Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Pas një bisede për mua dhe Vangjush Dakon në Përmet…

Postuar: 10/11/2018 - 07:27

Miqtë e mi të shumtë përmetarë (të gjallë e të vdekur) nuk janë nga ajo racë që të ndjekin si hije gjersa zgjat dielli mbi Dhëmbel e Nemërckë. Dhe mësuesja më e madhe është Koha. Faktet dhe provat mbi 40 vjeçare nuk janë pak. Në atë trevë të bekuar nisa udhën e gjatë të gazetarit profesionist. Në lule të djalërisë! Në qytetin e luleve të paprekshme. Udhë e mbushur me mirësi e urtësi; me njerëzillëk e dashuri; me kulturë e qytetari; me kaba gërnete që pikojnë gëzime e trishtime, gaze e maraze. Balsam i vërtetë që derdhet përjetësisht si erë dehëse borziloku e trëndafili dhe qetëson çdo shpirt të trazuar nga dhembshuria e kulluar. (Ndoshta është qyteti i vetëm në botë, ku në varrezat e tij mund të dëgjosh live edhe të qarat e sazeve të famshme që kujtojnë e nderojnë amanetin e Laver Bariut me shokë!...). Jeta mban ndezur jetën. Zemra qan, zemra këndon. Dje, sot e nesër. Dhe Vjosa pa pushim mërmëron, por edhe rrëfen e shkumëzon. Brigje më brigje, “jo me lotë, po dhe me ligje…”. Ashtu shtruar e pa qibër. Për njerëzit e mirë, lerë e rritur në këto vise plot visare lokale e kombëtare. Historikisht kështu. Vite të tëra, te ky burim jo dosido i rakisë dhe verës me nam, nuk pashë asnjë të dehur a sherrxhi të pandreqshëm në qytet. Asnjë vjedhje, asnjë vrasje, asnjë shkëndijë kanunore për gjakmarrje e hakmarrje. Asnjë pirg me plehra e mbeturina nëpër rrugët e rrugicat gjithnjë të pastra si bora në male. Dhe dita e djersitur përcillej mbrëmave me shëtitjet këtej e matanë lumit ku “lule djemtë e nënave” kuvendojnë dridhshëm pranë monumenteve që hodhën shtat nga dalta e përmetarit të madh, Odhise Paskali. Te Gryka e Këlcyrë-Mezhgoranit, në vendlindjen time të shenjtë janë rritur me këngët e Mentor Xhemalit. Por zërin e tij të paarritshëm, bashkëfshatarët e mi e njohën më herët se të tjerët. E njohën bashkë me krismat e asaj beteje që mbeti në histori, njohën mitralierin trim partizan. Mitralier që pas Çlirimit të Atdheut, një ditë do të trondiste me zërin e tij gjëmimtar mjaft skena shqiptare e botërore. E njohën atje, ku Trebeshina me Golikun presin në shekuj rrufetë...

Këtë meditim a parathënie me zemër, mu në zemër të Tiranës, nuk e ndali dot as ajo telefonatë befasuese nga Përmeti im i dashur. Se lidhjet e mia shpirtërore në dekada, janë ende si prush i pashuar e pa flakë. “Dëgjo mua, mos e harro atë llafin e gjyshit tënd shpirt njeriu : Flaka të djeg, prushi të ngroh!”, më thoshte dikur shoferi veteran, Jano Dhimarko, kur do transferohesha me rezidencë në Sarandë e pastaj në Myzeqe. Ai burrë i palodhur e kokëplotë zotëronte një humor të lindur e të zgjuar, bashkëpunëtor i shtypit të shkruar dhe mik i mjaft gazetarëve. Jo më kot e kujtova 3 ditë më parë, pas asaj bisede telefonike aspak të rëndomtë. Bisedë që rrodhi vetiu pa maska e shashka, pas një kuvendimi të hapur e vëllazëror për Vangjush Dakon, Kryetar i Bashkisë së Durrësit. Me rrënjë e me degë përmetare (informacion që e mësova për herë të parë). Që mua më vuri jo pak në mendime.

-Ju atje në metropol sikur vraponi më tepër nëpër gjurmët zhurmëmëdha të debatit politik e partiak në ekrane dhe bërtisni si tifozë të djathtë e të majtë. Dhe mileti shushatet e tulatet, sidomos në provincë. Përshembull, disa emisione “Opinion” tundin e shkundin thjesht akuza politike, pa fakte e argumente mbushamendëse. Kolegët e tu të rinj, miku ynë, gogësijnë shend e verë pranë rrëkeve të pista me përgjime të vjedhura e të sakatuara si mos më keq. Përgjime që gjoja shtojnë orekset militante të luftës kundër “pandëshkueshmërisë”. Përgjime në hava, gati ordinere e badihava! Asnjë dokument me figurë e zë nuk na bëri të thoshim me plot gojën “jazëk i qoftë, që merr e jep para të qelbura!” për një kolltuk kryetari a manari. Nëse ke parë e dëgjuar më mirë ti, na thuaj… Ore babam, a të kujtohet kur hoqe picirin vite më parë, pasi erdhi një letër “parimore” dhe plot “vigjilencë” nga një zyrë në drejtorinë e minierës në Memaliaj? Tri pasdite rresht mbledhje partie e dhënie llogarie: Përse ke zbutur hapur “luftën e klasave”, duke takuar në mexhlis një të deklasuar e të dënuar me punë krahu nga Tirana në galeritë dhe llavat e nxjerrjes së qymyrgurit?! Ndryshe shkruan në gazetë dhe ndryshe vepron në jetë. Apo të pëlqen morali i dikurshëm i priftërinjve ? Ky nuk është gabim i vogël, por faj. Aq më tepër që je edhe kokëfortë dhe nuk pranon të bësh asnjë autokritikë të sinqertë… Tri pasdite ogurzeza që ndoshta të ndoqën këmba-këmbës, në monizëm e në pluralizëm. O lako, përse nuk e rrëfen ende publikisht, të plotë e pa censurë? Aq më mirë kur personi që takove vetëm 4-5 minuta në këmbë (personalitet i shquar në fushën e Kulturës), gjatë Tranzicionit “demokratik” u bë edhe deputet. Nuk humbet asgjë, vetëm në fitofsh gjëkafshë... Ndërsa Vangjush Dakos i kërkojnë hesap se përse ua hap celularin qytetarëve votues me “cene” në biografi; përse fiton me mijëra vota më tepër se kandidatët e tjerë; përse lëvrijnë nga zyrat prokurorët; përse i paska “thyer” krahun ish ministrit të fundit të Brendshëm (inkubatorit të intrigave në PS); pse nuk je aksioner a pronar i kazinove në qytetin bregdetar; përse nuk bëri dot ca ditë pushime familjare në Perëndim etj., thagma foshnjore me frymëzime të verbra partiake e ulërake. Madje, ndonjë analist megaloman e toroman, kënaqet shumë kur kujton se i ka hedhur më shumë dru zjarrit akuzues e shpifës nëpër studio televizive komode por demodé në përmbajtje. Dhe bëhen sa hap e mbyll sytë prokurorë e gjyqtarë të përgjëruar. Shkurt, shtiren e ngjiren se paskan monopolin e së vërtetës…

Përmetarët e mi nuk janë nga ajo racë që as qajnë, as qeshin ! Por as paratë nuk ua falsifikojnë dot njerëzillëkun apo zotnillëkun, ndershmërinë e dinjitetin. Unë nuk e kam takuar asnjëherë Vangjushin gjer më sot. Dhe as kam folur ndonjëherë në celular. Tani që mora vesh rrënjët e tij, nuk provova asnjë hidhësirë. Përkundrazi. Sa për Dakot e Tremishtit; për Dëshmorin e Atdheut, të paharruarin Todi (emrin e të cilit mban nipi i tij në Përmet); për xha Golin, mikun tim të veçantë ish partizan i Brigadës së Gjashtë e që sot prehet në Bolëngë, dikur kam shkruar me shumë dashuri. Ndërsa shënimet e ndritura të Mihal Gramenos për një hero të vërtetë të Luftës së Mashkullorës, djaloshin trim Hajredin Tremishti, nuk harrohen. Brenda e jashtë Shqipërisë. Nuk besoj se gjen ndonjë shqiptar që nuk ka kënduar a dëgjuar gurgullimën popullore 110 vjeçare për Cerciz Topullin dhe djemtë e tij luftëtarë për Vegjëlinë e Kombin. Tregojnë se lotët breshër të Cecos për Hajredinë (krahun e tij të djathtë) atë natë marsi pas daljes nga rrethimi, turbulluan edhe vetë Drinon e Viroin. Historia do flasë brez pas brezi… Kur u mbyll biseda në telefon, nuk i shpëtova dot ndjeshmërisë shpirtërore, meditimit e përsiatjes publicistike. Por një kërkesë të tyre s’mund ta hedh pas kurrizit: “Nuk të jemi lutur kurrë, miku ynë i vjetër, na e bëj kabull. U thuaj kolegëve profesionistë e amatorë në metropol (jo ca halabakëve shërbëtorë jargashë e lëpirës në media), të paktën të mos e nakatosin Vangjushin me të fundin ish ministër të Brendshëm. Ai djalë është disa minare më lart në shumë drejtime…”. Më tej. Po Prokuroria e Përgjithshme përse hesht përballë “krimit elektoral” që denoncohet pa doganë? Apo, le të bëhen “lesh arapi” opinionet e papërgjegjshme e kallpe! Mos vallë duan të përsëritet ai precedent i turpshëm politik si me Fatos Nanon? Sepse të japësh urdhëra politikë për pranga e arreste dhe të deklarosh në podiume publike akuza hipotetike e qesimcce, gjoja “duke shkëmbyer me pasuri dhe pushtet votat e blera” (pa fakte e prova konkrete), nuk është thjesht politikë aguridhe e tymuese. Por edhe ligësi e pashoqe... Fjala vjen, të dielën që shkoi, në gazetën “Sot” mësuam se nga Anglia paska ardhur një grup i posaçëm për pastrimin e parave, duke dorëzuar ca dosje për llogaritë në Londër. (Pra, thashethemet e derisotme për ca politikanë shqiptarë të Tranzicionit rrumpallë që “pasuruan” shtetet e huaja me numra të majmë llogarie, jo të gjitha paskan qenë thashetheme akshami!). Ndërsa mua mu faneps portreti i ish partizanit të kulluar, Goli Dako. Po dilja nga Libraria e qytetit të trëndafilave, ku sapo kisha blerë veprat e përmetarit mendjehollë e plot humor therës, Nonda Bulka. Fiks 38 vjet më pare! Ndala hapat në trotuar dhe po shfletoja nxitimthi. Befas, një dorë burri më ra lehtë mbi supe dhe sikur mu lut të gjeja një shkrim satirik botuar për herë të parë në revistën e shumënjohur “Hosteni”(1954). Ashtu i heshtur, buzëqeshi lehtë xha Goli. E lexova me zë e si me një frymë: “Mjetet qytetëruese që ndihmonin popullin për të votuar “shpejt e mirë” kanë qenë tre: Druri, Kamxhiku dhe Ryshfeti. Ky i fundit përdorej i pari dhe kur ky s’pinte ujë, ndërhynin qytetërimisht dy të tjerët… (Pyesim sot: Vërtet gjurmët e komedisë së zgjedhjeve zogiste, ende nuk janë shuar?!). Fjalimet e deputetëve në kohën e votimit fillonin zakonisht kështu: “Të dashur bashkatdhetarë ! Më jepni votën dhe ju premtoj se Shqipërinë do ta bëj Zvicër”. Ishte i vetmi rast kur gënjente pak. Florinjtë që vidhte i shpinte në Zvicër.

Kështu që Zvicrën e kishte bërë Shqipëri, atdhe të dytë, ndofta atdheun kryesor, mbasi për të fjala Shqipëri rimonte kurdoherë me fjalën tingëlluese flori...”. Nuk kanë thënë kot të parët: Liria fillon nga ironia! 

Nga Kristo MËRTIRI

 

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 11

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 13/12/2018 - 07:12

U desh lëvizja studentore të dilnin në sipërfaqe tërë ata që kërkojnë të riciklohen në politikë në biznes, në pushtet, në karrierë, në drejtësi, në media, në tendera, kudo.

Postuar: 13/12/2018 - 07:11

Nuk ishte ndonjë shfaqje kaq interesante dhe sidomos kaq dobiprurëse ajo e Kryeministrit me Dudus

Postuar: 13/12/2018 - 07:10

Nepotizëm dhe korrupsion ka edhe në universitetet europiane, por kur denoncohen ato hetohen dhe n

Postuar: 13/12/2018 - 07:08

Mbrëmë në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut ishin të ftuar edhe disa analistë, ta

Postuar: 12/12/2018 - 07:21

Bashkohem me të gjithë zërat që konsiderojnë protestën e studentëve si një vlerë të shtuar për de

Postuar: 12/12/2018 - 07:20

Po i japin leksion demokracie pikërisht ato djem dhe vajza që tashmë nuk duan asnjë negociatë, di

Postuar: 12/12/2018 - 07:18

Protestuesit studentë u futën në ditën e shtatë të protestës së tyre dhe do ta vazhdojnë atë deri