BREAKING NEWS

Mbi 2 mijë testime! Zbardhen të dhënat e fundit, ja sa raste të reja me COVID u regjistruan në 24 orët e fundit në Shqipëri

Mbi 2 mijë testime! Zbardhen të dhënat e fundit, ja sa raste
x

Opinion / Editorial

Partitë kanë ndezur “motorët”, “makina” shtet, pa benzinë...

Partitë kanë ndezur “motorët”, “makina”

U mbushën dy muaj që partitë, kanë ndezur motorët për fushatën zgjedhore. Të paktën kështu është bërë zakon të thuhet nga mediat, kur afron fushata zgjedhore, “ndezën motorët”! Ndryshe nga zgjedhjet e kaluara në këto tridhjetë vite, me qenë se këto zgjedhje do të jenë “të lira e të ndershme” “motorët” janë ndezur nëntë muaj përpara. Asnjë fjalë tjetër nuk dëgjon për “makinën” shtet që ka ngecur si skodat “Praga”! “Motorët” e ndezur, nuk janë për të vënë në lëvizje makinën me “ngarkesën” ekonomi. “Motorët” e ndezur, qëndrojnë sipër në “karrocerinë” e “makinës me dërrasa të kalbura. Ata, duhen vetëm për të zhurmuar, për të bërë tym për të krijuar një atmosferë të tillë që askush të mos dëgjohet, askush të mos shihet. Këtyre “motorëve” nuk u hidhet benzinë për t’u vënë në lëvizje, përkundrazi, u hidhet ujë, plehra, çizme, akuza, sharje, kërcënime, shpifje e çfarë nuk i hidhet brenda. Mjafton vetëm që të “trullosin” opinionin, që ata të mos kërkojnë asgjë, vetëm të shohin se si partitë nxjerrin “tym” secila për hesap të vet, bëjnë sondazhe, e nxjerrin secila vetveten fituese të zgjedhjeve, njëra 40, tjetra 100, një tjetër 80 deputetë. Atje ku duhet “motori” për të vënë në lëvizje këtë “vjetërsirë” ekonomi, ka mbetur si “kafaz” për zogjtë shtegtarë. Qytetarët, jetojnë kohët migjeniane. “I mjeri popull, thotë Hygoi, i pavetëdijshëm dhe i verbër, di atë që nuk do, por nuk di atë që do”. Gjithçka që është bërë e bëhet janë ato që populli nuk i ka dashur, por nuk do të bëhet asnjëherë ajo që ai do. Tek e dëgjojnë këtë “sihariq” të madh, për zgjedhjet e 25 prillit, politikanët e të gjitha ngjyrave janë pushtuar  nga “ethet” për pushtet për të zgjedhur në organin më lartë të pushtetit legjislativ njerëz të “pakorruptuar”, njerëz të “ndershëm”, njerëz që nuk e njohin korrupsionin. Këta farë “mallrash” të “pakorruptuar” që nuk dinë ç’është vjedhja, për çudi paskan qëndruar fshehur dhe larg syve të qytetarëve që ne, kemi tridhjetë vite që po i kërkojmë si “ujët e pakët”! Të jetë vallë shkaku kryesor gjetja e këtyre “xhevahirëve” kërkimi kaq gjatë prej më shumë se nëntë muaj?  Ata që janë në pushtet mendojnë se si do të gjejnë mënyrat dhe rrugët për të mos e lëshuar atë dhe të tjerët, opozitarët, mendojnë që të vijnë në pushtet, por që të vijnë mendojnë më parë që të dobësojnë sa më shumë të jetë e mundur mazhorancën në pushtet. Edhe ata që janë në pushtet edhe ata që duan të rrëmbejnë karriget e pushtetit, e kanë shumë të qartë që nuk ju shkojnë mashtrimet, gënjeshtrat dhe premtimet boshe, por mendojnë të gjejnë rrugë dhe forma të tjera. Për këtë, kanë një kohë të gjatë për të menduar se si do të gjejnë format dhe metodat e sofistikuara të vjedhjes, të manipulimeve. Të gjitha këto parti që mendojnë të mbajnë pushtetin apo të vijnë në pushtet e dinë që nuk u beson kush sepse qytetarët e dinë mirë se si ata kanë qeverisur. Gjatë periudhës tridhjetë vjeçare qysh nga rënia e komunizmit, mungesa e besimit dhe zhgënjimi i qytetarëve ndaj klasës politike është si asnjëherë tjetër në shekullin e fundit. Gjithmonë, si deri më sot, dështimet, gabimet, krimet mungesën e përgjegjësisë, lidhjen me krimin dhe kriminelët, e shumë të zeza të tjera, gjithmonë i shikojnë tek kundërshtari dhe asnjëherë tek vetja. Kanë mobilizuar për këtë “armët” më efikase, siç janë mediat vizive dhe ato të shkruara, që u shërbejnë atyre dhe këto do të zhurmojnë për më shumë se tetë muaj deri në arritjen e qëllimit final. Shoqëria shqiptare, është ndarë në dy kampe kundërshtare të papajtueshëm me njëri-tjetrin, të papajtueshëm sepse në mes është pushteti, është pangopësia e kësaj klase politike. Politikanët e opozitës, kanë mobilizuar analistë të degraduar, partiakë të sëmurë, servilë të pështirosur që kërkojnë të bindin qytetarët për partinë e “zemrës” që ajo të vijë në pushtet. Këta “monstra” analistësh, nuk njohin as moral, as etikë dhe as edukatë qytetare në gjuhën e përdorur ndaj kundërshtarëve politikë pavarësisht nga funksioet që ata mbajnë. Këta bëhen edhe “gjykatës” edhe “prokurorë” baltosin, akuzojnë e i kërkojnë llogari çdo politikani të forcës politikës kundërshtare sipas oreksit të partive që përfaqësojnë. Ministra e deputetë të forcave politike përfshi edhe ata të rënë nga “fiku” i bëjnë elozhe “gërmadhave” parti që të përfitojnë diçka. Edhe një plak në “mykë” kërkon të bëhet edhe njëherë “nuse” e të “nusërojë”. Kërkon edhe ai një mandat për deputet për “yneret” që ka bërë! O Zot! Nëntë  muaj “motorët” do të zhurmojnë, mediat do të mbushin faqet dhe kronikat, analistët do të përveshin “mëngët” për të qënë të gatshëm për të përdorur grushtet për t’u kacafytur me njëri-tjetrin e po të jetë nevoja për t’u ndeshur “trup me trup”. Çfarë forcë të madhe që kanë partitë, të cilat atë që të bëjnë ato, nuk ta bën as “perëndia”! Të tjerë si “asnjanës” apo “të pavarur” që janë, kanë filluar të bëjnë sondazhe se kush forcë politike do të dalë e para se kush do të bëhet kryeministër, kush do të bëhet ministër i Brendshëm e kush do të marri mandatin e tretë. Sipas preferencave “fol moj gojë se të çava” nxjerrin edhe kush do të dali i pari në listën e deputetëve sipas qarqeve. Njëra forcë politike, nxjerr në krye të listës Salianjin për “meritat” e tij të mëdha në “shpartallimin” e Babales, tjetra nxjerr LSI-në si forca politike më e “ndershme” dhe më e “pakorruptuar”dhe si e tillë, ajo “meriton” të shpërblehet me 34 deputetë. Të gjitha partitë, kanë vetëm një “alternativë”, të largojnë Ramën nga pushteti. Ah more Rama, sikur të jepje vetë dorëheqjen se çfarë shërbimi të madh do t’i bëje vendit dhe sa “benzinë” do t’i kurseje “makinës” ekonomi. Por jo, kryeministri vetë, pretendon të marri  74 deputetë më pas bëhet “pishman” sepse i duken pak dhe shifrën e rrit edhe me dhjetë deputetë të tjerë duke pretenduar që do të marri 84 deputetë për të qenë më i qetë dhe për të mos patur frikë nga ndonjë mocion mosbesimi. Z. Rama pretendon se do të marri mandatin e tretë kurse z.Basha revoltohet duke pretenduar se do të jetë ai forcë e parë duke pretenduar që do të jetë ai kryeministri i ardhshëm. Shajnë e akuzojnë të gjithë, shan e akuzon edhe Basha që edhe zgjedhjet në partinë e tij u bënë, jo vetëm “të lira e të ndershme”, por edhe qesharake. Tymi i këtyre “motorëve” partiakë bashkohet me tymin që nxjerrin makinat e vjetra, dum-dumët, zjarret e shumta e gjithçka tjetër duke formuar një “mishellë” që është bërë “çmërs” në mushkëritë e qytetarëve. A nuk duket absurde kur politikanët dhe mjekët bashkë bëjnë thirrje për t’u mbrojtur nga infeksioni në një kohë që vetë janë shkaktarët e nxitjes së infeksionit? Specialistët thonë që një në çdo katër vetë vdesin nga ajri i ndotur.. A thua të jetë kaq e vështirë të pastrohet ajri në një kohë kur nuk tymon asnjë oxhak fabrike, uzine apo punishte? Flasin politikanë për të luftuar infeksionin dhe nga ana tjetër, shtojnë infeksionet. Vetë specialistët me gojën e tyre e pohojnë që sëmundjet kardiovaskulare, kanceroze dhe ato infektive janë tre e katër fishuar. Atëherë, a pi ujë kjo propagandë fallco, nga kjo zhurmë që nxjerrin “motorët” në këtë fushatë parazgjedhore? Dëgjon akuza e kundërakuza, dëgjon shpifje e trillime nga më bajatet midis forcave politike kundërshtare sipas parimit “shpif shpif se diçka do të mbetet” dhe askush nuk po i jep “dum” halleve që shqetësojnë këtë popull, duke filluar qysh nga mungesa e ujit të pijshëm që është bërë “gangrenë” dhe deri tek ato të drejtësisë që si njëra forcë politike dhe tjetra përpiqen me të gjitha mënyrat që si e si ta pengojnë atë e t’i shtohen edhe më shumë hallet e qytetarëve mbi “malet” e halleve që janë bërë në këto tridhjetë vite. “Zhurmon” kryeministri në këtë periudhë zhurmuese se “do të rrisë pagat e punonjësve të shëndetsisë si asnjëherë në histori”! Mendoni pra ju mjekë e infermierë që do t’u shtohen pagat si asnjëherë deri më sot, prandaj besojeni. “Kryemotoristi” edhe ai nga ana e tij “zhurmon” e kërcënon për “shpërndarjen e Parlamentit” duke argumentuar që “grushti i popullit, është më i fortë nga grushti i shtetit”, ndërsa “Shefi i ofiçinës” i përgjigjet që “të gjitha lëvizjet e tij janë të varura në raport me rrotullimin e hënës”. Nuk heq dorë “Kryemotoristi” nga ideja e tij që vetëm ai është “mbrojtësi i Kushtetutës” në një kohë që Kushtetutën ai e shkelur me dhjetra herë por nuk ka se ç’të thotë tjetër dhe slogani “mbroj Kushtetutën” është i vetmi slogan që “përtyp” ditë e natë. Herë pozon me qenin e tij Charlin, herë me macen e tij e herë me Çim Pekën... Ah sikur të kishin të drejtën e votës qentë dhe macet dhe me këto vota me siguri që “Kryemotoristi” do të dilte forca e parë politike. Po të mos dali i pari në zgjedhjet e reja, Kushtetuta, “i jep atij të drejtën” të bëjë revolucion. Ka bërë gati një mal me dekorata për t’i shpërndarë ato atje ku është e nevojshme, Koha në dispozicion është mëse e mjaftueshme. Më kot “zhurmojnë” motorët e partive përderisa të gjitha votat do t’i mari Presidenti “me ndershmëri” sepse Kushtetuta ja ka dhënë të drejtën që të dekorojë cilin të dojë... Basha nga ana e tij “zhurmon” se do të bëhet kryeministër. Ka apo nuk ka arsye që të bëhet? Si nuk ka, ka që çke me të dhe ai është më “konkret” nga të gjithë. Ai nuk thotë si kryeministri që “do të bëjë rritjen e pagave më të madhe në histori” por i përcakton secilit pagën e tij. Mjekët, 1200 euro, infermierët 700 euro kurse fermerët, ta bëjnë vetë llogarinë se sa do të marrin duke e ndarë midis tyre shumën që u ka caktuar “kryeministri” i ardhshëm për çdo vit nga 100 milionë euro. Po të kemi parasysh që në Shqipëri ka mbetur një numër i vogël mjekë, infermierë dhe fermerë, shuma që ata do të marrin, do të jetë e madhe dhe me siguri, të gjitha votat, do t’i marrë kryeministri i ardhshëm... Po mirë, po Lefter Maliqi që e deklaron që “PD dhe LSI do të marrin së bashku 100 mandate”? Maliqi, i ka caktuar këto mandate dhe po tha ai, këto mandate merren “cak-fap”! Vetëm për këtë “meritë” atij i takon një mandat në njërën ose tjetrën parti. Të mendosh që të tëra partive ju mbeten vetëm 40 mandate, kjo është “kuje”! Po partia me e re e Rudinës, të mbetet kjo e bija e të ëmës pa u përfaqësuar në Parlamentin e ardhshëm, kjo zonjëz e “hekurt” që kujton Parlamentin sikur rrotullohet rreth gishtit të saj? Të gjithë, japin e marrin, kacafyten, shajnë, kërkojnë transparencë, me lista të hapura apo të mbyllura, të mbyllura përgjysmë e të hapura jo plotësisht, këto janë shqetësimet e partive! Krerët e politikës, të majtë e të djathtë, kanë filluar të bëjnë llogaritë se si do të rrëmbejnë karriget, çfarë pazaresh do të bëjnë sepse këtu, ka tridhjetë vite që bëhen vetëm pazare dhe jo pazare sidokudo, por pazare të pista. Deri kur do të zhurmojnë këta “motorë”? E sigurt është që edhe mbas 25 prillit, “motorët” do të zhurmojnë disa me “skapamento” të çarë, disa të kthyer përmbys, duke bërtitur “fituam”!