Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Pazotësia për të krijuar optimizëm dhe tablo me ngjyra të ngrohta!

Postuar: 01/12/2019 - 07:38

Pse i ngroh kaq shumë fotot? Pse ja forcon ngjyrat, pse e thekson kaq shumë fotografinë më thotë një nga njerëzit më të rëndësishëm të jetës time! E përgjigja është më se e qartë: Dua të jetoj mirë, të jem plot ngjyra dhe sidomos optimist! Në fakt jam optimist i sëmurë! E kjo sigurisht është një e mirë, sepse kam aftësinë për të krijuar dhe në momentet më të vështira, më të errta, më të trishta, ngjyra shprese dhe dritë të madhe ardhmërie të sigurt! Mirëpo imagjinoni si duhet të jenë ato që konsiderohen "baballarët apo nënallaret e sotëm të shtetit"! Nuk po bëj shaka jo! "Baballarë dhe nënallare" sepse ka shumë gra dhe femra të katapultuara nga ca burra sipër tyre që sot kujdesen për shtetin! Një pyetje del qartësisht e diskutueshme sot! Pa rënë ky tërmeti i fundit, që i vuri kapakun të gjithave, kishim situatën e një shpresë të humbur për zhvillim ekonomik, për drejtësi dhe për një politikë e cila duhet të merret vesh, që shoqëria apo shteti, por dhe kombi të prosperojnë! Kishim situatën e një tragjizmi shqiptar që po boshatis vendin! Një tragjizmi ku nuk lindin më fëmijët tanë në Shqipëri, por në vendet e botës! Tragjizmin e mundësisë së pakët, për të pasur siguri në punë dhe raport të mirë dhe të sigurt me pronën! Tragjizmin e përdorimit politik të shoqërisë dhe pasigurinë nëse nesër do të ketë pensione dhe shëndetësi të plotë dhe të sigurt, me këtë mungesë të madhe të të rinjve në punë! Tragjizmin e boshatisjes së vendit nga mosha e re dhe mbetjes në Shqipëri vetëm të pleqve dhe invalidëve, bashkë me një dorë politikanësh që janë direkt aktorët dhe faktorët e këtij tragjizmi të madh! Tragjizmin e sistemit të shëmtuar arsimor që po nxjerr injorantë të klasifikuar të "shkolluar"! Tragjizmin e administratës në pasiguri të madhe pune dhe mungesë të plotë të kualifikimit dhe dëshirës për kualifikim, sepse nesër puna nuk do të jetë as e tyrja dhe ndoshta nuk do të jetë fare! Tragjizmin e përfitimit të benefiteve nga militantët dhe horrat e politikës dhe barkut bosh të shoqërisë, por dhe pasigurisë së plotë te njerëzit e punës dhe zhvillimit, te njerëzit e ditur dhe të aftë për drejtim! Tragjizmin e arrogancës së miliarderëve të partisë dhe afaristëve të partisë, kudo në çdo hap të shoqërisë! Po pra dhe fill mbas këtij tragjizmi - bie tërmet dhe i vë kapakun një marrëzie të tillë tragjike në teatrin e madh të shqiptarit të shkretë në vitin 2019-të!

Mbas të gjithë këtyre tragjizmave askush nuk është i zoti të drejtojë shoqërinë drejt optimizmit dhe fjalëve të mira, të buta dhe pa alarmizëm, tragjizëm dhe arrogancë! Është një klasë politike që nuk shton dot optimizmin dhe nuk është as optimiste vetë! Janë të rënduar psikologjikisht vetë më shumë se populli i tyre! Janë të rënduar se e kanë bërë "mullar" me grabitjet dhe paudhësitë korruptive të tyre, kur populli është pesimist nga pikërisht këto paudhësi të bëra në kurrizin e tij! Mirëpo e kujt është detyra për të krijuar optimizëm sot?! Kush mund ta bëjë?! Si duhet ta bëjnë, si duhet të flasin dhe si duhet të sillen? Duhet të varin turinjtë, të ofshajnë dhe qëndrojnë zymtë, që të flasin si miza në qyp me fjalë qaramane dhe rënduara, me plagosje zemre dhe zëri! Kështu mund të nxitet të jetojë me shpresë dhe optimizëm një shoqëri që ka humbur të drejtën për të qenë optimiste. Po këtë gjë e dinë mjaft mirë artistët, piktorët e tablove të bukura, plot dritë, plot diell, plot dëshira dhe plot ngjyra të thekshme. Po ne teorikisht duhet të quhemi me fat se kryeministrin tonë e kemi një piktor. Që ka mundësi ta ngjyrosë me hare dhe gaz tablonë tonë ekonomike dhe politike! Por sidomos atë të përgjithshmen shoqërore! Duke transmetuar forcë shprese dhe energji, për të nesërmen e bukur! Kjo tablo nuk mund të jetë një gënjeshtër, por duhet të pikturohet e ardhmja bukur në vend që të qahet dhe ankohet e sotmja e shëmtuar dhe e zymtë! Por jo vetëm ai ose kryeministri! Po ku është optimizmi te opozita, te njerëzit e saj, apo te korifenjtë e të nesërmes që pretendojmë dhe pushtetin? Ku e kanë aftësinë për të ngjallur shpresë dhe dhënë mesazhe për të nesërmen në duart tona, shumë më të bukur dhe me ngjyra! Unë mendoj se nuk kanë aftësi për të ngjallur shpresë! Janë në "ceitnot" të plogështisë që të jep mendimi i mbyllur dhe idealizmi i vdekur në shpirtin e tyre! Nuk kanë më se çfarë të transmetojnë! Nuk ju bën as zemra dhe as truri! Nuk munden më të japin drita dhe ngjyra shprese! Janë të errët dhe të zymtë orë e minutë, por dhe si filozofi në përgjithësi! Dje thosha se shteti nuk pikturohet, por ndërtohet! E më duket se kam të drejtë plotësisht! Sot kam rënë në një tragjizëm të tillë politik, sa them se nuk janë të zot, as ta pikturojnë dot që të duket më i mirë dhe të ngjallë shpresë! Dikush duhet të ngjallë shpresë dhe të lindë shkëndijat e saj në Shqipëri!

Përndryshe kjo klasë politike, këta drejtues të shtetit dhe shoqërisë, janë një grumbull mediokrish dhe të pa zot, për krijimin e klimës së bukur shoqërore! E sigurisht konkluzioni del i qartë! Kujt dreqit i duhet kjo klasë e tillë deprimente, e zymtë dhe e shëmtuar njëkohësisht? Që është e pa zonja të krijojë optimizëm dhe të ndërtojë të ardhme me qëllim shpresën e një shoqërie që ka kohë në tragjizëm! Po po, kujt dreqin i duhen të tillë firaunë?! Mirë se kanë akuza për korrupsion dhe drejtim administrim të keq, por dhe të zymtë, të errët dhe gjithçka të zymtë filozofikisht e politikisht. Kujt i duhen tipa të tillë!? 

Nga Besi BEKTESHI

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 13/12/2019 - 07:10

Ka debat dhe diskutime sot mbi atë që quhet nga KM si ligji mbi "anti shpifjen".

Postuar: 13/12/2019 - 07:10

Mbrojtja me çdo çmim e të vetëve, militantëve, të zgjedhurve, funksionarëve, ish-administratorëve

Postuar: 13/12/2019 - 07:09

Siç dihet poetit racist, austriakut Handke iu dha çmimi Nobel në letërsi për meritën e “për

Postuar: 12/12/2019 - 07:07

Sigurisht që koha e sotme ka nxjerrë në pah dhe iniciatorë dhe emra të rinj "fantastikë të p

Postuar: 12/12/2019 - 07:06

Mendojmë se forcat politike në pushtet duhet të përcaktojnë dualitetin shtet-pushtet, në zbatim t

Postuar: 12/12/2019 - 07:05

Përmbysja e sistemit komunist në 1990-ën ishte vepër e shumicës së shqiptarëve, në radhë të parë

Postuar: 12/12/2019 - 07:04

Mbas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit që pllakosi dhe tronditi zemrat e shqiptarëve të kudon