BREAKING NEWS

Rama përzë nga lista 40 për qind të deputetëve, kreu socialist transformon ekipin, pakënaqësitë largojnë figura të njohura të PS

Rama përzë nga lista 40 për qind të deputetëve, kreu
x

Opinion / Editorial

Patriotizmi fallco i politikës shqiptare

Patriotizmi fallco i politikës shqiptare

Po t’i shohësh dhe t’i dëgjosh politikanët shqiptarë në fjalë e deklarata të marrin në qafë me to për patriotizëm, atdhetarizëm dhe në garë për t’u dukur si patriotë e atdhetarë; por po t’ua shohësh se çfarë sillen dhe si veprojnë në fakt janë njerëz që asgjë dhe asnjë lidhje nuk kanë me patriotizmin dhe nacionalizmin përveçse të kundërtën po: manipulimin dhe spekulimin me patriotizmin dhe antipatriotizmin e tyre të maskuar me patriotizmin fallco.

Por ka edhe një lloj tjetër patriotizmi, që janë patriotët “frikacakë” dhe egoistë që vetëm sa kritikojnë të tjerët dhe që vetëm atyre u duket vetja patriotë, por që të tillët nuk bëjnë dhe as nuk kontribuojnë aspak dhe asgjë për shtetin dhe as per atdheun, por vetëm sa filozofojnë, zhurmojnë e llafollogjizojnë me qëllim që të duken si patriotë Facebook-u nëpër portale dhe kafeneve.

Nuk mund të jesh dhe as nuk mundesh të mashtrosh me patriotizmin fals, kur bën krimin, korrupsionin, vjedhjen dhe tradhtinë; nuk mund të jesh patriot kur gënjen dhe premton vetëm për të mashtruar; nuk mund të jesh patriot kur kontrabandon dhe për interesa personale shfrytëzon dhe spekulon me interesat kombëtare; dhe nuk mund të jesh patriot kur vjedh dhe manipulon me votën e popullit, pra kur vjedh e grabit demokracinë dhe pushtetin. Kjo është ajo e cila e ka karakterizuar të gjithë elitën politike shqiptare të këtij tranzicioni 30-vjeçar në Shqipëri.

Kjo është përsa u përket politikanëve, por nuk mund të thuhet se një komb është patriot sa duhet kur ai komb lejon, duron dhe i mban në pushtet e qeverisje jopatriotët, pra: tradhtarët, hajdutët, mashtruesit kombëtarë dhe keqbërësit publikë.

Në dy shtetet shqiptare demokracia politike nuk ka demokracitet dhe patriotizmi politik është jopatriotik. Politika dhe politikanët shqiptarë dhe sidomos pushteti kanë shfrytëzuar, spekuluar dhe i kanë keqpërdorur si demokracinë ashtu edhe patriotizmin.

Patriotizmi dhe demokracia gjenden në popull, por mjerisht popullit ia kanë rrëmbyer dhe i ka privatizuar ato politika.

Si demokracia ashtu edhe patriotizmi janë dy deficite të mëdha, madje më të mëdhatë që ka sot në Shqipëri. Politika shqiptare si demokracinë ashtu edhe patriotizmin i kanë fallco dhe sa për dukje e maska mashtrimi.

Në atë vend ku ka deficit e mungesë patriotizmi dhe demokracie aty nuk ka as drejtësi, as mirëqenie dhe as lumturi, sepse pa patriotizëm dhe pa demokraci sot në kohët moderne si shteti ashtu edhe shoqëria keqfunksionojnë dhe keqfunksionimi demokratik dhe demokracia e korruptuar çojnë në dështim dhe falimentim të shtetit dhe të shoqërisë.