BREAKING NEWS

“Urdhërove vrasjen e Azem Hajdarit!”, Fatos Klosi nxjerr prapaskenat e rënda, i përgjigjet akuzës ‘bombë’ të Sali Berishës: Unë e paralajmërova që...

“Urdhërove vrasjen e Azem Hajdarit!”, Fatos Klosi nxjerr
x

Opinion / Editorial

Pasojat shkatërrimtare të tërmetit t’i përcjellim me qetësi, besim dhe optimizëm

Pasojat shkatërrimtare të tërmetit t’i përcjellim me

Të gjithë jemi dëshmitarë për tërmetin e fuqishëm dhe të pazakontë të 26 nëntorit të këtij viti që arriti mbi 8 ballë e sidomos në zonën e Durrësit e të Tiranës, ndoshta më i fuqishmi në historinë e tërmeteve që kanë rënë në Shqipëri, e që na kushtoi jo pak, por 51 viktima midis tyre fëmijë, gra, të rinj e të reja si dhe dëme të konsiderueshme materiale, ekonomike e financiare. Secili nga ne, nga kjo gjendje katastrofike përjetoi si kurrë ndonjëherë tjetër dhimbje, dëshpërim, trishtim dhe ndërkohë u shpalos dukshëm mbështetja, ndihma dhe solidariteti human dhe i jashtëzakonshëm qytetar ndaj njëri-tjetrit. Shembullin e solidaritetit kombëtar e dha Kosova, që ishte ndër të parat e të parave që dërgoi 110 forca specialiste që kontribuan me tërë forcën e shpirtit e të ndërgjegjes në operacionin e shpëtim kërkimit, e që shpëtuan me dhjetëra jetë njerëzisht sëbashku me kolegët e tyre italianë, turq, grekë, rumunë e të tjerë. Gjithë këtë situatë dhe panoramë aspak të këndshme e pasqyroi minutë për minutë, orë pas ore dhe për çdo ditë, e me realizëm media vizive dhe ajo e shkruar e sidomos media vizive. Pra, sikundër edhe e pamë informacioni nuk mungoi, por më duhet të nënvizoj se pati edhe teprime e vulgarizime e sidomos nga media vizive. Dhe argumentin tim po e ilustroj me dy shembuj konkretë. U dha informacion mediatik se Spitali i Durrësit është dëmtuar rëndë, ku pacientët dhe personeli mjekësor kanë braktisur në panik e në konfuzion spitalin, kur në fakt spitali kishte pësuar vetëm një plasaritje. Po kështu, u dhanë pamje nga media vizive mbi plasaritjet që kishte pësuar godina e Kryeministrisë e ku vihej theksi në faktin se tërmeti nuk po kursen as institucionet shtetërore përfshirë dhe ato të rëndësisë së veçantë sikundër është rasti i Kryeministrisë e që në të vërtetë nuk ishte nevoja që të jepej si informacion pasi shtonte dozat e panikut, e të pasigurisë te qytetarët. Për të qenë realistë e objektivë, është fakt se u krijua një situatë tepër e rëndë e katastrofike, por që nuk ka vend për rrezikshmëri, hutim, konfuzion, kaos dhe fatalitet. Është e natyrshme që në radhët e qytetarëve e sidomos të të afërmve të viktimave që humbën njerëzit e tyre më të dhimbshëm e më të dashur përjetohet një tronditje e rëndë shpirtërore dhe psikologjike. Po kështu e njëjta situatë shqetësuese është edhe për ata persona shtëpitë e të cilëve u klasifikuan si të pabanueshme e për rrjedhojë shumica e tyre janë në qiell të hapur dhe flenë nëpër makina dhe çadra e plastmasë. Kemi jo pak, por mbi 900 persona të lënduar e të traumatizuar. Kjo është gjendja reale për momentin e që përballë saj nuk duhet të thyhemi, të lëshohemi e të biem në posesivitet.

Përkundrazi në këtë situatë të shpalosim fuqishëm mesazhin e optimizmit, të qetësisë, të besueshmërisë, të garancisë e të sigurisë për përballimin e një kompleksi problematikash që na presin. Në parantezë më duhet të theksoj se është e domosdoshme dhe me shumë rëndësi që të evidentohen dhe kritikohen rreptësisht disfatistët dhe elementë thashethemexhinj që përhapin panik duke përhapur lajme të rreme që frikësojnë dhe stresojnë qytetarët. Dhe akoma edhe më shumë duhet të na shtohen dozat e optimizmit kur shikojmë institucionet shtetërore si Presidenca, Kryeministria, dikasteret respektivë, kryebashkiakët duke filluar nga presidenti Ilir Meta, kryeministri Edi Rama, të cilët kanë qëndruar non stop në 24 orë në krye të detyrave që dikton situata e krijuar. Gjithashtu mbështetja dhe solidariteti mbarëkombëtar deri edhe diaspora, solidariteti rajonal, europian e ndërkombëtarë të cilët na u ndodhën pranë në këtë fatkeqësi natyrore dhe duke na ndihmuar me gjithçka të nevojshme, duke filluar nga ekipet e specializuara të kërkim shpëtimit e deri te ndihmat në ushqime, veshmbathje, çadra, medikamente e deri në ndihma financiare në euro dhe dollarë e që do të vazhdojnë me siguri edhe në të ardhmen. Ja pra, sikundër shihet, me ne në këtë fatkeqësi natyrore, janë të gjithë fqinjët, rajoni, Europa dhe gjithë bota. Pra, të kemi besim dhe siguri se do t’ia dalim, nuk është hera e parë që përballemi me fatkeqësi dhe sfida të tilla natyrore. Të mos e shohim situatën me pesimizëm, por me optimizëm, skepticizëm, ti kundërvëmë besimin dhe vendosmërinë tonë, kaosit dhe konfuzionit t’i kundërvëmë rregullin, disiplinën dhe qartësinë për t’u ofruar njerëzve në këto ditë të vështira shpresë, besim, ndihmë, optimizëm, kurajo, guxim, ngrohtësi dhe solidaritet, humanizëm e gjithçka tjetër, të nevojshme në këto momente kritike, të cilat do të kapërcehen me sukses. Të jemi për herë të bashkuar dhe pranë njëri-tjetrit.

Nga Pali NITO