BREAKING NEWS

Shokuese/ Përdhunoi vajzën që shkoi të denonconte përdhunimin nga disa persona, kush është shefi i lartë i Policisë: I kërkoi favore seksuale dhe mbesës së shkrimtarit të madh Martin Camaj

Shokuese/ Përdhunoi vajzën që shkoi të denonconte
x

Opinion / Editorial

Pasi të kemi mposhtur koronavirusin

Pasi të kemi mposhtur koronavirusin

Po jetojmë vërtet ditë të trishta. Po mbyllim javën e tretë të një shtetrrethimi të vërtetë, si rruga e vetme për tu mbrojtur nga ky armik tepër i rrezikshëm e i padukshëm që quhet koronavirus. Është një jetë tejet e cunguar për të gjithë, që nga presidenti e kryeministri e deri tek pensionisti e fëmija i kopshteve. Por ama duhet ky cungim i tejskajshëm, se është luftë për të mbajtur në këmbë jetën. Nëse nuk ke shëndetin, nëse nuk ke jetën, nuk kanë ç’të duhen as hotelet e vilat luksoze, as miliardat e depozituara në banka dhe as pronat në bregdet apo në zonat turistike. Vërtet jetë e trishtë, e sidomos për ne shqiptarët, që pasi shpërthyem zinxhirët e diktaturës dhe u përshtatëm me një demokraci të hallakatur, tani e kemi shumë të vështirë të mësohemi me ligje emergjente, vetëkontroll të rreptë, me rregulla higjienike e disiplinë lufte. Kudo heshtje e boshllëk. Njerëz të mbyllur në shtëpi duke iu bë bezdi njeri -tjetrit. Rrugë të mbetura shkretë, pa makina. Lokale të boshatisura dhe aktivitet të lëna në harresë. E harruam gëzimin e dasmave dhe ndjemë më thellë dhimbjen e vdekjeve. Të gjithë e ndjejmë boshllëkun e madh që na është krijuar këto ditë të karantinuar nëpër familje, ndeshemi me shtrëngesën e domosdoshme e privimin e lirisë së plotë, jo nga dëshira e qeverisë, por nga kërcënimi i koronavirusi, nga lufta për vetëmbrojtje e nga shpresa për ta vazhduar jetën si më parë. Të gjithë na e ka ënda të ulemi në lokale e lirshëm duke syrbur kafenë e mëngjesit të lexojmë gazetën si në ditët e zakonshme. Pensionistit i qan syri të ulet në lulishte e të luaj hokatar një dorë domino me bashkëmoshatarët e tij dhe pas një shëtitje të gëzuar të kthehet qetësisht në shtëpi i i çlodhur. Nxënësit, ndoshta të gjithë jo, por shumicën po, i ha meraku për librin. “ Tani e kuptoj më mirë se sa e dashur është shkolla - më shkruante në emailin tim një nxënësi im këto ditë bashkë me përgjigjet e pyetjeve të lëndës mësimore të dhëna online. Më ka marrë malli për qortimin dhe vlerësimin e mësuesit, për shakatë e shokëve, për zërat gazmore që mbushnin çdo ditëkorridoret dhe oborrin. Kur ishim në shkollë, -vazhdon ai -nuk kisha të ngopur me celularin, kurse tani mu ka bërë i mërzitshëm. Edhe librin, sado që përpiqem të mos e ndaj nga dora, prap nuk e kuptoj ashtu sikur isha në shkollë nën kujdesjen e mësuesit. Dy gjëra ua mësova më mirë vlerën këto ditë ; mësuesit dhe natyrës. Rinia nuk jeton kurrë dot pa këto të dyja. ” Vërtet kemi ditë që nuk dëgjojmë zëra gazmore të fëmijëve në oborre dhe parqe. Sikur jemi në stinën e vdekjeve. Vdiq fqinji im para ca ditësh dhe pak njerëz, sa gishtat e dorës e shoqëruan të ndjerin për në banesën e fundit. S’ka gjë më të trishtueshme, kur të afërmit në ditë vdekje e ndjenë dyfish dhimbjen;edhe largimin e të dashurit të zemrës edhe mungesën e ngushëllimit të miqve dhe të shokëve dashamirës. Një miku i ka mbetur dasma pa bërë, se jeta ka edhe vdekjen, edhe dasmën. Dikujt i ka mbetur ndërtesa e re që ka nisur përgjysmë. Një tjetri iu ka dëmtuar biznesi, e dikujt i ka mbetur toka pa punuar, e dikush nuk viziton dot të sëmurin shtruar në spital. Po, do t’i pranojmë e durojmë, kjo është lufta. Janë rreptësisht të domosdoshme, që jeta të vazhdojë nesër edhe më e fuqishme se kryesorja është njeriu. Po qe njeriu të gjitha të tjerat realizohen, edhe më shumë edhe më mirë. Do mësohemi për ca kohë me privimet e larmisë njerëzore, sepse jemi në ditë të jashtëzakonshmen, jo të zakonshme. Por të kemi durimin e besimin e patundur, se edhe këtë situatë do ta kapërcejmë e jeta do t’i kthehet patjetër normalitetit. Për vetë karakterin e fortë të shqiptarit e solidaritetin njerëzor që na dallon, të masave të rrepta që ka marrë qeveria e kryeministrit Rama, si dhe të veçorive klimaterike të vendit tonë të mrekullueshëm, do ta sfidojmë këtë situatë. Pasi ta kemi mposhtur Covid-19, do të jemi më të fortë e do të kemi më shumë të mira, se populli thotë që çdo e keqe e ka një të mirë pas. Ajo që të kërcënon për të vrarë, por që nuk ia arrin dot, të bën më të fortë e më të përgatitur për situatat e ardhshme. Pasi të kemi sfiduar koronavirusin, njerëzit do të kuptojnë se të jetosh në këtë botë përballë forcave të egra të natyrës dhe rregullave të rrepta të rendit shoqëror nuk është e lehtë.

Nesër në ditë paqeje, njeriu që kaloi nëpër këto fatkeqësi e përballje, ka kuptuar se në fund të fundit ka një vdekje, se kjo jetë nuk zgjat gjithmonë, ndaj duhet menduar më gjatë e vetëm për mirë.

1. Ndaj njeriu kudo që të jetë, do të perfeksionojë më tej mënyrën e sjelljes, të menaxhimit të punëve, të rregullave e disiplinës, të teknologjisë e qeverisjes, me qëllimin e përballjes së fatkeqësive të natyrës sa më lehtë. Do të ketë nxjerrë mësimin e madh që gjëra të tilla të mos ndodhin më dhe asnjë jetë njerëzore të mos ikë për faj të njeriut. Do të jetë i mësuar edhe me ndjenjën e kujdesit edhe të frikës, të rregullit e disiplinës, me mungesën e hallakatjes dhe indiferentizmit, sidomos duke patur më shumë vetëkontroll, duke bërë më shumë në drejtim të higjienës dhe strukturës të së ushqyerit.

2. Do të kujdeset më shumë për pastërtinë e ambientit, duke e kuptuar më mirë rëndësinë e tij për shëndetin tonë. Një sukses i ditëve të karantinës është rënia drastike e ndotjes së mjedisit, gati 50 për qind, si në botë ashtu dhe këtu në bendin tonë.

3. Do të kuptojmë se duhet më shumë solidaritet dhe humanizëm, jo vetëm në familje e midis tyre, por edhe midis qyteteve e fshatrave si dhe midis vendeve të ndryshme të botës.

 

4. Do të dimë t’i tregojmë njeri tjetrit dhe ndërkombëtarëve se edhe shqiptari është plotësisht i denjë për tu integruar në botën e civilizuar e di të përballoje me dinjitet fatkeqësitë e çdo lloj karakteri qofshin. Shqipëria aktualisht është një ndër vendet e rralla që ka marrë masat e duhura dhe është angazhuar seriozisht për ta fituar këtë beteje të madhe.

5. Pas ditëve të zorshme të karantinës, tek çdo njeri, sidomos tek të rinjtë do të ngjallet më shumë dëshira për të lexuar. Në përgjithësi e patëm harruar librin, patëm braktisur leximin, ushqimin e domosdoshëm për kulturën e të gjithëve.

6. Pas fitimit të kësaj beteje, do të tregohet një kujdes më i madh për shëndetin e njeriut, si gjëja më e shtrenjtë, qoftë nga qeveria ashtu edhe nga mjekët. Mjekët e infermierët tanë që këto ditë po sakrifikojnë në krye të detyrave, do të jenë shumëfish më humanitarë, e heronjtë e vërtetë në ruajtje të shëndetit të popullit.

7. Pas sfidimit të kësaj të keqeje, do të racionohet dhe do të menaxhohet nga të gjithë më mirë koha, si burimi kryesor it ë ardhurave dhe rritjes së mirëqenies. Sipërmarrja private do të bëhet më e zbutur, më sociale. Pak qenë ata tregtarë që spekuluan me çmimet e ushqimeve, por pati shumë të tjerë që u treguan human dhe u erdhën në ndihmën të pafuqishmëve e familjeve në nevojë.

8. Nga çdo kush do të vlerësohet më shumë e më drejt demokracia, se ajo nuk është thjeshtë qejf, çrregull e bëj si të duash, por në radhë të parë sjellje morale e realizim detyrash.

9. Nesër, pas kësaj, do të ngushtohen më shumë kufijtë ndarës midis qyteteve dhe popujve.

10. Do të mësohemi të jemi më të vëmendshëm në çdo drejtim, të sillemi më mirë, çdo pësim të na bëhet mësim, që mos \të bëhen më gabime që s’duhen bërë, si nga njerëzit ashtu dhe nga qeveria. Normaliteti do të vijë pa tjetër, pas dy a tre muajsh. Ndoshta dhe më gjatë. Por ama jeta do të kthehet pa tjetër në rrjedhat e saj, se populli nuk vdes kurrë.