BREAKING NEWS

Rama përzë nga lista 40 për qind të deputetëve, kreu socialist transformon ekipin, pakënaqësitë largojnë figura të njohura të PS

Rama përzë nga lista 40 për qind të deputetëve, kreu
x

Opinion / Editorial

Paratë e naftëtarëve dhe vjedhja e arit të zi

Paratë e naftëtarëve dhe vjedhja e arit të zi

Tre ditë më parë, Prokuroria e Tiranës nxori urdhër arrestimet për 8 persona, ndër të cilët 4 punonjës të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore dhe dy punonjës të organeve tatimore. Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, si institucioni mbikëqyrës me ligj i përdorimit dhe ruajtjes së pasurisë kombëtarë të naftës, krahas burimeve të tjera natyrore të vendit, është përgjegjëse për lejimin e grabitjes së qindra miliona eurove vlerë të naftës shqiptare, duke filluar nga viti 2006 e deri tani. Janë 15 vite abuzimi masiv dhe fshehje e qëllimshme të dhënash reale mbi shfrytëzimin e naftës nga kompani të huaja e shqiptare, të cilat kanë marrëveshje me qeverinë dhe shtetin shqiptar. Skema e këtyre dy viteve të fundit për të mashtruar shtetin tonë me 1.5 milionë dollarë, u zbulua vetëm nga ndershmëria, integriteti dhe këmbëngulja e zyrtarëve të kompanisë amerikane Black Swan Energy, lidhur me tetë fatura për shërbime që nuk janë përfituar kurrë nga kjo kompani. Pas kallëzimit penal të drejtoreshës së AlbPetrol, kompania amerikane ju drejtua autoriteteve gjyqësore amerikane dhe gjykatësit amerikanë konfirmuan falsitetin e faturave për një vlerë prej 1 milionë e 299 mijë dollarë. Faturat janë “vërtetuar” si të mirëqena nga inspektorë të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore dhe nga akte kontrolli të Drejtorisë së Tatimeve Tiranë. Kjo situatë të kujton sjelljen e Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore dhe të kompanisë shtetërore Albpetrol gjatë viteve 2006-2013, të denoncuar me shumë kurajo nga KLSH në kohën e drejtimit të saj nga Bujar Leskaj, në tetor të vitit 2014. Të sjell ndërmend një ndër të vërtetat më të hidhura ekonomike të historisë sonë të 30 viteve të fundit-abuzimin kolosal me pasurinë numër një natyrore të kombit tonë, arin e zi. Në vitin 2000, rezervat e naftës, sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Studimeve të Naftës dhe Gazit, të mbyllur arbitrarisht nga qeveria në vitin 2007, përllogariteshin të ishin në nivelin e 10 miliardë eurove. Tani, në vitin 2020, të dhëna të pakonfirmuara flasin për një gjendje më pak se 2 miliardë euro naftë e shfrytëzueshme në depozita. Ku shkuan këto 8 miliardë euro depozita naftë? Sa mori shteti ynë nga shfrytëzimi i naftës në vitet 2007-2020? Denoncimi i tetorit 2014 i Kontrollit të Lartë të Shtetit gjeti gojëkyçur të gjitha personalitetet më të larta të vendit. Po çfarë realisht denoncoi KLSH? Gjatë një kontrolli të tij mbi zbatimin e marrëveshjeve koncesionare të shtetit tonë për shfrytëzimin e vendburimeve kryesore të naftës në tokë tek ne, ky institucion kushtetues gjeti se në periudhën 2009-2014, kohë e nxjerrjes intensive të naftës në qarkun e Fierit dhe, me çmimin e naftës në tregjet ndërkombëtare tejet të lartë, në nivele 78-96 dollarë për fuçi, faktori R kishte rezultuar gjithnjë më i vogël se 1 tek ne. Por çfarë është Faktori R? Ky faktor përcakton raportin e të ardhurave tërësore me shpenzimet tërësore të një kompanie që ka marrë leje nga shteti (puse) të shfrytëzojë naftën tonë, gjatë një viti financiar 1 janar deri më 31 dhjetor. Kur ky raport është më i madh se 1, pra të ardhurat janë më shumë se shpenzimet, shteti ynë, sipas Ligjit të Hidrokarbureve për vitin 1993, merr 50 për qind të fitimit. Kur është më i vogël, merr disa herë më pak. E vërteta e hidhur është se Faktori R nuk u bë kurrë më i madh se 1 në të gjithë periudhën 2007-2019, kur e shfrytëzuan dhe po e shfrytëzojnë shoqëritë koncesionare të huaja dhe vendase! Edhe pse gjatë kësaj periudhe, me dhjetëra e qindra puse janë deklaruar të shteruara, nga një nxjerrje e pashoq dhe e babëzitur nafte pa pikë kriteri, ky faktor ka qëndruar gjithnjë më i vogël se 1. Edhe pse vitet 2009-2013 përkojnë me një çmim shumë të lartë të naftës në tregjet ndërkombëtare dhe me prodhim të rritur të arit të zi edhe tek ne. Çfarë ka ndodhur? Sikurse del nga raporti i auditimit i KLSH (http://klsh.org.al/ëeb/Mbi_Auditimin_e_Ushtruar_ne_Albpetrol_Sha_2603_1.php), vetëm për të fryrë sa më shumë shpenzimet, janë futur në to edhe donacionet dhe sponsorizimet e kompanisë koncesionare. Si të thuash, janë konvertuar në naftë, në shpenzimet e “Cost Recovery (Mbulim i kostos)”, edhe ndërtimi i një ure për komunitetin apo sponsorizime gjithfarësh. Për të mos folur për shpenzimet e shpimit të një pusi të ri nafte, që pothuajse përherë faturoheshin 1 milionë dollarë, kur kosto reale është vetëm gjysma, 500 mijë dollarë. Faktori R, po të ishte ai reali në shumicën e tetë viteve 2007-2014 (pra, më i madh se 1, pse ashtu ka qenë realisht, pa shpenzimet e fryra qëllimisht), sipas përllogaritjeve të KLSH, do t’i kishte dhënë shtetit tonë një shumë prej afro 504.55 milionë dollarë, përveç rentës minerare që ka marrë shteti prej 199,4 milionë dollarë. Pra, mbi gjysmë miliardë dollarë të hequr padrejtësisht nga fondet për familjet në nevojë, për shëndetësinë dhe arsimin tonë publik, për pensionet e 660 mijë shqiptarëve! Dhe kryesorja, për dramën e sotme të naftëtarëve të Ballshit, të ngujuar në grevë urie për pagesën e 16-17 rrogave të papaguara nga privati, ose 5-6 milionë euro. Qeveria jonë mund dhe duhet të lidhë tani, si çështje ditësh, një marrëveshje me të 400 punonjësit kreditorë të Rafinerisë së naftës në Ballsh (Ish-ARMO), për marrjen përsipër të të qenit kreditor i kompanisë private. Të nisë gradualisht pagesën me këste të këtyre 16-17 rrogave të prapambetura, ndërkohë që juridikisht të bëhet ajo mbajtëse e këtij detyrimi dhe kreditore e Rafinerisë. Kjo duhet bërë jo vetëm në emër të rentës minerare prej qindra milionë eurosh që shteti ka marrë në vitet 2007-2019, por edhe të papërgjegjshmërisë ekstreme të qeverive tona të kësaj periudhe, duke humbur 587 milionë euro, shumica të konfirmuara nga auditimet e KLSH. Kaq gjë ua ka borxh qeveria jonë naftëtarëve të Rafinerisë së Ballshit, të mashtruar nga kompani private që vetë qeveritë tona i kanë miratuar të jenë pronare apo administratore të rafinerisë.