BREAKING NEWS

Kishte humbur shikimin nga tërmeti, koronavirusi i merr jetën pedagogut të njohur

Kishte humbur shikimin nga tërmeti, koronavirusi i merr jetën
x

Opinion / Editorial

Paslëkundjet "sizmike" të politikës, mbas tragjedisë nga natyra....

Paslëkundjet "sizmike" të politikës, mbas

...Vazhdojnë. Ka një ndryshim midis vazhdimësisë të lëkundjeve të tragjedisë nga natyra të 26 nëntorit dhe atyre të politikës. Ndërsa ato të tragjedisë nga natyra vazhdojnë e do të vazhdojnë gjithmonë me intensitet të ulët dhe kjo është e natyrshme derisa t'i plotësohen "tekat", ato të politikës, nga kjo klasë politike, vazhdojnë me intensitet gjithnjë në rritje. Edhe tërmeti i 26 nëntorit, i kësaj fatkeqësie natyrore përveç humbjeve në jetë njerëzish e shkatërrime të mëdha në banesa e prona, nuk na solli as edhe të vetmen "të mirë" si kudo, të na kishte bashkuar të gjithëve e të na kishte bërë një trup të vetëm.. Të vetmen që kemi në dorë ne, me shpirt e zemër, që ndjejmë dhimbje njerëzore, derdhim lot e na ther në zemër për ata të rinj, të reja e të moshuar, për ata fëmijë të pafajshëm që humbën jetën nën rrënoja e ju prenë në mes ëndrrat e tyre të jetës, t'u shprehim atyre ngushëllime! Dhimbja është e thellë, është e madhe dhe nuk mund të kapërcehet lehtë... Edhe shtëpitë e banesat edhe pasuritë do të ndërtohen, por nuk mund të kthehen jetët e humbura nën rrënoja, nga askush, as nga Zoti vetë. Është e natyrshme solidariteti nga të gjithë, brenda e jashtë vendit për të falur diçka, për të dhënë aq sa ata të munden, që familjarët e viktimave dhe të afërmit e tyre të ndiejnë sadopak ngrohtësi në shpirtrat e tyre. Dhe kjo ndihmë humane, nuk mungoi. Për të gjithë ata mijëra e mijëra shqiptarë, brenda e jashtë kufijve, u shprehim mirënjohje. Tek ata, drejtohen qindra mijëra sy e zemra për aktin e tyre kaq human e bujar. Nga kjo tragjedi, ne nxjerrim edhe mësime. Edhe plaga më e madhe, humbja e jetëve, sikur gjen njëfarë "ilaçi", atë të ngrohtësisë që jep solidariteti i të gjithëve, kontributi i tyre që krahas ndihmës ekonomike, është edhe një ngushëllim. Ajo që nuk po i gjendet asnjë lloj "ilaçi" është politika jonë, kjo politikë e mbrapshtë, këta politikanë "gdhë", që edhe mbas tridhjetë viteve, nuk po "gdhenden"! Ata që nuk duhet të flasin sot, as me zë të fortë e as me zë "të mekur", janë politikanët të cilët e kanë treguar dhe po e tregojnë edhe njëherë që kërkojnë të hiqen kush e kush "më i larë" se tjetri, që fatkeqësisht të gjithë, të majtë e të djathtë, të gjithë kanë "gëlltitur" këtë "çorbë" babëzie... Folësja e kanalit televiziv, e hap emisionin e lajmeve: " Kemi ftuar ë ë ë në emisionin ë ë ë ë "Kjo javë" ë ë ë kryetaren ë ë ë ë e LSI-së ë ë ë Monika Kryemadhi. Dhe e ftuara vazhdon: "Nuk ishte tërmeti, por ishte Edi Rama, ai që shkaktoi viktimat e shumta të tërmetit të 26 nëntorit dhe qeveria e tij e papërgjegjshme, që nuk morën masat. E morën me shaka paralajmërimin e Ilir Metës të datës 29 korrik për një tërmet të madh. Po të mos kishte blerë Edi Rama lëndë helmuese për të helmuar protestuesit dhe me këto para të kishte blerë shkallë për të shpëtuar banorët nga rrënojat, nuk do të ishin shkaktuar viktima"! Lexuesit, le ta gjykojnë vetë këtë lajm "sensacional" dhe këtë "zbulim" të madh! Pas kësaj paslëkundje "sizmike" politike, vjen edhe "paslëkundja" e dytë edhe më e fortë. "Edvin Kristaq Mafia, narkoshtet, narkotrafikant babëzia, u jep banorëve që kanë humbur shtëpitë e tyre nga 20 milionë lekë të vjetra me të cilat nuk mund të ndërtosh asnjë faqe ballore të ndërtesës"! U bëj thirrje "cunamit" popull që të ngrihen e të përmbysin këtë regjim të urryer, ashtu si përmbysëm regjimin më të zi të planetit. Sipas qytetarit dixhital, është "varrosur" një njeri i gjallë në ndërtesën e shembur nga forcat xheniere"! Mbas këtyre "paslëkundjeve" "allçakësh", vijnë të tjerat nga "korifenjtë" e politikës LSI-ste me zërin e Vasilit: "Prokuroria, duhet sa më parë të hapi një çështje penale ndaj Edi Ramës, që nuk mori asnjë masë për pasojat që shkaktoi tërmeti i 21 shtatorit". Nga ana tjetër "Robert Çamçakëzi" i opozitës, vrojton pasojat e tërmetit nga "vrima e çelësit". "Çamçakëzi", si i papunë që ishte, gjithë ditën vrojtonte kalimtarët që kalonin para tij duke i numëruar kush hante fara luledielli, kush ecte zbathur dhe kush fishkëllente rrugës. Edhe personazhi në fjalë, duke vrojtuar me duar në xhepa, sepse askush nuk i kërkon llogari se çfarë ndihme konkrete ka dhënë, për t'u dukur që është "në krye të detyrës" vrojton kush nuk ka marrë ndonjë batanije e ku nuk ka shkuar ndonjë pako makaronash. Edhe kjo, ndihmë është. Ftesës së kryeministrit, nuk ju përgjigj, të paktën për sy e faqe që është i angazhuar për eliminimin e pasojave të tërmetit e për të dhënë kontributin e tij aq sa mund të japë, të paktën për t'u shqetësuar edhe ai si të gjithë. Të tilla "paslëkundje", vazhdojnë e do të vazhdojnë më me intensitet në të ardhmen dhe nuk ja vlen që të vazhdojmë më tej. Rëndësi ka që në të ardhmen, paslëkundjet e tërmetit fatal, do të jenë të papërfillshme. Ajo çka vlen për t'u theksuar, janë ato që dëgjojmë e ç'nuk dëgjojmë. Dëgjojmë vetëm "të ditur", "specialistë" të të gjitha fushave, përfshi edhe në fushën e sizmologjisë. Bie një tërmet dhe do të shohësh më pas të gjithë "mendjellinjtë", njëri më "specialist" se tjetri, pavarësisht nëse është inxhinier, është analist apo militant partie. Të gjithë, flasin me "kompetencë" për dëmet e shumta që na solli tërmeti si në humbjen e jetëve njerëzore ashtu edhe dëmet materiale. Të gjithë hamendësojnë, fajësojnë dhe japin edhe "pretencat"! Të tjerë mediatikë janë tepër "të shqetësuar" duke i drejtuar kryeministrit pyetjen se "sa është fatura e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti", në një kohë që akoma jetët njerëzore janë nën rrënoja. Me siguri kjo "media" hallin e ka nëse do të mbetet ndonjë lek për të ngjyer thonjtë apo jo! Një tjetër media e shkruar hapet me lajmin "bombastik" me gërma kapitale: "Ata që kanë abuzuar më ndërtimet, rrezikojnë 7 deri në 10 vite burg"! Ja edhe "Prokuroria" dhe "trupi gjykues" e dhanë pretencën! Zhvillohet një seancë gjyqësore apo akuzohet dikush për x vepër penale, mirë apo keq për vendimin që do të marri prokurori apo trupi gjykues, në darkë do të dëgjoni "specialistët" analistë që janë shumë herë më "kompetentë" nga ata që janë kompetentë. Syzet partiake i bëjnë qesharakë. Kështu edhe për tërmetin, të gjithë bëhen sizmologë edhe për punët e qeverisë, të gjithë bëhen kryeministra. Lum si ne që kemi nxjerrë kaq "qenie" të diturish dhe që "nuk na dhemb koka". Edhe kjo, është një nga shkaqet që jemi kaq të "përparuar" në të gjitha fushat e jetës. Ç'na mbetet tjetër? Na mbetet të themi nja dy të vërteta si çdo qytetar, sepse nuk marr përsipër detyrën e specialistit. Së fundi ka dalë në plan të parë KÇK-ja. Kjo dihet, por ajo që nuk dihet apo nuk i intereson që ta dinë, është RÇR-ja, apo si i thonë "Rrip, ç'të rrjepësh"! Të gjithë, që nga kreu e deri në fund, janë përgjegjës për pasojat e kësaj fatkeqësi natyrore. Jo për ta ndalur atë, por për të minimizuar në maksimum dëmet e shumta në njerëz në rastin konkret. As qeveria, as institucionet e saj, as këta që janë në pushtet sot dhe ca më keq, as ata që ishin deri dje, janë shkaktarët e vërtetë të kësaj tragjedie dhe askush të mos e heqë veten të larë, sepse bëhet gazi i botës. Më keq akoma, të flasësh për LSI-stët, që "nuk kanë përgjegjësi", do të ishte pak të merrje përpjetë malin e Korabit. "Nuk e morët seriozisht paralajmërimin që dha Ilir Meta", thotë Monika Kryemadhi. Po mirë, kur ky "profet" e dinte këtë, pse nuk paralajmëroi më 25 nëntor për tërmetin që të merrte ai Medaljen e Madhe dhe t'ja kishin falur edhe dekretet e 30 qershorit, të 13 tetorit dhe 8 dhjetorit, që kanë qënë si "arrat" e krimbura nga brenda? "Specialisti" dhe "strategu" i të gjitha kohërave mirë bën që akuzon "Edvin Mafien" për dhënien e ndihmës prej 20 milionë për ndërtimin e banesave nga qytetarët që iu shkatërruan banesat. Kushdo mund të akuzojë, por ai që nuk ka gojë të flasi, është pikërisht ky që llomotit tani! Edhe unë dhe çdo qytetar, themi që është një shumë qesharake, por nga ana tjetër duhet të dimë se sa para dha ky ish-kryeministër për viktimat që i shkaktoi me dorën e tij e të "Medinjve" të tij, që ishin sa gjysma e viktimave të tërmetit të kohëve të fundit dhe për më shumë se 300 banesat e qytetarëve që u shkatërruan e u dëmtuan. Më tej akoma. Tërmeti i kohëve të fundit, tregoi edhe një avantazh më shumë që ka diktatura komuniste nga ky sistem "çapaçulësh" i RÇR-ve! Diktatura bënte ndërtime serioze, ku arkitekti, inxhinieri, konstruktori, ndërtuesi etj. etj. qëndronin mbi kokë dhe nuk lejonin atë që bëjnë këta "palo specialistë" që të tallen me jetët njerëzore dhe dalin tani e bëhen të tërë specialistë! Shikoni pallatet që ka ndërtuar NSHN-ja e dikurshme dhe do të bindeni. Diktatura nuk bënte ndërtime si këta të RÇR-së në toka buke, në moçale e këneta, në rërë e kudo, por në vende të sigurta dhe të studiuara mirë. Të gjithë drejtuesit e kësaj periudhe tridhjetë-vjeçare, janë përgjegjës për ndërhyrjet qysh në themele të çdo pallati, sepse kanë qenë dhe janë të etur për të "pushtuar" sa më shumë hapësira, për t'u bërë "të pasur" brenda një kohe të shkurtër. Projektohet pallati me shtatë kate dhe përfundon me nëntë e dhjetë kate. Edhe pushteti qendror edhe ai vendor të gjithë kanë bërë një "vesh shurdh e një sy qorr" dhe në fund tragjeditë natyrore na nxjerrin të palarat në shesh. Ku i kishte pushteti qendror masat e sigurisë në raste fatkeqësish të tilla? Qytetet e fshatrat janë braktisur nga banorët dhe numrin e atyre që kanë mbetur e kalon disa herë numri i qenve rrugaçë, por një qen me nuhatje, nuk e gjen për raste fatkeqësish. Ja ta lëmë mënjanë tërmetin. Por ty more shtet, nuk ka ku të të zërë as "qeni rrugaç"! Do të vijë behari dhe mos e dhëntë Zoti do të bjerrë zjarr në pyje. Një aeroplan për të shuar zjarret nuk ka, por do të shkojnë kalimtarët me thupra apo ndonjë ushtar me gavetën bosh për t'i shuar ato. Edhe makinat zjarrfikëse, janë ato të prodhimit të viteve 60-të. Do të kemi përmbytje nesër, por një palë çizme llastiku nuk kanë forcat e ndërhyrjes së shpejtë. Ai që sot llomotit më shumë në vitin 2007 e shkriu Institutin e Sizmologjisë, e quajti "barrë të rëndë". E shqetësonte buxheti i saj. Por jo vetëm Institutin, kështu bëri edhe me ushtrinë, kështu e bëri edhe drejtësinë me prokurorë e gjykatës me kursin 6-mujor të Plepave... Bir Selman i nënës, kë të qaj më parë! Në këto kushte, nuk kemi rrugë tjetër përveçse t'i drejtohemi Zotit, të vërë "dorën në zëmër"!

Nga Pandeli BARDHI