Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Partitë komuniste në Shqipëri, si “Shën Pjetri” mbi mangall

Postuar: 17/03/2019 - 07:37

Natyrisht, unë që po shkruaj këto rreshta jam menduar shumë nëse do ja vlente ky shkrim apo jo?! Dhe vendosa ta them fjalën time.

Sigurisht që në fund, nëse nga kjo analizë do të më urrenin ballisto-zogistët do të ndihesha mirë, po ashtu edhe nëse ish diversantët e “Mërgatës së qyqeve” apo ish bejlerët e agallarët e vendit do të më anatemonin, përsëri po ashtu do të ndihesha mirë. Do të ndihesha mirë gjithashtu edhe nëse do më urrente ajo pjesë bastarde dhe e degjeneruar e Partisë së Punës që tradhtoi idealet e popullit dhe të Komandant Enverit, që mbasi rrëzoi monumentin e tij duke fërkuar duart rehabilituan Mithatin e Frashërillnjve, Gjonin e Markagjonajve, apo veladonin e zi fashist të Pater Anton Arapit dhe gjithë bashkëpunëtorëve të nazi-fashizmit, përsëri e them me sinqeritetin më të madh do të isha krenar që më urrejnë.
Veçse, nëse do më urrenin punëtorët e fshatarët e varfër, ata që gjatë për gati tre dekadave u mjeruan dhe sot enden të çoroditur brenda Atdheut të tyre dhe akoma më të çoroditur jashtë atdheut- pa Atdhe, atëhere do të mendohesha mirë, sepse kjo tregon që unë, nuk jam në rregull dhe se i jam larguar popullit tim dhe aspiratave të klasës punëtore, që tashmë në Shqipëri është kthyer në proletariat. Kjo do të thotë se punëtori shqiptar ashtu si në vendet tipike kapitaliste,tërësisht është transformuar në një “njeri-vegël pune” mbi kurrizin e të cilit, po ngre lumturinë e saj borgjezia e re shqiptare, duke i kënduar” ninullë demokracie”, duke i mpirë e atrofizuar trurin, duke e goditur atë rëndë në shpirtin ideologjik që përfaqëson.

Po si ndodhi kjo, pse punëtoria shqiptare dhe një pjesë e popullit iu kundërvu “Enver Hoxhës”, si është e mundur që kjo dashuri e madhe të kthehej në një urrejtje të madhe? 
Nuk do ndalem në analiza të mirëfillta ideologjike, por do theksoj se që mbas çlirimit të vendit e gjithë borgjezia ndërkombëtare dhe ajo feudo- borgjeze te ne, që ish e përmbysur e njohën realitetin socialist, por kurrë ato dhe për asnjë moment nuk u pajtuan me të, bile dhe filluan një luftë të egër e pa kompromis. Njëra palë, për të ruajtur lirinë, pavarësinë dhe barazinë shoqërore, tjetra kërkonte privilegjet e humbura. Kësaj shtrese i erdhi në ndihmë edhe tradhtia e ish Bashkimit Sovjetik, ajo e Titos, por dhe e renegatëve të tjerë. Presioni ideologjik mbi PPSH ish aq i madh, saqë gjatë gjithë veprimtarisë së saj, ajo u ndesh me armiq fraksionistë e devijatorë, të cilët kërkonin rrëzimin e pushtetit popullor. Fitoreve të tij dhe socializmit. Teksa kam ndjekur me shumë vëmendje edhe dokumenta apo emisione “dossier” (në editorialin “SOT”) po e kuptoj se çfarë vitaliteti të jashtë zakonshëm dhe çfarë mprehtësie ideologjike ka pasur Enver Hoxha, për të kuptuar dhe paralajmëruar popullin shqiptar se çfarë rreziqesh do t’i kanoseshin Shqipërisë, nëse do të shpartallohej Partia e Punës dhe diktatura e proletariatit, gjë që këtë e realizoi tradhtari më i madh i të gjitha kohërave (si Hamza Kastioti)- Ramiz Alia.
Me një plan të koordinuar mirë, në bashkëpunim me agjenturat e huaja dhe me rrjetin e mirëorganizuar brenda e jashtë Shqipërisë, ata do ta kishin shumë të vështirë të dilnin hapur, u duhej të bënin “popullin për vete”. Por që të arrihej kjo, nuk ish dhe aq e lehtë. Prandaj shtegu më i sigurt për ta ngelej, ekonomia. Nëse do të sabotohej dhe hidhej ajo në erë, nëse do të ulej niveli i jetesës në të gjithë sektorët ekonomikë, ata do ta kishin më të lehtë për ta realizuar ëndrrën e tyre, sepse në një shoqëri njerëzore nuk ka shumë nevojë se çfarë tabele i vë shtetit. Nëse në një shoqëri jetohet mirë ekonomikisht dhe shpirtërisht, dhe nëse e ndien apo e shijon lirinë e vërtetë, është e vështirë të bësh popullin për vete, sikurse dhe e kundërta. Klith deri në kupë të qiellit për klasikët M-L, nëse populli vuan ekonomikisht e shpirtërisht, ai shumë shpejt do ta braktisë atë parti.
Borgjezia ndërkombëtare dhe i gjithë reaksioni ndërkombëtar u premtuan agjentëve brenda radhëve të PPSH, se dhe nga jashtë do të organizohej një bllokadë e egër me qëllim që ta kishin edhe më të lehtë fitoren e tyre. Dhe ata e realizuan me sukses të plotë.
Por ç’ndodhi me këtë rast? Përkeqësimi i gjendjes ekonomike me të drejtë krijoi mendimin e gabuar se... i tillë na qenka socializmi?! Në djall me gjithë socializmin dhe klasikët e tij!

Ndërsa renegatët fërkonin duart nga gëzimi, sepse tashmë çdo gjë do ti atribuohej Enverit dhe se ai do të mallkohej si shkaktar i gjithë të këqijave. Me këtë rast do të kamuflohej tradhtia e Ramizit dhe bandës së tij. Ata (banda e tradhtisë) do organizonin takime me intelektualë (një pjesë e tyre tashmë agjentë të mirëfilltë e të rekrutuar) dhe kthimin mbas, do ta justifikonin me të ashtuquajtura “konsulta masive” dhe demostrata të studentëve, që agjentët dhe gjithë spiunazhi ishin hedhur totalisht me të gjitha forcat në veprimtari të jashtëzakonshme. Kjo tradhti e madhe, u kurorëzua me sukses duke marrë bekimin e Bush plakut përtej oqeanit, të Gorbaçovit i cili kish porositur Ramizin ta kthente timonin e anijes... ama borgjezë tashmë të bëheshin ata, ish komunistët (nënkuptoni tradhtarët e komunizmit). Shembullin e dha i pari Ramiz Alia, duke u konvertuar nga Sekretar i parë i PPSH, (të cilin me gëzim të madh e bekoi dhe Papa i Vatikanit) në President i republikës borgjeze, pastaj vinte lukunia tjetër e hienave të këtij populli që nga Sali Berisha, F. Nano dhe banda e "kapardinave të bardha" që tundnin nëpër tribuna “çekun e bardhë” si hajmalitë e hoxhallarëve mesjetarë.
E gjithë periudha e mëvonshme historike se... Shqipëria do të lulëzonte e do na bëhej si Zvicra, se do na futej në Evropë, se shqiptari do shkonte ku ti donte kokrra qejfit dhe se do hapej drita jeshile për t’u pasuruar, se nga ai moment e tutje, do lulëzonte demokracia në vend të diktaturës... në fakt rezultoi në një bllof i madh. Rezultoi bllof sepse u vendos një terror i egër mbi çdo mendim përparimtar. Nën parullën “Komunistët në litar e pensionistët në hanxhar” filloi kryqëzata si dikur inkuizicioni kishtar, teksa Sala dhe banda e tradhtisë ngërdheshej para telekamerave dhe dritave shumëngjyrëshe. Makutëria dhe etja për para e pushtet u bë leitmotiv i gjithë jetës politiko e shoqërore jo të shtresës së vuajtur të punëtorëve dhe fshatarëve, por të kastës së re të borgjezisë shqiptare. Egërsia dhe furia e pasurimit me çdo kusht e çmim, bëri që në vitet 1996-1997 të vidheshin shqiptarët duke shënuar kështu vëllavrasjen e parë historike të këtij kombi. Por kusuret mbi popullin tonë nuk reshtën, ata vidheshin kudo dhe në çdo gjë. U krijua një sistem i tillë korrupsioni në të gjitha hallkat e pushtetit qendror e vendor, saqë ai fitoi “të drejtën e qytetarisë”.
Etja për para e pushtet, i bëri aq të egër, saqë egërsia e tyre manifestohej kudo, jo vetëm me të famshmin ligj 24/1, por ata nuk e kishin për gjë që të vrisnin dhe njëri tjetrin sikurse bënë me Hajdarin, ata nuk e kishin për gjë të bënin pazare hapur dhe kërcënime jetësh duke e manifestuar këtë me gjakderdhjen në Gërdec (ku Rama direkt nga ekranet e Tv e ngushëllon Salën... nuk i dihet për kunatin, për viktimat, apo ja kish me gisht nga mbas nga gëzimi, sikurse ndodh nga ndonjëherë me disa nga nuset, që kur u vdes vjehrra që qajnë me lot gëzimi?!), apo dhe me 21 Janarin etj., etj., etj. Nuk dua të ndalem shumë në shembuj të tillë, sepse shifrat janë aq alarmante saqë unë nuk di kë të kap më parë, por ama di një gjë me shumë siguri se gjatë gjithë kësaj periudhe historike gati 30 vjeçare, nuk përfituan punëtorët, as të PS as të PD, as punëtorët e përndjekur të “Ballit”, as republikanë as ata pa parti por dhe as simpatizantët e Enverit
Kanë kaluar gati 30 vite, por kurrë s’kam për ta harruar sondazhin që organizoi dikur gazeta “Koha Jonë” (në mos gaboj aty nga viti ’98) për 10 figurat më të shquara të kombit. Dhe e pabesueshmja për borgjezinë vrastare doli se në vendin e parë të renditjes ishte i madhi Enver Hoxha. Populli e kish ngritur më lart se shtatorja e rrëzuar. Nuk është e rastësishme sepse e vërteta, thotë filozofi i Greqisë së lashtë, Sokrati, flet vetë dhe ajo s’ka nevojë për avokat mbrojtës. Dhe ky është një fakt historik. Po pse ndodhi kjo?! Është fare e lehtë për ta kuptuar. Populli shikon dhe gjykon drejt ai është dëshmitar i historisë së tij e shikon se asnjë nga kriminelët e vitit ’97 nuk u dënua teksa u vranë mbi 2000 bij të tij. Asnjë deputet nuk është mbytur deteve apo të vinte i ngrirë nga malet e Pindit të Greqisë, por mbyteshin pa varr e na vinin me arkivol bijtë e popullit. Asnjë ministër, zëvendës, drejtor drejtorie, prefekt apo kryetar bashkie nuk u varfërua, por është populli punëtor dhe fshatarët, të cilët kërkojnë të marrin rrugët e mërgimit.

Po kush i katandis ata kështu? Është oligarkia e madhe e gjithë partive, teksa një pjesë e popullit jeton në kushtet e varfërisë nga papunësia që kë pllakosur vendin dhe nga niveli shumë i ulët i jetesës. Sindikatat që duhet të mbrojnë punëtorët e sidomos krerët e tyre janë bërë pjesë e korruptuar dhe kënaqen nga thërrimet që u lëshojnë sidomos partitë e mëdha. Por ka dhe një fakt tronditës: Dihet në të gjithë botën se Partitë Komuniste janë e duhet të jenë në mbrojtje të shtresave të varfëra. Ka më fakt skandaloz kur fatet e punëtorëve i merr në dorë borgjezia? Ata si duket nuk e kanë forcën dhe ashtu sikurse Shën Pjetri mbi mangall mërmërisin: “Pa kur dimër bën behari... s’ka o s’ka si zjarri”!

Nga Ylli MEÇE

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 24/08/2019 - 07:51

Studio më e freskët televizive me moderator Çim Pekën nuk kishte si të çelte siparin ndryshe, veç me të intervistuarin e parë, kryetarin e PD-së, Lulzim Basha.

Postuar: 24/08/2019 - 07:49

Një fushatë malinje dhe ç’kombëtarizuese po vazhdon prej kohësh me ulje ngritjet e saj nga

Postuar: 24/08/2019 - 07:48

Çdo vit e më shumë shtohet një nga fatkeqësitë kombëtare akoma e pa marrë seriozisht jo vetëm nga

Postuar: 24/08/2019 - 07:46

Kjo është përgjigja që merr nga fatorinot dhe shoferët e linjave urbane e ndërqytetëse të autobus

Postuar: 24/08/2019 - 07:45

Roli i lidershipit ka qenë dhe mbetet objekt studimi, për vetë domosdoshmërinë dhe interesimin që

Postuar: 23/08/2019 - 07:43

Beteja me informalitetin ka nisur me një tjetër ritëm.

Postuar: 23/08/2019 - 07:41

Shqipëria është nga të paktat "demokraci hibride" që të keqen e madhe të saj, e ka në m