Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Parlamentit nuk i duhet thjesht një rregullore, por edhe një “reformë”

Postuar: 22/10/2017 - 07:45

Nga Panajot ZOTO

Ç’është Parlamenti? Vendi ku bëhen ligje- do ti përgjigjej kësaj pyetjeje, në mënyrë koncize e të thjeshtuar, një qytetar i zakonshëm. Po. Parlamenti nxjerr ligje dhe është shtylla bazë e shtetit dhe sipas Kushtetutës, Shqipëria është Republikë Parlamentare. Në këtë kuptim, Parlamenti është institucioni ku përmes përfaqësuesve të vet, populli ushtron sovranitetin..

Veçse për qytetarët pak rëndësi kanë këto formulime. Opinioni publik ka vlerësimin e vet dhe qytetarët e perceptojnë rolin e Parlamentit sipas asaj çka shikojnë e dëgjojnë javë pas jave në sallën ku zhvillohen seancat plenare të tij. Shikojnë e dëgjojnë përfaqësuesit e tyre si vijimësisht devijojnë nga detyrimet që rrjedhin prej rolit të tyre si përfaqësues të zgjedhësve, duke e kthyer Parlamentin nga një tempull ku duhet të sundojë serioziteti e përgjegjshmëria, në një arenë përplasjesh të pakuptimta, apo teatër politik, ku mbretëron retorika me terma krimesh, sharje, fyerje… Ku etika dhe sjellja e kulturuar zëvendësohen prej arrogancës dhe presioneve për të bllokuar funksionimin normal të seancave, etj.

Prej vitesh, Parlamenti Shqiptar është dominuar nga tensionet politike, që kryesisht inicioheshin nga opozitat. Opozita e djeshme la vulën e Sali Berishës në Parlament. Me zgjedhjet e reja të 25 qershorit, dhe me një kryetar opozite, tashmë në Parlament, shqiptarët shpresuan se gjithçka do ndryshonte, se në Parlament nuk do të kishte më deviacione prej rendit të ditës, se mungesa e ideve dhe alternativave do zëvendësohej me konstruktivitetin dhe përgjegjshmërinë e deputetëve të opozitës për të shpalosur qëndrimet e veta për çështjet e rendit të ditës në Parlament. Kjo nuk ndodhi. Tani, me Lulin kryetar, nuk ka më sharje për nënat e motrat, etj. As akuza që kanë burimin e informacionit prej “qytetarit dixhital”. Kënga opozitare sot ka një tjetër refren. Atë të krimit, i cili përbën thelbin e retorikës në debatet në Parlament. Një kauzë që, sigurisht nuk ka për t’i çuar shumë larg.

Është marrëzi të bllokosh debatin në parlament, siç ndodhi javën e kaluar, për një çështje kaq të rëndësishme siç është ajo për reformën zgjedhore dhe ngritjen e komisionit përkatës dhe ta shndërrosh sallën e Parlamentit në arenë akuzash ndaj kryeministrit dhe ministrave si të lidhur me krimin. Akuzat e Berishës, Bashës, Nokës, Palokës dhe të deputetëve të tjerë të skalionit të parë opozitar, janë të shumta dhe shpesh të adresuara ndaj kryeministrit të vendit. Edhe në legjislaturat e kaluara, kur PS ishte në opozitë ka përdorur një retorikë të ngjashme. Por asnjëherë si qëllim për pengimin e punimeve dhe bllokimin e debatit parlamentar për temat e programuara. Shpifjet dhe sharjet kanë qenë dhe mbeten atribute të kësaj opozite, instrumente të luftës politike të saj deri në shkallën e kriminalizimit të fjalorit në debat jo vetëm në Parlament, por edhe në mediumet e ndryshme, ku disa analistë, i marrin shpifjet e politikës dhe ia përcjellin publikut si të vërteta, duke ngritur dhe ata, gishtin ndaj qeverisë dhe Kryeministrit si “koka e krimit”, “drejtues i bandave” etj, etj. Dhe kjo është shqetësuese. Thënë këtë, mendoj se duhet një zgjidhje për ta futur debatin parlamentar në normalitet... I takon kësaj shumice parlamentare që jo me fjalë, jo me debat shterpë, jo me prit të presim, jo me shpresën se në legjislaturën tjetër nuk do të jetë më deputet “X” apo “Y” personazh politik, apo me logjikën se “kështu si po vazhdoni, pas katër vjetësh do vini këtu me më më pak numra” etj, por me masa konkrete ligjore. Shkurt, mendoj se ka ardhur koha e “reformimit” të vetë parlamentit.

Nëse termi “reformim” për këtë institucion duket si jashtë logjikës kushtetuese, nuk ka pse mos të mendohet për të ndryshuar disa përcaktime ligjore (dhe kushtetuese) që lidhen me deputetin, psh. Më konkretisht. Në nenin 73 të kushtetutës, në pikën 1 të tij thuhet: “Deputeti nuk mban përgjegjësi për mendimet e shprehura në Kuvend dhe votat e dhëna prej tij në ushtrimin e funksionit...” Më tej theksohet se: “Kjo dispozitë nuk zbatohet në rastin e shpifjes”. Shqiptarët janë dëshmitarë se si është abuzuar me ketë dispozitë nga Saliu me shokë dhe gjykatat, të cilat kanë përdorur tjetër standart gjykimi për të, për denoncimet si shpifës. Mosndëshkimet ligjore, janë argumentuar me frazat “akuza të bëra në emër të partisë”, apo “akuza të ngritura në gjatë debatit në parlament” etj.

Në rast se do të pyeten zgjedhësit, me bindje e them se përcaktimi kushtetues, “Deputeti nuk mban përgjegjësi për mendimet e shprehura….”, do të konsiderohej i padrejtë. Berishët dhe shpifësit ordinerë në parlament abuzojnë me këtë, shfrytëzojnë pikërisht këtë liri të pakufizuar që u njeh kushtetuta. Pyetja shtrohet fare thjeshtë: Pse nuk duhet të mbajnë përgjegjësi deputetet për mendimet (dhe fjalët apo fjalorin) e shprehura”? Dhe fjala nuk është thjesht e vetëm për përgjegjësi ligjore. Nëse ata flasin broçkulla, nëse flasin jashtë teme, ata i gjykon elektorati. Nëse nuk kanë alternativë dhe zhvillojnë destruktivitetin, prapë i gjykon elektorati. Në fund të fundit, Parlamenti është një arenë mendimesh dhe idesh për çështjet që diskutohen dhe atje zgjedhësit shikojnë se si i përfaqësojnë të votuarit prej tyre. Por, të akuzosh një qeveri si të lidhur me krimin, një ministër si ortak të një të kërkuari si trafikant, kryeministrin si kreun e bandave etj, (nesër kjo mund të kthehet në një alternativë debati për pozitën e sotme) kjo nuk hyn dhe s’ka pse hyn në përcaktimin se deputeti “nuk mban përgjegjësi për mendimet e shprehura”. Sepse, së pari, këto nuk janë mendime, këto janë akuza, që duhen vërtetuar dhe jo lëshuar si tymnajë.

Dhe kur flasim për “reformim” të parlamentit kemi pikërisht këtë. Për ta bërë atë sa më funksional, me debat dhe performancë të pranueshme për qytetarët (të cilëve ju vjen zor ta ndjekin), për të ndryshuar opinionin e qytetareve për politikën në përgjithësi. Kjo nënkupton ndryshimin e mënyrës së sjelljes, të zhvillimit të debatit, me shumë përgjegjshmëri dhe përgjegjësi. Dhe përgjegjësia është morale (e peshuar nga zgjedhësit) dhe ligjore, ku duhet të veprojnë ligjet.

Po si? Ka disa eksperienca në parlamentet e vendeve demokratike. Po marr Greqinë, si një vend fqinj. Edhe në Parlamentin e atij vendi ka debat, madje të ashpër. Ka shprehje mendimesh të kundërta. Ka edhe akuza, por jo si në Parlamentin tonë, ku shpifja ka fituar të drejtën e qytetarisë. Natyrisht edhe atje (në Parlamentin grek) ngrihen akuza dhe bëhen kritika për probleme të ndryshme. Por gjithçka bëhet me shkrim dhe deputeti është i detyruar të dorëzojë në sekretarinë (e posaçme për këtë) dokumentin që, sipas akuzuesit, vërteton akuzën..

Kjo tek ne nuk bëhet. Mund të jetë pjesë e ndryshimit që duhet për ta kthyer Parlamentin realisht në binarët e rregullave të miratuara dhe etikës së nevojshme që duhet të karakterizojë çdo deputet. Detyrimi ligjor për të dorëzuar në sekretari, me shkrim, dokumentacionin e çdo akuze të ngritur, si dhe kërkesa në organet kompetente për të verifikuar vërtetësinë e tyre, do ti bëjë gjuhëgjatët dhe shpifësit sharlatanë të mendohen mirë para se të flasin, pasi nëse akuzat nuk vërtetohen do të jenë të detyruar të marrin përsipër pasojat ligjore. Kjo është e gjitha.

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 7

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 23/11/2017 - 07:22

Bashkëjetesa me të keqen nuk është një rast i veçuar. Tek ne pothuajse është shndërruar në një fenomen që e takon kudo. Sapo del nga shtëpia. Ecën nëpër rrugët e qytetit. Hyn në një mjedis kulturor, në stadium, në teatër, klub, spital, kudo,ku kërkon një shërbim.

Postuar: 23/11/2017 - 07:21

Projekti TAP, kalimi i gazsjellësit të madh nga Azerbajxhani, sigurisht nuk është as sukses shqiptar, biles as sukses domethënës rrugësh ballkanike – por sukses dhe intere

Postuar: 23/11/2017 - 07:06

Lufta e dosjeve është në pikun e saj. Dosje për këtë, apo për atë protagonist politik, për këtë aferë, apo atë tjetrën. Me shifra astronomike, mbresëlënëse.

Postuar: 22/11/2017 - 07:34

Nga Ramazan Sherja

Postuar: 22/11/2017 - 07:33

Nga Florim ZEQA

Postuar: 22/11/2017 - 07:32

Nga Sokrat NDREÇKA

Postuar: 22/11/2017 - 07:29

Nga Artan Xh. DUKA