqipërisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, AIDA, shoqatat e sipërmarrësve në Diasporë dhe shoqatat e tjera që janë 206 të tilla, sidomos në vendet e BE-së, Dhoma e Biznesit e Diasporës, Programi Connect Albania, Rrjeti i Profesionistëve të Diasporës, projektet e Bankës Botëore dhe të GIZ, etj. Pritshmëritë ndaj remitancave janë për kontribute edhe më të larta në vitet në vijim, ndikuar edhe nga parashikimet për përmirësim të aktivitetit ekonomik në vendet kryesore strehuese të Diasporës së Re, si Italia dhe Greqia. Paraja që “vjen me dashuri”, që pret vetëm një ofertë serioze nga shteti ynë, është gati të investohet tek ne, po i krijuam kushtet e duhura. Ajo është në nivele mbi 2 miliardë euro, e shpërndarë në kursimet e mbi 460 mijë përfaqësuesve të Diasporës nëpër bankat e shteteve mikpritës. Ajo pret shtetin tonë të bëhet aktiv dhe të dijë si t’i tërheqë këto para në investime. Një shumë akoma dhe me e madhe se sa ajo e partneriteteve publik-privat. Ajo pret partneritetin “me dashuri” të shtetit amë.