BREAKING NEWS

Edi Rama jep sinjale për ndryshime në qeveri, zbardhen paralajmërimet në takimet me deputetët e krerët e bashkive, ja ministrat që pritet të lëvizin

Edi Rama jep sinjale për ndryshime në qeveri, zbardhen
x

Opinion / Editorial

Paradokset s`kanë kufi, çdo elektropompë fermeri, taksë televizori!

Paradokset s`kanë kufi, çdo elektropompë fermeri, taksë

Kontributi i qytetarëve për financimin e televizionit kombëtar shqiptar në formën e një takse të përcaktuar e miratuar me ligj, është një detyrim që buron nga interesi i mbarë shoqërisë për të marrë shërbime informimi të politikës zyrtare, jetës kulturore, ekonomike, shoqërore, situatës ndërkombëtare, problematikat, brenda dhe jashtë territorit të vendit në çdo cep, në kohë reale. Familjet shqiptare e kanë pranuar me ndërgjegje këtë detyrim. Asnjëherë nuk e kanë vënë në dyshim faktin për të kontribuar edhe kur televizioni kombëtar është shndërruar në partiak, ka deformuar objektivitetin dhe është kthyer në altoparlant propagande, është kufizuar në pasqyrimin e politikave në interes të një force të vetme, siç ka ngjarë, jo rrallë në këto tri dekada. Shumë herë, TVSH është kthyer në kronikan i bëmave së partisë dhe hynereve të kryeministrit të radhës. Duhet shumë për ta kthyer televizionin në zëdhënës të opinionit të gjerë, të pavarur, objektiv, me emisione të larmishme, larg anësive e politizimit. Megjithë përparimin, ende mbetet shumë për ta shndërruar në zërin e tërë shqiptarëve. Objektiviteti dhe cilësia e programeve është detyrimi profesional i ekipit drejtues të tij për ta kthyer televizionin më të pëlqyerin, pikë referimi për qytetarët në përballje me konkurrencën e televizioneve të tjera edhe ato private po me status kombëtar. Në këtë analizë nuk kemi as një qëllim të flasim për programet, zbatimin e teknologjisë dhe strategjinë që ndjek televizioni ynë kombëtar edhe pse ndryshmet pozitive janë të ndjeshme. Po kjo nuk është temë e këtij shkrimi. Ajo për të cilën duam të ndalemi është një dukuri, kthyer në shqetësim për mijëra fermerë dhe jo vetëm që merren me bujqësi në shkallë vendi. Po ndalemi në një zonë si Saranda, Konispoli, Finiqi, Delvina dhe zonat përreth. Është fjala për taksë televizori edhe për pikat e lidhjes që nuk kanë asnjë pikë takimi me këtë shërbim. Jo të gjitha tokat bujqësore ujiten me rrjedhje të lirë. Sipërfaqe të tëra nuk e kanë këtë luks. Fermerët janë të detyruar të instalojnë elektropompa në cep të çdo parcele, vënia në punë e të cilave kërkon energji elektrike. Vetëm në Bashkinë e Konispolit nga Vrina deri në Janijar, ku janë kultivuar rreth një milion mandarina e portokalle, janë më shumë se 150-200 pika lidhje të energjisë, të cilat janë realizuar sipas ligjit. Deri kohë më parë, duke shkuar deri në Fier, ku fermerët, veç pagesave të shumta, iu është dashur të harxhojnë kohë e para, ditë të tëra për të shkuar, pa folur për ecejaket, projektet, detyrimet pranë OSSHE-së Sarandë. Pikat e lidhjes janë një detyrim ligjor dhe askush nuk e ka vënë në dyshim apo kundërshtuar këtë praktikë. Fermerët thonë se blejmë mall kundrejt pagesës. Ajo që shqetëson fermerët është paradoski, burokracia, rutina, duke barazuar elektropompat me banesat, ku jetojnë njerëz dhe ndjekin televizor. Çdo familje paguan njëqind lek taksë. Po një detyrim i tillë prej 100 lekësh, taksë televizori, faturohet për çdo elektropompë që vendosin në cep të parcelës me mandarina apo misër e bimë të tjera, fermerët. Këtë taksë e vlerësojnë absurd, më shumë në aspektin moral, se dëm financiar. Ky është një akt burokratik i paimagjinuar, aspak i bazuar në realitet. Është një praktikë rutinë që ngjan identik me motivin e tregimit të shkrimtarit të madh të humorit, turkut, Azis Nesin. “Për një gërmë”. Një femër nga provinca, e kishin regjistruar me një “i” në fund të emrit në vend të gërmës “e”. Dhe emri lexohej si i gjinisë mashkullore. Vetëm për këtë fakt e morën ushtare edhe pse provoi në të gjitha format, deri me analizat gjinekologjike se ishte femër dhe jo mashkull. Po administrata e detyroi të kryente shërbimin ushtarak. Vetëm për një gabim në emrin e saj. Kështu edhe me faturimin e taksës së televizionit ndaj fermerëve. Ata deklarojnë se taksa e televizorit tek fatura e energjisë elektrike për shtëpitë është një detyrim që nuk e diskutojmë fare. Është vendosur thonë, jemi dakord, ashtu siç paguajnë naftën, farat, plugimet. Po taksë televizori në fushë, larg shtëpisë, mes maleve, buzë lumenjve, kanaleve ujitëse, a nuk është për të qeshur, me këtë paradoks ekstrem?! Si ka mundësi të mos përjashtohet kjo lloj takse kur dihet se në fusha ka frutikulturë, bimë foragjere, patate, misër. Cila prej këtyre bimëve shikon televizor dhe pse duhet vendosur në faturë taksë televizori? Të konsiderosh burokratik këtë veprim, është pak, fare pak. Një çudi shqiptare! Praktikë që bie erë, që të nxit të akuzosh për abuzim shtetëror do ishte më e sakta. Pikat e lidhjes, janë të përcaktuara. Kanë një adresë, projekt ku vendoset hollësisht qëllimi. Këtu ndahen pikat e lidhjes së banesave, magazinave, depove, instalim i elektropompave, ndërtimi e përdorimi i stallave të bagëtive. Asnjëra prej këtyre gjallesave nuk ka akses për televizor. Janë qenie të pandërgjegjshme. Bimët duan pleh, ujë, kujdes, kafshët ushqime, foragjere, koncentrat dhe s`kanë nevojë për zërat e spikerëve të lajmeve apo filma aksion. Në këto kushte, është e patolerueshme të mos ndahen aktivitetet bujqësore prej institucioneve përkatëse që merren me miratimin dhe dokumentacionin e pikave të lidhjes së energjisë elektrike, që nis edhe paradoksi të marrë formë e të jetësohet për të bashkangjitur detyrimit për energjinë e harxhuar edhe taksën e televizorit. Kur njihesh me këto fakte, dëgjon fermerët, mendimi i parë i atyre për ata që analizojnë shifrat është: -Pse u vra fermeri për njëqind lek? Një kafe është! Dhe kjo bëhet për të ndalur abuzimet pasi mund të përfitohet nga përjashtimi, të bëhet rrugë dhe të mënjanohen detyrimet reale. Miratimin e një pikë lidhjeje nuk e bën individi privat. As një specialist i palicencuar. Për çdo rast është i miratuar, person me përgjegjësi të përcaktuara me ligj. Në këtë mënyrë nuk mund të abuzojë sepse e dënon ligji. Atëherë përse nuk diferencohet qytetari në këtë taksë? Fermeri dënohet të paguajë vetëm për një akt burokratik, rutinë, traditë nga e cila edhe pas tri dekadash nuk ka ndryshuar asnjë milimetër. Vendimmarrësit që menaxhojnë energjinë e prodhuar, vetë ekipi drejtues i TVSH-së, e kanë detyrë të bashkërendojnë punën për shmangien e këtij abuzimi. Prodhuesit, mbarështues të gjësë së gjallë, stallat e arat, ku mbillen bimët nuk ka pse barazohen me banesat ku jetojnë familjarët. Institucionet përgjegjëse, ata që kanë firmë e vulë, administrata që angazhohet në këtë proces vepron sipas një ligji të caktuar. Janë plotësisht të mundshëm të seleksionojnë taksën e televizorit nga pompat në fushë. Të përjashtojnë raste të tilla që nuk kanë asnjë lidhje me detyrimin për të paguar plus për një shërbim që nuk e marrin. Deri sot është abuzuar me këtë taksë. Familjet shqiptare që kanë dy e tre lidhje me energjinë që kanë pesë apo gjashtë libreza ku paguajnë detyrimet mujore, janë të imponuar të paguajnë për televizorin edhe atje ku nuk egziston televizor. E quajnë vërtet për të qeshur të paguajnë taksë televizori edhe për gjënë e gjallë, bimët e frutikulturën, stallat. Mjafton të kenë një kontratë me entin rregullator të energjisë dhe të vijojë praktika burokratike. Do energji për elektropompën? Ja ku e ke! Mirato pikëlidhjen dhe menjëherë pas shpenzimeve të shumta nga elektropompat deri te projekti e instalimet, je i detyruar të paguash edhe një haraç pa asnjë kuptim. Është detyra e institucioneve të ndajnë të ligjshshmen nga e paligjshmja. Të vërtetën nga e pavërteta. Atë që i takon qytetarit të paguajë edhe pse mund të preferojë ekrane të tjera, po nuk ka pse të kryejë pagesa pa shërbim. Vetëm në sistemin që lamë pas, stallat e bagëtive, kur duhet të dërgoheshin ushqime për mbarështimin e tufëzave në fund të sistemit, në vend të jonxhës për lopët, stallat skuqeshin me beze e parulla për propagandë në muret prej guri dhe lasat prej druri, sikur lopët do ushqeheshin me parulla. Në këtë kontekst, është detyrimi i administratës dhe institucioneve përgjegjëse të ndajë atë që është detyrim ligjor për t`u paguar, nga paradoset e çuditshme të taksës së televizorit për elektropompat e stallat në fusha e male, ku nuk jetojnë familjarë, po rriten bimë e mbarështohet gjë e gjallë. Këto të fundit nuk shikojnë televizor, duan ujë, plehra, bare dhe e lënë televizorin pa e parë!