BREAKING NEWS

Spartak Braho 'kap mat' Metën: Kjo që po bën presidenti s’ka ndodhur në asnjë vend të botës!

Spartak Braho 'kap mat' Metën: Kjo që po bën presidenti
x

Opinion / Editorial

Pas një Kampionati Kombëtar të Peshëngritjes...

Pas një Kampionati Kombëtar të Peshëngritjes...

-(Peshëngritja shqiptare si "vaksinë" shprese për jetën)-

Që kur pandemia COVID-19, bashkë me gjithë globin, pushtoi edhe Shqipërinë u duk se normaliteti i jetës u gjunjëzua nga goditjet fatale të saj. Humbjet e jetës, pasojat serioze në shëndetin dhe ekonominë që po kalojmë që prej një viti, përveç të tjerave, kanë ulur pothuajse në nivelin minimal adrenalinën e domosdoshme që mban në tonus humorin për jetën, dëshirën për ta jetuar në gjithë dinamikën e saj atë. Peshën e rëndë për t’u ringritur sadopak moralisht në këtë situatë të rëndë psikologjike që sundon sot në Shqipëri, do ta merrte e para peshëngritja shqiptare. Presidenti i FSHP z. Elez Gjozaj i doli për zot këtij misioni të vështirë, sa sportiv, aq edhe human. Pikërisht për këtë, në këto ditë të vështira, mirënjohja e shoqërisë duhet t’i drejtohet pa kursim atij… Kështu, pas një viti pa aktivitete për shkak të pandemisë, peshëngritja, sporti elitar dhe më i suksesshmi në historinë e sportit tonë në botë, këtë vit zgjodhi Durrësin që të përcaktojë kampionët (meshkuj e femra) të vitit 2021. Pra, për Kampionatin Kombëtar të Peshëngritjes për të rritur, këtë radhë u përzgjodh qyteti bregdetar, që, po të mos harrojmë edhe goditjen e rëndë që mori nga tërmeti i fuqishëm i 26 nëntorit të 2019, këto ditë ndjehet dyfish i traumatizuar psikologjikisht…

Presidenti i FSHP Elez Gjoza, në kushtet e pandemisë COVID-19, gjeti dhe planifikoi një formulë të re të organizimit të këtij kampionati që u mbajt në dy ditë. Në ditën e parë garuan femrat dhe sportistët olimpistë djem të cilët synuan për të qenë pjesëmarrës në olimpiadë dhe përfitues medaljesh në Kampionatin Europian që do të mbahet në fillim të prillit në Moskë. “…Ndërsa pjesa tjetër e shtangistëve do të vijojnë konkurrimin e tyre të dielën. Kjo është risia që kemi futur këtë vit. Kështu që garat nuk do të jenë të ngjeshura si zakonisht. Do të kemi më tepër shpenzime por sportistët nuk e meritojnë të sforcohen dhe të garojnë deri në orë të vona gjithashtu edhe për efekt të Koronavirusit, pasi në këtë mënyrë nuk i grumbullojmë të gjithë peshëngritësit”, deklaroi z. Gjoza. Kampionati u zhvillua në kushte të rrepta sigurie për të respektuar distancat për shkak të pandemisë. Numrin e kufizuar të të pranishmëve në ndenjëset e tribunës qendrore të pallatit të sportit "Ramazan Njala", besojmë se e kompensoi media televizive e pranishme që përcolli garat të shtunën dhe të dielën. Pra, falë tyre, për dy ditë me radhë, gjithkujt iu dha mundësia që të përjetojë emocionet e bukura që dhuruan në garat e tyre vajzat e djemtë e talentuar të peshëngritjes sonë, këtij sporti të rëndë që kërkon jo vetëm punë pa fund për të rritur forcën e muskujve, por edhe kulturë edhe edukim për kalitjen e një karakteri të ndershëm. Të gjitha ato që krijohen vetëm nga puna dhe djersa e derdhur në stërvitje. Sigurisht, emocionet që të krijon prania në sallë përballë pedanës ku ishte shtanga, ndjekja e drejtpërdrejtë e garës është kurdoherë e pazëvendësueshme. Të shikoje live vajzat shtangiste Kleopatra Saliaj, apo sidomos Evangjeli Velon tek ngrinin lehtësisht pesha që na bëjnë të barabartë e pretendentë me rezultatet e Europës, gjithsesi, është tjetër gjë. Emocionet janë të papërshkrueshme… Të shikoje live kur 15-vjeçari Ertjon Kofsha, nxënësi premtues i "Mjeshtrit të Madh" të Shtërmenit legjendar në peshëngritje - Leonard Toska ngrinte pa u sforcuar 145 kg (në stilin shtytje), mbushesh me shpresë se me punë, maja e arritjes së suksesit nuk është larg… Rivali i tij dinjitar i ekipit të Tiranës Samuel Bishanaku i dha kuptim e bukurinë e veçantë garës në mes tyre, dy shtangistëve të së njëjtës peshë dhe moshë në këtë kampionat. Shpresë dhe ankth për të triumfuar denjësisht në garat e ardhshme botërore ngjalli edhe prurja më e fundit e trajnerit suksesiv Ilir Çela, elbasanasit 17-vjeçar Franko Ferra që ngriti 170 kg në stilin shtytje. Kampioni Briken Calja edhe këtë radhë shkëlqeu. "Qershia mbi tortë" e cilësoi rezultatin e tij Presidenti i FPSH z. Elez Gjozaj atë që u shpall Kampion Kombëtar dhe "Sportisti më i Mirë" i Kampionatit. I mirënjohuri Briken Calja, të shtunën më 20 shkurt 2021, në "Ramazan Njala" të Durrësit vendosi dy rekorde kombëtare: 195 kg në shtytje dhe 353 kg në dygarësh. Në këtë mënyrë Calja përmirësoi edhe rekordet europiane me 3 kg më shumë në shtytje dhe 6 kg më shumë në dygarësh. Në fund, ekipi i meshkujve të Tiranës i drejtuar nga i mirënjohuri Sokol Bishanaku u klasifikua në vendin e parë, në të dytin ekipi i Durrësit dhe në të tretin i Elbasanit. Ndërsa për femra shkëlqyen Tirana e Partizani. "Veç situatës së jashtëzakonshme të cilën po kalojmë për shkak të pandemisë, ky kampionat duhet vlerësuar për prurjet e shumta tepër impresionuese dhe shumë premtuese të të rinjve, djem dhe sidomos vajza", do të shprehej në mbyllje të këtij kampionati arbitri ndërkombëtar, i mirënjohuri Vehap Xhindoli. Këto ishin pak a shumë rezultatet e këtij kampionati të veçantë, për të cilat z. Gjozaj deklaroi: "Vërtet ishte shumë e vështirë. Kemi marrë masa të rrepta për sa i përket COVID-it si në sallën e nxehjes ashtu edhe në këtë të garave. Duhej të bëhej një dallëndyshe për të gjithë federatat dhe kjo dallëndyshe rezultoi të ishim ne. Kemi dhe shumë aktivitete ndërkombëtare dhe kjo na detyroi të bënin një garë për të parë formën e sportistëve tanë. Ky aktivitet do t’i shërbejë kampionatit europian që zhvillohet në prill në Moskë. Sportistët tanë atje do thonë fjalën e tyre dhe absolutisht që do të kthehen me medalje, megjithëse në një vit shumë të vështirë. Shqipëria e meriton këtë". Kjo ishte një panoramë e përmbledhur e Kampionatit Kombëtar të Peshëngritjes që u zhvillua në Durrës në datat 20 e 21 shkurt 2021, por qëllimi i këtyre radhëve nuk ishte vetëm ky.

Siç thamë edhe më lart, situata e pandemisë COVID-19, jo vetëm e bëri të pazakontë këtë aktivitet, por triumfi mbi psikozën depresive që vinte prej saj, hapi udhën për sfida të reja para FSHP dhe presidentit të saj. Veç sfidës për rezultateve të pritshme në ballafaqimet ndërkombëtare, z. Gjozaj nuk duhet të harrojë se ka përpara edhe një sfidë jo të lehtë me një "pandemi" tjetër të trashëguar. Kur them të trashëguar, kam parasysh edhe të importuar. Pra aspak me origjinë e vetëm "shqiptare". Për betejën me dopingun e kam fjalën, për vigjilencën ndaj këtij "virusi" vdekjeprurës për sportin. E them këtë se, sidomos sot, në "botën e parasë" është shumë e vështirë, pothuajse e pamundur, të dallosh kurdoherë siç duhet reagimin e vërtetë ndërnjerëzor. Etja për të fituar jo rrallë e ka asgjësuar fjalën "ndershmërisht". D.m.th., togfjalëshi "fitore e ndershme" është vënë në diskutim. Kudo. Dihet nga të gjithë se në garën sportive, në gjithë botën e saj ("pandemi"), prej kohësh ka hyrë tinëzisht dopingu hileqar. Edhe sportistët tanë në të kaluarën, nuk kanë qenë kurdoherë të imunizuar nga ky "virus", prandaj detyrë parësore e FSHP besoj se mbetet edhe lufta me këtë "pandemi" vdekjeprurëse për sportin. Trajektorja e z. Elez Gjozaj në këtë betejë duhet të diferencojë dhe godasë rreptësisht, drejtpërdrejt e personalisht, përdoruesit e saj. Kushdo qofshin ata. Prandaj, mesazhi që solli ky kampionat peshëngritjeje ishte i jashtëzakonshëm. Të gjithë e pamë dhe po shohim ndërkohë ç’ndodhi e ç’po ndodh në këtë luftë të përbotshme anti-COVID. Tek prodhuesit e vaksinave, kontratat, shpërndarja nga kompanitë dhe qëndrimet e shteteve të ndryshme në botë në lidhje me to doli në pah ashiqare se solidariteti e humanizmi e ka shumë të vështirë të mbijetojë në botën e sotme të fitimit. Por kurrsesi kjo nuk duhet të ndodhë në botën sportive. Madje, qysh mijëra vjet më parë në Olimpin e lashtë, garat sportive për këtë mision lindën: Të përçonin filozofinë e një jete në paqe dhe edukimin fizik e etik të njeriut me "luftë" të ndershme vetëm nëpërmjet sportit. Jo vetëm zhvillimi harmonik e i shëndetshëm i trupit, por edhe inkurajimi i një shoqërie paqësore, të ndershme e me dinjitet njerëzor ishte mësimi që trashëgojmë nga të parat Lojëra Olimpike. Prandaj mesazhi që sollën garat sportive të ngritjes së shtangave, ku me rivalin që ke në krah nuk përballesh fizikisht, por ndeshjen e ke drejtpërdrejt mes shtangës e muskujve të tu, ishin pikërisht gjëja më e duhur këto kohë. Kampionati Kombëtar i Peshëngritjes që u zhvillua në 20 e 21 shkurt në Durrës ishte mesazhi i vetëm që mund të përçohej për të mbajtur lart shpresën e triumfit të forcës së jetës për të mundur të keqen. Madje ishte më shumë se aq. Ishte "vaksina" e vetme anti stresit që kemi peshqesh nga pandemia. Ashtu siç triumfoi në Durrës, besojmë se edhe në sfidën me "pandeminë" e dopingut, FSHP, patjetër që do ta kalojë me sukses. Gara sportive është një institucion që duhet t’i falemi në çdo kohë. Sidomos këto ditë. Sidomos me peshëngritjen, këtë sport të rëndë që kërkon punë jo vetëm për të forcuar muskujt, por edhe për të kalitur e forcuar karakterin e ndershëm mes njerëzve edhe në këto ditë të vështira që po kalojmë.